Prapaskenat e arrestimit të dytë të ish-drejtorit të rrugëve, Dashamir Xhika

Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy ish-drejtuesit e Autoritetit Rrugor, Andi Toma e Dashamir Xhika. Seanca maratonë nisi në orën 11:00 të paradites dhe u ndërpre pas kërkesës së mbrojtësve për përjashtimin e gjyqtares. Kjo ndërprerje futi në panik Prokurorinë, e cila “mbështeti” me një masë tjetër sigurie “arrest në burg”, Gjykatën e Elbasanit. Krimet e Rënda kërkuan të njëjtën masë për Xhikën, pas kallëzimit të Gjiknurit për abuzime në tenderin e rrugës Tiranë-Elbasan. Reagon Petrit Vasili: Prokuroria e Krimeve të Rënda, vegël në duart e kryeministrit.

Nga Leonard Bakillari

E diela e javës që shkoi ishte një ditë e vërtetë sulmi për institucionin e Prokurorisë, që ndryshe nga rasti i Nezar Seitajt, për të cilin nuk kishte informacion, arriti të koordinohej në mënyrë perfekte për arrestimin e dytë të ish-drejtorit të ARRSH, Dashamir Xhika.

Ky i fundit, bashkë me paraardhësin e tij Andi Toma u paraqitën në Gjykatën e Elbasanit rreth orës 11:00 të ditës së djeshme për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, që kjo gjykatë kishte marrë ndaj tyre pak ditë më parë.

Por kjo seancë që parashikohej të ishte thjesht formale, u kthye në maratonë, me disa ndërprerje dhe kërkesa për ndryshimin e gjyqtares së çështjes. Pikërisht këto ndërprerje kanë futur në panik Prokurorinë, e cila kërkonte me çdo kusht të mbante në burg ish-drejtorin e rëndësishëm.

Për këtë arsye, pa kaluar një muaj e gjysmë nga kallëzimi i ministrit Damian Gjiknuri, Prokuroria e Krimeve të Rënda, me urgjencë lëshoi tre urdhër-arreste për ish-drejtorin e ARRSH Dashamir Xhika dhe dy ish-vartës të tij, të cilët këtë radhë akuzohen për abuzime me tenderin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Pra, në këtë mënyrë, Krimet e Rënda përforcuan kolegët e Elbasanit, të cilët kishin lëshuar më herët një masë sigurimi në mungesë ndaj ish-drejtorit të rrugëve, por për një tjetër akuzë.

Pas urdhër-arresteve nga Krimet e Rënda, edhe Gjykata e Elbasanit la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhikën e Tomën, pasi kërkesa e avokatit për përjashtimin e gjyqtares nuk ishte pranuar.

Prokuroria e Elbasanit e kishte hetuar Dashamir Xhikën për tenderin e rrugës Elbasan-Gjiinar, rrugë e cila nuk ishte ndërtuar edhe pse paratë i ishin paguar subjektit ndërtues. Në këtë çështje u lëshuan 12 urdhër-arresti mes të cilëve edhe dy ish-drejtuesit e Autoritetit Rrugor, Xhika e Toma.

Seanca e djeshme ku dy ish-zyrtarët do të njiheshin me masën e sigurisë përfundoi rreth mbrëmjes, pasi më herët ajo ishte ndërprerë pas kërkesës së avokatit të Andi Tomës për përjashtimin e gjyqtares Idush Maliqi. Avokati Neshat Fana tha se kontrolli i banesës së klientit të tij është bërë në orë të vota të natës.

“Banesa është e shenjtë, s’mund të ketë kontroll pas orës 20:00. Policia ka terrorizuar familjen, kontrolli i banesës natën”, -tha avokati i Andi Tomës duke kërkuar përjashtimin e gjyqtares.

Pas kësaj kërkese seanca u përfshi nga debate mes palëve, ku prokurorja Armanda Xhaferri akuzoi avokatët mbrojtës se duan të bllokojnë procesin. “Kërkesa për përjashtim për të penguar procesin”, -tha Xhaferri.

Pas debateve për përjashtimin e gjyqtares, seanca u ndërpre për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë të avokatëve mbrojtës Hajdari dhe Fana.

Prokurorja Armanda Xhaferri u bë e njohur pak muaj më parë kur pas një konflikti me ish-drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit e kallëzoi atë penalisht për zhdukjen e disa dosjeve.

Njëra prej tyre ishte edhe dosja e rrugës Gjinar-Elbasan, ku asokohe u tha se po hetoheshin zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor. Këto dyshime u konfirmuan pak ditë më parë kur u lëshuan plot 12 urdhër-arresti për personat që dyshohet se përfshihen në këtë çështje, mes të cilëve edhe dy ish-drejtuesit e ARRSH.

Pikërisht ky është momenti kur Prokuroria ka qenë në koordinim të plotë pavarësisht distancës mes Elbasanit dhe Tiranës.

