fbpx

Kronika

Përmbarim-polici, terror mbi 4 familje në Tiranë





               Publikuar në : 09:02 - 12/03/19 |
mapo.al

Dhjetëra forca të policisë bashkë me disa përmbarues privatë për tre orë me radhë shkaktuan terror dhe dhunë mbi katër familje, mes tyre gra shtatzëna, fëmijë dhe invalidë. Dënimi masiv i ngjarjes nga qytetarët në rrjetet sociale sjell reagimin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Largohet kryepolici i Tiranës Kastriot Skënderaj, vendimi dyshohet se është marrë të shtunën e kaluar, por u komunikua dje si “masë” pas ngjarjeve.


Ekzekutimi përmbarimor i një vendimi gjykate të formës së prerë, u kthye dje në ngjarje mjaft të rëndë, me dhjetëra përmbarues dhe struktura të policisë që për të paktën tre orë terrorizuan gra, fëmijë, invalidë dhe të moshuar që kundërshtonin prishjen e katër banesave. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në afërsi të Shkollës “Petro Nini Luarasi”, duke regjistruar incidente të rënda me gra dhe fëmijë që qanin dhe përpiqeshin të mbroheshin nga dhjetëra forca policie. Mes kaosit veçohen dy momente kur një vajzë jo më shumë se 5 vjeçe tenton të mbrojë nënën shtatzënë, duke e tërhequr nga policët që e kishin rrethuar. Gjithashtu një tjetër djalë, me britmat: “ma lini babin” i del para automjetit të policisë dhe shtrihet mbi kofanon për ta ndalur. E gjithë skena e rëndë me gra që humbnin ndjenjat, të moshuar që derdhnin lot ndodhi në prani të shumë qytetarëve dhe medias në vend. Zyrtarisht thuhet se kjo situatë solli edhe shkarkimin pak orë më vonë të drejtorit të Policisë së Tiranës Kastriot Skënderi. “Vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës është reagimi i duhur. Nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull. Prej saj kërkohet më shumë. Ajo duhet të jetë dhe me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut. Jo si sot, tek rruga e shkollës “Petro Nini”!, shkruan ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Pavarësisht qëndrimit zyrtar, burime të konfirmuara shprehen se vendimi për largimin e kryepolicit të Tiranës, të Vlorës dhe Fierit ishte marrë disa ditë më parë, ndërsa njoftimi se Skënderaj u shkarkua për ngjarjet në afërsi të Shkollës “Petro Nini Luarasi”, janë një mënyrë për të shuar pamjet e rënda të përdorimit të strukturave të shtetit, në kapërcim të ligjit.



Konflikti i pronësisë


Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Tiranë, përmbarues të një shoqërie private të mbështetur si rrallëherë nga një numër i madh efektivësh policie të rendit dhe Repartit Shqiponja, kanë shkuar në portën e shtëpisë së familjes Llapaj në Tiranë. Një vendim gjykate parashikon prishjen e shtëpisë 2-katëshe. Gjykata ka vendosur që t’i kthejë pronën ish-pronarit. Por, familja Llapaj thotë se ligji parashikon kthimin e pronave që janë sekuestruar pas datës 28 nëntor 1994 dhe jo pronat e marra në vitin 1939. Njëri prej pronarëve të banesave Luan Llapaj u shpreh se pronën e ka blerë që në vitin 1939, kohë edhe kur i është sekuestruar nga qeveria e kohës. Ai pretendon se vendimi i dhënë nga gjyqtari i apelit Gjin Gjoni është i padrejtë. “Kemi blerë shtëpi nga Enti i banesave në vitin 1993 kur e ka blerë gjithë Shqipëria. E privatizuam dhe nuk ka asnjë barrë ligjore. Dhe nuk thotë që vite më vonë do të ndërtojë njeri mbi këtë shtëpi. Që në 2009 kam paguar lekët për infrastrukturë. Legalizimi thotë që je në proces legalizimi. Jemi në konflikt me A. G, ku Komisioni i Kthimit të Pronave i dhënë pronë nga shkolla Petro Nini e deri më këtu. Prona i është sekuestruar nga qeveria e kohës në vitin 1939. Toka i është sekuestruar që në 17.12. 1939. Ligji i kthimit të pronave thotë që kthen çdo pronë të marrë pas 28 nëntor 1944. Këtij i janë sekuestruar pronat në 1939”-reagoi ai. Gjithashtu në qëndrimin që mbajti paraqiti dokumenta që vërteton sipas tij që edhe ai vetë ndonëse në moshë të madhe, ka lindur në atë banesë. “Na tha shteti jetoni në këtë shtëpi, dhe jetuam. Kam 64 vjet që jetoj këtu. Kam lindur këtu. Ne jemi te shtëpia jonë ku na tha shteti”-u shpreh Llapaj. Përtej konfliktit civil mes palëve, ku nuk duhet të diskutohet një vendim i formës së prerë të gjykatës, në situatën e djeshme mjaft e rëndë ishte ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe përmbaruesve privat, që pas trysnisë së madhe dhe reagimit qytetar u detyruan që të tërhiqen, ndoshta përkohësisht.

