PD i përgjigjet SHBA me propozim të ri, zbardhen debatet në grup

bashaOpozita  i është përgjigjur me një kundërpropozim formulës së kompromisit të ofruara nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland për kapërcimin e ngërçit që pengon miratimin e Reformës në Drejtësi.

Pas 48 orësh nga propozimi i ndihmës-sekretares amerikane të Shtetit, Viktoria  Nuland, Partia Demokratike është përgjigjur negativisht, duke hedhur në tryezën e bisedimeve një propozim të ri, që ndryshe nga ajo çfarë kërkojnë ndërkombëtarët, e vendos misionin e monitorimit të të huajve në rol vëzhgues, pra jo vendim-marrës. Partia Demokratike kërkon që përmes propozimit të ri, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të ketë rol vëzhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion, prova apo çdo fakt të shqyrtuar, por pa pushtet diskrecional, i cili do ta kthente ONM-në, sipas PD-së, në një institucion me supra-sovranitet brenda kornizës kushtetuese shqiptare. Ky fenomen, sipas PD-së, do të ishte një rast sui generis dhe një përjashtim absolut në raport me eksperiencat e vendeve të tjera, që kanë hasur probleme po kaq të mprehta me gjyqësorin përpara anëtarësimit në BE, si Rumania apo Kroacia. Në propozimin e bërë publik zyrtarisht dje nga PD-ja fillimisht thuhet se është Avokati i Popullit ai që shpall thirrjen për paraqitjen e aplikimeve për 3 (tre) kategori pozicionesh në strukturat e Vetting–ut: a) Komisionerët, b) Komisionerët Publikë dhe c) gjyqtarët e Dhomës së Apelit. Avokati i Popullit është i detyruar të shpallë në faqen në web të gjitha kandidaturat që kanë aplikuar pranë tij. Në fund të afatit të aplikimit, Avokati i Popullit harton listën e kandidatëve duke përfshirë pa përjashtim çdo kandidat që ka aplikuar, pavarësisht plotësimit ose jo të dokumentacionit. Lista më pas i dërgohet Kuvendit bashkë me dokumentacionin e dorëzuar të çdo kandidati. Ky proces zhvillohet me monitorim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Pas këtij procesi pritet të futet direkt në lojë Kuvendi përmes ngritjes së dy komisioneve ad hoc, një komision me 12 anëtarë dhe tjetri me 6 anëtarë me përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë. Komisioni me 6 anëtarë duhet të shqyrtojë kandidatët dhe verifikon në të njëjtën kohë përmbushjen e  kritereve të shpallura për kandidim. Në fund të procesit të seleksionimit do të dalin tri lista: a) lista me kandidatët për komisionerë; b) lista me kandidatët për komisionerë publikë dhe c) lista me kandidatët për gjyqtarë. Ndërkohë, vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar te çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumenteve dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti. Ndërkohë, komisioni me 12 anëtarë do të zgjedhë 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Zgjedhja do të bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Në përfundim do dalë një listë me 12 emra që janë kandidatët për komisionerë. Po ky komision do të zgjedhë edhe dy Komisionerët Publikë. Dy kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues. Ndërsa komisioni me 6 anëtarë do të zgjedhë në fillim 6 nga 7 gjyqtarët e dhomës së apelit. Edhe në këtë rast zgjedhja do të bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Ky komision do të zgjedhë edhe gjyqtarin e shtatë të dhomës së apelit, midis kandidatëve të mbetur pas votimit të parë (minus ata të gjashtë që u zgjodhën në raundin e parë) duke votuar përmes një votimi të fshehtë elektronik. Kandidati që merr më shumë vota fiton. Më pas, është Kuvendi që mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3). Në qoftë se Kuvendi e rrëzon listën, komisionit ad hoc do i duhet të nxjerrë një listë të re. Lista e dytë do të quhet e pranuar në qoftë se nuk rrëzohet nga Kuvendi, me shumicë të cilësuar, brenda 30 ditësh.

