Për protestat rumune dhe ato shqiptare

foto-per-opinion-iljazajNga Ervis Iljazaj*

Protestat e qytetarëve rumunë kundër kastës së vjetër politike dhe personazheve të saj të korruptuar janë kthyer në një nga lajmet më të rëndësishme politike europiane. Slogani më i përhapur që mbajnë në duar protestuesit është “ Hajdut”. Slogan që i drejtohet të gjithë politikës, e cila ka disa vite tanimë që është në një përballje totale me drejtësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin politik. Akti i fundit i cili ka rritur ndjeshëm zemëratën popullore është dekreti qeveritar i cili ka depenalizuar disa veprimtari të punonjësve publikë, përfshi këtu edhe të politikanëve, të cilat nuk mund të konsiderohen si korrupsion.

Këto janë protestat më masive që populli rumun ka zhvilluar që nga koha e rënies së diktatorit Ceausescu. Andaj, këto protesta nuk kanë tërhequr vëmendjen e shtypit europian vetëm për nga rëndësia që ka shteti rumun si anëtar i Bashkimit Europian, por edhe si një lloj lëvdate kundrejt popullit rumun që me sa duket është i vendosur t’i vazhdojë ato deri në fund.

Për të kuptuar zemëratën e rumunëve duhet të kujtojmë që gjithë këto vite, Rumania në të gjitha raportet ndërkombëtare ka qenë një nga vendet më të korruptuara të Europës. Me një insistim të institucioneve ndërkombëtare, Rumania arriti që të krijojë disa hetime të rëndësishme kundër politikanëve të nivelit të lartë si ministra apo kryeministra. Disa prej tyre përfunduan në burg. Megjithatë përballja midis politikës dhe drejtësisë vazhdon ende. Ka një rezistencë të madhe të klasës politike kundër vullnetit për të krijuar një drejtësi të pavarur.

Politika dhe drejtësia, këto janë dy skajet të cilat përballen sot në shtetin rumun. Beteja vazhdon, por drejtësia me shumë mundësi do të fitojë pasi ajo ka në krah të gjithë atë masë të madhe qytetarësh që janë duke protestuar në mënyrë shembullore në të gjitha rrugët e Bukureshtit.

Është fare lehtë të kuptojmë që marrëdhënia midis politikës dhe drejtësisë është po njësoj si rasti i Shqipërisë. Me një ndryshim. Masat e mëdha të popullit që mungojnë në sheshet shqiptare.

Lëvdatat për popullin rumun nuk kanë munguar edhe nga politikanët shqiptarë. Jo vetëm kaq, por lideri i opozitës iu bën thirrje shqiptarëve nën shembullin rumun të mbushin sheshet në datë 18 shkurt. Por, ka një keqkuptim të madh.

Pikë së pari, protestat popullore në Rumani janë të një iniciative qytetare dhe spontane. Janë të një shoqërie e cila nuk duron dot më që politikanët e saj të pasurohen dhe me paturpësinë më të madhe, pasurinë e tyre ua “përplasin në fytyrë” qytetarëve. Këto protesta, që zoti Basha thërret janë pjesë të tubimeve politike dhe nuk ngjasojnë me ato rumune. Atje, protestohet kundër klasës politike, pa dallim ngjyre apo flamuri. Sigurisht që opozita ka të drejtë të protestojë, por ky nuk është rasti rumun.

Pikë së dyti, qytetarët rumun janë në mbrojtje të Reformës në Drejtësi. Reformë e cila për shkak të klasës politike shqiptare nuk po zbatohet plotësisht, për faj edhe të makinacioneve dhe llogarive politike të Partisë Demokratike.

Pikë së treti, është një fatkeqësi e madhe për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare që e drejta për të protestuar është kthyer në një tubim politik të rëndomtë. Kështu që, efektet e tyre janë minimale dhe të pavlera për të demonstruar një vullnet popullor të sinqertë kundrejt padrejtësive në kurriz të popullit.

Duke patur parasysh të gjitha këto rrethana, shembulli rumun është një shembull që nuk e ndihmon dot Partinë Demokratike, përkundrazi është kundër saj dhe gjithë politikës së vjetër të politizimit deri në palcë të një shoqërie, e cila pret me padurim drejtësinë, por që fatkeqësisht nuk po gjen dot kurajën rumune për t’ia përplasur në fytyrë të gjitha mëkatet politikës 25-vjeçare shqiptare.

Ne duhet të protestojmë! Por, kundër politikës dhe pro Reformës në Drejtësi. Ky është shembulli rumun. Me sa duket protestën e vetme po e zhvillon Ambasadori amerikan. Të cilit nuk lanë gjë pa i thënë pasi, akuzoi publikisht bllokimin e drejtësisë dhe dënoi mungesën e vullnetit për t’i shkuar deri në fund Reformës.

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Video-skandali, vajza protagoniste: Nuk jam penduar

E reja 20-vjeçare Anisa. A. tregon arsyet se përse vendosi që të...
Read More