Milva Ekonomi, debat me pedagogët për “Paktin e reformizmit”

“Pakti i reformizmit, a ka shanse reale për aplikim?” -Ministrja e Ekonomisë ishte këtë javë në një debat të hapur me pedagogë dhe studentë të UET-it: Tashmë mund të marrim ide nga akademikët tanë

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ishte e ftuar në Forumet UET në një debat me pedagogë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës. “Pakti i reformizmit, a ka shanse reale për aplikim?”, ishte tema e debatit e hedhur për diskutim në këtë forum duke marrë shkas nga 10 propozime konkrete për këtë pakt të bëra publike nga një grup profesorësh të UET-it disa ditë më parë. Nën moderimin e dr. Selami Xhepa, zëvendës/rektor për Kërkimin Shkencor në UET, ministrja e Ekonomisë u pyet për reformat e nisura nga qeveria “Rama”, për papunësinë, për rritjen ekonomike, taksat dhe investimet në sektorët strategjikë.

Selami Xhepa: Një nga shqetësimet më të rëndësishme që ka shoqëria shqiptare në gjithë këto vite të post-tranzicionit lidhet me nivelet e papunësisë. Së pari, papunësi e lartë dhe e qëndrueshme për një kohë relativisht të gjatë. Së dyti, një pjesë e madhe e vendeve të punës të krijuara gjatë këtyre viteve, kanë qenë vende pune jo realisht cilësore. Pavarësisht se mund të ketë pasur punësim në sektorë të caktuar të ekonomisë që nuk e ka afektuar në mënyrë të ndjeshme gjendjen sociale ekonomike të shoqërisë. Kam këtu parasysh industritë dhe fasonet Call Center, të cilët kanë qenë dhe kontribuuesit më të mëdhenj, apo shpesh bujqësia siç e dini që nganjëherë e llogaritim si diferencë statistikore si të punësuar në sektorin e bujqësisë. Një nga propozimet që ne kemi paraqitur është që në kuptimin e një platforme ndërkombëtare, çdo politikë dhe reformë që ne ndërmarrin është që të këtë një objektiv të vetëm, punësimin. Kur flasim për punësimin themi për punësimin cilësor. Në këtë kuptim një nga diskutimet e para që do doja të bëja me ju është me ligjin e investimit strategjik, që ju si qeveri keni miratuar dhe është një ligj shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Ju i keni lidhur marrjen e privilegjeve apo dhënien e favoreve përkundrejt shumës së investimit. Ajo që ne propozojmë është që të reformohet kjo bazë legjislative dhe ndoshta dhe aktet e tjera duke marrë si referencë për dhënien e privilegjeve apo për dhënien e favoreve të caktuara sipërmarrjeve të brendshme apo të huaja, nisur nga indikatori i punësimit më shumë se sa nga vlera e investimit, e cila shpeshherë do të thotë shumë dhe në analizë të fundit është shumë subjektive, shumë e vështirë për t’u matur, shumë elemente diskrecioni nga ana e autoriteteve qeveritare që siç dihet shpesh bëhen burim praktikash korruptive. E ndani ju këtë perspektivë dhe mendoni që mundet të investoni si qeveri për ta reformuar e për ta ndryshuar këtë bazë legjislacioni?

