Opozita në rrugë, OSBE-ODIHR tur për zgjedhjet lokale

Përfaqësues të OSBE-ODIHR mbërrijnë në Tiranë për procesin parazgjedhor mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Klima politike në Shqipëri dhe deklaratat e ambasadorit të OSBE-së Borchardt që sollën reagimin e përfaqësuesve opozitarë. Nënkryetari i PD-së Edi Paloka: Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën.

Në normalitet politik, përfaqësuesit e OSBE-ODIHR do të ishin në Tiranë me misionin për mbledhjen e fakteve parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por opozita ndodhet në rrugë, jashtë institucioneve dhe klima politike mbetet e tensionuar. Gjithashtu dje është dhënë sinjali i parë se opozita nuk mund të bëhet pjesë e një normaliteti që trumbeton mazhoranca. Partitë opozitare nuk kanë zbatuar afatin që skadonte dje për të dorëzuar listën për anëtarët e Komisioneve të zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Partia Socialiste e dorëzoi listën e saj në fund të ditës, ndërsa Partia Demokratike, LSI si dy forcat kryesore opozitare, nuk kanë propozuar asnjë kandidat deri më tani. Kjo nuk është një situatë e pazakontë e partive tona politike në shkeljen e afateve të regjistrimit, por situata aktuale është në një ngërç të paprecedent me opozitën që ka djegur mandatet e deputetëve duke dalë jashtë sistemit Parlamentar dhe mbetet e vendosur në kërkesën për largimin e Edi Ramës si kryeministër, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve Parlamentare të parakohshme. Megjithatë, kjo situatë nuk e ka penguar institucionin ndërkombëtar të monitorimit të zgjedhjeve që ta konsiderojë situatën si normale. Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR Ana Rusi dhe Alexey Gromov zhvilluan takime pasditen e djeshme fillimisht me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe më pas me kryetarin e PD-së Lulzim Basha.

Borchard: Bojkoti, shembull i keq për rajonin…

Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt kërkoi dje që partitë opozitare të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe të dërgojnë kandidaturat për komisionet zgjedhore. Sipas tij, prezenca e OSBE-së nxitin dialogun e vazhdueshëm lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa theksoi se ky institucion do të vëzhgojë zgjedhjet dhe nga vlerësimet e tyre mbi procesin zgjedhor do të varet vlerësimi i mëtejshëm, edhe nëse opozita merr pjesë në to apo jo. “Ne i shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve. Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon. Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin, që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare”-deklaroi Borchardt. Sipas tij, ky lloj precedenti mund të sjellë çdo opozitë që pas disa muajsh apo një viti të dalë nga Parlamenti, nisë bojkotin dhe kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Ky do të ishte një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare”, -tha ambasadori i OSBE-së. Pas kësaj deklarate reagoi edhe deputeti i PD-së me mandat të djegur Oerd Bylykbashi, një nga përfaqësuesit e opozitës që ka qenë bashkëhartues i reformës zgjedhore. “Një shembull i keq për rajonin është kryeministri Edi Rama, i cili fitoi zgjedhjet me banda kriminale, shumë prej tyre i bëri deputetë dhe kryetarë bashkish, i cili mbolli me drogë gjithë Shqipërinë dhe mbushi gjithë Europën, i cili kriminalizoi politikën me paratë e drogës, korrupsionit dhe oligarkisë, bleu zgjedhjet dhe i bën presion administratës publike për të rifituar zgjedhjet me abuzime pushteti, i cili pengon prokurorinë të hetojë shitblerjen e votave, i cili kapi sistemin e drejtësisë dhe po emëron njerëzit e tij në institucionet e saj”-theksoi Bylykbashi. Eksponentë të PD dhe LSI kanë reaguar ashpër, ndër ta edhe Enno Bozdo i cili tha se Borchardt nuk duhet marrë seriozisht në ato që thotë, pasi ai nuk merr veten seriozisht. “Kështu është shprehur Borchardt edhe dy vite më parë kur deklaroi se ka 2 mld euro që vijnë nga qarkullimi i krimit të organizuar. Është e kuptueshme që zotëria këto 2 mld euro i asocion me qeverinë e Edi Ramës. Kështu kemi dëgjuar dhe deklarata të tjera, nuk janë për t’u marrë seriozisht për sa kohë zotëria vetë nuk është serioz me veten”, -tha Bozdo.

Paloka: Nuk ka zgjedhje pa larguar Ramën

Ndërsa përfaqësuesit e OSBE/ODIHR do të qëndrojnë në Tiranë në një “tur” dyditor takimesh dhe informimesh mbi çështjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, partitë opozitare janë të vendosura për vijimin e protestave, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa ende nuk është marrë vendimi zyrtar politik në lidhje me zgjedhjet lokale. Nënkryetari i PD-së Edi Paloka shprehet se me Edi Ramën kryeministër nuk ka arsye për të hyrë në zgjedhje. “Nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa u larguar Rama dhe pa u krijuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Vendim politik për të hyrë ose jo në zgjedhje nuk ka akoma por po them që me këtë kryeministër që vazhdon të tregojë me këmbëngulje dhe arrogancë që do vazhdojë t’i vjedhë votat ma thoni ju rrugën. Zgjedhje pa kushte nuk do të ketë”, u shpreh nënkryetari i PD-së Edi Paloka. Për të, e vetmja mundësi për të dialoguar është largimi i Edi Ramës dhe më pas opozita është e gatshme të ulet dhe diskutojë për çështjen e zgjedhjeve, kodin, apo çdo problem tjetër që si qëllim ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Një qeveri që në radhë të parë do të thotë Rama jashtë qeverisë. Që nga ai moment fillojnë negociatat, dialogu dhe çfarëdolloj gjëje tjetër që lidhet me zgjedhjet e ardhshme. Rama nuk konsiderohet më si pjesë e negociatave. Për ne më mirë të ndërhyjnë ndërkombëtarët”, theksoi Paloka. Në qëndrimin e fundit për “ndërhyrjen e ndërkombëtarëve”, deri më tani përfaqësuesit politik të huaj kanë kundërshtuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve dhe vijojnë t’iu bëjnë thirrje palëve për dialog, brenda institucioneve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Projekti 250+: UET, bashkëpunim institucional me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe Bankën Credins

Këto takime u zhvilluan në kuadrin e Projektit 250+, projekt që u...
Read More