fbpx

Arkiva 2

“Projekti që u kthye në realitet udhëheqës në arsimin e lartë”





               Publikuar në : 09:43 - 15/09/16 |
mapo.al

liberalett10 vjet UET/ Prof. dr. Romeo Gurakuqi, ndër të parët që i besoi projektit të UET, sot drejtor i Shkollës Doktorale, flet për rrugëtimin e tij dhe të universitetit në dekadën e parë të jetës 


Një telefonatë e mikut e profesorit të tij Ferit Duka dhe një darkë e vonë në mesin e muajit korrik 2006 do të ishin rastësitë e para që më pas do ta ulnin në tryezën e vogël, por historike  të themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës. Prof. dr. Romeo Gurakuqi sapo ishte kthyer nga studimet në London School of Economics në Londër kur mori ftesën për t’iu bashkuar grupit nismëtar, “kurajozë, idealistë e revolucionarë”, siç i cilëson ai. Një rrugëtim 10-vjeçar që Gurakuqi e quan “projektin më të rëndësishëm të jetës sime akademike”. 



Gurakuqi ka qenë Dekani i parë i Fakultetit Juridik Prof. dr. Romeo Gurakuqi dhe sot drejton Shkollën Doktorale UET. 


Kur dhe në çfarë rrethanash iu bashkove stafit të Universitetit Europian të Tiranës?

Në qoftë se ekziston një sipërmarrje intelektuale e filluar nga qëllime të mirëfillta idealiste në Shqipërinë post-komuniste, mund të them se kjo është sipërmarrja UET. Ajo ishte nisur para se unë të bashkohesha me djemtë nismëtarë, Henri Çili, Ermal Hasimja, Adri Nurellari, Blendi Kajsiu dhe Laert Duraj, në muajin korrik 2006.  Sipërmarrja e tyre revolucionarizuese për shkollën e lartë shqiptare, kishte nisur në zemrat e tyre muaj ose vite më përpara. Të formuar me shkollime të përshtatshme franko-britanike, të entuziazmuar me të drejtë nga sistemi shkollor më i përparuar evropian, ata vinin në Shqipëri me projektin dhe sipërmarrjen e qartë, progresiste dhe patriotike: për të krijuar një universitet model franko-britanik bashkëkohor. Mbase ajo ide dhe ajo ëndërr ekzistonte në mendjet e shumë shqiptarëve të shkolluar, por ata ishin të parët që guxuan. Guxuan dhe e kthyen ëndrrën në realitet.

Një realitet që ndryshonte nga pjesa më e madhe e simotrave pararendëse për shkak së ajo ishte një sipërmarrje intelektuale për krijimin e një universiteti cilësor, një shkolle studimesh të avancuara shkencore, një shkolle që hapte rrugën për mendimin e përparuar shkencor, një shkolle të mbështetur në leximin e studimin intensiv të studentëve, një shkolle që nxiste mendimin kritik dhe lirinë akademike, një shkolle që brenda pak kohësh do të bëhet qendra më e avancuar e promovimit të vlerave evropiane dhe liberale të Shqipërisë  të së nesërmes.

Sapo isha kthyer nga një periudhë e suksesshme studimesh në London School of Economics dhe ka qenë një telefonatë e profesor Ferit Dukës, në një darkë të vonë në mesin e muajit korrik 2006, që më zhvendosi mua që të nesërmen në tavolinën e vogël, por historike, të miqve të rinj, kurajozë, idealistë e revolucionarë, për t’iu bashkëngjitur projektit më të rëndësishëm të jetës sime akademike: themelimit dhe ndërtimit të Universitetit Europian të Tiranës. Ndihem me fat që u propozova, ndihem krenar për kolegët dhe miqtë e mi të UET, ndihem krenar për studentët e mi të parë Fatjoni, Blerta, Iliada, Anjeza, Valentina, Irena etj., dhe ata që ndoqën me besnikëri shembullin e tyre në këtë vatër të dijes dhe shkollimit cilësor.

Çfarë keni gjetur dhe çfarë keni bërë në UET gjatë këtyre viteve?

Muajt korrik e gusht 2006 kanë qenë më të rëndësishmit mbasi në ato ditë projekti mori konturet e para dokumentare; në ato ditë filloi shqyrtimi i kurrikulave të degëve të studimit dhe i programeve lëndore, ato kohë u vendosen bazat e drejtimit të institucionit. UET është institucion i krijuar nga një ekip profesorësh universitarë të përvojave dhe formimeve të ndryshme, bazuar në punën e përbashkët, shkëmbimin e përbashkët të mendimeve, në shqyrtimin e hollësishëm të përvojave më të mira, që secili nga ne kishim pasur. Më është dukur se aty në ato tavolinat e para të përbashkëta të punës, unë shihja ca djem të rinj që njihnin po aq mirë sa unë që isha rritur aty, trashëgiminë përparimtare dhe amanetin e ca etërve të mëdhenj të qytetit tim dhe të kombit shqiptar, në rrugën e tyre të dijes dhe ndriçimit të arsimit kombëtar, të cilën ata tashmë donin ta kombinonin e konkretizonin në një sipërmarrje bashkëkohore të ngjashme me atë që ndërmorën shumë herët në Londër, anëtarët e Fabian Society kur themeluan LSE. Por ata njihnin shumë mirë filozofinë e një shkolle universitare bashkëkohore, njihnin shumë mirë plagët e pashërueshme të arsimit publik dhe privat shqiptar të deriatëhershëm, ndaj kishin ardhur me idenë e qartë për të propozuar një projekt model, jo aq për vete, por për Shqipërinë e publikun e etur për shkollim cilësor. UET kështu u përvijua, u ideua dhe u ndërtua si një shkollë e studimeve cilësore universitare dhe postuniversitare, si institucion i lirë universitar, si vatër e dijeve më të përparuara të krijuar në fondin perëndimor të arsimit të lartë dhe shkencës.

