“Opozita e re” dhe shakaxhiu i zgjedhjeve

Nga Ndriçim Kulla

Krijimi i opozitave të forta, të qëndrueshme dhe parimore, është jo vetëm një proces i gjatë që duhet të ketë rrënjë të forta historike, për të qenë i vërtetë dhe për të ruajtur vazhdimisht këto cilësi, por edhe një vepër arti për të cilën duhet të kujdesesh si për mbarëvajtjen e një shtëpie dhe vëllazërie të madhe, me muaj, me vite, e pse jo edhe me epoka të tëra.

Diçka të tillë padyshim që e ka patur dhe e zotëron ende fuqimisht Partia Demokratike, si përfaqësuesja bazë dhe themelore e së djathtës shqiptare, e antikomunizmit dhe shtetit liberal. Për këtë flet jo vetëm historia e krijimit të saj, historia e periudhës së saj në pushtet, por dhe qëndrueshmëria e elektoratit të saj për dekada. Problemet e saj të brendshme njihen, janë debatuar dhe kritikuar, ato sigurisht që mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve, por kurrsesi nuk ndikojnë në emërtimin e saj si opozita e vërtetë e Shqipërisë, si gjymtyra tjetër e trupit elektoral dhe parlamentar të Shqipërisë.

Ndaj “është një punë perëndie dhe titanie” siç thosh dikur Noli, edhe ithtari im për stilin e të shkruarit, ta rrëmbesh e të mundohesh ta klonosh rolin e saj me atë të një opozite të re. Këtë mund ta imagjinojë vetëm një shakaxhi i turbullt, që duke mbajtur me thonjtë e parave çdo gjë në këtë vend, mendon se mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me vlerat, me parimet, me shtyllat bazë të demokracisë.

“Nuk ka zgjidhje, është i shtrënguar nga marrëzia e opozitës”, mund ta justifikojë ndonjë militant i thekur, sepse edhe të tillë është vështirë të gjesh sot, përtej atyre që janë tash në lojën e pushtetit e s’dalin dot më, ose atyre që u janë hapur ca gropa financiare, ligjore apo penale e mundohen t’i mbushin ato me akte heroizmi dhe vetëmohimi në emër të popullit opozitar.

Është ndoshta një shaka e fatit edhe kjo, akoma dhe më e hidhur për elektoratin shqiptar, që prej shumë kohësh po vuan nga kriza e përfaqësuesve të vet, që falë listave të mbyllura të partive, e mbushi parlamentin me kriminelë, hajdutë, të dënuar për prostitucion, injorantë, të korruptuar e kushedi se çfarë. Tashmë po kërkohet të na mbushet parlamenti me farën më të keqe që mund t’i mbillet parlamentarizmit, tradhtarëve të idealeve dhe sakrificës së gjithë popullit dhe partive opozitare apo më keq, të shiturve te pushteti. Është ky precedenti më i keq që mund t’i bëhet demokracisë dhe të ardhmes së kohezionit social të shqiptarëve jo vetëm në parti të ndryshme, por edhe vetë brenda partive të tyre.

Se në këtë tradhti sa cinike aq edhe shakatoreske nuk ka pjesë vetëm deputeti i ri i opozitës së shitur, por edhe vetë grupimi i deputetëve të mazhorancës apo elektorati që qëndron pas tyre. Ata duhet të kthjellohen dhe të mos i shtojnë gjendjes së acaruar edhe një anarki tjetër sa shtetërore, aq edhe institucionale, duke e quajtur gjithë këtë veprim një “mballomë” të marrë hua nga palltoja tashmë e vjetruar dhe e përbuzur e autokracisë komuniste. Te gjithë ata deputetë që folën për të mbrojtur dekorimin e kësaj “opozite të re” prej 4 burrash të vjetër për t’ia mbushur mendjen popullit me profkat e tyre duhet ta ndiejnë thellë përgjegjësinë e asaj që bënë. S’do kalojë shumë kohë, vetëm ca muaj, derisa të vijnë zgjedhjet dhe e gjithë kjo shaka që kërkon t’i bashkohet shakasë akoma dhe më të madhe të zgjedhjeve me përfaqësuesit e kësaj opozite, do të dalë një punë fyçkë, pasi shakaja do të kuptohet prej të tërëve se qe vërtet e tillë. Më të shumtit përreth shefit nga frika dhe interesi, nuk guxojnë të flasin sepse quhen edhe ata “tradhtarë”. Vetëm një pakicë ose ca kokrra po duket të ketë guximin të thotë të vërtetën. Nuk është se vlerat dhe demokracia e zhvilluar s’e pranojnë nocionin e lindjes së një opozite të re kur jeta parlamentare ka vakum, por këtë duhet ta nxjerrë vetë populli, vetë lëvizja e shoqërisë civile, nga poshtë, si një paradigmë të re ndaj gjithë klasës politike, në mënyre spontane, të vërtetë, të qëndrueshme. Shprehje e një fryme të re që po lind. Po ç’frymë të re vallë, ç’paradigmë të re përfaqësojnë ata të fundmit e listës partiake që sot po joshen të riciklojnë opozitën.

Ndoshta për të provuar durimin apo dëshpërimin e të gjithë atyre që kanë dalë e do të dalin më shumë në rrugë kundër tij, shakaxhiu i opozitës së re do ta vazhdojë shakanë me gjithë fuqinë e propagandës së vet, deri në zgjedhje, i ndihmuar edhe nga ligjërimi i pakuptimtë i ndërkombëtarëve, që e shtojnë akoma dhe më shumë anarkinë në vend që ta pakësojnë atë. Pas kësaj isoje do t’i vijnë edhe shokët e shoqet militantë, të cilët s’duan t’ia njohin e ta ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës e kur i besuan këtë rrugë të re pa opozitën. Shakaxhiu, duke parë që populli dhe shokët me afrimin e zgjedhjeve do të mërziten, do përpiqet ta ndryshojë llojin dhe formën e shakasë, në mënyrë që qeveria, parlamenti dhe partizanët partiakë të flenë rehat se zgjedhjet do të bëhen. Por kur të shohin vërtet se dita e zgjedhjeve po afron do ta kuptojnë se shakaja tashmë ishte një tallje e vërtetë edhe për ta.

Mjafton vetëm qëndresë dhe durim për të ardhur te ky çast, që fare mirë mund të jetë syhapës dhe emancipues për të gjithë, jo vetëm për deputetët dhe popullin e opozitës, që është më se i shtrënguar ta ndalojnë këtë shaka. Me çfarëdo mënyre. Ndryshe ajo do të jetë shakaja e fundme e Shqipërisë. Pas kësaj vjen tragjedia.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si ta lexojmë deklaratën e fortë të Ilir Metës

Mapo.al Presidenti Ilir Meta lëshoi një deklaratë befasuese të mërkurën. “Kriza nuk zgjidhet...
Read More