Një foto virale dhe frika e një ‘flluske’ në Tiranë

 

Ndërkohë që Tirana po festonte Ditën e shtyrë të Verës me një mot premtues, një foto nisi të bëhej virale. Fotoja e bërë tek Rruga e Kavajës tregonte një auto-kolonë me betoniere. Ndërsa Tirana pretendon se është bërë më e pastër, një foto e tillë shkaktoi ironi dhe meme pasi tregon se betoni po shtohet në qytet.

Por, ka një paradoks që shoqëron situatën në Tiranë. Ndërsa agjenci prestigjioze si Mercer,  thonë se është qyteti me cilësinë më të keqe të jetesës në Europë, të dhënat sugjerojnë se çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm, sidomos në qendër.

Sipas revistës Monitor, çmimet në qendër të Tiranës po kapin vlerën e 4 mijë eurove për metër katror, niveli më i lartë në rajon.

Sipas agjencisë Colliers International Albania, që vepron në industrinë e shërbimeve të pasurive të paluajtshme, sipërfaqja totale e parashikuar të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshme (duke supozuar ecuri normale të ndërtimit) në zonat qendrore të Tiranës (projekte të një shkalle të caktuar) është vlerësuar të jetë rreth 538,000 m².

“Po ndërtohet në mënyrë të frikshme jashtë çdo logjike tregu”, thotë Stela Dhami, partnere menaxhuese e Colliers International. Ajo shton se projektet po ndërmerren pa pasur një koncept të qartë për zhvillimin e logjikshëm të tregut.

“Investimet janë të orientuara nga vendndodhja, pa parë potencialet zhvillimore, pasi perceptohet që risku është zero kur është vendndodhje parësore”. Ajo parashikon që brenda dy vitesh të ketë një flluskë, pasi po ndërtohet pa asnjë lloj kriteri.

Por ndërsa ky fluks ndërtimesh nuk ka logjikë ekonomike, mediat e huaja thonë se paratë e krimit dhe drogës po pastrohen në ndërtim. ZDF gjermane e theksonte diçka të tillë para disa ditësh. Presioni për të ndërtuar vetëm në zonat pranë qendrës ka bërë që të mos punohet me decentralizimin e qytetit dhe shërbimeve në zona të tjera.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shpëtim Nazarko gjen gabimin tek Njutoni, njihuni me ‘ligjin’ e ri për energjinë

  Analisti Shpëtim Nazarko ka publikuar së fundmi një punim shkencor në...
Read More