Midis deputetit qaraman dhe kryeministrit arrogant

Gilman BakalliNga Gilman Bakalli

Java që po lëmë pas filloi me publikimin e një letre qaramane që një deputet i së majtës i dërgonte kryeministrit Rama. Ishte një letër, e cila, rresht pas rreshti, veçse ta rriste neverinë dhe dhimbsurinë për një burrë, i cili, në vend që t’ia përplaste fort në fytyrë derën prej nga kishte hyrë atij që e kishte futur,  kishte vendosur të lante në publik rrobat e pista personale. Dhe, sipas tij, edhe ato të kryeministrit Rama. Natyrisht letra të tilla janë ushqim i majmë për analistët mediatikë dhe, sidomos kjo letër, me frymën e saj patetike deri në kufijtë e fëmijërores, ofronte yndyrë të mjaftueshme për orekset gazetareske. Por çuditërisht fokusi i analizës mediatike të kësaj letre pak ose aspak merrej me deputetin, njeri i pushtetit dhe ky, por trajtonte vetëm njërin kah të komunikimit: marrësin e letrës, kryeministrin Rama, duke e injoruar totalisht gjellën e bollshme tragjikomike që ofronte një i zgjedhur nga populli.

Është fabul e përhapur gjerësisht tashmë, ajo e Edi Ramës si ish-kryebashkiak e kryeministër që “komunikon rëndë” me bashkëpunëtorët, që është “arrogant e cinik” në sjelljen me ta. Fillimisht dua të theksoj se gjëja më e parëndësishme për mua si qytetar është mënyra se si komunikon Rama me stafin e tij apo me deputetët. S’më intereson aspak! Më shumë se si komunikon ai me deputetët e grupit parlamentar apo me ministrat e qeverisë më intereson mënyra se si i zgjedh ai njerëzit me të cilët do punojë e drejtojë punët e Shqipërisë. Kemi lexuar mjaftueshëm biografi politikanësh me profil të lartë botëror, që të mos biem në prehrin e iluzionit idilik se liderët botërorë i drejtohen bashkëpunëtorëve të tyre me një gjuhë të zgjedhur, të lëmuar, të qëruar, të shkëlqyer dhe korrekte. Apo se sinqeriteti dhe besnikëria janë virtytet që i udhëheqin ato në aksionet e tyre. Pretendimin për një gjuhë korrekte mund ta kemi në raportin e politikanit me publikun, por kurrsesi pas kuintave, aty ku zhvillohet realpolitika.

Që dikush të tregohet arrogant, duhet dikush tjetër që e lejon të parin të jetë arrogant. Në këtë kontekst, para se të ngre gishtin moralizues drejt arrogancës së Ramës, nuk ndiej kurrfarë empatie e simpatie për deputetë apo bashkëpunëtorë të dikurshëm të kryeministrit Rama, të cilët dalin e qurraviten në publik duke na u ankuar se Rama paskësh qenë arrogantë me to, e se i paskësh bërë të paguajnë e pastaj ua paskësh kthyer kurrizin me mospërfillje. Mirë ua ka bërë dhe pak u ka bërë! Këta deputetë e bashkëpunëtorë qaramanë duhet ta kuptojnë se komunikimi është marrëdhënie, mes dy palëve, është raport, nëpërmjet të cilit palët e përfshira modifikojnë sjelljet dhe qëndrimet e njëra-tjetrës. Me sjelljen tonë ne i imponojmë palës tjetër ose respekt ose mospërfillje. Nëse je futur në politikë si servil e lapangjoz a si pagues nderesh e qokash kryeministrore e ke vulosur që në krye të herës profilin tënd si komunikues në raport me tjetrin, kryeministër qoftë ai apo drejtues i një institucioni.

Unë nuk di të ketë njerëz me një stil të vetëm komunikimi. Secili prej nesh (jam i bindur që edhe Rama) zotëron disa regjistra komunikimi, të cilat ia përshtat personave dhe rrethanave. E sigurisht që politika është vendi, i cili, më shumë se çdo vend tjetër, kërkon në drejtim njerëz me larmi regjistrash komunikimi, nga ai pasiv-manipulativ e deri tek ai direkt-agresiv.

Letërshkruesi deputet mund të lexojë Makiavelin për ta marrë vesh se në postet e larta drejtuese duhet të bësh edhe luanin edhe dhelprën, të jesh i mirë kur mundesh dhe i lig kur duhet, arrogant dhe i prerë nga njëra anë dhe babaxhan e tolerant në anën tjetër. E rëndësishme për deputetin në fjalë është të kuptojë se si e ka zgjidhur Rama dilemën makiaveliane që shtrohet para çdo drejtuesi të lartë shtetëror: “është më mirë të të duan apo të të kenë frikë?” Me këtë informacion në mendje deputeti ynë do ta ketë më të lehtë ta  menaxhojë edhe marrëdhënien me shefin politik të radhës dhe nuk do të provojë më të ankohet publikisht se ish-shefi i tij Rama është treguar, mosmirënjohës, nënvleftësues dhe i pasjellshëm me të.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Elvis Roshi dhe gjurmët e ikjes së tij mbi skenë

Nga Alfred Lela Elvis Roshi bëhet kryebashkiaku i dytë socialist, pas Shukri...
Read More