Me diplomë Oksford-i në Tiranë

kryesore -cover (1)“UET ALUMNI International 2016”, takimi i studentëve të UET që studiojnë në universitetet më të mira në botë. Të rinj e të reja që studiojnë në universitetet më prestigjioze në botë rikthehen në shtëpinë e tyre të parë akademike

Oksford apo Harvard duken emra të largët për Shqipërinë dhe numërohen me gishtat e dorës shqiptarët që kanë pasur fatin të studiojnë në këto universitete, apo në të tjera të ngjashme me ta. Por, nuk është e pamundur. Me një diplomë shqiptare në xhep të marrë nga Universiteti Europian i Tiranës, Sashenka Lleshaj, u pranua në universitetin më të mirë në botë dhe pas studimeve atje po punon pranë Fondacionit Sorros në Tiranë.

Sashenka ka qenë ndër të parët studentë të UET-it që patën guximin dhe provuan veten në mjedise akademike ndërkombëtare duke ia dalë me sukses. Tashmë numri i tyre shtohet çdo vit dhe çdo vit në verë shtohet dhe pjesëmarrja e tyre në takimet e UET-ALUMNI International, një nëndegë e rëndësishme e Alumni-t, ku bëjnë pjesë studentët ndërkombëtare që UET ka nxjerrë nga auditorët e tij.

Studentët e Universitetit Europian të Tiranës sot studiojnë në dhjetëra universitete prestigjioze në Europë, e më tej, duke sjellë çdo verë atmosferën e vendeve nga vijnë dhe duke shprehur dëshirën për të vijuar karrierën e tyre të mëtejshme akademike apo profesionale në Tiranë. Ata i mblodhi bashkë takimi i përvitshëm në UET në fund të Gushtit, ku ndanë eksperiencat e tyre.

Ardit Kola, vjen nga Londra me shi, ku studion në një nga universitetet më prestigjioze në top-listën botërore, King’s College London, ku studion për drejtësi. Edhe ai si kolegët me të cilët takohet në sallën Consillium në UET ka nisur përvojën akademike nga ky universitet shqiptar që shënon këtë vit 10-vjetorin e tij duke u krenuar me ‘pasaportën’ që u ka dhënë këtyre të rinjve për të shkëlqyer atje ku kanë zgjedhur të shkojnë.

Ka prej tyre që janë rikthyer ose duan të rikthehen sërish në UET pas përvojës ndërkombëtare. Elona Shehu, pas pesë viteve në UET arriti të fitojë studimet Master në Holandë, në Amsterdam, pro nuk zgjodhi të jetonte atje. Ajo vazhdon studimet e doktoraturës në UET dhe është pjesë e stafit të universitetit.

Erjon Curraj është një nga studentët e doktoraturës së UET-it, që ka fituar bursë studimi me “Erasmus Mundus Sigma Agile” në një prej universiteteve më të mira për teknologjinë në Finlandë. Pas studimeve atje ai tha se është ftuar të bëhet pjesë e një projekti akademik të universitetit finlandez.

alumni ilustrueseStudentët ndërkombëtarë, pasaporta e universitetit në botë

Disa vite më parë, kur UET ishte në fillimet e tij, pyetja më e vështirë ishte: A njihen diplomat e UET jashtë? Por kjo pyetje ka vite që e ka marrë përgjigjen dhe madje po korr frytet e suksesit të studentëve që janë diplomuar në UET dhe kanë vijuar karrierën e tyre në auditorët më prestigjiozë në botë. Disa prej tyre përvojën dhe dijen e fituar jashtë e kanë rikthyer në UET, ku punojnë ose vijojnë studimet e doktoraturës.

Takimi i UET-ALUMNI International është kthyer tashmë në traditë në çdo fund gushti për të takuar së bashku të gjithë ish-studentët që vazhdojnë studimet jashtë vendit për të ndarë eksperiencat e tyre dhe për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit me universitetin që u ka dhënë diplomën e parë. Në një atmosferë plot kuriozitet dhe histori të ndryshme që vinin nga Europa apo përtej Atlantikut u zhvillua sot takimi i këtij viti, ku ishin pjesëmarrës shumë prej studentëve që ndodheshin gjatë verës me pushime në Shqipëri. Ata vijnë nga universitete, si: Oxford, King’s College London, LSE, Universitee de Montpelleir, Francë, apo nga universitete të tjera prestigjioze nga SHBA, Finlanda, Hungaria, Gjermania, Italia etj., por të gjithë i bashkon shtëpia e parë akademike, Universiteti Europian i Tiranës.

Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, i përgëzoi për arritjet e tyre akademike dhe i cilësoi si “pasqyra e Universitetit Europian të Tiranës në botën jashtë”.  Ai theksoi se ata janë gjithashtu pasaporta ndërkombëtare e UET-it, fytyra me të cilën ky institucion prezantohet në botën akademike jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kësisoj janë një vlerësim dhe për nivelin e mësimdhënies në UET.

Nga ana tjetër, themeluesi i UET, z. Henri Çili, iu dha një lajm të mirë të gjithë studenteve Alumni international duke iu bërë të qartë se dyert e universitetit janë të hapura për ta, për të konkurruar në vendet e reja të punës në stafin akademik apo për bashkëpunime e projekte të ndryshme. Ai vlerësoi se eksperiencat e tyre nga universitetet ku kanë qenë janë një plus për UET-in dhe për rritjen e cilësisë, që është dhe objektivi kryesor.

Ndërsa rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj, i cilësoi studentët e pranishëm si ambasadorë të UET-it në botën akademike jashtë. Ai tha ndër të tjera se “suksesi juaj tregon cilësinë tonë dhe punën tonë, duke nxjerrë studentë kaq të talentuar që prezantohen pa frikë në botën universitare në universitetet më të mira në botë. Ne kemi fituar betejën me cilësinë pasi jemi krenar që kemi përgatitur studentë të tillë”.

 

foto brenda alumniCivici: Alumni International na krahason me më të mirët 

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici  vlerëson rolin e komunitetit të studentëve ndërkombëtarë në ecurinë e mëtejshme të institucionit, duke i cilësuar ata si pasqyra e vërtetë e vlerave të vetë universitetit dhe nivelit të mësimdhënies në auditorin e tij. Ai tha se përvojat dhe sugjerimet e tyre do ta ndihmojnë universitetin të bëhet edhe më i mirë duke u krahasuar me më të mirët në botë.

“Takimi me studentët, në fakt ish-studentët, është takimi më i veçantë sepse ish-studentët janë pasqyrimi më i mirë për Universitetin Europian të Tiranës, njëkohësisht vlerësimi që kanë ish-studentët dhe studentët për universitetin e tij pasi kalon në universitetet më të mira, më prestigjioze, janë nga universitetet më të mira në botë, duke u ballafaquar me universitetet më të mira në botë, kështu është mundësia se çfarë kanë më të mirë universitetet në botë dhe çfarë mund të ndryshojmë apo të bëjmë në universitetin tonë. Këtë takim e donim pasi ndihemi krenar që ju kemi këtu, edhe për t’u njohur me studentët e tjerë pasi përbën një komunitet të UET dhe për të diskutuar eksperiencat që keni pasur në këtë universitet, të krijojmë një traditë të veçantë të Alumni International, por edhe të bisedojmë rreth sugjerimeve, kërkesa që UET-i të bëhet sa më i mirë për studentët në formimin e studentëve në funksionet që ka si universitet, në marrëdhënien e studentëve me pedagogët etj., pra gjithçka që keni parë ju në mjedisin e universiteteve botërore për ta ballafaquar në atë çka mund të bëjmë ne më mirë”, tha Civici.

Ai theksoi se sa më shumë studentë të UET-it të përballen me botën akademike jashtë, aq më i fortë bëhet UET-i. “Ne me ju jemi më të fuqishëm, më të mëdhenj, më cilësorë, më të plotë, sepse ju jeni pasqyra që ka UET-i, krahas studentëve koherent që vijnë dhe ikin dhe trupit pedagogjik. Ne kërkojmë rekomandime nga ju për të ndryshuar dhe për ta bërë gjithmonë e më shumë në funksion të studentëve”, u tha Civici studentëve dhe ish-studentëve të UET-it në takimin e Alumni International 2016.

nerimanda bajraktariNerimanda Bajraktari, diploma e huaj të jep guxim për karrierën

Profil ALUMNI/ Nga bankat e UET në një universitet finlandez i kanë dhënë guximin për të kërkuar një karrierë në menaxhim

Pasi ka studiuar në UET, Nerimanda Bajraktari, fitoi të drejtën e një Masteri me anë të Programeve Exchange jashtë Shqipërisë, të drejtën e zhvillimit të një viti studimi në Finlandë, si pjesë e programit të Sigma Agile Exchange. Ajo është kthyer sërish në UET dhe sheh me sy optimist të ardhmen e saj në fushën e menaxhimit.

Cilat janë planet për karrierën?

Vij pas një viti shkollë në Universitetin e Teknologjisë së Lappeenrates (Lappeenranta University of Technology) në Finlande, ku kam studiuar Biznes dhe Teknologji.