Milva Ekonomi: Pyetja juaj kishte disa gjëra për të diskutuar dhe mund ta nis nga pjesa e fundit si e shikojmë ne pjesën kur vjen një investitor strategjik dhe çfarë kërkese kemi për atë. Përveç ligjit të investimeve strategjike, në ministrinë që unë punoj ka dhe një pjesë tjetër që është dhënia e pronës shtetërore me qira. Një nga format e qirasë që jepet është qiraja simbolike 1 euro. Qiraja simbolike 1 euro në këto tri vite ka bërë të mundur që të kemi në funksion rreth 22 aktivitete, të cilat fitojnë garën për të marrë kontratën e qerasë simbolike 1 euro. Garën e fitojnë nëpërmjet disa elementeve. Elementi i parë është ai investimit dhe elementi i dytë është ai i njerëzve që ata punësojnë. Kur vjen plani i biznesit që ka garuar në këtë garë për të marrë sipërfaqe me qira simbolike 1 euro, ndiqet shumë dhe numri i të punësuarve. Sa do të punësojë ky aktivitet në një periudhë kohe të caktuar. Është menduar që punësimi është një element i rëndësishëm dhe është zgjidhur te kontrata 1 euro. Lidhur me investimet strategjike, në përgjithësi kur vjen një investitor strategjik, dhe investimet strategjike janë të ndara sipas fushave dhe kërkohet një plan zhvillimi, plan biznesi që ato do të sjellin, ka dy elemente shumë të rëndësishme. Elementi i parë është sa punësim do të sjellë dhe elementi i dytë është sa punësim të tërthortë ka për t’i sjellë zonës. Jo vetëm punësimi direkt në industrinë që do zhvillojë dhe për atë që mund të sjellë në zonë. Unë dua të ndalem tek investimi strategjik në turizëm, i cili nuk lidhet vetëm me faktin sa njerëz do të punojnë në hotelin apo restorantin përkatës që ai do të ngrejë, por dhe sa shumë mund të nxisë ai iniciativa lokale.

Vendimet duhen marrë përkarshi asaj që gjen në treg. Shqipëria ka vazhdimisht nevojë për teknikë të lartë, për profesionistë që hyjnë dhe zhvillojnë më tej një zej. Kështu që ndonjëherë kur vjen një investitor strategjik, ato mendojnë edhe për aftësitë profesionale të individëve që mund të përdoren si teknikë të lartë në investimin që ata sjellin. Shumë shpesh Shqipëria ka nevojë për prezencën e këtyre shkollimeve. Lidhur me punësimin qeveria ka marrë përsipër të punojë në këtë drejtim. Shifrat e papunësisë kanë ardhur duke u ulur në mënyrë graduale dhe janë të lidhura gjithashtu dhe me faktin që qëndrueshmëria ekonomike, ka ardhur duke u rritur në mënyrë graduale.

Diçka tjetër e rëndësishme që po ndodh është se nëse keni vënë re se funksionon diçka që quhet skema e ndihmës shtetërore, ajo shkon te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në këto dy vite qeveria ka bërë një reformim të ndihmës shtetërore dhe ka iniciuar një program horizontal që lidhet me punësimin. Programi i ndihmës shtetërore është një program i cili në përputhshmëri të plotë me direktivën e BE-së, dhe komisioni që merret me ndihmën shtetërore monitorohet nga BE-ja, sepse nuk duhet të krijohet pabarazi në treg dhe konkurrueshmëri e pandershme. Në këtë moment që flasim ky program në Shqipëri është riformuluar, rikonceptuar dhe kryesisht shkon te ndihma horizontale e cila në këto dy vite ka bërë të mundur që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të kenë mundësi të punësojnë njerëz, përkarshi ndihmës që jep shteti për sigurimet shoqërore dhe për muajt e punës së pagur me pagë minimale dhe për trajnime. Numri i të punësuarve natyrisht është i vogël por është i qëndrueshëm dhe në këto dy vite ai ka qenë rreth 8500 njerëz, që janë punësuar nga ky program i trajnimit nëpër biznese. Vëmendja ndaj punësimit është e lartë, duhet t’ia dalim edhe më mirë duke tërhequr më shumë investime direkte, por duke tërhequr dhe më shumë ide për t’u bërë bizneset e vogla dhe të mesme, që kanë mundësi të punësojnë njerëz.

Si do shkojë halli i ekonomisë? A mos duket se përtej disa përmirësimeve të përkohshme koniunkturale, ne kemi disa probleme tmerrësisht thelbësore për përmirësimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e sistemit demokratiko-kapitalist, kapitalisto-demokratik në Shqipëri. Ju personalisht e ndjeni në administratën tuaj, ku ishit dhe ku jeni, si e mendoni, si e luftoni një inerci etatiste, puniste, një prapambetje të përgjithshme në çdo nivel dhe a ju alarmon ky shqetësim apo ju akomodon?

