Politika

Meta zotohet në SHBA: Do i japim fund pandëshkueshmërisë





               Publikuar në : 11:43 - 13/05/16 |
mapo.al

Meta1Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë në Washington DC


Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, me të cilët bisedoi mbi përpjekjet e përbashkëta për një sistem të drejtësisë të paanshëm, të besueshëm dhe efikas në Shqipëri.



Z. Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA japin për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe i informoi për ecurinë e reformës në drejtësi, duke vënë në dukje se kjo reformë është në fazën e saj përfundimtare, atë të miratimit të saj.


Z. Meta rikonfirmoi angazhimin e tij për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kuvend dhe duke vlerësuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, si dhe punën e paanshme dhe profesionale të misioneve EURALIUS dhe OPDAT, theksoi se: “Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ne jemi të vendosur ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmerisë në Shqipëri ”.

Gjithashtu, z. Meta theksoi se Reforma në Drejtësi duhet të monitorohet në mënyrë që të jetë një histori suksesi.

Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, z. Bruce Swartz shprehu rëndësinë e veçantë që SHBA-të i kushtojnë miratimit të reformës në drejtësi dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri.

Z. Swatz shprehu gjithashtu vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

 

Meta2 Meta3 Meta4

 



Pas