Personalitetet që themeluan Mësonjëtoren shqipe të Korçës

-Me rastin e Ditës së Mësuesve

Nga Veli Haklaj

Hyrje

Më 7 mars 1887, çeli dyert Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës, shkollë fillore me fizionomi të plotë kombëtare e laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. U hap në kushtet e pushtimin osman me nismën e një grupi rilindësish dhe me përkrahjen e patriotëve korçarë, në Korçë dhe në kolonitë shqiptare në mërgim. Drejtuesit e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi etj. Në kujtim të kësaj ngjarje të shënuar, 7 Marsi është shpallur “Dita e Mësuesit”. Ajo festohet edhe në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporën shqiptare.

Në këtë punim do të publikojmë për lexuesin e gazetës “Mapo” profilet e katër veteranëve korçarë që dhanë kontribut të çmuar në themelimin e Mësonjëtores Shqipe të Korçës. Jemi bazuar në dokumente që administrohen në Arkivin Qendror të Shtetit, përkatësisht në dosjen nr. 50 të Fondit të Kremtimit të 25 – Vjetorit të Vetëqeverimit. Këto dokumente të hartuara nga Komisioni i Prefekturës së Korçës iu përcollën më 4 dhe 20 nëntor 1937, Komisionit të Posaçëm të Kremtimit të 25 – Vjetorit të Vetëqeverimit, në Tiranë.

Jetëshkrim i veteranit Mandi Kristo Tërpo

Mëmëdhetari i madh e ndihmëtar, mirëbërësi i pakursyer i Mësonjëtores Shqipe, Mandi Tërpo, ka lindur në Korçë.

Vëllaj i mesëm i vllezërve Vasil, Sotir dhe Petro Tërpollari, që në djalëri të njomë pat shkuar në mërgim, në Vllahi, ku me punë e me tregti mundi të bëjë një pasuri të mirë. Për historinë e shkollës shqipe ky korçar vlen të zërë vendin e parë, si mirëbërësi më i madh i saj dhe ja sepse:

Në vitin 1886, kur këshilltarët e Shkollës Shqipe të Korçës po vinin ngushtë e vërdallë se nuk gjendej dot një shtëpi me qira për shkollën shqipe, nga shkaku se grama shqipe konsiderohej si gjuhë e mallkuar, Mandi Tërpua është ai që ka telegrafuar në Korçë nga Bukureshti fjalët historike:

“Zbrazni shtëpinë time, e cila le të mbetet e falur për gjithë jetën për gjuhën shqipe”.

Si dokument të gjallë dëshmije që ky korçar mëmëdhetar i madh nuk ka qenë hiç dorështrënguar, kur ishte fjala që të ndihmonte librin shqip dhe shkollën shqipe, (siç na thotë për të me qesëndi i nipi z. Visar Dodani, Memorjet, f. 50, bis 3) për arsye të mirëditura kemi fotografinë e Dhiatës Mandi Tërpo, ku na thuhet:

“Po e le të tërë pasurinë t’ime për shkollën shqipe”.

Se kush ia gllabëroi shkollës kombëtare këtë pasuri, prej afër 1 000 000 (një milion) frangash, historia e Mësonjëtores Shqipe ka për ta na folur gjerë e gjatë. Me Naim Frashërin me Saminë e me të tjerë Mandi Tërpua këmbente karta rregullisht.

Jetëshkrim i veteranit Thimi Mihal Marko (1855 – 1922)

Thimi Marko, i lindur në Korçë, është një nga të tre burrat mëmëdhetarë korçarë: Thimi Marko, Orhan Çerçiz Pojani dhe Jovan Kosturi, të cilët si këshilltarë, domethënë si komitet shkollor i të parës Mësonjëtore Shqipe të Korçës, 1887, kanë hequr së bashku me mësuesit e kësaj shkolle shumë të zeza dhe burgime nga Qeveria Turke.

Thimi Marko, që kur ishte në Rumani, u ngarkua prej Shoqërisë “Drita” për të vajtur në Korçë, ku të përpiqej të fuste gjuhën shqipe në shkollat greke të asaj kohe, ose të çelte shkolla të veçanta shqipe. Meqënëse e para nuk u bë, u realizua e dyta.

Bëri shumë vjet në Bukuresht, ku fitoj pasuri sa për të jetuar i qetë në Atdhe për lirinë e të cilit punoi një jetë të tërë. Burrë i shquar për urtësi e korrektësi, Thimi Marko është ai që përfaqësonte në Korçë Shoqërinë Shqiptare të Bukureshtit për të përballuar të gjitha shpenzimet që duheshin për Mësonjëtoren e Korçës dhe rrethit si dhe për propagandën e përhapjes së mësimit me anën e librave të shtypura në Bukuresht.

