fbpx

Editorial

Propozimet kushtetuese të opozitës, një mënyrë tjetër për kapjen e Kryeprokurorit nga politika





               Publikuar në : 09:26 - 16/01/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Opozita shqiptare ka dalë me disa propozime kushtetuese për t’i rikthyer kushtetutshmërinë, siç e konsideron ajo, procesit antikushtetues të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në thelb, propozimet e opozitës konsistojnë në këto ndryshime: Gjykata Kushtetuese propozon tre emra kandidatë, dhe Parlamenti zgjedh me tre të pestat një nga këta emra. Nëse Parlamenti nuk arrin dakordësinë për një nga emrat, atëherë, emri i parë në listë i propozuar nga Gjykata Kushtetuese zgjidhet Kryeprokuror.



Nëse e nxjerrim jashtë kontekstit ku po zhvillohen ngjarjet politike dhe të drejtësisë, këto propozime do të ishin më se normale dhe të drejta. Mirëpo, duke qenë se konteksti për politikën është shumë i rëndësishëm, nuk mund të bëjmë ndryshe përveçse këto propozime t’i analizojmë brenda ngjarjeve të fundit politike dhe ndryshimeve në pushtetin gjyqësor.


Duke e parë në këtë këndvështrim, propozimet e opozitës kanë disa kontradiksione, por mbi të gjitha janë një tentativë e përsëritur e politikës shqiptare për të patur akses në emrin e Kryeprokurorit të Përkohshëm, i cili çuditërisht është kthyer në një nga pozicionet më të rëndësishme dhe figurë kyçe në lojën e shahut politik.

Në radhë të parë, nëse është kushtetues apo jo procesi i zgjedhjes së Arta Markut në krye të prokurorisë, është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese për ta vendosur. Një aksion të tillë opozita nuk e ndërmori asnjëherë. Megjithatë, ajo është në të drejtën e saj për ta kthyer këtë çështje juridike në një betejë të saj politike, por kjo nuk zgjidh thelbin e problemit që mbetet.

Në radhë të dytë, në momentin kur procedurat për formimin e KLP, që do të propozojë emrin e Kryeprokurorit janë duke u plotësuar, janë duke përfunduar, këto propozime duken të pavenda. Energjia opozitare, duhet të fokusohet në përshpejtimin e këtyre procedurave dhe jo në shtyrjen më tej të tyre, siç ndodh me propozimet e fundit.

Në radhë të tretë dhe që është më e rëndësishmja është fakti se propozimet e opozitës për të rizgjedhur edhe njëherë Kryeprokurorin e përkohshëm, është qartësisht një tentativë për të patur akses në emërimin e tij politika shqiptare. Sepse Arta Marku nga të gjitha gjasat është një person që ka mbështetjen e plotë të amerikanëve dhe ndërkombëtarëve, investuesit kryesorë të Reformës në Drejtësi. Ndryshe nuk shpejtohet vizita e parë që ajo priti në zyrën e saj, që ishte ajo e ambasadorit Donald Lu dhe që u pasua nga vizitat e shumta të ambasadorëve të huaj. Në këtë kuptim, klasa politika shqiptare është vënë me “shpatulla pas murit”, sepse SHBA, në mënyrë ligjore apo ekstraligjore, i ka marrë nga duart Kryeprokurorin, ndaj të cilit pa dallim ngjyre politike ka qenë i nënshtruari i saj.

Prandaj, në këto momente, duket sikur ka një aleancë të përgjithshme të politikës shqiptare, kundër Reformës në Drejtësi, për zbatimin e së cilës, Arta Marku është kthyer në një garanci, dhe aq më shumë vijnë sulme kundër saj, aq më tepër bëhet bindëse se ajo është aty, me mbështetjen e amerikanëve, për të kryer këtë funksion.

Për të gjitha këto arsye, propozimet kushtetuese të opozitës na çojnë një hap mbrapa. Në një sistem ku palët politike kishin akses në organin e akuzës. Një sistem të cilin ndërkombëtarët, kundër vullnetit të politikës shqiptare, po kërkojnë ta shembin me shumë vështirësi.



Pas