fbpx

Op Ed

Monologu i përjavshëm i kryeministrit Rama në Facebook





               Publikuar në : 09:16 - 18/11/16 |
mapo.al

Roland LamiNga Roland Lami*


Rrjetet sociale, si një alternativë mjaft e fuqishme dhe praktike e medias tradicionale ofrojnë mundësi të mëdha komunikimi edhe për politikën. Kryeministri Rama është ndër politikanët që e përdor gjerësisht por, shkruan Lami, ai vijon të jetë monoton dhe gati sillet sikur të jetë në një konferencë për shtyp



Sot rrjetet sociale ofrojnë një infrastrukturë të re për median publike dhe politikën publike, të cilin, Penney Lewis e quan infrastrukturë e medias demokratike. Mundësia për të vepruar në mënyrë anonime në distancë i ka reduktuar disa nga barrierat e veprimit, si: frika, ndrojtja, frustracioni etj. Atmosfera e çliruar e internetit, lehtësia me të cilën mund të krijohen lidhjet informale pa ndonjë referencë për dallimet, të cilat ballë për ballë mund të krijojnë kufizime, renditen si më të rëndësishmet në zgjerimin e rrjeti social. Lauren Langman pohon se interneti po e ridimensionon tërësisht natyrën e mobilizimit politik, pavarësisht se ne nuk e dimë se çfarë forme duhet të marrë një aktor politik pasi mundësitë në rrjet janë të ndryshme. Mund të ndodhë që një aktor politik pa asnjë bagazh fillestar autoriteti politik duke vepruar online befas mund të fitojë statusin si aktor politik me peshë ose një me peshë ta zbehë autoritetin e tij, falë ndikimit të rrjeteve sociale mbi të.


Sot ne jemi në gjendje të takohemi dhe të organizohemi politikisht me njerëz që nuk i njohim dhe nuk i shohim, duke vepruar kësisoj me shpejtësi marramendëse përtej kufijve lokale, rajonale madje dhe kombëtare. Disa shohin te kjo gjë fillimin e një mënyre të re për të bërë politikë, më shumë interaktive, më pak formale.

Edhe në Shqipëri, po krijohen hapësirat e reja të komunikimit online, të cilat përmirësojnë ndjeshëm komunikimin: aktor politik – elektorat. Një traditë të tillë po e konsolidon kryeministri Rama, i cili ndryshe nga të tjerët, çdo javë përzgjedh disa tema dhe i komunikon për llogari të ndjekësve të tij në Facebook. Një praktikë që duhet përshëndetur, pavarësisht se më shumë kemi të bëjmë me përdorim të rrjeteve sociale me të njëjtën mendësi që përdoren mediat tradicionale në Shqipëri se sa një përpjekje serioze për të përmirësuar apo intensifikuar komunikimin me njerëzit.

Nëse i referohemi ligjërimit të kryeministrit Rama në Facebook vërejmë se komunikimi i tij ngjan më shumë më një konferencë për shtyp, pavarësisht se leximi i letrës në këtë rast është zëvendësuar me leximin e promter-it (një instrument që përdoret nga folësit e lajmeve në TV). Fjalimi është i gjatë në kohë, i larmishëm në tematika, i ngjeshur në fjali, i panatyrshëm krahasuar me kohën me të cilën ne flasim dhe shkruajmë në Facebook. Forma e komunikimi është kryesisht linear me një kah, i ngjashëm me atë të medias tradicionale, se sa horizontal me shumë drejtime. Informacioni shpërndahet nga kryeministria te ndjekësit jo anasjelltas. Ndjekësit në Facebook më shumë përdoren për t’u bombarduar me propagandën e radhës së kryeministrit se sa e përdorin informacionin e shpërndarë nga ai për t’u sqaruar apo shprehur opinionet e tyre në lidhje me çështjet që parashtrohen. Një dimension i munguar dhe i pashfrytëzuar ky, për vetë faktin se nëse i referohemi bashkëbisedimeve gjatë takimeve të kryeministrit me kategori të ndryshme sociale në terren konstatohet lehtësisht që të tilla takime nën efektin e kamerave më së shumti janë të inskenuara dhe të mirëmenduara për efekt show apo transmetimi mesazhi politik se sa janë takime reale ku qytetari shpreh lirshëm mendimin e tij. Sigurisht, ka probabilitet të lartë që i njëjti inskenim të ndodhë dhe në bashkëbisedimin virtual me ndjekësit në rrjetet sociale, mirëpo, ndryshe nga ajo që ndodh në terren ku kasetat e montuara nga kompanitë konsulente iu dërgohen televizioneve për transmetim, apo përcaktimi i një radhe të bashkëbiseduesve me kryeministrin që është e paracaktuar, në rrjetet sociale mundësia e censurës së bashkëbiseduesve është gati e pamundur. Kështu që rritet mundësia për të bashkëbiseduar dhe për t’u mos censuruar fjala apo hequr e drejta për t’u shprehur. E gjitha kjo, krijon një hapësirë lirie që për një pjesë të publikut vlerësohet si shumë e rëndësishme për procesin e komunikimit.

E gjitha kjo, bën të mundur që komunikimi i kryeministrit më shumë t’i ngjajë një monologu të përcjellë në media tradicionale se sa një komunikimi interaktiv që mundësojnë mediat sociale. Kryeministri, thjesht ka diversifikuar kanalet e informimit, por jo ato të komunikimit.

*Pedagog UET



Pas