Perspektiva e kthimit të Durrësit në ishull

Nga ing . Xhevair Ngjeqari

Durrësi me hipotekën e tri qyteteve të vendosura njëri mbi tjetrin, Durrachium, Durrësi Veneto– Bizantin dhe i sotmi, dëshmon për një jetë aktive urbane historike. Edhe në gjendjen aktuale jeton me statusin e kryeqendrës e turizmit dhe tregtisë vendore. Rreth 60 për qind e eksporteve dhe importit dhe 25 për qind e qarkullimit pasagjerëve të vendit, realizohet në metropolin e Durrësit. Ndërsa si pozicion gjeografik, zotëron vektorët e kryqëzimeve portuale vendore dhe Euro-Ballkanike. Që nënkupton se interesat ekonomikë vendorë dhe euro rajonalë janë të lidhur me zhvillimin e Durrësit. Të gjitha këto i realizon thjesht me pronësinë e Bashkisë së dytë më të madhe të vendit. Për të përballuar zhvillimin social, migracionin, përveç statusit të patrimonios historike, duhet të shpallet jo vetëm si zonë e lirë ekonomike, por si Bashki, me status të veçantë, Vendimmarrje, Ekonomike, Financiare, Urbane, Portuale, ose një tip. Monako apo Gibiltere administrative. Duke eksperimentuar për herë të parë, pavarësitë vendore në varësi të dimensioneve të aktivitetit ekonomiko-administrativ. Sepse Durrësi përfaqëson 6-7 për qind të popullsisë së vendit dhe shumë kompani realizojnë aty pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik vendor. Një nga problemet që kërkon zgjidhje perspektive, është intensiteti shtrirjes urbane.

Shtrirja urbane

Në kërkim të hapësirave ndërtimore, shtrirja urbane e Durrësit, ndeshet me detin, kodrën dhe me depresionin e ish-kënetës. Në zonën jugore, vija bregdetare 2,5 km okupohet nga porti, nga Porti në Curilla (L =2,5km ), dominojnë ndërtimet ekzistuese. Në orientimin perëndimor ngrihet barriera e malit Durrësit, ndërsa nga Porti në konvaleshencën e Ushtrisë rreth 5 km, janë realizuar në dekada ndërtimet turistike. Por nevojat e shtrirjes sociale tregojnë se ndërtimet perspektive në vitet 2020-2050, janë të privuara nga terrenet e lira urbane. Përveç hapësirave të ish-Kënetës, të cilat dominohen nga efekti Sera në Verë dhe të inonduara në Dimër, terrenet urbane, janë shumë të kursyera. Kjo nënkupton se përmirësimi gjeomjedisor i depresionit të ish-kënetës është i detyruar për zhvillimin e Durrësit. Perspektiva e zgjerimit urban të qytetit në hapësirat e kënetës, fushën e Durrësit, fushën e Vrinës dhe në vazhdim në fushën e Fllakës, është i detyruar. Por në studimin urban, pazaret e qeverive qendrore, për ndërtimin e parqeve energjetike, termocentralet, parqeve industriale, konceptet mbi hekurudhën, portin e peshkimit, nuk bashkëjetojnë me perspektivën e metropolit turistik të Durrësit. Strukturat industriale ndotëse nuk kanë asnjë lidhje me terrenet e ish-kënetës dhe brigjet elitare detare të Bishtit të Pallës, Rodonit, Lalzit etj. Këto mjedise delikate bregdetare nuk duhet të mbushen me ndërtime industriale ndotëse, si në brigjet e Pyllit Sodës në Gjirin e Vlorës. Pjesë e ndërtimeve antituristike është dhe projekti i ndërtimit në Karpen (në qoshen jugore të gjirit Durrësit), të një porti të madh në brendësinë tokësore të shoqëruar me termocentralin që do punojë me Bio Masë, ose duke djegur Plehrat?

Kanali detar

Terreni më i afërt urban i Durrësit është depresioni i ish kënetës. I cili për t’u kthyer në një qendër urbane rezidenciale, kërkon projekte vizionare, jo të kushtueshme, si Vatërfronti i Dubait në miniaturë. Për të realizuar përmirësimin mjedisor dhe vitalizimin urban të hapësirës së ish-kënetës, vjen në ndihmë koncepti i depërtimit të ujërave detare në brendësi të hapësirave të ish-moçalit dikurshëm, ose depërtimin e ujërave detare në fushën e Durrësit dhe në perspektivë në Fushën e Vrinës. Të cilat së bashku me disiplinimin dhe sistemimin e deltës së Erzenit, zgjidhin perspektivat e ndërtimit të Durrësit modern, me disa pole zhvillimi urbane. Kompleksi hidrourban, fillon me ndërtimin e një Kanali Detar në gjurmën nga Mbikalimi Durrës (ish-Ura e Dajlanit)-Kënetë-Porto Romano, me gjatësi 11 km. Rrjeti i kanaleve detare në brendësi të qendrave ose terreneve urbane, ose Vaterfrontet Urbano-Mjedisore, ndërtohen për efekte mjedisore, urbane, arkitektonike, tregtare, turistike, peshkimi, dekorative, vizionare, sportive etj. Ato nëpërmjet diferencës temperaturës të sip. ujore dhe ambientit, kryejnë funksionin e një kondicioneri natyror, duke ulur të nxehtit e verës dhe zbutur të ftohtit në dimër. Projekti i vitalizimit hidrourban koncepton hapësirat e kënetës, fushën e Durrësit, Vrinës, Fllakës, deri në bregun e majtë të Erzenit, si territore të detyruara urbane për shtrirjen aktuale dhe perspektive të Durrësit modern ose Durrësit Hidro–Urban ose Durrësit Urbano-Maritim. Për të realizuar ndërtimet urbano-maritime, projekti parashikon ndërtimin e një Kanali Detar me gjatësi 11 km, me gjerësi 22 m, me sipërfaqe ujore 24,2 ha. Pasqyra ujore së bashku me zgjerimet e përpunimet hidro-arkitektonike mund të arrijë rreth S = 100 ha. Seksioni i kanalit dhe largësitë e Vijës së Ndërtimit, në të dyja anët, krijojnë një hapësirë të lirë komunikimi ujor dhe ajror, midis detit dhe bregdetit të Bishtit të Pallës dhe bregdetit tek ish-Ura e Dajlanit ( Mbikalimi) Durrës ose afër restorant Pinetës. Në gjuhën e ndërtimeve moderne detare mund të emërtohet Vaterfronti i Durrësit.

