Po vjen Trump dhe një epokë e re!

Ervis IljazajNga Ervis Iljazaj

Dje, Kolegji i Zgjedhësve të Mëdhenj votoi pa asnjë surprizë për zgjedhjen e Donald Trump si Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me gjithë shpresën e shumë kritikëve dhe protestave të ndryshme që u organizuan kundër figurës së Trump, anëtarët e Kolegjit votuan sipas mandatit popullor. Kjo tregoi edhe njëherë që vota e delegatëve në Kolegj është një formalitet dhe nuk mund të shkojë në kundërshtim me votën popullore, përveç rasteve të rralla që në Kushtetutën e SHBA nuk është e saktësuar qartë. Dhe nëse zgjedhja e Trump, për politikat e propozuara dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës, apo për vetë personazhin e tij që provokoi pjesën më të madhe të politikës dhe shoqërisë amerikane nuk përbën një rast të veçantë, atëherë kjo praktikë vështirë se do të ketë mundësi tjetër që të ndryshojë.

Zgjedhja e Donald Trump në krye të shtëpisë më të rëndësishme të Botës, me siguri do të impaktojë jo vetëm politikën amerikane, por edhe të gjithë mënyrën e politikëbërjes ndërkombëtare dhe kombëtare në të gjitha format që shfaqet ajo.

“Ushtari ideal i një mbretërie totalitare”, shkruante dikur Hannan Arend, “nuk është një nazist i bindur apo një komunist i bindur, por një njeri për të cilin dallimi midis fakteve dhe fiksionit, ndarja midis të vërtetës dhe falsitetit nuk ekziston më”. Në këtë mënyrë mund të përkufizohet e gjithë fushata elektorale që zhvilloi Donald Trump. Asnjëherë më parë, një kandidat për President nuk kishte patur aftësinë të krijonte kaq shumë entuziazëm, të mblidhte pranë vetës një masë kaq të madhe njerëzish, edhe pse politikat e propozuara prej tij ishin kontradiktore, ndonjëherë dhe përçarëse apo të dëmshme për mbarë shoqërinë e kultivuar amerikane. Dhe këtë e arriti nëpërmjet retorikës së tij, e cila nuk kishte përgjegjësi të tregonte të vërtetën, por të joshte emocionet e njerëzve nëpërmjet akuzave, shtimin e gënjeshtrave dhe propagandës, e cila u kujdes vetëm t’iu bënte thirrje instinkteve më të ulëta të popullit duke lënë çdo arsye mënjanë. Këtë strategji propagandistike e pranuan dhe vetë këshilltarët e tij, të cilët e asistonin gjatë fushatës.

Gjithashtu, faktet dhe ndryshimet e qëndrimeve të tij për shumë çështje ekonomike dhe politike që kishte mbajtur gjatë fushatës elektorale dhe që tani i mendon ndryshe, treguan edhe njëherë që çelësi i suksesit të fushatës elektorale është t’i thuash popullit çfarë dëshiron dhe më pas të veprosh krejt ndryshe.

Do të ishte e mirëpritur që Donald Trump të vepronte ndryshe nga qëndrimet e tij të mëparshme, në të mirë të stabilitetit politik kombëtar dhe ndërkombëtar. Mirëpo, frika më e madhe është se, edhe pasi është zgjedhur zyrtarisht, nuk tregon një stabilitet në mendime apo qëndrime në çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Si të thuash, personazhi i tij, ka krijuar një President “të lëngshëm”, i cili ndryshon formë sa herë që emocionet e popullit ndryshojnë. Dhe kjo, nuk është aspak në favor të një klime që duhet të përcjellë siguri dhe stabilitet.

Duke parë të gjitha kontekstet politike dhe ndodhitë e fundit me politikën ndërkombëtare, e cila është në shumë pjesë të saj si një minë me sahat, Amerikës i duhet një President me një strategji të mirëpërcaktuar dhe të qëndrueshme. Sepse pasiguritë e vendimmarrjes, sidomos në arenën e politikës ndërkombëtare sjellin kriza të njëpasnjëshme, të cilat pastaj kthehen në një nyje gordiane që mund të pritet vetëm me një kosto të lartë politike dhe shoqërore.

Nëse shohim me kujdes, situata ballkanike që na intereson dhe drejtpërsëdrejti ka ngelur në një udhëkryq dhe pa një drejtim përfundimtar. Çfarë strategjie ka administrata e re e Presidentit amerikan për Ballkanin, askush nuk di të përgjigjet. Duket sikur ky rajon i Botës nuk hyn në prioritetet e politikës së jashtme të Presidentit të ri. Kjo është panorama më fatkeqe që mund t’i ndodhte Shqipërisë nëse Amerika do të “lëshonte” Ballkanin. Forca të tjera, aspak të dëshiruara do të ishin të gatshme të hidhnin kthetrat e tyre për të shtrirë influencën në rajonin tonë.

Shqetësimi më i madh është se, trumpizmi është kthyer në fenomen gjithandej. Një fenomen i cili bazohet në emocionet e ditës dhe aspak të një politike të moderuar dhe të qëndrueshme. Është një fenomen i cili konsumohet në mënyre të shpejtë, duke mos u kujdesur për pasojat që lë nga pas. Dhe kam frikë se forcat anti-trumpiste, të cilat e konkurrojnë më së miri këtë fenomen do jenë radikalizmat që po përhapen më një shpejtësi të rrufeshme kudo ku shfaqet politika. Kjo është epoka e re politike, të cilën duhet të bëhemi gati ta përballojmë. Një epokë e paqëndrueshme dhe me pikëpyetje të mëdha. Të gjitha forcat e moderuara të shoqërisë duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që të evitohen pasiguritë e një politike të tillë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Paditet në Kushtetuese, por “Dekriminalizimi” nuk rrezikon

Pasojat e ligjit të dekriminalizimit nuk janë pritur mirë nga subjektet e...
Read More