Mustafa Nano: Unë, njeriu i dilemave

Muc NanoAq të shumta sa dilemat ka edhe frikërat. Një kritikë virulente ia prish ditën, po aq sa ja rregullon një opinion dashamirës. E pohon me plotë gojën se vdes të dëgjojë opinione pozitive për veten e se lajkat janë dobësitë e tij. Vuajtjet e forta për fat të mirë nuk i ka provuar. I urren. Beson se vdekja është fundi ynë. Se jemi ata që jemi, për aq sa jemi, e për atë që jemi, veçse në tokë. Se jeta në tokë është e vetmja jetë e jona. I ka zili besimtarët . Por nuk bëhet dot si ata. E ka provuar, e nuk ka mundur. Eshtë natyrë që qan, rrallë por qan, në prani të të tjerëve ose në vetmi… 

Nga Fleura Shkëmbi 

A ke dilema brenda vetes dhe nëse po a mundesh të përballesh me to?

Dilema kam pa fund. Madje, nëse do më kërkonin të përkufizoja veten, do thoja se “jam njeri i dilemave”. Dua të them pra se, në kundërshtim me çfarë mund të duket, unë vetë di të kem bindje të forta. Dhe të shumtën e kohës them se shyqyr që është kështu. Bindjet e forta ta ngurtësojnë karakterin, ta mbyllin vizionin, e të bëjnë të jesh gjithë kohën i tensionuar. E di, bindjet e forta të bëjnë hero, por unë nuk kam nevojë të jem hero. Nuk e aspiroj një gjë të tillë. Nuk i kam qejf heronjtë. Përkundrazi, më sëkëlldisin. Bota do të ishte më e mirë pa heronj. Por edhe në këtë pikë nuk jam 100% i sigurtë. Ja, e sheh? Kjo është një provë tjetër që jam njeri i dilemave. :)))

A ke diçka që nuk do ta prekësh sepse nuk je gati akoma?

Sa për gjërat që “nuk i prek se nuk jam gati”, më duhet të them se, në dijeninë time, nuk kam të tilla. Veç në kanë të bëjnë me subkoshiencën, ku unë nuk depërtoj dot.

Po vuajtjen si e shikon si pjesë të keqe apo si proçes rritjeje dhe maturimi shpirteror?

Për vuajtjen duhen pyetur njerëzit që e kanë njohur atë në forma të skajshme. Unë kam patur një jetë normale në këtë drejtim, me vuajtje që i kalojnë të gjithë. Kam idenë se vuajtjet e forta, qoftë shpirtërore, qoftë fizike, mund ta shkatërrojnë një karakter të dobët e mund ta lartësojnë e fisnikërojnë, me fjalët e tua, ta rrisin një karakter e një shpirt të fortë. Por përsëris,këto të miat janë fjalë në erë. Me pak fjalë, unë besoj se është kështu. Pasi nuk kam pasur përvoja të tilla. E nuk do doja të kisha. Nuk është se kam frikë se do të rezultoja një karakter e shpirt i squllur e se do dorëzohesha. Mund të ndodhte edhe kështu, xhanëm, por po njësoj mund të ndodhte edhe tjetra, domethënë që të demonstroja forcë, rezistencë, shpirt luftarak. Puna është se nuk dua t’i përtejoj gjëra të tilla. Vuajtjet i urrej. Sikur të më thonin se janë vuajtjet që ta bëjnë jetën interesante, unë do t’u thoja: Epo mirë, nëse është kështu, faleminderit shumë, por më pëlqen të kem një jetë jo interesante, monotone, të mërzitshme, pa vuajtje.

Si e mendon vdekjen sipas këndvështrimit tënd, që nuk beson në fe?

Flas për këtë temë në librin tim “Selam aleikum, baba” që sapo ka dalë në treg. Aty luaj me idenë që pjesa jonë jo materiale, domethënë shpirti, nuk vdes, nuk mund të vdesë, nuk ka se si të vdesë. Aty them se shpirti mbetet në përjetësi. Duket sikur me këtë nënvizim u kam ardhur sipas midesë feve, por në fakt këtë mesazh e përcjell bash për të kundërtën. Personazhi i librit tim, një besimtar i zellshëm, mysliman, vdes me idenë se në jetën e përtejme, qysh në sekondën e parë, do të takohet me engjëjt, të cilët pastaj, pas një job intervieë-je, do ta përcjellin për në parajsë, ku do të ketë freski, hije, pemë, lumenj, djem që shërbejnë fruta, ushqime, verë e pije të tjera alkoolike, e vajza të virgjëra që do të kenë për detyrë ta nginjin seksualisht, ose në rastin më të keq për në ferr, ku do të ketë flakë zjarri, tortura, squfur të nxehtë, etj, etj, por pas vdekjes zbulon se në jetën e përtejme nuk ka asgjë të tillë.