Thimi Marko është ai që ka pritur në shtëpi të vet të parët mësues të shqipes në Korçë: Pandeli Sotir Selckën, drejtorin e shkollës, me të vëllanë Koço. Ky i fundit u dërgua në Pogradec ku çeli dhe atje shkollë shqipe.

Dora e Thimi Markos, burrë i ndjerë, ka çelur për herë të parë derën e Mësonjëtores Kombëtare, sot e 51 vite të shkuara. Goja e këtij plaku që shihni në fotografi ka thënë për herë të parë në vitin 1887, dita 7 mars, këto fjalë shqiptare:

“Në emër të Shoqërisë së Shqiptarëve të Bukureshtit e me ndihmë të Perëndisë, po e hapim sot këtë të parën Mësonjëtore Shqipe”.

Plot 16 vjet e pasojti detyrën si këshilltar e arkëtar i Mësonjëtores së Korçës, derisa u mbyll kjo prej Qeverisë Turke, kur Thimi Marko dhe të dy shokët e tij besnikë e të pandarë, Orhan Çerçiz e Jovan Kosturi, u burgosën e u dërguan lidhur, si komitaxhinj, në Manastir, në ditët kur qeveritari i Korçës ka qenë një farë Mehmet Ali Pashë Delvina, shqiptar për fat të zi.

Historia e Shqipërisë dhe Historia e Shkollës Kombëtare Shqiptare do të kujtojnë me shumë nder Thimi Markon dhe shokët e tij.

Jetëshkrim i veteranit Orhan Çerçiz Pojani

Lindur në Korçë më 1845. Orhan Pojani kish mbarua Shkollën Sulltanie, po gjithnjë i hedhur në fushë patriotike në komitetet shqiptare.

Një nga themelluesit e Shkollës Shqipe në Korçë, mbrojtës i kësaj shkolle, kurdoherë dhe dhuronjës i madh me të holla për përmbajtjen e tyre dhe të mësuesve.

Kush mund që të përshkruajë burgjet, syrgjynet, zinxhirët dhe ndjekjet misterioze që hiqte bashkë me shokët e tij Jovan Kosturi, Thimi Markon dhe të tjerë. Prandaj e lemë që Historia Kombëtare të përmbledhë e të shkruajë biografin e të ndjerit Orhan, i cili vdiq i lumtur dhe i gëzuar në Vlorë, më 1913, porsa pa që të ngrihet Flamuri për të parën herë pas 500 vjet robërie. Në momentet e vdekjes, ai tha:

“Vdes i kënaqur së gjithash”.

Jetëshkrim i veteranit Jovan Cico Kosturi

U lind në Korçë, më 1831, dhe është një nga atdhetarët më të parë që mbështeti çeljen e shkollës së parë shqipe.

Që në moshë të re, Jovan Kosturi u muar me tregti duke bërë një pasuri të madhe me zotësinë e tij tregtare. Si tregtar kish marrëdhënie me firma të mëdha të shumë shteteve të Evropës, në të cilat kishte udhëtuar dhe gëzonte kredi të madhe.

Njeri me influencë të madhe në Korçë, merrte kurdoherë pjesë aktive aq si dhimogjeront i Mitropolisë së Korçës, sa edhe ndaj autoriteteve të asaj kohe.

Jovan Kosturi është i pari që së bashku me atdhetarët Orhan Pojani dhe Thimi Marko, në lidhje me Shoqërinë e Bukureshtit mori përsipër nisiativën e përhapjes së idesë kombëtare, e cila shtiu rrënjë me çeljen e të parës Mësonjëtore Shqipe, më 1887. Që në këtë kohë, shtëpia Kosturi u bë qendër e shqiptarizmit.

U përpoq me mish e me shpirt që gjuha shqipe të vihej në shkollat greke dhe turke të asaj kohe. Mirëpo, pasi kjo ishte e pamundur se aq propaganda e huaj sa edhe Qeveria Turke nuk e lejonin shqipen në ato shkolla, mori nisiativën me të dy shokët e lartëpërmendur, me të cilët hapi të parën shkollë shqipe në Korçë, duke marrë detyrë si efor (këshilltar) i saj.

Jovan Kosturi, si pjesëtar aktiv i propagandës shqiptare nuk pati kursyer as ndihma materiale, si për shkollën shqipe, si dhe për përhapjen e idesë së shqiptarizmit në popull.

Për këto veprime atdhetare u luftua dhe u ndoq shumë prej qeverisë turke dhe prej propagandës tjetër të huaj, vuajtje këto të cilat janë të mirënjohura në shtypin shqiptar të asaj kohe.

