Negociatat e Gushtit! Meta me Bashën për Vetingun, me Ramën për qeverinë

Rama Basha MetaKrerët e politikës, të përfshirë në ethet e koalicioneve të reja politike, pas miratimit të reformës në drejtësi. Kreu i Kuvendit, tri takime dhe tri mesazhe. Drekë me Kokëdhimën dhe Meidanin; pasdite me Bashën dhe në darkë me kryeministrin

Ditën e djeshme, e filloi axhendën politike duke drekuar me Rexhep Meidanin dhe Koço Kokëdhimën. Më pas zhvilloi një takim “të frytshëm” me Lulzim Bashën në zyrën e kryesisë së Kuvendit.

Në mbrëmje Ilir Meta u takua me kryeministrin Edi Rama në vilën qeveritare në Durrës larg vëmendjes së medias.

Takimi u zhvillua për draftin e vettingut për të cilin është rënë dakord paraprakisht që të votohet brenda muajit Gusht si dhe për problemet brenda koalicionit.

Ajo që u diskutua mes tyre u mbajt larg medias dhe e fshehtë, edhe pse Meta ka zbardhur një pjesë të saj.

Në përfundim të takimit, Meta është shprehur për Opinion.al se takimi u zhvillua përgjithësisht për reformën në drejtësi dhe veçanërisht për vettingun.

Ai është shprehur gjithashtu se është folur për ecurinë e koalicionit, për të tashmen dhe të ardhmen, por pa u ndalur gjatë me këtë temë.

Takimi mes Metës dhe Ramës vjen në një situatë jo fort të mirë politike brenda koalicionit.

Pak ditë më parë, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” deputeti socialist Pandeli Majko, duke folur për marrëdhëniet PS-LSI si pjesë e qeverisjes së majtë, tha se nuk mund të fshihej fakti që koalicioni nuk po funksiononte në rregull dhe se gjithçka nuk ishte si më parë.

“…Me diskutimin e reformës së drejtësisë, ne nuk mund të themi dhe nuk mund të fshehim në mënyrë të përgjithshme që koalicioni po funksionon në rregull dhe gjithçka është si më parë. Mendoj se diskutimi i reformës solli disa probleme…”, – u shpreh ndër të tjera Majko, qëndrimi i të cilit solli një ditë më pas edhe një deklaratë të gjatë të kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Ky i fundit nuk e sillte aspak situatën brenda koalicionit me reformën në drejtësi, për të cilën ai u shpreh se qëndrimi i LSI-së ka qenë konstant dhe i pandryshueshëm për miratimin e saj.

Pas këtyre replikave në distancë, Ilir Meta rimerr rolin si negociatori kryesor për reformën në drejtësi dhe gjetjen e një date konsensuale për të kaluar brenda gushtit draftin për Vetting-un duke treguar, të paktën publikisht se është ai që bashkon palët.

Por në një tjetër situatë politike, bisedimet e Metës mund të shihen edhe në kënde të tjera.

Meta dje takoi Kokëdhimën dhe Meidanin, dy njerëz që e kanë kritikuar hapur tashmë kryeministrin Edi Rama. Nga ky takim u aludua për shumëçka deri edhe në mundësinë e zgjedhjes së Rexhep Meidanit si kryeministër i një qeverie të mundshme teknike.

Më pas, Meta hedh hapin e dytë duke takuar Lulzim Bashën edhe pse nisur nga përmbajtja e takimit, biseda mes tyre nuk ishte aq e domosdoshme sa kohë që palët kishin rënë paraprakisht dakord për ta kaluar draftin brenda gushtit pavarësisht objeksioneve që do të ketë PD-ja.

Së fundmi, në mbrëmje, Meta hedh hapin e tretë duke takuar kryeministrin Edi Rama i cili këto kohë nuk ka folur për situatën brenda koalicionit, por është fort i qartë për lëvizjet që po ndodhin brenda mazhorancës.

Bregu: S’bëhem pjesë as e Qeverisë Rama2 dhe as makinacionit MetaX

Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, ishte ndër të pakët zëra publikë brenda PD-së që kërkoi miratimin e reformës në drejtësi.

Qëndrimet e saj janë përkthyer së fundmi në disa media online si “pazare politike” me qëllim marrjen e një posti të caktuar ministror në qeverinë “Rama 2” nëse do të ketë të tillë.

Vetë Bregu ka thyer heshtjen për të sqaruar njëherë e mirë pozicionin e saj.

Në një postim në faqen e saj në Facebook, Bregu hedh poshtë çdo aludim i bërë me emrin e saj, duke nënvizuar se i vetmi shqetësim që ajo ka lidhet me ardhjen e PD-së në pushtet.