Gjëja e parë që ne themi është që duhet të krijojmë një frymë të tillë të zhvillimit ekonomik, ku iniciativa e lirë duhet të marri krahë, është shumë e rëndësishme. Nëse unë kam një ide për të bërë një biznes, dua të shkoj dhe ta filloj atë. Ajo që ka ndodhur në këtë kohë është që duam t’ia bëjmë të lehtë një iniciative biznesi që ta fillojë atë. Prandaj mbase kemi dëgjuar disa herë që po përpiqemi të bëjmë një qendër regjistrimi të bizneseve që të jetë e lirë për biznesin. Pyetja juaj më bën të ndërlidh tri nivele, atë makro, mexo dhe mikro. Po e filloj nga niveli mexo po shkoj në mikro dhe pastaj do kthehem në makro. Në momentin kur unë dua të bëj këtë biznes dhe shkoj te QKB-ja, ku gjërat janë bërë më të lehta seç janë bërë sistemet online, e hap biznesin për një ditë dhe nuk është e vështirë. Ndërkohë nëse dua ta tjetërsoj biznesin, ka shumë nevojë që algoritmi që kam ndërtuar në QKB, QKR, të më përgjigjet po ashtu shumë shpejt. Që të bëhet një algoritëm te database e madhe e QKB-së ka nevojë për dije të IT, të personave që merren më çështje juridike, të personave që merren me çështjen e shoqërive tregtare në përgjithësi dhe duhen kombinuar këto dije. Është shumë e rëndësishme që këtë pjesë të mos e zgjidhi vetëm administrata publike, por duhet ta zgjidhë në bashkëpunim me profesionistë që vijnë nga këto fusha. E shoh shumë të rëndësishme këtë pjesë që nga niveli mexo, kur zbret në atë mikro të ketë bashkëpunimin që niveli mexo të funksionojë më mirë.

Ndërkohë ka disa sektorë që janë të vendosur sektorë prioritarë dhe që lidhen me hapjen e Shqipërisë përtej dimensionit gjeografik që ka. Sektori kryesor që ne mendojmë që duhet të zhvillohet Shqipëria padyshim që janë sektorët e energjisë, transportit, sektorët që sjellin produktivitet. Ndërkohë ka iniciativa për ta lidhur rajonin, siç është procesi i Berlinit. Ai tregon që Shqipëria duhet të ketë mundësi që produktin ta çojë shumë kollaj deri në Bosnje, e duhet të ketë lehtësi tregtare që ta spostojë produktin. Kështu që më duhet një sistem i mirë i rrjetit rrugor ose një sistem i mirë transportues që në këtë moment në Shqipëri duhet ndërtuar në bashkëpunim me vendet e tjera. Ndërkohë nga ana tjetër në momentin që unë vendos të transportoj produktin tim, kam nevojë që sistemi i komunikimit online dhe energjetik të më krijojnë shansin që më kalon makina, ku kam mallrat dhe menjëherë regjistrohet e kalon dhe kjo tregon që edhe sistemet tona të energjisë dhe IT-së, duhet të jenë të unifikuara dhe gjithmonë në gjendje pune. Kjo më bën të mundur që për këtë sistem të mallrave unë të kem të gjitha fasilitetet.

Sektor tjetër i rëndësishëm që duhet sjellë zhvillimin e ekonomisë sonë, është padyshim sektori i turizmit dhe ai është sepse Shqipëria ofron një diversitet të jashtëzakonshëm. Ne kemi breg, kodër, mal. Vë re me keqardhje që deri më tani mënyra e organizmit të produktit turistik nuk ka qenë aq shumë uniforme. Duhet vendosur në një lloj piramide që ta kuptojmë të gjithë se çfarë produkti mund të japë Shqipëria dhe kur. Ne zakonisht flasim për sezon turistik që është në verë, nuk ka asnjë vend në rajon që periudhën turistike e ka në verë, e ka gjatë gjithë vitit dhe përpiqet që të organizojë aktivitete turistike. Kjo kërkon medoemos një administratë publike që është e hapur ndaj operatorit privat, pasi sektorin e turizmit e bëjnë ata. Nëse keni parë ndonjëherë një tabelë produktiviteti, është një database e ndërtuar nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar. Ato kanë bërë atlasin e produktivitetit nëpër botë. Ti shikon në 50 vjet se si ka kaluar produktiviteti i vendeve kur ato shkëmbejnë mallra me vende të tjera. Për fatin tonë të keq, produktiviteti i ekonomisë sonë është ende i ulët. Ne kemi shumë nevojë që të rrisim produktivitetin e disa sektorëve të ekonomisë dhe kjo pa dyshim që është një gjë që nuk bëhet dot vetëm. Kjo duhet bërë me mendjet e ndritura që nuk ndodhen vetëm në administratë, janë gjithkund. Duke thënë këtë gjë që këto janë sektorët që ne duhet të zhvillojmë, mundësia për të bërë një biznes duhet të jetë e lirë, secili që ka një ide duhet të shkojë dhe ta bëjë një biznes, por ama ka shumë nevojë për një komunikim të vazhdueshëm midis administratës, iniciativës së lirë dhe mendjes së ndritur që vjen nga personi i caktuar fizik apo nga një shoqatë e biznesit.