Pas kthimit nga Finlanda kam fituar të drejtën e zhvillimit të praktikës kombëtare pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si pjesë e programit të Praktikës Kombëtare të punësimit. Synoj një karrierë të përqendruar në fushën e Biznesit, dhe në një të ardhme të jem e aftë të ndërtoj një biznes timin. Ose të jem pjesë e nivelit C të menaxhimit në ndonjë kompani kombëtare ose ndërkombëtare.

Sa të rëndësishëm e shihni një Master jashtë Shqipërisë?

Të zhvilluarit e një masteri jashtë vendit, sidomos në një shtet të nivelit të lartë ekonomik sjell shumë përfitime te një student nga Shqipëria: Së pari, të ndihmon në zhvillimin e të menduarit dhe të kuptuarit të kërkesave dhe funksionit të tregut të punës, sepse mënyra e zhvillimit të mësimeve ishte e lidhur ngushtë me atë çka kërkonin dhe ofronin bizneset ndërkombëtare. Në universitetin që unë kam studiuar i kushtonin shumë rëndësi punës në grup dhe bashkëpunimit midis studentëve. Së dyti, jetesa në një ambient, ku gjatë gjithë kohës isha i rrethuar nga studentë të kombësive të ndryshme më ka ndihmuar në zhvillimin e aftësive të mia komunikuese dhe bashkëpunuese.

Cilat mund të jenë disa nga vështirësitë që mund të jeni përballur atje dhe si ja keni dalë mbanë?

Lëvizja në një vend të ri, të panjohur më parë paraqet gjithmonë vështirësi. Në fillim e kisha të vështirë të ambientohesha me temperaturat e ulëta, me ambientin e ri dhe sidomos me personat që më rrethonin. Por, me kalimin e kohës fillova të shoqërohesha me studentet e tjerë, të ambientohesha me oraret, të merrja pjesë në aktivitete të ndryshme dhe fillova ta doja atë vend. Tani nëse dikush më pyet se cilin vend do të zgjidhja të jetoja, pa dyshim që përgjigja ime do te ishte Finlanda. Kam fituar shumë njohuri të reja, jam shumë më e përgatitur nga ana psikologjike për të përballuar çdo lloj ambienti, si dhe mbi të gjitha kam fituar shumë miq që janë njerëz të mrekullueshëm.

antonela CekixhiAntonela Çekixhi, gati për rrugëtim akademik në Gjermani

Pasi ka përfunduar në Universitetin Europian të Tiranës dy vite studime Bachelor për Financë-Bankë, Antonela Çekixhi, pret të kryejë udhëtimin e ri akademik nëpërmjet një burse Erasmus +, të fituar falë bashkëpunimit të universitetit të saj me projektin e madh europian. Ajo do të shkojë në Universitetin e Ludwigshafen në Gjermani për të studiuar në degën Financë, vetëm për semestrin e parë të vitit të tretë Bachelor. Ajo ishte pjesë e takimit të UET ALUMNI International, për të kuptuar eksperiencat e studentëve të tjerë që kanë qenë jashtë dhe për të marrë ndoshta dhe ndonjë këshillë prej tyre për eksperiencën e re që e pret në shtator deri në janar. “Për mua, që jam një studente e vitit të tretë BA e që pres të provoj eksperiencën e shkëmbimit të studimeve për një semestër, organizimi UET Alumni International 2016 ishte mjaft i vlefshëm pasi pashë nga afër se si studentë të tjerë të UET e kishin provuar më parë këtë eksperiencë dhe sa shumë kishin mësuar prej saj. Pati mjaft shkëmbime idesh dhe sugjerimesh të vlefshme për universitetin tonë. Për mendimin tim mbajtja e lidhjeve me universitetin ku kemi studiuar është mjaft e rëndësishme pasi kështu kemi mundësi për të qenë më pranë për të dhënë, pse jo kontributin tonë në përmirësimin dhe zhvillimin e universitetit”, thotë ajo.

Antonela beson se fakti që ajo do të ketë një diplomë të dyfishtë, pra shqiptare-gjermane, do ta ndihmojë më tej në karrierën e saj. “Një diplome e huaj do të kishte një ndikim goxha të madh për sa i përket tregut të punës. Të jep më shumë përparësi dhe është një vlerë e shtuar e çdokujt qe e ka. Planet e mia për të ardhmen janë të shumta, dhe nuk do të ngurroj të provoj mundësitë dhe sfidat e reja që mund të më presin si këtu, ashtu edhe jashtë vendit”, përfundon ajo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kryeveprat e artit italian të ‘900-ës mbërrijnë në Tiranë

Nën masa të rrepta sigurie dje kanë zbarkuar në Galerinë Kombëtare në...
Read More