fbpx

Kryesore

MEDIA TREND/ Aurora Sulçe: Duhet më shumë debat për ekonominë





               Publikuar në : 09:15 - 19/01/19 |
mapo.al

Gazetarja e njohur e ekonomisë tregon sfidën e re si producente ekzekutive në A2 CNN


Aurora, sapo keni nisur një rrugëtim të ri televiziv me televizionin A2 CNN, si ndiheni në studion e re?



Ndihem shumë mirë në fakt, jo vetëm në studion e re, por në të gjithë projektin. Është një sfidë e madhe televizive, por edhe e imja personale. Në televizionin A2 CNN unë kam rolin e Producentes Ekzekutive për Biznesin, çka do të thotë drejtimin e të gjithë sektorit të ekonomisë, së bashku me moderimin e dy emisioneve.


Njëri i përditshëm A2 Business, ku brenda 12 minutash në fashën e orarit 14:35 ne japim në mënyrë të përmbledhur dhe shumë profesionale gjithçka që ndodh me ekonominë e ditës në vend dhe botë, me të ftuar, grafikë dhe lidhje nga terreni, për të sjellë informacionin më të shpejtë dhe më të detajuar për ata që na ndjekin.

Emisioni i dytë është A2 Business Week, të mërkurën në ora 20:00, ku ne trajtojmë me të ftuar lajmin kryesor të javës, thellohemi në analiza dhe diskutime, për të sjellë të gjithë gamën e trajtimit të problemit, me argumentet pro dhe kundër.

Është një platformë për ekonominë që nuk është bërë deri më tani nga asnjë nga mediat shqiptare, e hartuar nga ekspertët e CNN në Atlanta dhe që realizohet me shumë përkushtim dhe profesionalizëm.

Sa ndryshe janë emisionet e reja me emisionet që keni bërë me parë tek Ora News?

Në fakt janë të ndryshme. Kjo për shkak të dinamikës dhe interaktivitetit më të madh që kanë. Është specifikë e CNN që lajmet dhe emisionet të jenë të shkurtra dhe shpejta për shikuesit. Kjo karakteristikë po zbatohet edhe në A2 CNN, televizioni affiliate i CNN në Shqipëri.

Në këtë kuadër, emisionet janë më të shkurtra se ato që unë kam realizuar më përpara. Kjo bën që gjërat të thuhen dhe të trajtohen me më shumë ritëm dhe për pasojë, kërkon më shumë përgatitje me temat, të dhënat dhe të ftuarit.

Gjithashtu, është karakteristikë e CNN dhe rrjedhimisht edhe e televizionit tonë grafika, që është pjesë e rëndësishme e të gjithë platformës ekonomike, për ta bërë të kuptueshme informacionin ekonomik për audiencën tonë.

Si i zgjidhni të ftuarit? A keni vështirësi në gjetjen e ekspertëve të fushës së ekonomisë?

Në fakt, jo vetëm A2 Business dhe A2 Business Week, por A2 CNN ka të ftuar të zgjedhur, që sjellin ekspertizën më të mirë për çështjet që trajtojmë.

Vështirësia qëndron në identifikimin dhe përzgjedhjen e emrave të rinj, çka shoqërohet edhe me një mendim dhe argument të diversifikuar për teleshikuesit. Të ftuarit vijnë me dëshirë në emisionet ekonomike dhe në televizionin tonë, falë eksperiencës dhe rrjetit shumë të mirë që kanë të gjithë gazetarët.

Si mund ta bësh ekonominë dhe diskutimet mbi shifrat të kuptueshme për shikuesin e zakonshëm?

Duke mos harruar asnjëherë se kryesorët, janë shikuesit tanë. Që çdo emision apo lajm që përgatitet, bëhet për ta. Ekonomia është e rëndësishme në Shqipëri dhe kudo. Unë përpiqem të flas me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë dhe padyshim, elitare dhe specifike për çështje të caktuara të biznesit, financës apo makroekonomisë në përgjithësi. Kjo në varësi edhe të temës që trajtohet në emision apo target-grupit që i drejtohesh.

Është një praktikë që ne përpiqemi që ta zbatojnë edhe ata që ftojmë në studio. Personalisht, më vjen natyrshëm, edhe për shkak të eksperiencës sime si pedagoge.

A mendoni se ka mungesë emisionesh ekonomike në median shqiptare? Pse sipas jush, nuk i kushtohet vëmendja që duhet kësaj teme?

Gjithmonë e më shumë media po orientohet drejt ekonomisë, edhe pse fatkeqësisht, ende nuk po flitet aq sa duhet. Unë besoj se media nuk ka mision vetëm informimin, por edhe edukimin e publikut. Ndaj, në këtë drejtim, është e vërtetë që ka mungesë emisionesh ekonomie dhe ekzistojnë hapësirat televizive për më shumë vëmendje.

Unë kam realizuar dhe moderuar emisione ekonomie në News 24, Ora News e tani në A2 CNN. Ajo që kam kuptuar është se duhet thyer mentaliteti se ekonomia nuk kuptohet nga shikuesit dhe rrjedhimisht, nuk ndiqet prej tyre.

Unë kam arritur me emisionet e mia që të kapë audiencë, jo vetëm pjesën elitare të interesuar për ekonominë, por të gjitha shtresat. Kjo nëpërmjet përzgjedhjes së temave të duhura, por edhe mënyrës së trajtimit të tyre. Ekonomia është e bukur, kur arrin ta sjellësh afër njerëzve dhe ta bësh për ta dhe njerëzit, e kuptojnë dhe e kërkojnë këtë gjë.

Cila është Aurora pas ekranit? Si ia dilni të vini balancën mes punës dhe familjes?

Në fakt, nuk më mbetet aq kohë sa do të dëshiroja, por përpiqem gjithmonë që të mos harroj, se cilat janë prioritete e mia. Në 18 vite në gazetari kam kuptuar që puna është e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja.

Ajo që është thelbësore është të qenit i lumtur. Ndaj dhe përpiqem që të rri me njerëzit që më bëjnë të lumtur dhe të ndjek pasionet e mia. Kjo ndikon më pas që ta bëj edhe më mirë punën time.

Pjesë e lumturisë sime kohët e fundit është bërë edhe një qenushe e vogël, me emrin Buba, çka më ka bërë që të ridimensionoj të gjithë ditën time, por që në këmbim, më fal shumë dashuri.


Etiketa: , , , ,

Pas