Editorial

Nga kishat te lumenjtë, një tjetër ‘67





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:30 - 23/03/19 |
Nga Fisnik Biba

Nga Fisnik Biba


Një tjetër leje shfrytëzimi HEC në Selitë, Mirditë. Ca kinse-këshillime që mësyejnë prapë dy lumenj të vegjël, një në Simon, tjetri në Arrëz. Mirditë akoma. Ka plot. Valbona në Dragobi. Lumi Cen në Tamarë. Holta në Gramsh. Lista e tyre e gjatë do u dhimbsej dhe shkaktarëve të kësaj drame. Do iu ngjallte mëshirë deri kur të kuptonin se ky është një rast i volitshëm për t’u kamur pa punuar, pa shpërvjelur mëngë, pa u munduar mbi libra, qoftë dhe një ditë të vetme. Ras’ e deli ras’. Atëherë do ju binte shpirti në paqe.


Një tjetër ‘67. Në vend të kishave, lumenjtë. Në vend të pikturave, gurrat e stërhershme.


Nën një trysni gjithnjë e më të madhe po bie pjesë-pjesë trashëgimia e vetme e mbetur në Shqipëri: Ujërat e maleve. Me shpresën që i gjith’ vendi të mbulohet nga një Ujanë e Keqe. Ashtu si atëherë, në ‘67 e tmerrshme, kur një zemërim i madh kundër lutjes, kundër njeriut e mbamendjes historike, me plot çnjerëzi mësyu kishat e xhamijat shqiptare. Mbi dy mijë ngrehina falje. Humbja më e madhe lëndore në Historinë tonë moderne. Në kohën kur ishim të pushtuar nga Shqiptarët. (Por fajin, me zgjuarsi, ja kemi lënë një njeriu të vetëm!)


E tani shkatërrimi i lumenjve! Me lumth përrua shé rrëke vija-uji lugje e lugina. Kanë ardhur ca pushtues të tjerë që po plaçkitin e rrëmbejnë bukurinë natyrore në emër të askujt. Zotër të një Shqipërize demokratike: me një shoqëri civile uloke, një masmedia të lidhur në djep me përfituesit e lejeve, një klasë politike kryekrejet e papërgjegjshme e tinëzare.

Janë dhënë treqind leje shfrytëzimi për HEC. Pa bujë pa zhurmë. Një spërkatje e lehtë në ndërgjegjen e atyre që marrin vendime, vjen nga një lajmth që nxjerr kryet në dëgjesën publike. Do i kalojmë lejet e HEC-eve në sitë. Jo po do i shqyrtojmë të gjitha një nga një nga e para. Do bëjmë do zhbëjmë, na jepni votat (ose na i shitni) e ja ku do jemi. Pritni sa të vijmë ne të tjerët, e do shihni si do i japim munxët. Se në fund ky është faji juaj, që s’dini ta doni e t’i dilni dorëzanë këtij vendi. Se në fillim ish’ betoni, e betoni ish në Zotin, e betoni ish’ Zoti.

Oh Zot sa më çmend gjith’ ky trishtim. Kjo vjedhje e mundimshme. Kjo ‘67.

E njerëzit që nuk mbajnë anë. Frikacakët që fshihen pas gishtave. Atë që shpërfillin çdo gjë të mirë e çdo gjë të bukur. Dhe neve që kemi rënë nga Fan Noli te Lefter Maliqi, nga Nikollë Kaçorri te Taulant Balla. Ma gëzofshi ju Shqipërinë.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas