Për një “ë” në FB

Julian ZylaNga Julian Zyla

“Një urim për socialistët shqiptar!” niste një postim i ish-kryeministrit Sali Berisha, para disa ditësh, në Facebook. Mesazhi vazhdonte “Të dashur miq, sot socialistët shqiptar kremtojnë…” Siç shihet, fjalës “shqiptarë” i mungon shkronja “ë” e shumësit.

Natyrisht, kjo nuk është diçka e rëndë: bëhet fjalë vetëm për një “ë” “që ti s’e vë…”. Nuk bëhet fjalë, për shembull, “për një “M” që ti s’e vë” në një Vendim të Këshillit të Ministrave, VKM.

Megjithatë, ky nuk është një artikull për reformën në drejtshkrim. Nuk ka nevojë për “vetting” për çdo shkronjë që hyn në sistemin e medias sociale të politikanëve shqiptarë. Por ajo që duhet është një kujdes më i madh, një vëmendje më e plotë dhe një qasje më krijuese ndaj këtyre mediumeve, që të bëjnë të mendosh se janë të thjeshtë e të parrezikshëm. Në to, pritshmëritë e njerëzve ndaj personit dhe postit nuk ulen, përkundrazi. Gjithashtu, mund t’u krijohet njerëzve mundësia e ndërveprimit.

Imagjinoni se sa kohë e diskutime, me të drejtë, u përkushtohen deklaratave për shtyp. “Çfarë do të themi?” “Kush do të dalë ta lexojë?” “Jemi dakord me pjesën në të cilën themi…?” A janë deklaratat në mediat sociale të menduara kaq mirë?

Pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, mbrëmjen e sulmit terrorist, Kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale: “Më vjen shumë keq për shqetësimin e krijuar dhe shumë faleminderit për mesazhet e panumërta. Gjithcka ok nesër vizita zyrtare në Ankara.” Ky mesazh me siguri qetësoi të gjithë të afërmit dhe miqtë që i kishin shkruar Kryeministrit. Por, a ishte vërtet “Gjithcka ok”? A ishte ky një mesazh i plotë për një Kryeministër, pas një tragjedie të atyre përmasave, në një vend që do ta priste zyrtarisht të nesërmen?

80 minuta më pas, z. Rama poston një tjetër mesazh: “Keqardhje e thellë për jetët e pafajshme të humbura në këtë akt barabar të atyre që s’kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!”

Gjatë atyre 80 minutave, opozita shqiptare, duke përfshirë z. Berisha, të cilit i mjaftuan 40 minuta për të përgatitur reagimin e tij, pati kohë mjaftueshëm të theksonte se si Kryeministri Rama nuk kishte përmendur aspak të prekurit nga tragjedia, në mesazhin e tij të parë pas ngjarjes.

Por politikanët shqiptarë nuk janë gjithmonë të pakujdesshëm në mediat sociale. Zoti Berisha ka arritur të ndërtojë një komunikim mjaft të drejtpërdrejtë me mbi një milion ndjekësit e tij. Kryeministri Rama po i afrohet asaj shifre, duke përdorur me sukses fuqinë e imazhit dhe fotove. Ndonjëherë, duke arritur deri te postimi i një albumi fotografik pa mesazhe e përmbajtje nga një aktivitet si takimet e NATO-s. Kaq të fuqishme janë imazhet në komunikim!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket të ketë zgjedhur mediat sociale si mënyrë komunikimi me mediat tradicionale, për shkak të mesazheve të gjata në rrjet. Por fakti që z. Basha ka një profil mjaft aktiv në Facebook, tregon që përpjekjet janë serioze. Ashtu siç duhet të jenë.

Mediat sociale nuk do të mbyllen. Ato janë aty dhe duhen marrë seriozisht. Ato nuk kanë më pak rëndësi sesa deklaratat për shtyp, të cilat përfundojnë gjithsesi në media sociale.

Së fundmi, komunikimi i drejtpërdrejtë në rrjet mund të jetë i dobishëm për të gjithë, nëse arrihet të krijohet një ndërveprim i vërtetë mes politikës dhe njerëzve. Kjo nuk është diçka e lehtë. Por as e pamundur. Duhet profesionalizëm dhe ide, por mund edhe të përfitohen ide.

Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë atje ku janë njerëzit. Shumë prej tyre mund t’i gjesh e t’i respektosh në mediat sociale.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si e themeluan Basha e Rama Republikën e V-të

Nga Alfred Lela Asnjë burrë për be nuk abstenoi, nuk refuzoi, nuk...
Read More