Çfarë përfaqëson, sipas jush, UET-i në sistemin e arsimit të lartë?

Ky institucion ndryshonte dhe ndryshon nga çdo institucion tjetër universitar privat shqiptar, ku zëri dhe vula e pronësisë është rrënimtare për mendimin e lirë dhe mendimin ndryshe në akademizëm dhe menaxhim. UET është lindur, rritur dhe do jetojë si institucion i mendimit të lirë, i hapësirës së lirë për kritikë dhe konstruksion arsimor dhe shkencor, për secilin nga subjektet pjesëmarrëse në këtë akademi. Ai është një institucion i krijuar nga vendimmarrja e përbashkët e grupit nismëtar dhe e drejtuesve të parë, të cilëve në kohë i është bashkëngjitur në të gjitha punimet ndërtimore në vijim në vitin e parë, dytë dhe tretë të jetës së UET profesor Adrian Civici, profesor Krisafi, profesor Fatos Tarifa etj. Godina e parë, do mbetet e veçantë, për shkak se aty u krijua bashkësia jonë e parë, e cila nga viti në vit do të zgjerohej për të arritur këtu ku jemi sot: një shkollë e madhe e formësuar si universitet i vërtetë, qendër e mendimit përparimtar në Shqipëri, një shembull i vogël por i fuqishëm i Shqipërisë Europiane. Në atë godinë bashkëpunuan ngushtësisht me stafin e jashtëzakonshëm mbështetës, të përbërë nga Elda Papa, Alida Goxharaj, Blerta Hyskaj, Edjola Dalaçi, Endrit Koka, Bleriana Bino  etj. Për të qenë i sinqertë, guximi i djemve nismëtarë shkonte përtej asaj çfarë unë (besoj dhe shumëkush) mendoja se mund të bëhej në Shqipërinë tonë të ngurtësuar. Por realiteti i zhvillimeve në këtë institucion, ajo çfarë të gjithë shohim të realizuar dje e sot, tregon se me parime të drejta dhe të ndershme, me punë këmbëngulëse, me vendosmërinë për të ecur në një drejtim të vetëm të marrun si shembull progresist, me punë dhe bashkëpunim të vërtetë, me lirinë për t’u shprehur dhe bërë kritikë, dhe me vendosmërinë për të ruajtur barazinë në vendimmarrjen akademike mes pronësisë dhe stafit akademik, çdo gjë është e mundshme.

Cilat janë sipas jush, pas eksperiencës në UET, gjërat më të domosdoshme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë në Shqipëri?

UET është institucioni që i ka paraprirë, gjithnjë një hap para procesit reformues universitar shqiptar. Disa institucione vërtet janë një hap larg UET, disa e kanë konsideruar si shembull pozitiv dhe po afrohen me shpejtësi, por ka të tjerë institucione të larta që janë vite dritë larg dhe nuk do ta kapin kurrë (në qoftë se vazhdohet kështu edhe më tutje) standardin e vendosur nga ekipi drejtues kolektiv i këtij institucioni. Distanca nga ditët e para të UET deri më sot më duket si një kohë e shkurtër, një ëndërr e bukur e bërë realitet, me duket një mrekulli të cilën pata fatin ta jetoja. Dhe ta jetosh këtë realitet në Shqipërinë tonë shumë të ndërlikuar, është një fat i madh. Arritja më e madhe e këtij institucioni është krijimi i modelit të Studentit UET: një i ri që studion dhe përparon çdo ditë nga pak me dije, një student që ka para tij një mal me libra të lexuar jo rastësisht, një student që merr pjesë në jetën universitare dhe jashtë universitare, një bashkësi rinore të dijes së avancuar, një student që ka të zhvilluar sensin kritik të mendimit, një student që jeton në sipërmarrjen e përditshme të institucionit, edhe kur nga ai institucion është larguar drejt Londrës, Oksfordit, Nisës, Sussex etj. Më e rëndësishmja është se ky institucion iu krijon mundësinë studentëve për të qenë një lloj konkurrues me kolegët e tyre evropianë në vatrat më të përparuara të dijes. Besoj se kështu misioni është në rrugën e mbarë dhe kjo rrugë do të duhet qe vetëm të përmirësohet dhe të bëhet sa më e përputhshme me modelet menaxheriale më të përparuara dhe më efikase të botës akademike perëndimore.



CLOSE
CLOSE
Pas