Modeli grek vjen në Tiranë, Rama emëron veten ministër të Jashtëm

Kryeministri Edi Rama ka propozuar emrin e tij për të mbajtur edhe postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, pas mos dekretimit të kandidaturës së Genti Cakajt. Rama premton se do jetë ministër vetëm “de jure”. Presidenti do ketë në tavolinën e tij për dekretim për ministër emrin e Edi Ramës, ndërsa përplasjet në distancë mes tyre ende vijojnë.

Kryeministri Edi Rama në një vendim jo shumë të pritur ka emëruar veten edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, duke ndjekur modelin grek, ku edhe aty kryeministri Tsipras ka marrë po mban edhe postin e ministrit të Jashtëm. Kjo lëvizje e Ramës u kushtëzua nga refuzimi nga ana e Presidentit Ilir Meta i kandidaturës së 28-vjeçarit Genti Cakaj për postin e ministrit të ri, pas shkarkimit të Ditmir Bushatit. “Presidenti s’e ka zhdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke lajmëruar zyrtarisht se tashmë është emri i tij në tavolinën e presidentit Meta për të mbajtur pozicionin e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Për kryeministrin Rama, presidenti Meta ka shkelur kushtetutën, por për të interpretuar këtë problem, duhet të funksionojë Gjykata Kushtetuese e cila mund të zgjasë në kohë për shkak të procesit të vettingut. I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Metës që po në rrjetet sociale shkruajti se: “Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. Shqipëria e para!”. Tashmë konflikti mes Ramës dhe Metës ngjan se është stopuar, pasi nuk do ketë “motiv” të fortë kushtetues për të mos dekretuar Ramën, për aq kohë sa e ka kaluar filtrin e parë e të vetëm në krijimin e qeverisë së re në shtator të vitit 2017. Lëvizja e Ramës është kundërshtuar nga përfaqësues të rëndësishëm të opozitës, madje i kanë kërkuar kreut të shtetit të mos e dekretojë emrin e tij në postin edhe të ministrit të Jashtëm.

Rama, De jure apo de facto?

Me lëvizjen më të fundit, Rama u shpreh se “de jure” do të jetë edhe në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa ka lënë të kuptohet se “de facto” është zëvendësministri aktual Genti Cakaj. Kjo është një lojë e ofruar në orët e fundit, pasi Presidenti Meta refuzoi të dekretojë Cakajn në postin e ministrit për tri motive kryesore; ishte shprehur në favor të ndryshimit të kufijve në Ballkan, kishte mungesën e eksperiencës dhe ka punuar në postin e zëvendësministrit të Jashtëm pa certifikatë sigurie. Të tria këto motive nga kreu i shtetit sollën përplasjen e fortë politike me Ramën ku shkëmbyen akuza të ndërsjella mes tyre. Për të kuptuar nëse Rama është edhe “de facto” ministër për Europën dhe Punët e Jashtme mjafton të shihet kandidatura e Cakajt, që eksperiencën e vetme në Shqipëri pasi erdhi nga Kosova e ka si këshilltar i Kryeministrit dhe më pas nga muaji qershor i vitit të kaluar dhe në vijim është zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Posti i Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme konsiderohet si më delikat për sa i përket përfaqësimit, pasi është zëri i politikës së çdo qeverie dhe nuk mund të personifikohet vetëm me individin që është në krye të këtij institucioni. Analistët gjykojnë se me këtë lëvizje, Rama është “de facto” dhe “de jure” ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas propozimit të emrit të tij pritet që të shkojë zyrtarisht edhe në presidencë, ku gjykohet se Meta do të dekretojë shkarkimin e Ditmir Bushatit (ende në detyrë) dhe në vend të tij gjithashtu do dekretojë Edi Ramën. Vendi përgatitet të ketë agjendë të ngjeshur në diskutime në arenën ndërkombëtare, pasi në qershor të këtij viti merret vendimi nga vendet e BE-së për pranimin ose jo të Shqipërisë si vend kandidat për në Bashkimin Europian. Mendohet se në shumë takime do të jetë i pranishëm vetë kryeministri Edi Rama. E njëjta situatë është edhe në Greqi, ku pas dorëheqjes së ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias, vendin e tij e zuri kryeministri Aleksis Tasipras, kjo e kushtëzuar edhe për shkak të disa marrëveshjeve të lëna pezull me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Pozitë-opozitë luftë deklaratash

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu reagoi pas publikimit të lajmit në lidhje me vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të qenë njëkohësisht dhe ministër i Jashtëm. Shehu thotë se Rama sot duhet të jepte dorëheqjen dhe jo të ishte drejtuesi i diplomacisë së vendit. “Mbas rënies për arsye shumë serioze e të motivuara të kandidaturës kaq të preferuar, mbështetur e promovuar deri në ekstrem për Ministër të Jashtëm, mbas kthimit të saj në një “casus belli”, dorëheqja e Kryeministrit do të ishte e vetmja rrugëdalje”, komenton Shehu. Ndërkohë, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se zgjedhja e Ramës edhe në krye të Ministrisë së Jashtme është një zgjidhje e përkohshme deri sa Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin sipas tij për shkeljen e Kushtetutës që sipas tij ka bërë Presidenti duke mos dekretuar Gent Cakajn si ministër. “Kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa këtij debati në aspektin e një procedure të shkelur disa herë nga presidenti, por do marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Deri në vendimin e Gjykatës kryeministri do jetë ministër i Jashtëm dhe Gent Cakaj do jetë zv.ministër i Jashtëm. Konstatoj me keqardhje se presidenti ka hyrë në një turravrap që sa më shumë shkelje kushtetuese të bëjë”-tha Balla. Sipas tij, kreu i shtetit e di mirë se ministri i shkarkuar qëndron në detyrë deri në marrjen e detyrës nga ministri tjetër. “Presidenti i republikës ka bërë 4-5 shkelje kushtuese radhë dhe ka hyrë në një garë me veten për të bërë sa më shumë shkelje kushtetuese të bëjë”-shtoi Balla. Ndonëse qëndrimet politike dhe mendimet e ekspertëve konstitucionalistë janë të ndryshëm, e vetmja zgjidhje mund të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e kthimit të kandidaturës së Genti Cakajt, por ky institucion për shkak të dorëheqjeve dhe shkarkimeve nga procesi i vettingut ka mbetur me vetëm një anëtar, nga nëntë që duhet të kishte në organikë, çka ia ka pamundësuar çdo interpretim kushtetues.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Udhëzimi i ri: Taksat për automjetet e reja dhe të përdorura, ja llogaritja

Formula e pagesës së taksave vjetore të automjeteve nuk ndryshon. Megjithatë, në...
Read More