“Dy fjalë atyre që lexojnë portalet mediatike ku përflitem si pjesë e një skenari ‘shpëtimi’ të qeverisë Rama1 përmes një qeverie Rama 2, (përballë kërcënimit të supozuar nga një manovër Meta X në bashkëpunim të supozuar nuk e di se me kë, në partinë ku unë bëj pjesë!)…Nuk e di a është një fantazi vere për arsye të vapës dhe thatësirës së lajmeve, apo është një diversion i sponsorizuar nga njëri prej dy partnerëve të çiftit të palumtur, pra Rama ose Meta. Ajo që di unë, është që s’jam marrë asnjë minutë me hallet e çiftit dhe të partive respektive. Nuk kam pasur asnjë ditë pikën e dëshirës për të qarë hallet e palumturisë së lidhjes së tyre. Nga ana tjetër kam qënë e qartë në çdo deklarim qysh prej ‘kurorëzimit’ të lidhjes së çiftit Rama-Meta, që janë për njëri tjetrin, siç thotë populli në raste martesash jo fatlume: dy gjarpërinj në një jastëk!”, sqaron Bregu në reagimin e saj.

Më tej, ajo vijon: “Më kanë dalë dhe tepruar hallet e partisë time që duhet të bindë njerëzit se nuk janë krejt pa shpresë”.

Por jo vetëm kaq. Bregu nënvizon ndër radhë se shpresa e PD-së për të ardhur në pushtet nuk duhet të jetë ndarja mes Ramës dhe Metës, por krijimi i një alternative serioze.

“Ndarja mes Konfliktualit dhe Konsensualit nuk mund të jetë për asnjë moment shpresa e PD-së për t’ u rikthyer në qeveri. Rikthimi i PD-së në pushtet me alternativë qeverisjeje serioze, është i vetmi hall që më shqetëson. Sidoqoftë, për sa më takon është e sigurt se: Nëse do ketë një qeveri Rama2, unë NUK do të jem pjesë e saj dhe nëse do ketë një makinacion MetaX unë NUK do të bëhem pjesë e tij! Kështu që kush ka fantazuar rreth meje në vorbullën e halleve të çiftit të palumtur, le të kërkojë gjetkë lajme verore. Ndërsa në qoftë diversion, keqardhje për autorët dhe shpërndarësit e ‘informacionit’”, thekson Bregu.

Takimi Basha-Meta, vettingu miratohet brenda muajit gusht 

Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” e njohur ndryshe si drafti për Vetting-un pritet të miratohet brenda muajit gusht.

Në një takim protokollar, Lulzim Basha dhe Ilir Meta ranë dakord që drafti që do të diskutohet sot paradite në mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi të futet në procedura parlamentare për tu miratuar brenda muajit gusht.

Në diskutime do të përfshihen edhe gjashtë projektligjet e tjera që mundësojnë zbatimin e ndryshimeve të reja kushtetuese ndërsa miratimi i tyre pritet që të bëhet në fillim të muajit shtator.

Për rreth 60 minuta, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe nënkryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi.

Secila prej palëve në takim nuk dha asnjë prononcim për mediat, ndërkohë që vetëm pak minuta pas përfundimit të takimit, zyra e shtypit e Kuvendit përcolli një deklaratë zyrtare ku fillimisht sqarohet se biseda ishte në kuadrin e konsultimeve për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të ligjit për Vettingun.

Dreka me Metën dhe Meidanin, Kokëdhima: Koalicioni ka probleme

Takimi me Lulzim Bashën nuk ishte e vetmja axhendë e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Në mesditë, Meta ka drekuar për rreth dy orë me ish-Presidentin Rexhep Meidani si dhe ish-deputetin socialist, Koço Kokëdhima.

Prej kohësh, dihen pakënaqësitë që Meidani dhe Kokëdhima kanë ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa në rrugë krejt jo zyrtare përflitet për mundësinë e krijimit të një qeverie teknike, që mund të kryesohet nga Meidani.

Por ish-deputeti Koço Kokëdhima ka shuar këto zëra në një prononcim për mediat pas takimit edhe pse pohoi se koalicioni ka probleme.

Kokëdhima tha për mediat se takimit me Metën dhe Meidanin nuk duhet t’i jepet një ngjyrim politik.

“Nuk mendoj se kjo drekë e sotme (e djeshme) është një arsye për të nxjerrë ndonjë konkluzion politik. Nuk ka madje asnjë simbolikë politike, është thjeshtë një drekë miqësore… Ai është një koalicion i gjallë. PS dhe LSI janë pjesët më sinjifikative të së majtës së bashkuar dhe të koalicionit qeverisës. Sigurisht që ka probleme mes tyre, por këto dy parti do të kenë aftësinë edhe t’i zgjidhin problemet mes tyre…”, – tha dje Kokëdhima.

Ai nënvizoi se është e natyrshme që në çdo lloj koalicioni të ketë probleme, por edhe nevojë për korrigjime, diku më shumë, diku më pak.

“Është e natyrshme gjithashtu që një koalicion të rishqyrtojë gjithmonë nivelin e besimit të partnerëve dhe të punojë për të rivitalizuar koalicionin dhe rivendosur besimin e humbur…”, – tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Troshani: Jam lutur për armiqtë, edhe për Enver Hoxhën

Intervista me kardinalin Ernest Toshanin, dhënë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin...
Read More