Polici arrogante dhe mungesë profesionalizmi

Që në fillim të konfliktit punonjës të policisë së shtetit rrethuan zonën dhe lejuan katër përfaqësues të përmbarimit që me shkelma e mjete të tjera të forta të tentonin të shembnin portën kryesore të banesës ku jetojnë katër familje. Gjithçka në sytë e fëmijëve të mitur, të një gruaje shtatzënë dhe të një të moshuari invalid që derdhte lot në cepin e murit. Situata u agravua kur punonjësit e policisë nisën të shtynin dhe shoqëronin familjarë që jetonin në banesën e vendosur për t’u shembur. Kjo situatë solli fillimisht reagimin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj që e konsideroi si sjellje jodinjitoze veprimet policore. Më vonë edhe kreu i qeverisë u shpreh, por duke sulmuar mediat. Pas komentit në Twitter, kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar sërish në ‘Instagram’ rreth situatës së tensionuar në afërsi të gjimnazit ‘Petro Nini’, në kryeqytet, ku përmbaruarit kishin shkuar të shembin një banesë, por hasën rezistencën e banorëve. Ai bëri “përgjegjëse” mediat, por fakti që u detyrua të reagonte dy herë në një kohë të shkurtër duket se ka ardhur nga mllefi i qindra mijëra qytetarëve që e kanë kritikuar ashpër qeverinë në rrjetet sociale, madje të shumtë edhe në profilin e kryeministrit. “Nuk kanë asnjë faj ata që irritohen duke parë në kanale a në portale, skena si ato sot tek rruga e “Petro Ninit”, përderisa kazanët thonë gjithçka përveç të vërtetës. Jo do prishet shtëpia, jo do bëhet pallat, jo qeveria nxjerr jashtë banorët me policë, jo më the e jo të thashë… Gënjeshtra pas gënjeshtrash, ndërkohë që këtu s’hyjnë asgjëkund as qeveria e as bashkia dhe e vërteta është shumë e thjeshtë: Janë dy palë familje në konflikt dhe njëra palë ka fituar gjyqin, pala tjetër e ka humbur! Përmbarimi kërkon të ekzekutojë vendimin dhe policia e ka detyrim ligjor ta mbështesë ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë, kur i kërkohet nga Përmbarimi. Për më shumë, ministri i brendshëm ka folur qartë e saktë, po ashtu edhe kryetari i bashkisë TR. Llafet e tjera janë fukarallëk mediatik e politik”, shkruan Rama. Janë me mijëra vendimi gjyqësore të formës së prerë të paekzekutuara, por në raste shumë të rralla policia angazhohet kaq e vendosur dhe në numër shumë të madhe për një konflikt civil dhe ligjor mes dy palëve private në konflikt pronësie. Pamjet e rënda shkaktuan irritim të madh sidomos në rrjetet sociale kundër qeverisë, çka në këtë pikë “preku” kryeministrin, që reagoi duke justifikuar të gjithë ngjarjen.


Etiketa: , , , , ,

Pas