Problemi kryesor është papunësia por në gjenerimin e punësimit është biznesi privat. Me këtë nivel taksash që sot ka Shqipëria, atë më të lartin në Rajon, besoj që dhe investitorët e huaj dhe ata vendës janë në vështirësi. A ka ndonjë projekt qeveria që të ndërhyjë përsëri e të bëj ndonjë reformë tjetër në sistemin e taksimit?

Dua të them që nuk është Shqipëria vendi me taksat më të larta në rajon. Ne shumë shpesh krahasohemi me Maqedoninë që po performon mirë. Ne kemi Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi që mund të jenë mirë në Doing Biznes, është Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe ky është rankimi që kemi. Për sa iu takon investimeve të huaja direkte, ne jemi vendi i dytë në Rajon për nga sasia e investimeve të huaja direkte që kemi. Ne duhet të mendojmë dhe për nivelin e taksave, por është shumë e rëndësishme që të mendojmë që duhet t’i japin qëndrueshmëri sistemit. Një kompani që do vijë të investojë në Shqipëri nuk e ka aq shumë të rëndësishme të kuptojë që ky sistem është i lartë apo i ulët por e ka të rëndësishme të kuptojë që qëndrueshmëria në këto nivele takse, a do jetë e sigurt në këto nivele? Ndërkohë qe përveç sistemit të taksave Shqipëria duhet të bëhet shumë e kollajshme në lehtësimin e procedurave dhe ne këtë po tentojmë. Duhet të jemi gjithmonë me një dritare unike. Sa më shumë unike ta bëjmë dritaren tonë, kur dikush kërkon të investojë në Shqipëri, aq më mirë do të jetë. Diçka tjetër me rëndësi në këtë pjesën e fillimit të biznesit është kujdesi që ne duhet të bëjmë, në momentin kur fillon punë dhe has pengesa në implementimin e idesë që mund të mos t’i ketë parashikuar dhe aty duhet të ketë se s’bën një njësi të vogël që bën kujdes për biznesin gjatë gjithë kohës sepse një biznes rritet dhe funksionon mirë kur kupton që për atë ka vëmendje. Duhet të ketë vëmendje për biznesin që mos të ketë pengesa që janë të pakapërcyeshme. Një nga gjërat që një biznesi i bën dëm në përgjithësi është informaliteti dhe duhet ta bëjmë ekonominë më shumë formale. Duhet kujdes dhe me formalitetin, mund të kesh iniciativë të lirë, por përkundrejt disa rregullave.

Mund të rrisin shpenzimet qeveritare në ata sektorë që rrisin punësimin në të dy krahët, qoftë atë të taksave apo shpenzimeve qeveritare, ka ndonjë projekt qeveritar që të ndërhyjë?

Unë mendoj që qeveria jonë është një qeveri e vogël për sa u përket shpenzimeve, nuk janë të larta shpenzimet, por duhet të shtojë investimet publike. Duhet të jetë një qeveri që shton investimet publike në momentin që një qeveri nxjerr mundësi, nxjerr shërbime, nxjerr para për të marrë shërbime nga sektori privat. Dhe këtë duhet ta bëjë me shumë kujdes ose me shumë shpejtësi. Përveç fondeve që vijnë në rritje të investimeve unë vë re diçka tjetër që është mënyra se si ne duhet ta nisim, ta ndjekim investimin publik. Në qoftë se ne arrijmë të spostojmë para nga fondet publike në investime private që duhem bërë nëpërmjet bizneseve private natyrisht dhe mundësia e punësimit është më e madhe.

