Oratoria si hyrja e mendimit shqiptar nga Gjon Gazuli te Noli

Nga Ndriçim Kulla

Në historinë e njerëzimit, oratoria apo gojëtaria, duke qenë sferë e një veprimtarie të frytshme sa politike e shoqërore, aq edhe letrare e kulturore, është paraqitur gjithmonë si një tregues i shkallës së qytetërimit të një kombi, shprehje e jetës së tij mendore dhe emocionale, e dëftues i zhvillimit të sferës krijuese dhe punës intelektuale të shoqërisë. Rruga e artit oratorik ka kaluar nga gojëtaria klasike greko-romake në oratorinë mesjetare, nga brendia humaniste e fjalës publike të Rilindjes europiane në epokën e iluminizmit, dhe nga oratoria politike e lëvizjeve të mëdha shoqërore në shkollat e gojëtarisë moderne.

Në këtë vijimësi historike, edhe një popull si i yni që ka ruajtur nëpër shekuj identitetin etnokulturor dhe ka kultivuar një gjuhë të vetën origjinale, padyshim që e ka përdorur atë edhe si fjalë publike. P.sh. Marin Barleti në “Historinë e Skënderbeut” tregon për praninë e gjithanshme të oratorisë në jetën e shqiptarëve. Fjalimet e Skënderbeut, që në vepër zënë po aq vend sa dhe përshkrimi i betejave, nuk janë rastësi, por një pjesë e qëllimshme, që shërben si një hermeneutikë e kohës dhe mendimit të saj. Ashtu siç nuk është rastësi që Gjon Gazulli, njihej si një nga latinistët më të shkëlqyer të kohës edhe më parë se Barleti, me atë monument të oratorisë, siç ishte fjalimi para Papë Nikollës V, në Romë më 1451; ndërsa Marin Beçikemi, në historinë e retorikës mesjetare si profesor i saj në universitetin e Padovës, dhe autor i veprës së famshme “Panegjirikë” (1503), që përmbledh fjalime të mbajtura në Senatin e Venedikut dhe Breshias.

Me këta tre korifenj shkodranë, humanizmi shqiptar do të krijonte shkollën e vet në këtë fushë, çka nënkupton jo vetëm një zhvillim më të hershëm të këtyre fushave, por edhe një shkallë të kultivuar të tyre. Për të gjitha këto arsye, por më së shumti për vijimësinë e brendshme organike me mendimin e periudhave të mëvonshme, oratoria më e zgjedhur e humanistëve shqiptarë të Rilindjes Europiane (Gazulli, Barleti, Becikemi) mund të konsiderohet edhe si “hyrje” e 150 viteve të mendimit shqiptar të periudhës (1807-1957).

Zbatica katastrofike që pësoi qytetërimi ynë pas këtyre shekujve, e reduktoi oratorinë në nivelin e oratorisë popullore, si pjesë e pandarë e kulturës së tij orale. Vetëm me Rilindjen Kombëtare mund të flasim për një ringjallje të gojëtarisë shqiptare, një ringjallje kjo që do të arrijë kulmin në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që nxori prej vetes një sërë tribunësh të shquar. Spikat këtu Abdyl Frashëri, i cili shkëlqeu me oratorinë e tij “për fuqinë bindëse të mendimit dhe për rrjedhshmërinë artistike të fjalës”, siç shkruan studiuesi i njohur Kristo Frasheri në monografinë për të. Ai kështu, njihet si vijuesi i një plejade të tërë rilindësish, që u shquan për elokuencën e fjalës publike, të tillë si Kristoforidhi, De Rada, Jani Vreto etj. Po aty nga fundi i Rilindjes, me daljen në skenë të Fan Nolit, oratoria shqiptare do të fitonte atributet e saj më të vërteta. Ndryshe nga paraardhësit dhe bashkëkombësit e vet, ai jo vetëm krijoi në këtë fushë individualitetin e tij, por e ktheu fjalën publike në një sferë të veprimtarisë kreative të kulturës sonë kombëtare, për t’i dhënë asaj baza profesionale dhe vlera të spikatura ideo-estetike. Por ajo çka është më e rëndësishme, është fakti se veprimtaria e tij oratorike, në nivelet e saj më të larta, mbeti e dokumentuar. Të parin fjalim, me pseudonimin Ali Baba Qyteza, ai do ta mbante në Bufalo, më 4 Korrik 1906, e pastaj me po këtë emër do të dilte në revistën “Kombi” të 23 Korrikut të po atij viti. Panegjeriku që do të shqiptojë Noli 24-vjecar, do të tronditë zemrat e mërgimtarëve të sfilitur e të përgjumur nga padija, siç do të shkruante Nasho Jorgaqi në parathënien e veprave të tij të zgjedhura. Ai do ta mbyllë fjalën e tij me këtë kushtrim madhështor: Lipset të çrrënjosim një lis të madh nga pyjet e Shqipërisë, të vrapojmë ta ngjyejmë në zjarr të vullkanit të Vezuvit dhe me këtë penë të perëndishme të shkruajë me shkronja të zjarrta: “Rroftë Shqipëria e liruar, iu zgjattë jeta me nder…”.