 

SHBA dhe BE, të keqardhur nga refuzimi që PD i bëri propozimit hibrid

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë mbetur sërish të zhgënjyer për refuzimin që Partia Demokratike i bëri edhe propozimit më të fundit të tyre dhe të negociuar edhe nga Ndihmës/sekretarja e amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, gjatë vizitës që ajo zhvilloi në fundjavë në Tiranë. Në dy qëndrime zyrtare dhe të veçanta, fillimisht ambasada e SHBA-së dhe më pas dhe përfaqësia e Komisionit Europian në Tiranë, janë shprehur se propozimi hibrid i negociuar së fundmi kishte mbështetjen e tyre të plotë dhe se monitorimi i procesit të vettingut nga ndërkombëtarët është garancia për të pasur një proces të rregullt ligjor dhe transparent. Fillimisht ishte ambasadori amerikan, Donald Lu ai që nëpërmjet një reagimi për Neës24 theksoi se propozimi që kishin palët në tryezë jepte një zgjidhje që kënaqte të dyja palët, ndaj dhe refuzimi i tij nga PD ishte zhgënjim për ta. “Jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi. Propozuam një zgjidhje në mirëbesim-gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita. Z. Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, -ka thënë Lu. Ndërkohë që Delegacioni i BE-së në Tiranë reagoi me anë të një deklarate zyrtare të shpërndarë për mediat ku shprehu keqardhje për qëndrimin e PD-së. “Na vjen keq që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis”, – thuhet në këtë deklaratë. Më tej, Delegacioni i BE-së thekson në këtë deklaratë se besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndaj për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor. “Kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues. Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”, – thuhet në këtë deklaratë. Gjithsesi si BE ashtu edhe SHBA theksojnë se ka ende mundësi që palët të arrijnë konsensusin pikërisht mbi propozimin hibrid të sugjeruar prej tyre. Madje Delegacioni i BE-së bën të ditur se pikërisht për të gjetur një konsensus mes palëve dje dhe sot do të zhvillojë negociata edhe zyrtarja e lartë e BE-së, Helga Schmid. “Tani negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Kjo do të diskutohet gjithashtu nga Zëvendës/Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm, Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri sot dhe nesër”, -bën të ditur Delegacioni i BE. Ndërsa ambasadori Lu thekson se palët duhet ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të shkuar drejt zgjidhjes. “Jemi duke vazhduar bisedën me të dyja palët, në përpjekje për t’i sjellë përsëri te mbështetja për propozimin hibrid diskutuar nga Ndihmës-Sekretarja Nuland të dielën”, -deklaroi ambasadori Lu.

 

Rama fton sërish Bashën: Të ulemi prapë për të gjetur zgjidhje

Keqardhje për vendimin e Partisë Demokratike për të mos pranuar propozimin e bërë nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin dhe i negociuar edhe nga zyrtarja e lartë e SHBA-së, Victoria Nuland ka shprehur dje edhe kryeministri Edi Rama. Në një dalje të posaçme për mediat, Rama nëpërmjet një deklarate thekson se pavarsisht keqardhjes ky vendim nuk ka qenë i papritur për të. “Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës, sepse përgjatë një viti e gjysmë të procesit të hartimit të draftit të Reformës në Drejtësi, Partia Demokratike i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do Reformën në Drejtësi”, -tha Rama. Gjithashtu, ai ka theksuar se PD është tallur edhe me partnerët strategjikë të Shqipërisë, duke ju thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapi Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vende të rezervuara. Madje ai thekson se edhe kur morën kohë për të vendosur mbi propozimin e fundit, opozita sipas tij e bëri këtë vetëm për të gjetur një mënyrë për të thënë jo. “Kur ne kemi pranuar edhe këtë propozim, ka marrë 48 orë kohë nga takimi me Ndihmës Sekretaren Nuland, jo për ta pranuar, por për ta rrëzuar. Duke nxjerrë një kundërpropozim, që në fakt nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë: Partia Demokratike nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin, integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë. Sepse, i friket pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”, – tha Rama. Sipas tij, argumentet që PD jep për shkelje të sovranitetit dhe kushtetutës janë vetëm pretekste për të mos votuar reformën. “Në emër të sovranitetit britanikët e morën veten në qafë. Nëse në emër të sovranitetit ky refuzim është një ftesë, që ta marrim dhe ne veten në qafë. Kjo është një ftesë që asnjë shqiptar, socialist, demokratik, pa parti, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë nuk mund ta pranojë. Një drejtësi që ndëshkon të korruptuarit i hap këtij populli rrugën e anëtarësimit në BE. Ndërsa frika e të korruptuarve nga drejtësia e ndëshkon këtë popull, keqazi, duke e lënë jashtë BE dhe në duart e kasapëve të sistemit të sotëm të drejtësisë”, – u shpreh Rama. Sipas tij refuzimi i sotëm është një provë se PD është gati ta sakrifikojë popullin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e vet nga një drejtësi e reformuar. Pikërisht për këto arsye ai fton edhe një herë kreun e PD-së që ë ulen dhe të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që reforma të miratohet të enjten tjetër. “Unë e ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri, të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të partive. Unë u bëj apel gjithë demokratëve nga selia qendrore deri në çdo qelizë të PD, që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësisë dhe Shqipëria të kthehet në një vend, ku frika e të korruptuarve të marrë pushtetin në këtë udhëkryq dhe të sundojë udhëkryqin, duke i hapur prapë një hendek të së shkuarës, mes nesh dhe familjes europiane”, -theksoi Rama.

