Përgjimet e policit në rrjetin e prostitucionit: Na duhet një “taksi” e mirë

Efektivi i policisë rrugore Elton Shtrepi është përgjuar në të paktën dy raste teksa komunikonte me taksistin Maringlen Ahmetaj për sigurimin e klientëve për disa vajza që ushtronin prostitucion. Në një rast efektivi i policisë ka shpëtuar taksistin nga kolegët e tij të cilët e kishin ndaluar për verifikimin e dokumentacionit, ndërsa në taksi ishin dhe vajzat që ushtronin prostitucion.

Një punonjës policie i përfshirë në rrjetin e prostitucionit me 28 të pandehur është përgjuar nga prokuroria teksa përpiqej të siguronte klientë për prostitutat që transportoheshin nga një bashkëpunëtor i tij taksist.

Elton Shtrepi, efektivi i policisë rrugore është përgjuar në të paktën dy raste në komunikim me taksistin Maringlen Ahmetaj, i cili në një nga përgjimet kërkonte ndihmën e policit pasi ishte ndaluar nga uniformat blu.

Në një tjetër rast, punonjësi i policisë i kërkon taksistit “një taksi të mirë” për një shokun e tij, çka sipas akuzës do të thotë se polici kishte siguruar klient për një nga prostitutat që transportonte taksia e Ahmetaj.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se gjatë hetimeve u konstatua se e pandehura Fllanxa A., mbante kontakte të vazhdueshme me punonjësin e policisë Elton Sh, si edhe me shtetasin Maringlen A., i cili punonte taksist.

Nga veprimet hetimore, rezulton se këta dy shtetas u siguronin klientë vajzave që jetonin me Fllanxa A., por edhe disa të tjerave, të cilat ushtronin aktivitetin e prostitucionit.

Nga hetimet e këtij rasti, veçohet një situatë kur taksisti Maringlen A., po shoqëronte tri vajza për të prostituuar në një hotel pranë qendrës së Tiranës.

Rrugës pranë hotelit, mjeti taksi ndalohet nga Policia e qarkullimit për kontroll dokumentesh. Në këtë moment, taksisti Mariglen A. kontakton me inspektorin e Policisë Elton Sh., të cilit i kërkon ta ndihmojë të mos ketë probleme.

Elton Sh., afrohet me makinën e tij dhe, pasi komunikon me patrullën e policisë, largohet me të gjithë personat e gjendur në taksi, duke e drejtuar vetë mjetin, ndërkohë që automjetin e tij e parkoi.

Pasi udhëtojnë në disa rrugë të Tiranës, mjeti taksi i drejtuar nga Elton Sh., ndalon sërish pranë hotelit për ku ishin nisur vajzat, të cilat zbresin dhe ai largohet me mjetin e tij.

Duke konstatuar këtë situatë, hetimi u shtri edhe te këta dy persona (punonjësi i policisë dhe taksisti), nga ku rezultoi se ata përfshiheshin shpesh në gjetjen e klientelës për vajzat që ushtronin prostitucion, duke marrë edhe përqindjen e parave për rolin e tyre.

Së bashku me këta të dy, në aktivitetin e shfrytëzimit të prostitucionit, rezultoi i përfshirë edhe Arben B.

Efektivi i policisë Elton Shtrepi dhe taksisti Maringlen Ahmetaj janë pjesë e grupit të 28 të pandehurve të cilët u dërguan në gjykatë si pjesë e një rrjeti të gjerë prostitucioni që ushtronte veprimtarinë në disa hotele të Tiranës.

Sipas prokurorisë të pandehurit vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa pagesa për çdo “shërbim seksual” varionte në shifrat 50-200 euro për orë.

Nga hetimet ka rezultuar se një pronar hoteli, një taksist, një inspektor policie, si edhe disa vajza, bashkëpunonim për të siguruar “klientelë” për vajza që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. Mentor Koka, i cili është në kërkim, kishte krijuar mundësitë që në ambientet e hotelit dhe lokalit të tij të ushtrohej aktiviteti i prostitucionit.

Ai bashkëpunonte me shtetasen Fllanxa A., e cila krahas ushtrimit të prostitucionit, siguronte edhe vajza të tjera, kryesisht nga zona periferike të vendit, në vështirësi financiare, për të ofruar shërbime seksuale.

Katër vajza, përfshirë edhe Fllanxa A. u “shërbenin” klientëve në hotelin e shtetasit Mentor Koka, por edhe në hotele dhe ambiente të tjera private.

Sipas prokurorisë, të ardhurat e siguruara nga ushtrimi i prostitucionit i merrte Mentor Koka, ndërsa të pandehurave të tjera u hiqnin shpenzimet e ushqimit, fjetjes dhe veshjes.

Përgjimi I

Maringleni: -Toni, me kane kap keta te dyshit, ketu vella, tek “Roza” vella, vjen dot?

(Elton Shtrepi); Ja te marr makinen e po vi, prit ta marr.

Maringleni. Shpejt o shpejt, jepi gaz o vlla.

– Eltoni: Po duro mo se erdha.

Nga verifikimet e patrullës së policisë së Komisariatit nr. 2, ka rezultuar se në mjet me të pandehurin Maringlen Ahmetaj ndodheshin të pandehurat xxxxxx

Përgjimi II

Eltoni– Ku je o lo…?

Maring; Ne shpi.

Eltoni; A ke dal sot?

Maring; Jo.

Eltoni; Po do nje shoku im, do nje taksi, o k…?

Maring; Taksi te mire?

Eltoni; Aaa..?

Maring: Taksi te mire?

Eltoni; Poo.

Maring; Po mo, te dale se do e gjejme, po ja ke bere çmimin…?

Eltoni; Aa.

Maring; Ja ke bere çmimin?

Eltoni; Po, po po.

Maring; Po mo vlla.

Eltoni: E se i kam dhene edhe numrin tend, une. Do te marri vete, eshte ai shoku, Navali qe ishim ate dite ne darke aty te xhepi.

Maring; Aha, ai eshte kot o burre….

Eltoni; Po jo mo, ç’ke ti, se mu me tha po o vlla, tani ca me te thone une.

Maring; Po ke, ti jap sot une, po mire e ke ti?

Eltoni; Nonen

Maring; Ka ik.

Eltoni: Ate qe ke ne shpi.

Maring; Ka….. ne pi….!

Eltoni; Xhiken !

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Direkt apo indirekt?!

Nga Holta Heba* Individi që komunikon me stil direkt kërkon të japë...
Read More