Ky ishte fillimi i Nolit si orator, një prolog me triumf, një akord madhor që do t’i japë tonin gjithë oratorisë së tij të mëvonshme. Panagjiriku që do të mbajë në Natick (1907) do të mbetet njëra nga faqet më të bukura të prozës oratorike shqiptare. I gjithë ky lloj patriotik i ligjëratës së tij publike mbyllet relativisht aty nga viti 1920, kur me fillimin e jetës së shtetit të ri Shqiptar Noli kthehet në Shqipëri. Është e vështirë të bëhet bilanci i luftës politike që zhvilloi Noli nëpërmjet oratorisë së tij, por ajo përbën padyshim një rritje të theksuar të nivelit deri në lartësinë e mendimit më të përparuar politiko-shoqëror të kohës.

Që në fjalimin e parë që mban në Parlamentin shqiptar më 7 Maj 1921, ai shtron alternativën: “kemi ardhur këtu të mbrojmë të drejtat e popullit shqiptar apo jeniçerllëkun e ministrave tanë”. E përgjigjen e kësaj pyetjeje Noli nuk do të mungojë ta japë gjatë katër viteve të luftës politike, luftë në të cilën do të përfshihet e gjithë shoqëria shqiptare. Në një varg fjalimesh, ai shtron përpara Këshillit Kombëtar, nevojën e funksionimit të shtetit juridik, që deputetët të qeverisin “ me kanun, me ideal dhe me punë” dhe përmirësimin urgjent të gjendjes së mjeruar të gruas. Por gjatë kësaj kohe, oratoria e Nolit shpërthen me një fuqi të paparë edhe në një varg ligjëratash që ai bën jashtë mureve të parlamentit, në mitingjet përpara popullit.

Në gusht të vitit 1923 Noli hap me triumf fushatën elektorale në Korçë, ku shpall Programin elektoral të Partisë Liberale nën kryefjalën: “Duam një qeveri të popullit, për popullin, prej popullit”. Por apogjeu i tij oratorik në parlament, njihet ai i 2 Shtatorit, i njohur me titullin “Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”. Sipas tij, pesë anarkitë, fetare, sociale, morale, patriotike dhe ato të idealeve, që sundojnë në Shqipëri, janë plagët kronike të jetës sonë shoqërore, por njëherësh edhe problemet kyçe që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare. Janë të gjitha këto shpalosje të koncentruara të fuqisë mendore, që nëpërmjet këtij lloji cilësor ligjërimi, i japin Nolit me plot të drejtë titullin e themeluesit të oratorisë moderne të mendimit shqiptar të viteve 30-të.

Një vend të veçantë në këtë meritë duhet të zënë edhe fjalimet e tij në Lidhjen e Kombeve, që sipas profesor Arben Putos, janë shprehje e një erudicioni dhe oratorie të jashtëzakonshme. Noli e nisi karrierën diplomatike në Lidhjen e Kombeve me një fitore historike, me pranimin e Shqipërisë në forumin më të lartë ndërkombëtar, por dalëngadalë, gjatë katër viteve të veprimtarisë së vet, nisi të shquhej mes rrethit diplomatik të Gjenevës. Në analet e viteve ‘20 të këtij forumi janë të paharruara polemikat e tij me përfaqësuesit e vendeve fqinjë , sidomos Greqisë dhe Jugosllavisë. Vetë Noli, më vonë, do ta quante këtë “përplasje” si suksesin më të madh të karrierës së tij diplomatike. Po s’ka dyshim, që apogjeun e saj oratoria e Nolit në Lidhjen e Kombeve do ta arrinte me fjalimin e 10 Shtatorit 1924. Në këtë fjalë, ai jo vetëm cenoi etikën tradicionale të diplomacisë, por guxoi të shpallte kërkesën për raporte të reja në mes popujve, sidomos popujve të vegjël me Fuqitë e mëdha. Kjo jo vetëm u cilësua një ngjarje e pazakontë, por në historinë e diplomacisë shqiptare ai konsiderohet si kulmi i oratorisë moderne.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Po vijnë gjermanët!!!

Nga Ervis Iljazaj Po vijnë gjermanët… ishte shprehja që terrorizonte pjesën më...
Read More