Po sikur Sandër Lleshit t’i vijë keq për të tjerët?

 

Një emocion i fortë na shtyn që të reagojmë për ngjarjet e rënda. Por empatia është problematike, siç e tregon rasti i ministrit të Brendshëm

Nga Enton Palushi

Para rreth një muaji, një foto bëri xhiron e rrjetit. Një duzinë me truproja ruanin ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshi brenda një auditori në Universitetin e Durrësit. Por përveç faktit se ministri ruhet me kaq shumë truproja, interesant ishte edhe fjalimi që mbajti ministri përpara studentëve, të cilët para disa kohësh kishin rënë për herë të parë pre e dhunës policore brenda ambienteve universitare.

Sipas gazetës Shekulli, ministri u tha të rinjve që të mos pretendojnë asnjëherë punësimin në Ministrinë e Brendshme. “Nuk e dua këtë punë! Është puna më e keqe që kam bërë. Mos pretendoni kurrë Ministrinë e Brendshme”, mësohet të ketë thënë Lleshaj. Edhe sikur studentët të mos e kenë cituar siç duhet atë që u ka thënë ministri, kjo nuk ka shumë rëndësi pasi ky rrëfim i tij nuk është i pari. Edhe të enjten e shkuar në Kuvend, kur iu kërkua dorëheqja pas skandalit të grabitjes në Rinas, ai tha se “nuk kam luftuar asnjë ditë për ta pasur këtë post, nuk kam asnjë brengë për ta lënë, faleminderit për rekomandimin, por atë e gjykoj unë me dinjitetin personal”.

Dikush mund të thotë se zgjidhja është e lehtë, nëse Lleshi nuk e do këtë punë. Mirëpo kjo retorikë e tij i ka gjurmët më të thella. Me anë të saj, Lleshi kërkon empatinë tonë.

***

Nuk do e besoni sa shumë flitet dhe shkruhet për empatinë këto ditë. Që nga politikanët më të lartë e deri te qytetarët më të zakonshëm flasin për nevojën e empatisë. Arsyeja është e thjeshtë: empatia shkon përtej solidaritetit të ftohtë, ajo na kërkon që ta vendosim veten në pozitën e personit që po vuan. Politikanët nuk bëjnë përjashtim, edhe ata duan që ne të kemi empati për ta. Sandër Lleshi na thotë se është burrë i mirë, i urtë dhe i shkolluar, që i ka ngjitur shkallët e jetës me mundim dhe që kjo është puna më e keqe që ka bërë. Edi Rama e kërkon empatinë në mënyrë tjetër, jo vetëm duke postuar fotot me Zahon, por duke na thënë se ai është intelektual, është njeri i artit dhe pëlqen të bukurën, e cila është e kundërta e dhunës dhe të shëmtuarës pasi një artist është njeri i ndjeshëm. Saimir Tahiri u tjetërsua plotësisht kur nisën hetimet ndaj tij, duke u përlotur sa herë fliste për të birin (të cilin e përmendte jo pak). Pastaj në majë është ai, Erion Veliaj që nuk lë moment pa e përdorur veten dhe të tjerët afër tij për të fituar empatinë e njerëzve.

***

Mirëpo edhe empatia e ka një anë të errët. Atë e duam vetëm për veten, jo dhe aq shumë për të tjerët. Fjala bie, kur na ndodh një gjë e rëndë, gjëja e parë që bëjmë është të kërkojmë empatinë e të tjerëve duke thënë se ‘nuk e meritojmë këtë që ka ndodhur’, duke u ankuar se ‘bota është e padrejtë’, se nuk kemi bërë ‘asgjë të keqe’. Pastaj gjërat ndryshojnë kur mësojmë se dikujt i ka ndodhur një gjë e keqe. Atëherë një zë i brendshëm na thotë menjëherë se ata të tjerët ‘e meritojnë atë që u ka ndodhur’, se ‘diçka kanë bërë’ që të arrijnë në këtë pikë, që karma funksionon dhe se ‘bota është e drejtë’, që ne jemi të sigurt dhe të mbrojtur. Madje ka edhe nga ata që sapo u kanë vendosur tritol në prona apo që kanë humbur të afërm nga vrasje mafioze që thonë se nuk kanë konflikt me askënd. Sepse ndërgjegjja e tyre thjesht po u thotë se nuk e meritonin atë krim. Dhe me të drejtë, askush përveç shtetit ligjor nuk duhet të vendosë për dënimin e dikujt, aq më tepër me vrasje.

***

Kështu ndodh edhe me Sandër Lleshin, që e kërkon empatinë vetëm për veten. Merrni me radhë reagimet që ka bërë që kur u bë ministër. Kur u mësua se një vajzë minorene ishte përdhunuar vazhdimisht nga një grup djemsh në Kavajë, ai e quajti monstër personin që denoncoi këtë krim të rëndë. Pasi mediat raportuan për mundësinë e ngacmimit seksual të një vajze minorene në Shkodër nga një oficer policie, ai u nis për në kryeqendrën e veriut jo me mendjen se bëhet fjalë për një viktimë të pushtetit, diçka më e mundshme nga pikëpamja statistikore, por duke besuar se ka një komplot ndaj policisë. E në fund, kur Shkodra u përfshi nga lufta mes bandave, tha se kjo ishte thjesht larje hesapesh, sikur nuk po përplaseshin disa grupe për të ndarë qytetin si plaçkë në kurriz të mirëqenies së qytetarëve pa u shqetësuar se kjo betejë mund të përfshijë edhe hedhjen e bombave në pazar bash si në Bagdad.

Pastaj kulmi është qasja e tij ndaj protestave në vend. Nuk po i kërkon kush të empatizojë me mijëra njerëz të vendit të tij që ose ia kanë mbathur nga Shqipëria, ose po shprehin zemërimin në rrugë për shkak të varfërisë, papunësisë, korrupsionit. Por nuk mund të kuptosh si nuk reagon kur familjeve u hidhet gaz lotsjellës brenda banesave, kur një vogëlushe fërkon sytë nga gazi i hedhur më shumë si ndëshkim, kur një të moshuar e shembin përtokë me spraj djegës, kur një luleshitës jetim arrestohet si e keqja e madhe e vendit apo kur një protestues mbahet me pranga te krevati i spitalit ku po kurohet. Natyrisht që të gjithë duhet të kemi empati për policët e lënduar, por edhe në këtë rast Lleshi tregohet i njëanshëm, duke u shqetësuar më shumë për pushtetin e tij sesa për efektivët.

***

Edi Ramës nuk mund t’i kërkosh që të ndiejë keqardhje pasi psikologët pranojnë një fakt: emocioni i parë që bie ‘viktimë’ përballë arrogancës është empatia. Por në rastin e Sandër Lleshit është ndryshe, pasi na ka thënë se nuk i bëhet vonë për postin që i kanë lënë në dorë. Prandaj nëse nuk kërkon që të mbahet mend në media si ‘i keqpërdoruri i madh i politikës’ dhe në folklorin popullor dhe median sociale si ‘Lleshi i gazit’, le të largohet nga ajo detyrë ku po vuan kaq shumë. Pastaj kur të ikë, është i mirëpritur edhe të shprehë empati për viktimat e pushtetit. Këtë të fundit edhe mund të mos e bëjë.

Shkruar Nga
More from Redaksia Read More