fbpx

Kryesore

Mjekja: Trajtimi i sëmundjeve reumatizmale me barnat biologjikë, më pak efekte anësore





               Publikuar në : 09:41 - 01/02/19 |
mapo.al

Në një intervistë për “Mapo” Rovena Liço, mjeke reumatologe apelon që të sëmurët me sëmundje kronike reumatizmale mjekimin të mos e ndërpresin apo ndryshojnë asnjëherë pa këshillën e mjekut.


Pranimi i sëmundjes është hapi i parë në luftën kundër saj. Dhe te të sëmurët kronikë me reumatizëm, mjekët shprehen se ka vështirësi në pranimin e sëmundjes nga pacienti, madje në disa raste të sëmurët ndërpresin mjekimin apo e ndryshojnë atë pa këshillën e mjekut. Në një kohë që sot flitet për risi në fushën e trajtimit të sëmundjeve reumatizmale, për ilaçe që shënjestrojnë problemin dhe frenojnë mekanizma specifikë të një patologjie duke rritur shumë efektshmërinë e trajtimit dhe duke evituar dëmtimet e parikthyeshme organore dhe artikulare. “Bëhet fjalë për barnat biologjikë, të cilat rrisin jetëgjatësinë e këtyre pacientëve, ulin shkallën e paaftësisë për punë dhe përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetesës. Në një intervistë për “Mapo” Rovena Liço, mjeke reumatologe shpjegon se janë pikërisht këto barna të reja që kanë bërë revolucion në trajtimin e shumë patologjive reumatizmale. Mjekja reumatologe Liço thotë se janë trajtime specifike, që godasin hallka specifike të përgjigjes imune e rrjedhimisht arrijnë të kontrollojnë e të frenojnë më mirë sëmundjen. Në qoftë se fillohen në kohën e duhur arrijnë ta parandalojnë dëmtimet e parikthyeshme në artikulacione e në organe që pa mjekimin e duhur janë edhe jetë kërcënuese. Duke qenë specifike kanë edhe më pak efekte anësore e toksicitet më të ulët.



Çfarë janë sëmundjet reumatizmale?


Sëmundjet reumatizmale përfshijnë një grup të gjerë sëmundjesh që kanë disa karakteristika të përbashkëta, por edhe tipare që i diferencojnë nga njëra-tjetra. Një klasifikim që mund të bëhet për sëmundjet reumatizmale është duke i ndarë në 3 grupe të mëdha: sëmundjet osteoartikulare degjenerative, sëmundjet autoimune që prekin indin lidhor të tilla si Artriti Reumatoid, Lupus Eritematoz Sistemik, Sklerodermia, Polidermatomioziti dhe sëmundjet metabolike të kockave ku futen osteoporoza, osteomalacia.

Cilat janë simptomat e sëmundjeve reumatizmale?

Sigurisht arsyeja e parë që i detyron pacientët të paraqiten e të kërkojnë ndihmë mjekësore është dhimbja. Dhimbja është kambanë alarmi për shumë sëmundje reumatizmale, analizimi i tipologjisë së dhimbjes është një element kyç në vendosjen e saktë të diagnozës dhe shpesh e orienton dhe ndihmon mjekun në diagnozën diferenciale. Një dhimbje që vazhdon prej një kohe të gjatë, që instalohet gradualisht, që është e pranishme edhe në qetësi apo natën, që shoqërohet edhe me shenja të tjera si lodhje të përgjithshme apo dobësi trupore kërkon vëmendje të veçantë e duhet vlerësuar edhe mbajtur nën observim sepse mund të jetë shenja fillestare e sëmundjeve kronike të indit lidhor që kërkojnë trajtim e ndjekje të vazhdueshme. Ndërkohë një dhimbje që shtohet nga aktiviteti fizik, përmirësohet nga pushimi që nuk shoqërohet me shenja të tjera sistemike të orienton drejt sëmundjeve degjenerative osteoartikulare. Përveç dhimbjes, ka shenja të tjera që nuk duhet të neglizhohen si për shembull një apo disa kyçe të ënjtura, të dhimbshme, një temperaturë që nuk shpjegohet me shkaqe infektive, shenja në lëkurë si pika, njolla, ndryshim të ngjyrës së gishtërinjve si në mavi apo zbehje të theksuar të tyre në kontakt me të ftohtin, shenja konstitucionale si lodhje e zgjatur, dobësi e theksuar trupore.

Cilat janë shkaqet që çojnë në zhvillimin e sëmundjeve reumatizmale?

Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale variojnë së tepërmi në varësi të sëmundjes. Sëmundjet sistemike autoimune janë me etiologji të panjohur por ka një sërë faktorësh që kontribuojnë në shfaqjen e tyre si predispozicioni gjenetik (pacientët me histori familjare kanë më shumë shanse të zhvillojnë patologji autoimune sesa pjesa tjetër e popullatës), faktorë të tjerë janë faktorët hormonalë (sëmundjet reumatizmale janë më të shpeshta te seksi femër), faktorë të ndryshëm ambientalë si ekspozimi ndaj disa substancave të caktuara. Sëmundjet osteodegjenerative kanë si faktorë predispozues moshën e madhe, obezitetin, jetën sedentare, histori traume të mëparshme (rrëzime, aksidente).

A mund të parandalohen?

Sigurisht që shprehja më mirë të parandalosh sesa të mjekosh është shumë e bukur e do ishte akoma më e bukur në qoftë se do ishte gjithmonë e realizueshme. Ka sëmundje reumatizmale që pavarësisht kujdesit në drejtim të jetesës së shëndetshme shfaqen gjithsesi, të tilla si Artriti Reumatoid, Lupusi Eritematoz Sistemik, sklerodermia, Polimioziti.