Një nga argumentet e “Paktit të Reformizmit” propozuar nga disa profesorë të UET është se në disa sektorë që do të konsiderohen si të rëndësishëm dhe strategjikë të ndërtohet një politikë afatgjatë 15-20−vjeçare dhe që të mos ndryshojnë ato elemente thelbësore të kësaj politike. Mendoni se do të ishte e përshtatshme një reflektim për të kërkuar një korrektim për politikën që është ndjekur deri tani dhe për të dhënë ndoshta siguri më shumë afatgjatë për investitorët që do të vijnë në sektorin e energjisë elektrike?

Unë besoj që përgjigjja është Po. Duhet të jetë një “Po” me pikëçuditëse sepse në fakt ajo që po ndodh tani në sektorin e energjisë është pikërisht riformulimi i gjithë strategjisë së energjisë që në kemi pasur deri më sot edhe vendosja e disave parametrave të rinj në kuptimin se si do të tarifohet energjia dhe në kuptimin tjetër se si mund të përdoren burimet alternative të energjisë. Ne kemi nevojë të përdorin alternativa të tjera të energjisë sepse ne kërkojmë që ta shndërrojmë këtë në një sektor primar, kemi nevojë sepse energjia është lëndë e parë për të gjithë bizneset, është lëndë e parë horizontale, të mos pengojë bizneset të cilat punojnë në ciklin e tyre të prodhimit që kështu duhet parë më me kujdes, e para të tarifohet dhe e dyta kur tarifohet çfarë sektorësh nxit tarifimi i energjisë. Dhe është një nga vëmendjet kryesore që ka qeveria, procesi i strategjisë të energjisë është një proces që ndodh. Në fakt këtu është një nga ata sektorë që nuk ja dalim dot që ta bëjmë vetëm, por kemi nevojë jo vetëm për grupet e interesit por dhe për kuptimin e politikave rajonale sepse Shqipëria në energji nuk luan vetëm por duhet të lozë bashkë me Rajonin, bashkë me Kosovën, bashkë me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Serbinë dhe njëkohësisht duhet të kuptojë se kush do jetë ardhmëria e burimeve alternative të energjisë.

Vendet si Shqipëria dhe vendet e tjera klasifikohen në tri lloje për sa i përket sigurimit të ardhurave dhe në rritjen e ekonomike ose duke e eksportuar dhe prodhuar lëndën e parë ose duke prodhuar eksportuar produkte të gatshme kryesisht industriale ose duke prodhuar dhe eksportuar shërbime të brendshme dhe shërbime të jashtme. Nëse do të flasim për një 10-vjeçar, ku duhet ta shikojmë më shumë projektimin e Shqipërisë si një vend që do të sigurojë rritjen ekonomike dhe punësimin? Do përqendrohet te shërbimet e brendshme, turizmi dhe transporti apo edhe për shërbimet për jashtë me call center. A ka një lloj vizioni të paktën për një periudhë 10-vjeçare?

Në fakt duke thënë që energjisë i kemi dhënë vëmendje është një nga pjesët që ne mendojmë që duke eksportuar lëndën të parë ne kemi shansin për të rritur zhvillimin ekonomik. Ndërkohë që të bëjmë këtë gjë sektori i energjisë ka nevojë për shumë investime.

Lidhur me sektorin e dytë, ne eksportojmë produkte që janë gjysmë të përpunuara kemi një situatë që punësimin tonë e kemi vërtet një punësim urban me statistikë, por në fakt jetën e një popullsie urbane ka më shumë të lidhur me zonën rurale, ku ka ferma të vogla dhe në fakt prodhimi vjen nga fermat. Kemi vënë re në këto vite që prodhimi bujqësor në Shqipëri është rritur por pothuajse ka qenë i pazoti ky prodhim që të shkojë jashtë tregut shqiptar dhe shumë shpesh kemi parë që produkti ka nevojë për t’u agroprocesuar ose për t’u përpunuar në formën e nënprodukteve.