Ndërprerja e seancës gjyqësore, bëri që Krimet e Rënda të urdhërojnë arrestimin e dytë për Dashamir Gjikën, çka do të siguronte mbajtjen e tij në qeli edhe në rast se kërkesa e avokatëve për përjashtimin e gjyqtares në Elbasan do të pranohej.

Dosja për të cilën u kërkua arrestimi i dytë i Xhikës i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme më datë 19 dhjetor nga ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri.

Sipas kallëzimit penal rezulton se ish-drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, dhe dy vartës të tij, drejtorë në këtë drejtori akuzohen për shpërdorim detyre dhe fondesh me tenderët e rrugës Tiranë-Elbasan.

Ky kallëzim është bërë pas përfundimit të procesit të auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi “rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan”.

Dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 53 milionë e 983 mijë e 340 USD.

“Konstatohet se personat e lartpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë–Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private”, thuhet në kallëzimin penal që tashmë është marrë në dorëzim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Sipas denoncimit të çuar në prokurori rezulton se “personat e kallëzuar, të cilët kanë ushtruar apo ushtrojnë funksione publike, me veprimtarinë e tyre, krijojnë bindjen e arsyeshme se me veprimet e mosveprimet, kanë patur edhe qëllime korruptive dhe duhet të jenë rezultat i pranimit të ofertave apo i premtimeve për përfitime të parregullta nga vetë personat e kallëzuar”.

Në më pak se një muaj e gjysmë, Krimet e Rënda arritën në konkluzionin se kallëzimi ka elemente të veprës penale, madje duke urdhëruar edhe arrestimin e personave të kallëzuar. Gjithçka ndodhi në një ditë normale pushimi, dhe pikërisht gjatë kohës që seanca gjyqësore në Elbasan ishte ndërprerë për të marrë në shqyrtim kërkesën e avokatit Neshat Fana për përjashtimin e gjyqtares së çështjes.

Por kjo kërkesë u rrëzua nga një tjetër gjyqtar i kësaj gjykate duke konfirmuar gjyqtaren Idush Maliqi në krye të trupit gjyqësor. Ishte pikërisht gjyqtarja Maliqi që përfundoi seancën për masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, dhënë për ish-zyrtarët e ARRSH-së dhe biznesmenët që kanë fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Gjinar-Elbasan, e cila sipas prokurorisë nuk u ndërtua asnjëherë.

Pas një ndërprerje prej rreth 4 orësh seanca rinisi sërish, por me kërkesë të prokurores Armanda Xhaferri, pjesa e mbetur e gjykimit u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. I pranishëm gjatë kësaj seance, ishte edhe ish-ministri i Transporteve, deputet i LSI në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto, si dhe familjarë të të arrestuarve. Përveç Xhikës dhe Tomës, të arrestuar janë edhe 3 persona të tjerë, biznesmenë, Besnik Hysa, Kujtim Hysa dhe Flutura Hysa, përfaqësues të firmës “Tre vëllezërit Hysa”, e cila ka ndërtuar segmentin Elbasan-Gjinar, si dhe mbikëqyrësi i punimeve Rexhep Tarba.

Rreth mbrëmjes së djeshme, gjykata përfundoi seancën gjyqësore ku gjyqtarja Idush Maligji konfirmoi vendimin e dhënë po prej saj pak ditë më parë.

Ajo la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy ish-drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma e Dashamir Xhika. E njëjta masë ngeli në fuqi edhe për vëllezërit Besnik e Kujtim Hysa, ndërtues si dhe Rexhep Tarba, supervizor i punimeve.

Menjëherë pas arrestit të dytë të Xhikës reagoi edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i cili akuzoi Prokurorinë e Krimeve të Rënda si vegël në duart e kryeministrit.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë vegël në duart e Kryeministrit dështoi me akuzat në gjyqin ndaj Z. Xhika një ish-nëpunës i shtetit dhe sot që pa gdhirë me urdhër politik shpiku një tjetër akuzë ndaj tij”, shkruan Vasili.

Sipas tij është e njëjta prokurori që nuk arreston Saimir Tahirin edhe pse akuzat ndaj tij i di gjithë Shqipëria. “Kjo prokurori që mbyll dosjen e Ramës sepse ky kërkoi falje në facebook pasi ai shkatërroi zgjedhjet duke i bërë thirrje policisë të lërë uniformat dhe të bëjë vota për Partinë Socialiste. Kjo prokurori e vënë për fundi nga Kryeministri me kërcënimin e vetingut i dha fund besimit të shqiptareve te drejtësia”, thotë Vasili. Ai e mbyll reagimin e tij me një apel për prokurorët: “Rama jep urdhra politikë, por nuk firmos, ndërsa prokurorët po firmosin dhe po shkelin e dhunojnë ligjin. Përgjegjësia për ta është individuale për sot e për mot dhe shpejt a vonë asnjë nuk i shpëton dot kurrë kësaj përgjegjësie”, thotë kreu i grupit parlamentar të LSI.

 

 

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Universitetet publike: Nuk ka internet, por blihet një makinë 76 milionë lekë

Zëri i Amerikës ka publikuar raportin e kryer për shpenzimet në Universitetet...
Read More