Më 1893, u dërgua në Manastir i shoqëruar me xhandarë turq, se ju gjetën në postë disa gazeta “Drita”, që botohej në Sofje. Atje shpëtoi pa u burgosur, duke i dhënë 500 lira turke ryshfet valiut të Manastirit.

Sidomos në vitin 1906, pësoi me gjithë familje shumë të këqia nga propaganda e huaj dhe nga Qeveria Turke, që përpiqeshin me shumë mënyra ta largonin prej idesë kombëtare. Në shtëpinë e tij si dhe në dyqanet qeveria bënte shpeshherë bastisje serioze, të cilat ata që kanë jetuar aso kohe e dinë se sa tmerr krijonin këto veprime të paudha turke të atëhershme.

Po në vitin 1906, i është vrarë në Selanik djali i tij i madh, Spiro Kosturi, nga komiteti i propagandës së huaj dhe, po në këtë vit është burgosur dhe vetë në Korçë, së bashku me dy djemtë e tjerë, Idhomeno e Kristaq, të cilët u mbajtën gjashtë muaj duke hequr të zeza të mëdha me gjyqe nga shkaku i akuzave të shpifura që u bënte propaganda e huaj, e cila përkrahej edhe nga Qeveria Turke.

Me gjithë këto vuajtje, Jovan Kosturi dhe të bijtë vazhduan shqiptarisht idealin kombëtar pa u përkulur dhe pa u dëshpëruar fare nga dëmi i madh që pësoj me të dhënë dëshmor djalin e tij të vyer dhe me të pësuar dëme materiale të mëdha.

Më 1911, familja Kosturi i dha kombit edhe një dëshmor të dytë. Në këtë vit ju vra nipi i tij, Kostaq Kosturi, djali i Spiro Kosturit, në fushën Orman Çiflig të Korçës, prej ushtrisë turke, si pjesëtar komit i çetave që luftonin për lirinë e Atdheut. Me këtë rast u burgosën prapë prej Qeverisë Turke djemtë e tij, Idhomeno e Kristaq, të akuzuar si shtytës të nipit të tyre që të dalë komit me çetat kombëtare.

Më 1914, kur Korça do të zaptohej nga andartët, Jovan Kosturi me familje shkoi refugjat për në Manastir ku e kapërceu kufirin Jugosllav nga Shën Naumi, vetëm pasi i pagoi një shumë të madhe ryshfet kapedanit osmanlli shqiptar, Ethem Beut. Në Shën Naum u takua me dëshmorët Menduh Zavalani e Telemak Gërmenji, të cilët i këshilloj të mos shkonin në Pogradec, por ata të ndezur prej flagës patriotike nuk ja dëgjuan këshillat dhe, siç dihet, u vranë barbarisht prej faqezezëve rebelë.

Me ardhjen e andartëve në Korçë shtëpia dhe dyqanet e tij ishin të parat që u bënë plaçkë dhe tërë pasuria e paluajtshme ju konfiskua për dy vjet me radhë. Në këtë kohë i ka vdekur në Manastir e shoqja, një grua me ndjenja shqiptare, e cila e kishte shoqëruar në të gjitha vuajtjet e mëdha dhe në idealet e shenjta të tij.

Kur u kthye në Korçë, me 1916, shtëpinë e gjeti të zënë nga ushtarët grekë dhe u shtrëngua të banojë në një shtëpi të vogël, duke patur shtatë shtëpi prona të vetat. Burgimi i tij disa herë, së bashku me djemtë, i patën sjellë humbje të pallogaritshme në tregti, përveç dëmeve të tjera të mëdha me të paguar ryshfete dhe shpenzime për të shpëtuar nga ndjekjet dhe akuzimet që i bëheshin prej Qeverisë Turke.

Ky është atdhetari i rrallë Jovan Kosturi, i cili i ka falur Shqipërisë dy dëshmorë dhe luftoj pareshtur për idenë kombëtare me tepër se gjysmë shekulli.

Ka vdekur në Korçë, më 21 janar 1924, në moshën 93 vjeç, i lumtur se pa me sytë e vet të realizuar idealin që kish ëndërruar gjithë jetën. Varrimi ju bë me madhështi duke marrë pjesë edhe ata që e kishin ndjekur dhe luftuar.

Burimet:

  1. AQSh, F.170, V.1937, D.50.
  2. Fjalori enciklopedik shqiptar, vëllimi i dytë, Kristalina-KH, Tiranë, 2008.
  3. Veli Haklaj, Veteranët e Pavarësisë, Kristalina-KH, Tiranë, 2018.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PD-ja me moton: Hapje pa riciklim

Nga Ndriçim Kulla Një nga kritikat që i bëhen kryetarit të PD-së...
Read More