Nuk është hakmarrje ndaj LSI, është garë elektorale

Nga Ervis Iljazaj

Një nga tiparet kryesore të kësaj fushate zgjedhore, për mos të thënë e vetmja në aspektin thelbësor politik, është gjuha e moderuar midis dy partive kryesore dhe gjuha e ashpër që përdoren nga këto të dyja kundrejt Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Këtë lloj retorike që përdoret ndaj saj, shumë analistë apo opinionbërës e konsiderojnë si një hakmarrje të Partisë Socialiste kundrejt ish-aleatit të saj në qeverisje. Përdorimi i termave si eliminim, tradhti apo pabesi duket sikur kemi të bëjmë me një vendimmarrje e cila është marrë në tavolinën e marrëveshjes midis Bashës dhe Ramës.

Është e qartë tashmë që dy partitë e mëdha janë duke u përpjekur për të krijuar një sistem partiak ku të forcohet bipartitizmi, por kjo nuk është aspak një hakmarrje, kjo është një garë elektorale rezultati i cilës nuk vendoset në tavolinë, por nëpërmjet votës së shqiptarëve.

Andaj është e udhës që të përdorim termat e duhur kur flasim për strategjitë politike të partive. E gjithë kjo situatë që është krijuar midis dy forcave politike kryesore dhe LSI, nuk është gjë tjetër veçse një garë elektorale demokratike që për disa arsye thelbësore është kthyer në këtë fushatë në 360 gradë.

Pikë së pari, në zgjedhjet e vitit 2013, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte në një pozicion komod ku asnjëra nga partitë kryesore nuk kishte sulme ndaj saj për faktin se ajo sapo kishte dalë nga një koalicion qeverisës me PD dhe atë fushatë e zhvilloi në koalicion me PS. Në këtë kuptim asnjëra nga palët nuk kishte motiv politik për ta sulmuar. Ndërkohë që në fushatën aktuale të gjitha partitë garojnë më vete dhe, si të tilla kritikat vijnë nga të gjitha drejtimet.

Pikë së dyti, LSI nuk mund të konsiderohet tashmë një parti e vogël. Me rritjen që pati në zgjedhjet e fundit, ajo është më shumë se aq. Kështu që, nëse votat e saj janë konsistente dhe me një logjikë përfaqësuese politike, është pothuajse e pamundur të eliminosh një parti të tillë sado që dy partitë e tjera ta vendosin atë.

Pikë së treti, vetë LSI ka shpallur ambicien e saj për të qenë forcë e parë politike në këto zgjedhje dhe Kryetari i saj, Petrit Vasili, të jetë Kryeministri i ardhshëm. Është paradoksale për një forcë politike që pretendon të qeverisë vendin dhe të pretendojë se po kërkojnë ta eliminojnë me një të rënë të lapsit.

Pikë së katërti, ka dhe një logjikë politike në garën e ashpër që po zhvillohet kryesisht midis tri forcave politike më të mëdha të vendit. Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që është rritur ndjeshëm në numra vetëm në legjislaturën e fundit. Në këtë kuptim votat që kërkojnë të përfitojnë të dyja partitë e tjera janë pikërisht nga ky “rezervat”. Mjafton të kujtojmë diku te 80 mijë vota që humbi PD dhe që shkuan drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim për të kuptuar se e gjithë logjika e sulmeve ndaj LSI është një logjikë e mirëfilltë politike.

Së fundmi, mund të thuhet se LSI gjatë krizës politike që u krijua nga çadra e Partisë Demokratike, ndoqi një strategji duke mos vendosur se në cilën anë të rreshtohesh politikisht për të rritur ndikimin e saj në sistemin politik, dhe ky viktimizim i LSI është absurd.

Me një logjikë të njëjtë mund të thuhet se dhe strategjia politike e PS dhe PD ka pikërisht këtë synim, të zgjerojnë elektoratin e tyre. Për këto arsye, sulmet ndaj LSI, nuk duhen parë si hakmarrje, por si një logjikë politike që është më se e pranueshme në një garë demokratike. Gjithmonë nëse kjo garë zhvillohet me mjete të lejueshme. Deri më tani nuk ka asnjë gjë jo ligjore që është përdorur kundër saj. Të gjitha janë mjete politike normale.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Analizat e ADN-së: Bishti i cigares “djeg” ekzekutorin e Çiçajt

Zbardhen hollësi të tjera në lidhje me mënyrën si policia arriti të...
Read More