A e besoj unë këtë version? Sigurisht, që jo. Unë besoj që ne vdesim. Vdekja është fundi ynë. Ne jemi ata që jemi, për aq sa jemi, e për atë që jemi, veçse në tokë. Jeta në tokë është e vetmja jetë e jona. Është trishtuese, apo jo? Hëm, sigurisht. E në këtë kuptim, unë do doja të isha besimtar, do doja pra që të jetoja me gënjimin se pas vdekjes nis jeta e vërtetë. I kam zili besimtarët. Por nuk bëhem dot si ata. Kam provuar, e nuk mundem.

A ke frike nga diçka (mund të jetë edhe frikë emocionale)?

Kam shumë frikëra. Do të them një? Kur jam mirë në jetën time, kur jam duke bërë një jetë të qetë, e produktive, nuk do doja të më ndodhnin ndryshime qoftë edhe për mirë. Ua kam frikën ndryshimeve për mirë kur ti je mirë e bukur. Fjala vjen, ti ke një lidhje, je aq mirë me një partnere, dhe papritur zbulon se ke rënë keq në dashuri me një tjetër. Hë, nuk është për t’u patur firkë kjo dashuri?!

Cili është kuptimi i jetës sipas një mashkulli, që pjesën më të madhe të kohës e kalon në studio televizive dhe në përballje me audiencën që herë të admiron dhe herë nuk të pëlqen?

Jo, jo, nuk është e vërtetë që pjesën më të madhe të kohës e kaloj nëpër studio. Ka ca kolegë të mitë që e bëjnë. Por ua qaj hallin. Sa për admirimin e antipatinë që mund të provokoj te të tjerët, këto janë gjëra që nuk më lënë indiferent. Një kritikë virulente më prish ditën, e prandaj i kam vënë detyrë vetes të mos lexoj kurrë komente mbi mua. Për këtë kam hequr edhe proflin tim në facebook. Në të kundërt, një opinion dashamirës, më ndreq humorin e më rregullon ditën. E di që kjo që sapo thashë më nxjerr zbuluar si një njeri spitullaq, por ja që kështu është: unë vdes të dëgjoj opinione pozitive për veten. Lajkat janë dobësitë e mia. Dhe vaniteti në përgjithësi është një nga limitet e mia, për të cilin nuk më vjen turp. Nuk jam as krenar, të kuptohemi.

Si është për ty ndjenja e të qenit pa kohë dhe pa limite?

Të qenit pa kohë e pa limite? Kjo duhet të jetë një nga karakteristikat e Zotit, për të cilën flasin doktrinat fetare. Kështu që nuk para e kam këtë ndjesi. Ndihem mirë kështu si jam, i limituar dhe i vdekshëm.

A beson në dimensione të tjera? A beson te mirësia njerëzore?

A e di? Jean-Jacques Rousseau thoshte se “njerëzit janë të mirë nga natyra, e të korruptuar nga shoqëria”.  Unë besoj të kundërtën, unë besoj se njeriu është i mirë jo për një dispozicion të tijin, por për një konveniencë.

Po dashuria çfarë është për ty? E kam fjalën për dashurinë në të gjitha këndvështrimet.

Ndoshta do të shkruaj ndonjë ditë një libër për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.:)))

A qan ndonjëherë në prezencë të të tjerëve apo fshehurazi dhe kur ndodh ky është për ty një moment dobësie apo çlirimi?

Po, qaj. Rrallë, por qaj. Asnjëherë fshehurazi, sidoqoftë. Mund të qaj në vetmi, por kjo nuk quhet fshehurazi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shaban Sinani për Eposin: I padeformuar nga diktatura, referencë françeskanët dhe kërkimet e reja

Me asnjë mbështetje financiare nga të dyja shtetet Kosova dhe Shqipëria është...
Read More