Protesta vazhdon, Rama u plotëson kërkesën e parë

Kryeministri Edi Rama në takim me stafin pedagogjik dhe disa studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës premton uljen e tarifave të studimit në masën 50 %, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm. Rama premton plotësimin e 1 prej 8 kërkesave të studentëve. Debatet në takim dhe braktisja e sallës nga disa studentë. Protesta vijoi edhe dje para kryeministrisë, ndërsa për disa minuta u bllokuan akse kryesore në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama në një takim që pati me profesorë dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dha lajmin se qeveria ka vendosur përgjysmimin e tarifave për studentët e ciklit bachelor. Lëshimin e parë që është edhe plotësimi i një prej tetë pikave që kanë paraqitur studentët, kryeministri e bëri publike para profesorëve dhe studentëve, ku këta të fundit ndonëse qëndruan në sallë nuk u kursyen në kritika drejtuar rektorit dhe kreut të qeverisë. Në një situatë kur studentët janë në ditën e 14 të protestës masive, kreu i qeverisë më shumë se për të hedhur e pritur batuta është ndalur në “thelb të problemeve”. Sipas kryeministrit, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm një nga tetë pikat e kërkesës do të realizohet menjëherë. T’ju pyes që sot, kur i paguani ju tarifat, pjesën tjetër kur e keni? Në janar… Në janar s’do i paguani, po jua them sot. Në janar ju do të paguani 50 % më pak të tarifës të gjithë. Ja ta thashë një, nëse do vini në janar do ju kërkojnë, do refuzoni të paguani në janar tarifën më shumë se 50 % të asaj që duhet të paguani, kaq di t’ju them unë. Do ta refuzoni, nëse ju thonë do ta paguash do i thoni jo nuk e paguaj”- u shpreh Rama. me këtë rast ua ka bërë të ditur edhe universiteteve që tarifat për studentët do të jenë të reduktuara në masën 50 %. Gjithashtu, kryeministri është ndalur edhe në pjesën politike, duke tentuar t’u japë përgjigje kritikëve, mes tyre edhe shumë studentë që refuzojnë dialogun me kreun e qeverisë, duke e konsideruar të pabesueshëm. “Ma thoni një gjë që e kam thënë e kam harruar dhe se kam mbajtur. Në 2013 thashë do bëjmë 0 inputet bujqësore për fermerët, u deshën 5 vjet, por e bëmë, asgjë nga ato që kam thënë nuk i kam thënë. Nuk bëhen të gjitha përnjëherë. Asnjë nga gjërat që kam thënë se kam thënë për të gënjyer njeri. Por ka edhe gjëra që nuk realizohen, pyesni prindërit, i kanë realizuar të gjithë planet. Ama dialogu duhet patjetër”-shtoi Rama. megjithatë takimi nuk ishte aq i qetë për kryeministrin që në nisje të saj. Sapo studentët nisën të flisnin, duke parashtruar kërkesat e tyre para Ramës, njëra prej tyre tha publikisht se i ishte mbajtur e fshehtë fakti se aty do të shkonte kryeministri. Ajo tha se do të braktiste e para takimin në fjalë. “Tarifat janë rritur. Unë jam studente e Financë-Kontabilitetit dhe paguaj 320 mijë për tarifën. Ndërkohë dy kurset e tjera paguajnë 300-350. Pres përgjigje. Ose nga ju kryeministër, ose nga Rektori. Janë rritur apo jo tarifat? Nuk më pëlqeu fakti që Rektori na gënjeu pasi nuk na tha për këtë takim. Madje nuk na tha asgjë që do të vinit këtu. Ndaj unë jam e para që po braktis mbledhjen. Rektori po na gënjen dhe po na rrit tarifa”- tha ajo, duke lënë sallën në shenjë proteste. Kaq mjaftoi që të reagonte kryeministri Rama, i cili iu drejtua studentes se: “Ku e pret përgjigjen, duke ikur?”. Pas disa sekondash heshtje i tha studentes se nuk ishin këto rregullat e mirësjelljes si dhe iu drejtua studentëve që duartrokitën duke i thënë se mund të largoheshin nëse do donin. “Në protestë nuk ndryshojnë rregullat e mirësjelljes, ato janë të shkruara dhe duhet t’i respektojnë. Edhe ju që duartrokisni s’jeni të detyruar të rrini. Por një gjë ju them, nëse me ndihmon ndonjë prej jush që duartrokisni ta gjeni në histori në ndonjë vend këtë që bëni ju, unë do ju isha shumë mirënjohës. Megafoni është një mjet që e kam përdorur dhe unë. Megafoni është shumë i nevojshëm kur s’të dëgjon njeri”-tha kryeministri. Ndonëse në numër relativisht të pakët me studentë, takimi vijoi me qëndrimet e kryeministrit, që zgjodhi Universitetin Bujqësor të Tiranës për të dhënë lajmin e përgjysmimit të tarifave të studimit.