Treguesit e kanalit detar

Dimensionet hidroteknike të kanalit detar lejojnë shkëmbimin e dy anijeve 600-tonëshe, ose lejojnë kalimin e anijeve në drejtime të kundërta. Gjerësia e kanalit lejon ndërtimin e të gjitha kategorive të urave e pedonaleve pa mbështetje me deri 24-30 m. Planimetria e kanalit është parashikuar me disa variante, një apo disa gjurma të drejta, me disa thyerje, me zgjerime e zgjatime gjatësore e tërthore, degëzime, ndarje duke krijuar ishuj, gjire urbane, sipërfaqe ujore, plazhe turistike, social-kulturore, pista ujore sportive, merkato nautike e sportive, park acqua. Llogaritjet hidraulike janë kryer në përshtatje me Trandafilin e Erërave, të cilat sigurojnë dinamikën natyrale të qarkullimit të ujërave në gjurmën e kanalit. Në gjuhën popullore orientimi gjeografik i kanalit dhe korrentet e Erërave nuk lejojnë stanjacionin e vëllimit të ujërave ose ujërat e ndenjura në gjatësinë e kanalit. Kanali Detar krijon mundësinë e ndërtimit të porteve të turizmit, peshkimit, porteve të pasagjerëve, turistëve, porteve tregtare, pishinave balneareve sportive dhe shumë qendrave të tregtimit, dokeve të riparimit. Në planimetrinë e kanalit dhe degëzimeve, studimi parashikon të ndërtohen mbi 50 nyje portuale të natyrave të ndryshme. Që nënkupton të gjitha aktivitetet e qarkullimit me anije 50-1000 Ton, mund të përpunohen në nyjat e brendshme Portuale të Kanalit Detar. Të gjitha strukturat detare në brendësi të korridoreve ujore ndërtohen me një kosto 2,5–3 herë më të vogël, në krahasim me ndërtimet në brigjet e hapura detare. Kanali Detar, krijon mundësi që anijet e vogla, nga Gjiri i Lalzit deri në gjirin e Durrësit, të lundrojnë duke shkurtuar 11 km rrugë detare dhe duke lundruar në çdo periudhë të vitit. Pasi shumë anije nuk mund të qarkullojnë në det të trazuar gjatë periudhës dimërore. Kanali detar së bashku me derivacionet e ujore, kthen qendrën urbane të Durrësit në simbolikën e Ishullit, por me shumë variacione komunikimi me truallin tokësor me hapësirat detare.

Perspektiva e kthimit të Durrësit në ishull

Qendra më e madhe urbane pritëse është qyteti Durrësit. Me ndërtimin e kanalit detar krijohet mundësia e ndërtimeve moderne Hidro-Urbane Turistike, në zonën e ish-kënetës së Durrësit. Qëllimi i studimit kompleks hidro-urban është që në hapësirat e ish-kënetës së Durrësit, ose Fushës së Durrësit të ndërtohet Durrësi perspektiv, Durrësi Hidro–Maritim, konkurrues, me ndërtime të larta dhe koeficient të ulët shfrytëzimi dhe me hapësira të mëdha të rrugëve ujore dhe gjelbërimit. Ndërtimi i Gazsjellësit TAP, në luginën e Osumit dhe deltën e ndotur të Semanit, përmbys dogmat e studimeve shqiptare, për ndërtimin e parqeve industriale, energjetike apo strukturave ndotëse të termocentraleve në brigjet e kursyera fushore të Durrësit, Karpenit apo Vlorës. Politikat e Territorit të Bashkisë së Durrësit të viteve 2010, kanë parashikuar që në fushën Durrësit ose ish-Kënetës, sipërfaqe mbi 600 ha për ndërtime energjetike. Këto janë plane të gabuara. Durrësi perspektiv duhet të bazohet mbi zhvillimin turistik, nautikën turistike, qarkullimit masiv të pasagjerëve dhe turistëve, (tip.Rimini), për përpunimet e mallrave të qarkullimit të brendshëm detar, qarkullimin e rrugëve ujore elitare turistike, përqendrimin e aktiviteteve e kompanive tregtare detare, qendrave të riparimit (Dry Docks). Prandaj nevojitet Statusi i Zonës së Lirë Ekonomike-Urbano Turistike të qarkut Durrës. Kostoja e ndërtimit të kompleksit të kanalit hidro-urban është parashikuar maksimumi 200 milionë Euro. Por duke patur parasysh të kontributit ekonomik të Durrësit në nivel vendi, shërbesat turistike dhe detyrimet ndaj perspektivës e urbane të qytetit bregdetar, vlerësohet se investimi për ndërtimin e Kanalit Detar është i pallogaritshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PE si negociatore e parë, Basha: Zgjidhja është largimi i Ramës

Përfaqësuesit e Parlamentit Europian takojnë liderët e opozitës dhe ministrin e Brendshëm....
Read More