Një detaj politik: Njerëzit

Julian Zyla-Komunikimi politik nga A në ZH

Nga Julian Zyla

Para disa ditësh, përpara miratimit të Reformës, një nga emisionet satirike shqiptare realizoi një video ku gazetarja pyeste njerëzit që kishin dalë në protestë nëse e dinin se çfarë ishte “vetting”-u. Shumë patën përshtypjen se ishte diçka e duhur. Disa thanë se e dinin: që ishte për reformën. Disa u shprehën se nuk merreshin me fjalë të tilla. Thuajse të gjithë, nuk e dinin se çfarë ishte konkretisht.

Ky rast, rreth kësaj fjale anglisht, që në kontekste të tilla ka kuptimin e kontrollit të së shkuarës së një individi përpara se t’i ofrohet një post, si ai i gjykatësit, apo një çmim, është shembull i faktit që politikanët shqiptarë janë me fat. Dy herë.

Si fillim, janë me fat sepse njerëzit i dëgjojnë edhe kur nuk i kuptojnë. Edhe kur ata, udhëheqësit, zgjedhin të komunikojnë me njëri-tjetrin, e jo me ta, me njerëzit. Së dyti, janë me fat sepse të njëjtin “gabim” bëjnë zakonisht edhe kundërshtarët e tyre politikë.

Kur palët flasin për nevojën për konsensus, për vullnetin e ndërkombëtarëve apo për “vetting”-un, është e vështirë për njerëzit të kuptojnë interesin e tyre në vizionin e njërës palë apo të tjetrës. Kjo sepse politikanët janë duke folur për gjërat e tyre: për politikën. Dhe njerëzit dëgjojnë. Tolerojnë. Nxehen. Argëtohen. Presin… që dikush t’u flasë atyre, drejtpërdrejt. Por, kjo detyrë dhe mundësi politike shpesh mbetet e papërdorur. Për këtë, ka disa arsye.

Së pari, politikanët shqiptarë iu përgjigjen deri në pafundësi akuzave të njëri-tjetrit. Politikanë me përvojë si zoti Berisha e përdorin këtë karakteristikë të politikës sonë për ta mbajtur diskutimin te temat që u interesojnë, apo që të paktën dëmtojnë kundërshtarin. Duke u përgjigjur, i akuzuari: 1) mban diskutimin te tema e nismëtarit, 2) humbet mundësinë për të folur për çështje që mund t’i interesojnë më tepër atij, dhe njerëzve.

Një arsye tjetër që duket se bën që politikanët të mos komunikojnë drejtpërdrejt me njerëzit është fakti se shpesh ata komunikojnë me/për gazetarët, të cilët, më pas, i përdorin deklaratat e politikanëve si mjet ilustrues të komunikimit të vet të drejtpërdrejtë me publikun.

Ndërsa u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve dhe akuzave të njëri-tjetrit, shumë shpesh, politikanët harrojnë t’u përgjigjen së drejtës së njerëzve për të qenë publiku ekskluziv i deklaratave dhe komunikimit të tyre. Pra, në vend që të përdoret kundërshtari dhe gazetarët për t’i folur elektoratit, krijohet përshtypja se përdoret publiku për t’i folur gazetave dhe kundërshtarit. Duhet të ishte e kundërta.

Një arsye e tretë është fakti që ky lloj komunikimi, i kundërt, nuk është i thjeshtë. Ai kërkon mjaft disiplinë dhe vetëdije për të qëndruar jashtë kurtheve të përditshmërisë së politikës. Përcaktimi i publikut është një ndër hapat e parë në komunikim. Por dhe ndër më të vështirët. Ndaj pyetjes klasike të komunikimit “Cili është publiku të cilit dëshiron t’i flasësh?”, shpesh, përgjigja është: “Të gjithë”. Ky publik nuk ekziston!

Kur synon t’u flasësh të gjithëve, pra edhe kundërshtarit, edhe gazetave, edhe njerëzve, gjasat janë që nuk do të komunikosh me efektivitet. Rrezikohet të harrohet detaji politik: njerëzit. Dhe kur kjo ndodh, pasojat janë të konsiderueshme. Nëse ky gabim i “vogël” në komunikim do të shmangej, përfitimi politik, por edhe publik, do të ishte i madh.

Përfitimi kryesor politik është i thjeshtë për t’u kuptuar: sa më drejtpërdrejt të komunikohet me njerëzit aq më shumë ata mund të të dëgjojnë dhe aq më shumë mund të të votojnë. Në një aspekt më të ngushtë, përcaktimi i njerëzve si publiku kryesor do t’i ndihmonte politikanët të përzgjidhnin një gjuhë më efektive; do t’i ndihmonte për një “vetting” të fjalëve që përdorin.

Përfitimi publik është edhe më i rëndësishëm: njerëzit do të ishin më të informuar për çështjet dhe politikat, ndërsa politika më e nënshtruar ndaj transparencës dhe përgjegjësive.

Kjo mund të shtynte shumëkënd të mendonte se mund të jetë arsye që politikanët të zgjedhin me vetëdije të jenë të pakuptueshëm. Mund të krijohet dyshimi se atyre u intereson të qëndrojnë në ngrohtësinë e diskutimeve ‘të larta’ politike apo të atyre të ulëta personale. Megjithatë, ata e dinë që kjo strategji mbart rrezik. Kundërshtari mund të tregohet i zgjuar e të vendosë të flasë thjesht e drejtpërdrejt. Është një variant i teorisë së lojës. Kundërshtari mund të vendosë të komunikojë duke i dhënë prioritet detajit politik më të rëndësishëm: Njerëzve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria normale

Dy politikanë të lartë nga opozita dhe qeveria që konsumojnë një kafe...
Read More