Negociatat me Greqinë, arroganca e qeverisë për të mos ndarë suksesin me Presidentin

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse pritej, konflikti midis presidencës dhe qeverisë për çështjen e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka dalë në sipërfaqe ditën e djeshme me konferencën për shtyp të Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Me një shpjegim pothuajse perfekt, Ilir Meta shpjegoi të gjitha arsyet kushtetuese se përse dhënia e plotfuqishmërisë për negociata të tilla është e domosdoshme, dhe çdo marrëveshje në mungesë të saj, me të gjitha gjasat do të shpallet antikushtetuese.

Kur nga ana kushtetuese dhe nga precedentët e mëparshëm plotfuqishmëria është e domosdoshme për marrëveshje të tilla, atëherë përse qeveria nuk e ka kërkuar atë te Presidenti i Republikës?

Në këtë mënyrë Edi Rama do ta kishte më të lehtë për ta paraqitur atë edhe në sytë e opinionit publik si një marrëveshje e cila ka mbështetjen e shumë aktorëve dhe institucioneve të shtetit shqiptar dhe nuk do të mbante të gjithë barrën e një marrëveshjeje kaq delikate dhe të ndjeshme siç është ajo e kufirit detar me Greqinë, por edhe të shumë çështjeve të tjera që parashikohen të zgjidhen midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Mirë, një gjë e tillë nuk ndodhi, edhe pse qeveria shqiptare e kishte shumë të qartë, që në krye të herës, që plotfuqishmëria nga Presidentin kur bëhet fjalë për marrëveshjet politike është e domosdoshme. Në një mënyrë pothuajse arrogante, qeveria shmangu rolin e Presidentit në këtë çështje, duke vënë tashmë në rrezik arritjen me sukses të saj për konfliktet ligjore dhe politike të brendshme.

Me marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, përtej çështjeve kushtetuese që kanë përplasur presidencën dhe qeverinë, po luhet dhe një lojë politike midis dy aktorëve, Meta dhe Rama, të cilët nuk kanë aspak një marrëdhënie miqësore, dhe kjo dihet nga të gjithë. Në këtë kuptim, qeveria ka shmangur protagonizmin e presidentit në këtë çështje, që nga ana e saj konsiderohet një sukses i rëndësishëm.

Me aq sa janë bërë publike detaje nga marrëveshja, padyshim që mund të konsiderohet sukses për zgjidhjen e shumë konflikteve që kanë ekzistuar midis Greqisë dhe Shqipërisë, ose më së paku, është një marrëveshje më e mirë se ajo e vitit 2009.

Pikërisht për këtë arsye, për ta patur si kredo politike të sajën, qeveria shqiptare ka zhvilluar çdo negociatë pa marrë parasysh rolin kushtetues të Presidentit të Republikës, duke rrezikuar seriozisht përfundimin me sukses të saj, vetëm për një logjikë politike të ngushtë, dhe aspak duke funksionuar me përgjegjësinë që i takon.

Nëse kjo marrëveshje, e cila është thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë dështon, do të jetë padyshim përgjegjësi e aktorëve politikë, të cilët zakonisht veprojnë me logjikën e politikës së ditës, dhe asnjëherë nuk kanë mundur të dalin përtej saj, për të përmbushur vetëm interesat e vendit dhe asgjë tjetër.

Edhe për përgjegjësinë në rast dështimi të marrëveshjes, ashtu si rrodhën ngjarjen, do të këtë me siguri një konflikt tjetër midis qeverisë dhe mazhorancës.

Sepse ashtu sikurse na kanë mësuar politikanët tanë, gjithmonë ka në mes një lojë politike dhe asnjëherë çështja nuk është thjesht kushtetuese apo ligjore dhe, në këtë rast loja politike që po zhvillohet nuk është aspak e vogël në kuptimin e përfitimeve politike. Për të gjitha këto arsye, konflikti midis presidencës dhe qeverisë, ishte një konflikt i paralajmëruar.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debatet për Kosovën: Vuçiç pro ndarjes në vija etnike, Thaçi-Haradinaj “kryqëzojnë” njëri-tjetrin

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç shprehet haptas për një ndarje të re...
Read More