fbpx

Kryesore

Paradoksi: Opozita në protestë, mazhoranca në festë





               Publikuar në : 09:15 - 11/03/19 |
mapo.al

Lulzim Basha: Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në tentativë për të sfumuar protestën e opozitës, përgatitet për të ndryshuar kalendarin e aktiviteteve për “Ditën e Verës”, nga 14 Marsi që është zyrtarisht, më datë 17.


Ndërsa protesta e 16 Marsit e thirrur nga opozita po afron dhe prej saj konsiderohet momenti historik që ndan të shkuarën me të ardhmen, mazhoranca i “kundërpërgjigjet” një ditë më pas me festime. Ideja “gjeniale” ka lindur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, që ka vendosur të “ndryshojë” datën e Ditës së Verës, nga 14 Marsi më 17 Mars. Këtë lëvizje e argumenton se parashikohet mot i vrenjtur me vranësira të dendura dhe “shi me gjyma” më datë 14, ndaj në një gjoja sondazh kërkon që aktiviteti të zhvillohet të dielën e 17 marsit. “Hej! Më ndihmo 1min me një dilemë! Të gjitha parashikimet e motit e japin Ditën e Verës, dt.14 shi me gjyma! Kemi përgatitur 50 aktivitete për fëmijë e të rritur! A mos ja vlen të tregohemi të zgjuar e t’i bëjmë festimet të dielën, dt. 17? E enjtja pushim gjithsesi”, shkruan kryebashkiaku në Twitter. Pavarësisht “sondazhit” është e kuptueshme që tashmë administrata e bashkisë, por edhe strukturat e qeverisë vendore po përgatiten për “shfaqje të madhe” vetëm një ditë pasi Tirana pritet të ketë një nga protestat më të mëdha të thirrura nga opozita. Ndryshimi i datës, madje edhe asaj zyrtare, shihet si një kundërpërgjigje e mazhorancës kundrejt protestës së opozitës që do të mbahet të shtunën. Vetëm një ditë më pas bashkia e kryeqytetit, me paratë e taksapaguesve do të organizojë një festë gjigante, hare, muzikë, lule dhe plot fjalime e bukuri të tjera politike. Gjithçka një formë për të sfumuar protestën, me rikthim si te muajt e fundit të agonisë së sistemit komunist që shoqërohej me mitingje dhe kundërmitingje. Dhe ka ndodhur që moti në vite të ndryshme të ketë qenë edhe me shira të dendura, por kurrë të ndryshonte data e aktivitetit, duke e shtyrë për në fundjavë, që këtë herë përkon, aspak rastësisht, një ditë pas protestës së opozitës. Këtë ndryshim Veliaj e ka argumentuar si një meteorolog i vërtetë, duke parashikuar shira të dendura. Kjo festë me rite Pagane që nga lashtësia, për herë të parë po përdoret rëndom nga politika dhe protagonizmin e ka marrë kryebashkiaku i Tiranës. Më shumë se i “shqetësuar” për masat që ka marrë për këtë ngjarje, po tentohet të shfryhet revolta opozitare dhe kjo vetëm një ditë më pas, për të treguar se vendi është në normalitet të plotë.



Veliaj po imiton Nanon…


Në mars të vitit 2004, 15 vjet më parë, Fatos Nano po përjetonte ditët e tij më të vështira në pushtet. Opozita shqiptare kishte organizuar në shkurt dy protesta të mëdha, ndër më të mëdhatë e mbajtura deri në atë kohë. Partia Demokratike kërkonte largimin e kryeministrit Fatos Nano duke e akuzuar për korrupsionin galopant në vend. Protestat e opozitës në fakt vetëm sa i paraprinë largimit të Nanos disa muaj më vonë. Por Nano, në përpjekje për të gjetur një taktikë që do krijonte idenë se është i pëlqyer nga opinioni publik, nuk e mblodhi administratën me përdhunë nëpër bankat e shkollës, siç po ndodh tani. Ai shpalli 14 marsin, Ditën e Verës, një festë kombëtare. Kështu, një festë lokale që kishte si epiqendër Elbasanin, u zhvendos në Tiranë. Të gjithë ishin pushim në atë ditë të nxehtë dhe nëpër qytet u mbajtën organizime festive të shumta. Të nesërmen, gazeta ZP e drejtuar nga Erjon Braçe, aktualisht zëvendëskryeministër, shpalli me të madhe se në shesh kishin dalë 300 mijë persona për të festuar kundër Sali Berishës… Megjithatë, ajo ishte një kohë e vështirë për Nanon edhe pse në shpinë i ishte vënë lëvizja Mjaft e Erion Veliajt, që sipas analistëve të kohës, vepronte kryesisht në emër të Edi Ramës. Tashmë kanë kaluar shumë vite, por ngjan si një ‘deja vu’. Erion Veliaj është kryebashkiak, Erjoni tjetër nuk është se e ka sërish për zemër, por tani është Veliaj që po tenton ta përdorë Ditën e Verës për marketing politik, sërish me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Basha: Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare

Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbledhur sot kryesinë e partisë për të diskutuar lidhur me organizimin e protestës së 16 marsit. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se Basha është shprehur se nuk do të lejojnë që vendi të qeveriset nga krimi, ndërsa ka kërkuar që të gjitha strukturat të angazhohen për një protestë masive më 16 Mars. “Largimi i Ramës, çështje e emergjencës kombëtare, për të nuk do të ketë asnjë minutë qetësi. Ne nuk pranojmë qeveri të kapur nga krimi”, është shprehur Basha. Ndërsa pasdite kryedemokrati ishte i pranishëm në protestën e banorëve të Unazës së Re, që për të 127-ën ditë radhazi protestojnë kundër prishjes së shtëpive nga projekti i faktuar korruptiv i zgjerimit të rrugës. “Këtu vendimet i mori mafia, Damian Gjiknuri dhe ata të lidhur me të. Rama përfaqëson llumin e kësaj shoqërie që ka ardhur koha ta pastrojmë. Koha e hajdutëve merr fund së bashku me Edi Ramën”, deklaroi Basha. Sipas tij, përveç rritjes së taksave dhe shërbimeve, kryeministri varfëroi edhe më shumë shqiptarët me aferat korruptive dhe një prej tyre ishte projekti i Unazës së Re. “Vendimet mendoi se mund t’i merrte siç i ka marrë këto 6 vite, me taksa e fatura të larta, duke nxjerrë familje nga ndihma ekonomike, duke mbyllur biznese, duke nxjerrë kundër ligjit, mijëra njerëz nga administrata publike… deri sa u kap me presh në duar, këtu tek Unaza e Re, te Teatri, nga Zëri i Amerikës, dhe tani verdikti është i qartë, Rama nuk merr dot asnjë vendim tjetër të paligjshëm për shqiptarët”, theksoi kryedemokrati. Duke u ndalur në vendimin ekstrem politik të opozitës, Basha dha arsyet se përse shkuan deri në djegien e mandateve të deputetëve. “Djegia e mandateve është vendimi më i ligjshëm, demokratik dhe patriotik. Me këtë vendim dolëm në krah të popullit. Për të kthyer vendimmarrjen te populli, ky është vendimi që kemi marrë, unë si kryetar i PD dhe aleatët tanë, për të mos qëndruar në krah të kriminelëve por në krah të popullit”, përfundoi Basha. Po dje, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim me strukturat në Lezhë foli sërish për dosjet që sipas saj trembin kryeministrin Rama. “Nga dosjet 339 dhe 184 e ka kapur ankthi Ramën. Çfarë janë këto dosje? Ajo që zbulohet aty është më e rëndë se shitblerja e votës, është bërë përdorimi i bandave kriminale për ta blerë votën përmes kërcënimeve. Dosjet tregojnë hapur se si bandat kanë përfshirë segmentet më të lara të PS dhe qeverisë së Ramës në shitblerjen e votës”, -tha Kryemadhi.

 


Etiketa: , , , , ,

Pas