Paralajmërimi i një krize në KQZ

Roland LamiNga Roland Lami*

Para disa ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve referuar ligjit për dekriminalitetin mori vendimin për heqjen e mandateve të dy deputetëve dhe kryebashkiakut të Kavajës. Ajo që bëri përshtypje në këtë vendimmarrje ishte fakti se u krijua përshtypja sikur kemi të bëjmë me një rreshtim parimor të përfaqësuesve të mazhorancës në KQZ dhe rreshtim partiak të anëtarëve të opozitës. Pasi, nuk mund të shpjegohet ndryshe votimi unanim për heqjen e mandatit të deputetit të LSI dhe kryebashkiakut të Kavajës dhe vota kundër e anëtarëve te djathtë në KQZ për ish-deputetin e PDIU, që së fundmi është bërë pjesë e grupit parlamentar të PD. Krijohet përshtypja sikur opozita ndryshe nga mazhoranca operon me dy standarde në lidhje me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Mirëpo, po t’iu referohemi sjelljeve të ngjashme të KQZ në të shkuarën kuptojmë fare mirë që problemi është diku tjetër.

Thelbi i çështjes është se ky institucion siç evidentohet në çdo raport të OSBE/ODHIR manifeston në një masë të konsiderueshme në vendimmarrjen e saj më shumë direktivat e partive që përfaqësojnë, se sa Kodin Zgjedhor. Kjo sjellje konstatohet jo vetëm në KQZ, por edhe në KZAZ, KQV dhe VNV. Shpjegimi i kësaj sjelljeje lidhet kryesisht me formulën bipartizane, që partitë politike kanë rënë dakord në 2003 dhe 2008 të zbatojnë në administrimin zgjedhor. Si të thuash, njerëz që propozohen nga subjektet politike formalisht përmbushin kriteret ligjore, por në thelb janë militantë dhe besnikë të forcave politike respektive. Partitë kryesore politike kanë rënë dakord që në përcaktimin e formulës së kompozimit të administratës zgjedhore në tri nivelet të kenë përfaqësuesit e tyre, për të kontrolluar apo bllokuar procesin në raste kur kërkohet shumicë e cilësuar në (5+2) dhe të pozicionohen politikisht kur kërkohet shumicë e thjeshtë (4+3). Njëkohësisht, është rënë dakord që KQZ të reflektojë në përbërjen e saj, shumicën aktuale parlamentare. Që do të thotë, katër anëtarë nga mazhoranca dhe tre anëtarë nga opozita.

Mirëpo, te fjala mazhoranca aktuale fshihet djalli. Le ta shpjegojmë. Ndërtimi i koalicioneve siç është kthyer në strategji të partive politike për të maksimizuar votat është po kaq i rëndësishëm në sigurimin e shumicës së cilësuar në rastin më të mirë ose të thjeshtë në tri nivelet e administratës zgjedhore. Kjo pasi sigurimi i shumicës ofron garancinë e numrit të votës dhe certifikimit të saj në tri nivelet. Pikërisht, duke njohur rëndësinë e sigurimit të shumicës në tri nivelet e administrimit të zgjedhjeve në rastin më të mirë dhe vetëm të KQZ në rastin më të keq, tri partitë kryesore janë të detyruara të udhëhiqen në ndërtimin e koalicioneve edhe nga ky tregues për të garantuar jo vetëm votën në kuptimin sasior, por edhe garancinë e numrit të saj dhe certifikimit të rezultatit në kuptimin legal.

Siç jemi në dijeni, përfaqësuesit e partive politike kanë filluar të lëshojnë sinjale për të lënë të nënkuptohet konfigurimi i ri i koalicioneve të mundshme parazgjedhore të 2017-s. Me këtë logjikë, mundësitë janë që konfigurimi i koalicioneve të 2013-s i materializuar aktualisht në KQZ të ndryshojë në prag të zgjedhjeve të 2017-s, siç ndodhi në prag të zgjedhjeve të 2013 (me kalimin e LSI në Prill te koalicioni i PS). Ky kalim politik i LSI lëvizi balancën e shumicës në KQZ nga mazhoranca e kaloi tek opozita. I njëjti precedent ka shumë gjasa të ndodhë dhe për fat është i njëjti subjekt politik që e prodhon atë, kjo është LSI -ja. Kjo lëvizje ka gjasa të riaktivizojë debatin e zhvilluar në atë kohë ndërmjet mazhorancës (sot opozita) dhe opozitës (sot mazhoranca), ku e para i qëndronte qasjes politike ndërsa e dyta qasjes ligjore. Siç ndodh rëndom tek aktorët politikë, ka shumë gjasa që opozita të huazojë qasjen formaliste të opozitës së majtë në atë periudhë ndërsa, mazhoranca të huazojë qasjen e mazhorancës së atëhershme duke trumbetuar me të madhe rëndësinë e zbatimit të frymës së marrëveshjes së 2003 dhe 2008. Pra, qasja politike të ballafaqohet me atë ligjore, marrëveshja politike me ligjin zgjedhor, precedenti politik me formalizmin ligjor.

Nisur nga probabiliteti i lartë që ekziston për t’u përsëritur precedenti i 2013 në lidhje me kompozimin e KQZ dhe hapjen e të njëjtit debat mes aktorëve politikë vlen të insistohet te votimi dhe numërimi elektronik si e vetmja garanci që e bën nul këtë debat dhe iu jep garanci palëve për numërimin e votave.

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Anjezat

Nga Mirela Milori Nuk pata kurajo të shkruaj sapo e pashë videon,...
Read More