Pranga ish-zyrtarëve në Fier, i dhanë 10 mijë m2 punonjësit të komunës

prangaGjykata e Fierit ka urdhëruar arrestimin e ish-drejtuesve të komunës Levan, të cilët i kanë hequr të drejtën e shfrytëzimit të pronës një kompanie private, duke ia dhënë atë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara një zyrtari të komunës. Policia nuk ka arrestuar ende përfituesin e pronës, i cili prej një viti mbante detyrën e drejtorit të ujësjellësit Tiranë.

Tre ish-zyrtarë vendorë në Fier janë arrestuar me vendim gjykate, ndërsa një zyrtar aktual është shpallur në kërkim, si të dyshuar për falsifikim dokumentesh për një pronë në territorin e kësaj njësie administrative.

Xheladin Malaj, ish-kryetari i komunës Levan, aktualisht administrator i kësaj njësie, si dhe topografë Shefqet Hyka dhe ish-zyrtari Zaim Tafa u arrestuan ditën e djeshme.

Ndërsa shtetasi Qerem Braçi, i cili është emëruar një vit më parë në krye të Ujësjellësit të Tiranës është shpallur në kërkim pasi policia nuk ka mundur ta gjejë atë. Të dyshuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet për një pronë, e cila më pas është përfituar nga Qerem Braçi.

Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale…”.

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, mbi kallëzimin e administratorit të kompanisë private “G….C…Konstruksion”.

Kjo kompani kishte fituar në vitin 2009 të drejtën për shfrytëzimin e zonës me zhavorr në fshatin Shtyllas të ish-komunës Levan.

Në funksion të aktivitetit, kompania ishte pajisur me lejen e shfrytëzimit dhe lejen mjedisore nga autoritetet qendrore përkatëse.

Në vitin 2015, administratori i kompanisë kallëzon ish-kryetarin e komunës, Xheladin Malaj, me pretendimin se ky i fundit e pengonte në ushtrimin e aktivitetit të tij.

Sipas kallëzuesit, me urdhër të kryetarit të Komunës, zyrtarë të saj ushtronin presion mbi punonjësit, si edhe hidhnin mbeturinat e zonës në sipërfaqen ku punonte kompania e tij.

Nga hetimi për këtë rast ka rezultuar se, në vitin 2014, ish-komuna Levan ka bërë kallëzim penal ndaj kompanisë “G…C…Konstruksion”, për veprat penale të “ndërtimit të paligjshëm” dhe “pushtim të tokës”.

Në kallëzimin e ish-komunës pretendohej se kompania ushtronte aktivitetin në një zonë, në pronësi të komunës, si edhe kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në një rrugë të fshatit.

Në kuadër të atij hetimi, u administruan materialet e nevojshme, nga ku rezultoi që kompania kishte dokumentacion të rregullt dhe rruga, e cila pretendohej se kishte ndërhyrje në mënyrë të paligjshme, ishte pjesë e lejes së shfrytëzimit, ku parashikohej mirëmbajtje e rrugës.

Për këtë arsye, ai hetim u pushua. Por, pasi u pushua hetimi nga ana e Prokurorisë së Fierit, ish-komuna Levan, me vendim të Këshillit të saj, i jep pronësinë e tokës mbi të cilën zhvillonte aktivitetin kompania private, shtetasit Qerem Braçi, i cili ka qenë zyrtar i kësaj komune.

Në këtë mënyrë, i pezullon edhe aktivitetin kompanisë “G…C…Konstruksion”, me pretendimin se ushtronte aktivitetin në tokën private të Qerem Braçit.

Ky i fundit, siç rezultoi gjatë hetimit, e ka përfituar sipërfaqen e tokës nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, të cilët janë “legalizuar” nga ish-kryetari i komunës Levan, Xheladin Malaj, në bazë të matjeve fiktive të realizuara nga ish-zyrtarët dhe ish-topografët e ish-komunës Levan, shtetasit Shefqet Hyka, Zaim Tafa dhe Ilia Marku.

Por pavarësisht vendimit të gjykatës, policia nuk ka mundur të arrestojë duke hedhur dyshime të forta se operacioni mund të jetë dekonspiruar.

Sipas burimeve mësohet se një avokat i personit në kërkim, Qerem Braçi, ka kontaktuar me Policinë, ku i ka kërkuar informacione mbi këtë urdhër arresti për klientin e tij.

Ky interesim sipas burimeve mësohet se ka ndodhur ditën kur Gjykata e Fierit ka lëshuar urdhër-arrestet ndaj ish-zyrtarëve të Komunës Levën, çka hedh dyshime të forta se të paktën personi i shpallur në kërkim ishte informuar për vendimin e arrestit.

Të arrestuar:

Xheladin Malaj, ish-kryetar i komunës Levan

Shefqet Hyka, ish-zyrtar i komunës Levan

Zaim Tafa, ish-zyrtar i komunës Levan

“Arrest në shtëpi”:

Ilia Marku, ish-zyrtar i Komunës Levan

Në kërkim:

.Qerem Braçi, përfituesi i pronës me dokumenta të dyshuara

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria bardh e zi e Petrit Kumit

Shqipëria komuniste parë me syrin e një fotografi dhe jo të një...
Read More