 

Roli i të huajve, zbardhen debatet në mbledhjen e grupit të PD 

Pas më shumë se dy orë diskutimesh, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha për mediat se, vendimi i grupit parlamentar për propozimin e fundit të PD-së ishte në unanim për ta mbështetur. Por, para se Basha të nxirrte këtë konkluzion, në mbledhjen me dyer të mbyllura, ai ka hasur jo pak kritika, për qëndrimin që ai ka mbajtur deri më tash në negociatat për reformën në drejtësi, e kryesisht për kushtin e panegociueshëm, rolin e ndërkombëtarëve. Basha u ka folur deputetëve për mos-reflektimin e vërejtjeve të Venecias sa i përket rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që sipas tij, duhet të ketë rol jo vendimmarrës. Por kjo këmbëngulje e Bashës për të mos negociuar pikërisht këtë pikë ka sjellë reagimin e deputetes demokrate, Majlinda Bregu, e cila ka cituar pikërisht një kërkesë të ekspertëve të opozitës të bërë muaj më parë ku i kërkonte Venecias që të huajt të kishin jo vetëm rol vëzhgues, por edhe vlerësues. “…E kemi kërkuar ne rolin e operacionit ndërkombëtar monitorues. Ne nuk mund të marrin kostot e moskoherencës sonë. Drafti ka ndryshuar 90 % me ndërhyrjet tona. Kush na garanton që puna që kemi bërë nga shtatori deri më sot nuk bie poshtë? Jemi identifikuar sikur nuk duam reformën në drejtësi dhe çështja është çfarë ndodh me këtë parti….”, – tha Bregu. Edhe Genc Ruli kishte rezervat e veta, duke pasur parasysh faktin se ai ka qenë ndër zërat e parë të grupit që ka kundërshtuar propozimet e hershme për rol vendimmarrës të ndërkombëtarëve në proces. “…Përse u kujtuam tani për të kërkuar një rol vetëm monitorues nga ekspertët ndërkombëtarë. Këtë çështje e kemi ngritur në grup unë e disa deputetë që një muaj më parë. Futja si nen kushtetues i pranisë së rolit të ekspertëve të huaj u jep atyre automatikisht një pushtet kushtetues që bie ndesh me parimin e sovranitetit kombëtar. Komisioni i Venecias, por edhe ndihmës/sekretarja e Shtetit, Nuland madje edhe ambasadori Lu kanë deklaruar që roli i ekspertëve ndërkombëtarë nuk duhet të cenojë sovranitetin politik të shqiptarëve, por në draftin e reformës dhe në propozimet e tyre me shkrim kanë tejkalim të madh nga vetë deklaratat. Këtë PD-ja duhej ta kishte ngritur si argument thelbësor që 6 muaj më parë…”, – është shprehur Ruli. I këtij mendimi ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka lënë mbledhjen e grupit më herët për të takuar ambasadorin amerikan Donald Lu. “…A garantohet sovraniteti kur roli i ndërkombëtarëve është përtej vëzhguesit? Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mund të jenë ekzekutivë…”, mësohet të jetë shprehur Berisha. Ndërsa deputeti Astrit Patozi është shprehur se kjo moskoherencë qëndrimesh nga PD-ja do të jetë faturë për vetë opozitën. “…Kemi kërkuar vetë angazhimin e ndërkombëtarëve si garanci, tani po duket sikur kemi ndryshuar qëndrim. Faturën e humbjes do ta japë arbitri dhe fatkeqësisht është shumë e dukshme që ne kemi një problem të fortë me të…Deri tani na ka mbetur neve në dorë fatura. Duhet të kishim qenë më të qartë në atë që kërkonim…”, – është shprehur ai. Nga ana e tij, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha është shprehur se nga PD-ja nuk ka pasur inkoherencë dhe se negociatat do të vijojnë për gjetjen e një kompromisi.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fillimet e industrisë së vajit të ullirit në Shqipëri

Publikuar nga Revista Mapo I madh sa ulliri i Beratit - si...
Read More