Një nga emrat e Rroshit po hetohet nga DEA për trafik droge

roshiAutoritetet zvicerane informojnë prokurorinë shqiptare se DEA ka nisur një hetim për trafik droge dhe pastrim parash, për një nga emrat e përdorur nga Elvis Rroshi në Zvicër. Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Enver Rroshi, i datëlindjes 1975, një nga emrat që Rroshi ka përdorur në Zvicër.

Një hetim i nisur nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim parash, pritet të komplikojë situatën në të cilën ndodhet kryetar i Bashkisë së Kavajës, i arrestuar në Shqipëri për falsifikim dokumentesh.

Në një informacion zyrtar vënë në dispozicion të prokurorisë shqiptare, autoritetet zvicerane konfirmojnë se një nga emrat që ka përdorur Elvis Rroshi, po hetohet nga DEA.

Bëhet fjalë për emrin Enver Rroshi, i datëlindjes 1975, i cili nga krahasimi i gjurmëve të gishtave konfirmohet se është mbajtur nga Elvis Rroshi.

Në përgjigje të kërkesës së drejtësisë shqiptare, autoritetet zvicerane thonë se janë informuar nga DEA se ky shtetas po hetohet për trafik droge dhe pastrim parash.

“Në vitin 2015 DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se ata po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”, thuhet në përgjigjen që Zvicra i ka dorëzuar prokurorisë shqiptare.

Më tej, autoritetet zvicerane thonë se kanë nisur edhe ato hetimet dhe në momentin më të parë do informojnë prokurorinë shqiptare.

Në të njëjtën përgjigje, Zvicra jep detaje edhe për të shkuarën e Rroshit në këtë vend, si dhe përballjet që ai ka pasur me drejtësinë.

Ata konfirmojnë se Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra, njëri prej të cilëve është Enver Rroshi, i datëlindjes 3.12.1975, i cili po hetohet nga DEA amerikane.

Sipas të dhënave, rezulton se Elvis Rroshi ka hyrë për herë të parë në territorin e Zvicrës në prill të vitit 1993.

“Në prill 1993, Ervin Rroshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin Zvicër dhe ka kërkuar azil. Në datë 14 maj 1993, ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge, duke qenë se ky rast ka më shumë se 20 vjet, policia e Zyrihut nuk ka mundur të sigurojë më shumë detaje, por duke marrë parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj me vonë, ndoshta nuk ka qenë një rast për trafik droge por vetëm konsum”, thuhet në informacionin e autoriteteve zvicerane.

Në të njëjtin informacion, konfirmohet se pas refuzimit të kërkesës për azil, Rroshi është dëbuar, por ai ka hyrë sërish ilegalisht në Zvicër ku është arrestuar dhe është dëbuar sërish.

“Kërkesa e tij për azil është refuzuar në shtator 1993 dhe ai është dëbuar për në Shqipëri më 24 shtator 1993. Në korrik 1997, ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Ai është arrestuar në gusht të vitit 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish”, thonë autoritetet zvicerane.

Por problemet në Zvicër nuk janë të vetmet për Rroshin, i cili gjithashtu rezulton i arrestuar dhe i dënuar në Itali.

Sipas përgjigjes së ardhur nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Ervin Rroshi, lindur në 3.12.1975 është dënuar për një përdhunim të kryer në vitin 1995 në Campobasso.

“Në të njëjtën ditë është lëshuar një dekret për ekspulsë. Ai është kontrolluar në Milano në vitin 1997 dhe ka dhënë një deklaratë false. Në vitin 2000, ai është kontrolluar në Sesto San Giovvani, në Milano. Nuk rezulton se ai ka vuajtur dënimin për akuzën e përdhunimit”, thonë autoritetet italiane.

Fshehja e dy dëbimeve nga Zvicra dhe dënimit në Itali, çoi në pranga dy ditë më parë kryebashkiakun e Kavajës, i cili nuk ka plotësuar detyrimet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Ai akuzohet nga prokuroria se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale, edhe pse sipas ligjit kishte detyrimin të deklaronte të gjitha përballjet që ka pasur me drejtësinë e vendeve të huaja.

Rroshi pritet të njihet sot me masën e sigurisë “arrest me burg”, të dhënë nga Gjykata e Tiranës, si i dyshuar për falsifikim dokumentesh.

Ai rrezikon një dënim deri në katër vjet burg, nëse shpallet fajtor për këtë akuzë.

 

Emrat që përdorte Rroshi:

Rroshi  Ervin, 3.12.1975

Rroshi Elvis

Hallulli Bashkim

Rroshi Enver, 3.12.1975

Proshi Enver, 3.12.1975

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Llalla-Lu: Dueli jo i heshtur

Përplasja e ambasadorit të SHBA Donald Lu me kryeprokurorin Adriatik Llalla duket...
Read More