Premtimi, “bonus” për studentet ekselentë dhe në nevojë

që në ditët e para të protestës dhe publikimit të tetë kërkesave nga ana e studentëve, Rama u shpreh I gatshëm ti plotësonte, madje sipas tij do të ofronte edhe më shumë nga çfarë kishin kërkuar, por më parë duhet të dialogonin. Dhe një nga plotësimin e “pikave të pakërkuara” ishte që studentët që janë me vlerësim 9 dhe 10 tarifat e studimit do u paguhen 100 % nga shteti. Rama bëri një sqarim për studentët për njërën prej pikave që ata kërkojnë, përgjysmimi i tarifës. “Pika parë thotë përgjysmim tarifash? Ok. Tarifat janë pjesë e kostos, por ta dini asnjë student nuk paguan më shumë se 50% të tarifës. Tani i bie të paguani 25%. Atyre që janë me 9 ose 10, i themi, ne do ju paguajmë 100% tarifën shteti. Kush merr 8-9 pse 50%, do e paguajmë më shumë”-tha Rama. Ai shtoi gjithashtu se kush vjen nga familje në nevojë do t’i paguhet tarifa e studimit 100%. Ndërsa ishte kategorik dhe ironik për studentët që sipas kryeministrit qëndrojnë në kafe dhe marrin nota ngelëse. “Po më fal…, ti vjen në universitet, merr paratë e prindërve, rri në kafe, se kafet janë tumllas, më shumë ka në kafe se në auditor, do që të të paguajë shoqëria ty që ti të marrësh 4-5 dhe në fund fare të dalësh si gjithë të tjerët, madje të jesh dhe doktor shkencash”-tha Rama. Nga tetë pikat e paraqitura nga studentët disa nga kërkesat kryesore janë përgjysmimi i tarifave të studimit, rritjen e buxhetit për arsimin në 5 % të Prodhimit të brendshëm kombëtar, kushte më të mira në konvikte dhe auditorë, mbështetje për masterin dhe doktoraturat dhe studentët të kenë më shumë vendimmarrje në bordet drejtuese të universiteteve.

Delegacioni i BE: Kërkesa të drejta, është koha për dialog …

Protestën prej 2 javësh të studentëve, e ka përshëndetur edhe delegacioni i BE në Shqipëri, ndërsa kanë bërë thirrje që tashmë të këtë një dialog për të gjetur zgjidhjen e të gjitha këtyre kërkesave. “Protestat paqësore të studentëve në Shqipëri janë një shprehje e shëndetshme e demokracisë. Ekziston një konsensus i gjerë publik në shoqërinë shqiptare lidhur me kërkesat e tyre. Studentët bëjnë thirrje për standarde më të mira arsimore. E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit. Tani është koha për të ndërtuar një dialog që siguron që këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike”. Ka qenë ky qëndrimi i delegacionit të OSBE-së në Shqipëri, që ndonëse vlerëson protestën dhe i konsideron mjaft të drejta kërkesat e studentëve, ka bërë thirrje për dialog. Ky qëndrim i ndërkombëtarëve vjen pas refuzimit të prerë të studentëve për t’u ulur për negociata apo dialog me kreun e qeverisë. studentët edhe dje kanë vijuar protestën duke bllokuar për disa minuta disa nga akset rrugore në Tiranë, ndërsa numri i studentëve që protestojnë para kryeministrisë ka qenë më i vogël se në ditët e tjera.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sëmundja nga e cila vuan Presidenti Thaçi

Nga Berat Buzhala Nëse Presidenti Thaçi është duke e lexuar këtë shkrim,...
Read More