fbpx

Editorial

Për një larje të ndershme hesapesh midis PD-së dhe LSI-së





               Publikuar në : 09:34 - 05/06/17 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale mund të dallojmë dy tipare apo elemente kryesore. E para është objektivi i Partisë Socialiste për të arritur objektivin e saj të 71 deputetëve dhe e dyta, sulmet reciproke midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim si asnjëherë më parë. Çdo gjë tjetër është brenda një normaliteti që fushatat elektorale shqiptare nuk e kanë përjetuar ndonjëherë.



Nga ky këndvështrim mund të thuhet se logjika politike e kësaj fushatë është brenda një kursi normal të saj.


Nëse Partia Socialiste gjatë dy zgjedhjeve të fundit ka patur një numër deputetësh pak a shumë të njëjtë, luhatja e votave që ka ndikuar më shumë në rezultatet politike është ajo që ka ndodhur midis PD-së dhe LSI-së.

Kjo është dhe arsyeja kryesore që ka shpërthyer një sulm midis këtyre forcave. Dhe me sa duket kjo do të jetë dhe kryefjala në vazhdim e fushatës të tyre.

Në vitin 2013 Lëvizja Socialiste për Integrim u rrit rreth 100 mijë vota më shumë. Mbas një qeverisjeje katërvjeçare me Partinë Demokratike si pasojë e një koalicioni të sforcuar, shumë njerëz të cilët funksionojnë me një sjellje elektorale pragmatiste votuan për këtë parti. Vota të cilat erdhën në shumicën e tyre nga rrjedhjet e votuesve që pësoi Partia Demokratike. Kjo si pasojë edhe të frymës që u krijua në ato zgjedhje, ku në perceptimin publik aleanca PS-LSI konsiderohej pa dyshim fituese bindshëm, siç rezultoi faktikisht. Dhe kështu inercia e votuesve drejt pushtetit bëri që shumë votues të PD-së të kthenin sytë nga partia që kishin bashkëqeverisur për katër vite.

Tashmë, konteksti politik është i ndryshëm. Forcat Politike garojnë të vetme dhe askush nuk e di se si do të përfundojnë këto zgjedhje. Partia Socialiste nuk kërkon më një mandat qeverisës të varur nga ish-aleati i saj, por një qeverisje që sipas saj do jetë më e përgjegjshme nëse do të vinte si pasojë e një force të vetme.

Kjo bën që Lëvizja Socialiste për Integrim ta ketë të vështirë të luajë me kartën e të qenit në pushtet mbas zgjedhjeve në mënyrë që të joshë elektoratin. Aq më tepër kur jemi ende në një frymë bashkëpunimi midis dy forcave kryesore që mund të vazhdojë mbas 25 Qershorit.

Lëvizja Socialiste për Integrim, ndoshta për herë të parë do të duhet të bëjë llogaritë me dyshimin nëse do të jetë në pushtet apo jo dhe me objektivin e saj për të qenë forcë e parë.

Kjo mbetet për t’u parë, por ajo që duhet theksuar është fakti se Lulzim Basha ka kuptuar që të vetmet vota që mund të rikthejë potencialisht përsëri në Partinë Demokratike janë votat e ikura për një tendencë të pazakontë politike. Ato 100 mije vota të cilat shkuan drejt Lëvizjes Socialiste Për Integrim janë “rezervati” kryesor ku Partia Demokratike mund të “peshkojë”. Dhe beteja midis LSI dhe PD do të jetë e ashpër deri në votën e fundit. Kjo retorikë konfliktuale midis këtyre dy forcave politike do të vazhdojë dhe të ashpërsohet me kalimin e ditëve. Një betejë që Lulzim Basha është i detyruar ta fitojë nëse vërtet dëshiron të jetë ende në krye të partisë mbas 25 Qershorit. Një betejë që në fakt është më se e ndershme dhe me një logjikë politike normale. Ato janë vota rastësisht të ikura nga familja e tyre natyrore. Se sa do të mundë Basha t’i rikthejë ato, do të varet dhe suksesi apo dështimi i tij në këto zgjedhje.

 



Pas