Protrumpizmi nuk është automatikisht proamerikanizëm

Nga Ervis Iljazaj

Opozita shqiptare ka kërkuar aprovimin e një rezolute parlamentare me qëllim ndryshimin e votës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për statusin e Jeruzalemit Kryeqytet. Përtej faktit që kjo kërkesë vjen me vonesë, pasi tashmë ajo votë kundër qëndrimit të Donald Trump është numëruar, është dhe një tentativë e opozitës për t’u rreshtuar pro Presidentit Trump në çdo qëndrim të tij. Por, jo me domosdoshmëri, protrumpizmi është proamerikanizëm apo e kundërta.

Opozita shqiptare, sidomos Partia Demokratike, manifeston me të drejtë një lloj trumpizmi që nga momenti kur ai u zgjodh President, me shpresën se zgjedhja e tij do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet me Kryeministrin Rama dhe në këtë mënyrë opozita do të shihej me një vëmendje të veçantë nga Amerika.

 Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kalojnë dhe duhet të kalojnë përtej presidentit të radhës, është një marrëdhënie midis dy popujve. Prandaj dhe vota e Shqipërisë kundër qëndrimit të Donald Trump për të shpallur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, nuk ndikon aspak në marrëdhëniet me SHBA. Kjo marrëdhënie ka një bazë më të gjerë, si aleanca në luftën kundër terrorizmit, pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet e NATO-s apo faktori shqiptar në Ballkan, që është tërësisht proamerikan. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një qëndrim që e kundërshtoi shumica dërrmuese e vendeve të Botës, sidomos ato europiane.

Në tentativën për t’u dukur sa më protrumpiste, opozita shqiptare po kërkon të shfaqë qeverinë aktuale si antiamerikane, për një çështje, që nuk prek aspak marrëdhëniet me Amerikën. Mirëpo, në këto qëndrime ka disa kontradiksione që opozita shfaq. Sepse Amerika është më tepër se një President i radhës. Opozita është kontradiktore kur kritikon çdo ditë ambasadorin amerikan në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë është trumpiste. A thua se Donald Lu është ambasador i vetëshpallur dhe jo i mbështetur nga administrata Trump.

Në këtë kuptim paraqitja si proamerikane e opozitës kalon vetëm nëpërmjet emrit të Donald Trump, ndërkohë që lidhjet shqiptare me Amerikën duhet të jenë të plota dhe pa kushte, dhe jo vetëm për interesa meskinë politikë të ditës. Dhe kërkesa për rezolutën parlamentare për të ndryshuar votën në OKB, është një tentativë tjetër për t’u shfaqur në mënyrë të dëshpëruar si një opozitë trumpiste, duke harruar që ka politika më të rëndësishme që ndërtojnë raportin tonë me SHBA.

Disa vite më parë, një nga Presidentët e SHBA në një takim me grupet e interesit, në diskutim e sipër iu kujton këtyre të fundit se ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ata nuk kishin të drejtë t’i drejtoheshin në një mënyrë jo të duhur. Ndërsa, grupet e interesit ju përgjigjën duke i thënë: “Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj zoti President je i detyruar të na dëgjosh”.

Kjo histori tregon se sa më e madhe është SHBA përtej çdo emri të momentit që është President. Raportet me të duhet t’i shikojmë në një dimension më të gjerë dhe më afatgjatë.

Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për aleatët shqiptarë në Ballkan, aty ku luhet një lojë e madhe gjeopolitike midis fuqive botërore, dhe jo për të zgjidhur konfliktin në Lindjen e Mesme. Këtu, Shqipëria dhe klasa politike e saj, duhet të tregohet e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara, sepse vetëm këtu ka rëndësi dhe mund të luajë rol të rëndësishëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Puka dhe eksodi human

Nga Leonora Laçi “Mos pyet se çfarë bëri vendi yt për ty,...
Read More