Ndërkohë sektori i tretë që bën shërbime është sektori i turizmit. Përgjithësisht sektori i turizmit ka akoma shanse për të qenë shumë atraktiv sepse Shqipëria është një vend i cili mesazhin e vet kryesor aktualisht e jep si një vend që është i pazbuluar dhe njerëzit kanë nevojë që të shikojnë opsione të reja dhe të zbulojnë vende të reja. Domethënë Shqipëria ka një armë shumë të rëndësishme në turizëm që është pikërisht kjo e panjohura. Ky është sektori i cili kërkon disa rregulla që kanë të bëjnë më atë që quhen marka shqiptare dhe mikpritja shqiptare edhe për këtë ka nevojë për investime. Në këtë zhvillim që në duam të marrim për 10 vjet natyrisht që e rëndësishme është që të kuptojmë se sa shumë rëndësi ka që të investojmë dhe ku duke investuar. Unë besoj se për Shqipërinë në sektorin e energjisë dhe në sektorin e turizmit do ngelen sektorë prioritare dhe pastaj sektori i dytë për nga prioriteti vjen sektori i agropunimit, i cili si i turizmi kanë për t’u lënë iniciativave private ndërsa sektori i energjisë do të jetë sektor ku do të ketë vëmendje shtetërore për t’u zhvilluar. Këto do të jenë sektorët ku do të fokusohen investimet.

Cila është qasja juaj ndaj monopoleve?

Unë mendoj se ne duhet të luftojmë për një ekonomi, ku natyrisht monopoli nuk mund të ketë pjesë. Duhet të bëhemi gati për të grumbulluar të dhëna në Shqipëri. Nuk është aq e lehtë për të grumbulluar këto të dhëna pasi unë vij nga fusha e të dhënave dhe e di që nuk është e lehtë të grumbullosh këto të dhëna. Ka aq shumë gjëra rreth nesh sa mund t’i rekomandojmë ne dhe të kërkojmë një zgjidhje të një problem saqë unë besoj që një nga këto fusha Ministria e Ekonomisë duhet të punojë me akademikët. Nuk jemi në administratë aq të zotë për të ngritur modelin dhe për të dhënë rekomandime te kjo fushë.

Nëse do të kërkohej sot t’i jepnit 5 ide kryeministrit Rama se si t’i bëjë më mirë reformat, si ta përmirësojë qeverisjen, cilat do të ishin ato?

Ju e dini që një profesionist që të bëhet i mirë i duhet të bëjë 10 mijë orë pune në punën e tij, nëse nuk i ka bërë 10 mijë orë pune nuk ka bërë asgjë akoma, ndërkohë që të bësh 10 mijë orë pune të duhen 6-7 vjet dhe në një moment reformator si ky, që ka kaq shumë reforma, gjëja kryesore që duhet kuptuar është; mos hiq dorë nga ajo ke nisur, çoje deri në fund, ndrysho ose perfeksiono gjërat gjatë zbatimit, por mos ndrysho vijën. Në këtë moment unë mendoj se vijat janë ato që po udhëheqin, ajo që mund të përmirësohet janë gjërat e vogla që lindin gjatë zbatimit. Gjërat duhet të shkojnë përpara kështu siç janë, ka nevojë për të përmirësuar reformën, por mbi bazën e rezultateve të arritura, jo për ndryshime të mëdha. Ne në qeveri punojmë me program të qartë, programin 600 ditësh, ku ka dhe një konkurrueshmëri pozitive, pasi në fund të ditës secili mat punën që ka bërë. Për mua ka dhe një shndërrim personal pasi unë vij nga shoqëria civile, pra nga një pozicion demokratik në një pozicion monokratik dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. E vlerësoj kryeministrin Rama për bashkëpunimin me të. Ai është një kryeministër që dëgjon idetë e të tjerëve. Për mendimin tim ai sot është brandi aktual i Shqipërisë jashtë vendit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

HALLA IME E ËMBËL VUAJTI NË HESHTJE

“La Shqipërinë kur ishte 18 vjeçe dhe regjimi i ndaloi të shihte...
Read More