fbpx

Kryesore

Prokuroria, “transparente” me dosjen 190, hermetike me 339 dhe 184





               Publikuar në : 09:10 - 26/03/19 |
mapo.al

Pas thirrjes në Prokurorinë e Tiranës të kryedemokratit Lulzim Basha dhe 3 përfaqësuesve të tjerë të kësaj force politike, institucioni i akuzës publikon të dhëna të sekretit hetimor. Standardi i dyfishtë i prokurorisë me dosjet e ndjeshme dhe hermetizimi për hetimet mbi shitblerjen e votës në 4 qarqe të vendit, ku dyshohet se janë implikuar drejtues të lartë të PS-së me elementë të botës së krimit. PD: Prokuroria po përdoret nga Edi Rama. 


Në letra është “institucion i pavarur”, por mjafton qoftë edhe një dosje për t’u vetëzbuluar se pavarësia e ka rrugën e shkurtër: Prokurori-Kryeministri. Ditën e djeshme njëri lajm ishte i garantuar, por i dyti erdhi pas të parit, duke ia zbehur rëndësinë çështjes kryesore që ishte thirrja e liderit të opozitës në Prokurori për t’u njohur me përbërjen e hetimeve në lidhje me procesin e hapur për lobimin e PD-së në SHBA, para zgjedhjeve të qershorit të vitit 2017. Në orën 10:00, pragun e Prokurorisë së Tiranës e kaloi kreu i PD-së Lulzim Basha e më pas sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ish-sekretari Arben Ristani dhe financieri i subjektit politik Ilir Dervishi. Pas qëndrimit për rreth një orë në zyrën e prokurorit të çështjes, Basha deklaroi për mediat se qeveria po e përdor gënjeshtrën për nevoja politike dhe sipas tij PD nuk ka shkelur asnjë ligj, duke lënë të kuptohej se prokuroria po përdorej politikisht.  “Jemi thirrur në Prokurori si persona që kemi dijeni për rrethanat e hetimit. Dua të bëj të qartë se hetimi i hapur prej 1 viti e gjysmë bëhet sipas nenit 190 për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në KQZ nëse janë mbushur siç duhet apo jo. Ky është hetimi, jo gënjeshtrat dhe shpifjet të cilat qeveria i aktivizon sa herë i duhet për nevoja politike. Ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania që vërtetojnë se asnjë demokrat nuk ka shkelur asnjë ligj, i kemi kërkuar prokurorisë t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura që vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj”, – tha Basha. Nuk vonoi gjatë dhe në një rast të paprecedent, Prokuroria e Tiranës vendosi të “dekonspirojë hetimet” dhe bëri publike sipas saj gjetjet nga hetimi, duke konkluduar se Partia Demokratike ka lobuar me një shifër jo 25 000 dollarë siç ka deklaruar, por 650 000 dollarë. Në reagimin e gjatë, mjaft të hollësishëm, prokuroria në përpjekje për të bërë “transparencë” të plotë, shkeli haptas ligjin për “sekretin hetimor” dhe kuptueshëm jo për mungesë njohurish, por një vetofrimi politik, që në këtë rast i la mundësi qëndrimesh të larmishme mazhorancës. Prokuroria këtë “hapje” e konsideron si çështje në interes të medias dhe publikut. Po në interes të publikut dhe veçanërisht të medias janë dosjet 339 dhe 184 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilat qëndrojnë nën një hermetizëm të plotë dhe zvarritje pa fund të procesit. Standardi i dyfishtë i prokurorisë dje është “zyrtarizuar”, por ende ngrihen pikëpyetjet e mëdha me dosjet ku dyshohet që fshihet krimi i madh elektoral me implikimin e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste me elementë të botës së krimit.



Prokuroria, “transparencë” dhe klithje së po heton në pavarësi…


Prokuroria nuk vonoi dhe nis një deklaratë të gjatë e “të pastër” për shtyp, duke bërë publike gjetjet nga procesi hetimor. E shtyrë nga “transparenca” institucioni më hermetik në vend, dje nxori në publik detaje të hetimit. Ligjërisht këtu ka vend për të dyshuar, madje edhe hapur hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, por në këtë rast i bie që kryeprokurorja Arta Marku dhe drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, të hetojnë veten, çka është e pamendueshme. Dosja 190 ka dalë në treg, “blerësit” e së cilës në këtë rast janë partitë politike, veçanërisht mazhoranca. “Duke marrë shkak interesimin e medias për hetimin që po zhvillohet bëjmë me dije se objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017. Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh”, thuhet në deklaratën e prokurorisë. Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer 2 pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë garanton hetim objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, duke u bazuar në prova dhe në ligj, si dhe të pandikuar nga deklaratat”, citohet në qëndrimin e institucionit të akuzës në kryeqytet. Nëse institucioni i akuzës ka për qëllim “transparencën me publikun” e sidomos me median, dy janë dosjet të cilat qëndrojnë prej më shumë se dy vitesh të bllokuara. Bëhet fjalë për dosjet 339 ku mes tyre emri që tashmë ka dalë është i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, që kapet në përgjime me dy vëllezër, aktualisht të arrestuar dhe nën hetim për trafik ndërkombëtar të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Aty flitet për shitblerje votash për zgjedhjet e vitit 2017. Gjithashtu, një tjetër dosje, mendohet edhe më e rëndë është ajo 184 e hapur për zgjedhjet për kryebashkiakun e Dibrës. Dyshimet e forta janë se në këtë rrjet të mirëstrukturuar ish-ministra dhe deputetë të Partisë Socialiste flasin hapur me personazhe të botës së krimit për blerje votash në favor të kandidatit të PS-së.

PD: Prokuroria po i shërben propagandës qeveritare

Menjëherë pasi institucioni i akuzës në kryeqytet publikoi thuajse gjithçka nga ekstrakti i dosjes 190, ku hetohen financimet e PD-së për lobim në SHBA para zgjedhjeve të vitit 2017, ka reaguar edhe selia blu, duke e konsideruar institucionin e akuzës si të vënë në shërbim të pushteti dhe për më shumë në shkelje të ligjit. “Deklarata e Prokurorisë është e paligjshme, e gënjeshtërt, e paprecedentë, vetëdiskredituese dhe e gatuar politikisht. Dalja me konkluzione hetimore ende pa përfunduar hetimin, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, tregon se Prokuroria po përdoret politikisht dhe po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës së vendit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike. Sipas saj, opozita ka deklaruar të gjithë shpenzimet për zgjedhjet qendrore të dy viteve më parë. “Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe ka deklaruar të gjitha shpenzimet e kryera në vitin 2017. Pasi gënjeshtra e madhe që kishte ngritur për hetimin e Partisë Demokratike i plasi në dorë, pas informacioneve të ardhura nga SHBA dhe Skocia, Edi Rama në dëshpërim ka vendosur të përdorë sërish prokurorinë duke e kthyer nga institucion të ligjit në institucion qesharak propaganda”, përfundon qëndrimi i PD-së.

 


Etiketa: , , , , ,

Pas