Si trajtohen?

Trajtimi i duhur fillon nga diagnoza e saktë. Diagnostikimi është hapi i parë drejt suksesit të mjekimit, tashmë për shumicën e sëmundjeve janë vendosur kriteret që duhen plotësuar për vendosjen e diagnozës. Preparatet që janë gjerësisht të përdorshme në sëmundjet reumatizmale janë anti-inflamatorët steroidë dhe jo steroidë, imunosupresorët, bisfosfonatet. Mjekimi synon të frenojë mekanizmat që çojnë drejt sëmundjes e rrjedhimisht të realizojë qetësimin simptomatik të pacientit, domethënë përmirësimin e shenjave dhe ankesave. Sigurisht që kjo jo gjithmonë është e lehtë, ka sëmundje reumatizmale që janë të vështira për t’u dominuar, sidomos sëmundjet autoimune që janë një sfidë për reumatologun dhe mjekësinë në përgjithësi. Sëmundjet reumatizmale me prekje organore kërkojnë një bashkëpunim të mirë midis disa specialiteteve të ndryshme. Mjekimi i mirë para se gjithash fillon nga ndërgjegjësimi i pacientit për sëmundjen që paraqet. Edukimi i pacientit ka të bëjë me njohjen e sëmundjes, kush janë shenjat, kur duhet të paraqitet te mjeku, domosdoshmërinë e marrjes së mjekimit sipas përshkrimit të mjekut. Në praktikën tonë të përditshme hasim shpesh në vështirësi të pranimit nga ana e pacientit të sëmundjes kronike, që kërkon ndjekje e trajtim të vazhdueshëm. Në sëmundjet kronike reumatizmale mjekimi nuk duhet ndërprerë apo ndryshuar asnjëherë pa këshillën e mjekut.

Sa kanë ndryshuar protokollet e mjekimit për sëmundjet reumatizmale?

Si në çdo fushë të mjekësisë edhe në fushën e reumatologjisë çdo ditë përditësohen arritjet dhe njohuritë dhe kjo është në favor të trajtimeve gjithmonë e më të specifikuara e përgjigje terapeutike të suksesshme. Ka disa medikamente që ngelen “gold standard” edhe pse mund të kenë vite që përdoren ashtu siç ka edhe barna të reja që kanë bërë revolucion në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, siç janë për shembull barnat biologjikë. Sot flitet për trajtimet “target” që frenojnë mekanizma specifikë të një patologjie të caktuar duke rritur shumë efektshmërinë e trajtimit dhe duke evituar dëmtimet e parikthyeshme organore dhe artikulare. Trajtime të tilla rrisin jetëgjatësinë e këtyre pacientëve, ulin shkallën e paaftësisë për punë dhe përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetesës.

Flitet për ilaçet biologjike, cilat janë konkretisht dhe cilat patologji trajtojnë?

Barnat biologjikë bëjnë pjesë në grupin e terapive më inovative në fushën e mjekësisë. Ato prodhohen nëpërmjet bioteknologjisë dhe mund të jenë antitrupa monoklonale, inhibitore të interleukinnave, vaksina apo gjene. Gjejnë përdorim në trajtimin e sëmundjeve autoimune, trajtimin e patologjive malinje. Bari i parë biologjik është miratuar në 1998 dhe është etanercept që tashmë përdoret gjerësisht për trajtimin e Artritit Reumatoid, Artritit Psoriatik e spondiloartropati të tjera seronegative. Pas tij u aprovuan barna të tjerë si Rituximab, infliximab, adalimumab, golimumab, tofacitinib etj. Për barnat biologjikë ekziston një shprehje “N.q.s. je duke luftuar me armë, bari biologjik është snajperi”. Barnat biologjikë janë trajtime target, godasin mekanizma të përgjigjes imune që janë shkaktare të dëmtimeve të ndryshme. Në reumatologji përdoren për sëmundje, të tilla si: Artriti Reumatoid, Lupusi Eritematoz sistemik, Spondiloartropati seronegative, Vaskulite, Polimiosite. Gjejnë përdorim edhe në fusha të tjera si hematologji për trajtimin e limfomave, në patologji të ndryshme malinje, në dermatologji.

Cilat janë avantazhet?

Përgjigjja terapeutike është më e mirë, efikasiteti është më i lartë. Janë trajtime specifike, godasin hallka specifike të përgjigjes imune e rrjedhimisht arrijnë të kontrollojnë e të frenojnë më mirë sëmundjen. Në qoftë se fillohen në kohën e duhur arrijnë ta parandalojnë dëmtimet e parikthyeshme në artikulacione e në organe që pa mjekimin e duhur janë edhe jetë kërcënuese. Duke qenë specifike kanë edhe më pak efekte anësore e toksicitet më të ulet.

Çfarë duhet të kenë parasysh të sëmuret që mjekohen me këta barna?

Barnat biologjikë janë frenues të imunitetetit, çka i bën personat nën trajtim më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të ndryshme apo të riaktivizojnë infeksione të kaluara. Pacientët duhet të përfshihen në skema vaksinimi të ndryshme nga popullata e shëndoshë, duhet të bëjnë kontrolle të herëpashershme për të shmangur efekte të mundshme anësore, kontrolle periodike laboratorike dhe imazherike.


Etiketa: , , , , ,

Pas