“Natura Morta”, Gazmend Leka: Bëra “errësirën” në pikturën time

gazmend lekaDje, në Galerinë FAB është hapur ekspozita personale e piktorit Gazmend Leka, quajtur “Natura morta”

“Gjatë gjithë jetës sime, kur më pyesnin nga se kisha frikë, u përgjigjesha menjëherë, nga errësira, tërmeti dhe avioni. Habiteshin tek u konfidoja me kaq lehtësi, por unë thellë – thellë dëshiroja t’i përflisja dhe i përflisja ato sa herë që më jepej rasti. Po të shprehem me zhargon, do të thoja se pikërisht me to e kam “kruajtur “ tërë jetën. Më dukej, se duke i përfolur e duke i pikturuar, i ktheja në qenie konkrete, i bëja prezente dhe si të tilla, e kisha më të lehtë t’i bëja të parrezikshme në jetën time. Ishte njësoj sikur të hyje në zemër të tajfunit, aty ku mbretëron qetësia”. Gazmend Leka e nis kështu udhëtimin e tij psikologjik drejt krijimit të “Natura morta”, titull që shënon ekspozitën e tij personale të hapur dje në Galerinë FAB. Mes krijimit të ngjarjes dhe historisë, Leka vendos personazhet më të rëndësishme. Kështu hulumtimet e tij përmes tablove krijojnë një raport mistik, si gjithmonë, ku në këtë rast piktori “krijon” errësirën. “Bëra “Errësirën” në pikturën time, që si perçe i mbulonte sytë ngjyrës, për ta bërë më misterioze. Bëra ciklin “Ikarus” ku avionët binin nga qielli si zogj të vrarë, të djegur e të përcëlluar. Bëra “Tërmetin” te “Varri Bosh”. Kështu merrja hak ndaj tyre. Kështu shpëtoja prej tyre. Kështu shpëtova prej tyre. Por mendova se shpëtova. Frika ime nuk është larguar. Ka marrë tjetër pamje, atë të “Çastit të fundit”. Do jetë çasti kur unë të gjendem përpara portave fillikat i vetëm. Do t’i shtyj, t’i hap ato, por nuk di nëse do të hapen! Nuk di nëse “Çasti i fundit” është portë që hapet, apo portë që mbyllet!”, shkruan Leka. Prej këtu nisin pikturimet e “kokave” të botës në momentin e kalimit, në “Çastin e fundit”, kur ata u ndodhën përpara portave. “Besoj se nuk e kanë patur të lehtë. Kanë patur ankth e frikë si gjithë të shumtët. Më të lehtë e kanë patur në botën që lanë pas. Kur ikën matanë, nuk na rrëfyen asgjë çfarë ndodhte andej, por u mjaftuan duke na lënë bëmat e tyre, ato bëma që ne i përflasim në të mirë e në të keq.

Dikush bëri fjalën e lartë, dikush tjetër, pikturën, skulpturën, arkitekturën e lartë e disa të tjerë bënë politikën e lartë. Na kanë lënë Simfoninë e 9, Ferrin, Purgatorin e Parajsën, Kupolat e Katedraleve e shumë të tilla. Dimë t’i shijojmë ato deri në thellësi të shpirtit, edhe pse ende nuk ndajmë dot, se kush kreu krimin më të lartë…ai që bëri “10 ditët që tronditën botën”, apo ai që thirri se “Zoti ka vdekur”? Tashmë ata janë gurë mortorë. Janë “natura morta”. Kanë mbetur mes nesh për adhurim. Unë thjesht, i pikturova”, shpjegon Leka. Kjo ekspozitë vjen nën kurimin e Ardian Isufit. Sipas tij kjo ekspozitë është një udhëtim psikologjik që sendërtohet në gjuhë piktorike nëpërmjet objekteve të heshtura. “Gazmend Leka propozon përtej pamjes fillestare me ‘Njerëz e Sende’, një lojë filozofike me imazhin e vdekjes të ngurosur në mendjet tona. Antropologjia e çastit të fundit në pikturat e tij është në të njëjtën kohë ‘fiksim i historisë’ por edhe ‘fiksioni i ngjarjes’ së personazheve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e njerëzimit, për të shpjeguar sipas tij në gjuhë metaforike se në fund të rrugëtimit tonë ‘Drita është Hija e Zotit’, thotë Isufi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kadare dhe Franca, sonte në kafe “Rostand”

Sot në mbrëmje, do të ketë një takim letrar në nderim të...
Read More