fbpx

Kronika

Mati “mbytet” në hashash: Pronarët janë zyrtarë





               Publikuar në : 09:59 - 30/09/16 |
mapo.al

matOperacioni për zbulimin e drogës u krye mesditën e djeshme, ku brenda një banesë dhe magazine që ishte kthyer në laborator përpunimi hashashi, u gjetën 3052 kg kanabis. Shpallet në kërkim vetëm pronari i banesës ku u gjet droga, 45-vjeçari Shpëtim Lika. Në operacion mori pjesë FNSH-ja e mbërritur nga Tirana. Burime nga Prokuroria thanë për Panoramën se dyshohet se pronarët e parcelave janë zyrtarë policie, adminsitrate gjyqësore dhe të pushtetit lokal


Një fshat i vogël ai i Rremullit në Mat, me banesa që numërohen me gishtat e dorës, por kishin një pasuri të madhe, 3 ton e 45 kg lëndë narkotike e llojit hashash.



Droga është sekuestruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të mbërritur nga Tirana në mesditën e djeshme.


“Gjatë kontrollit në fshatin Rremull në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika në një përrua, është gjetur një hangar i ndërtuar me shtylla druri ku brenda tij kishte të varura për t’u tharë një sasi degësh të dyshuara si degë bimë kanabis sativa, si dhe 100 metra më lart te një banesë e pabanuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet dhe një sasi tjetër degësh bimë narkotike që ishte vendosur për t’u tharë” -njofton policia.

Sipas saj, menjëherë është njoftuar prokurori ku në prezencë të tij u peshua kjo sasia e bimëve që ishte në hangar dhe në objektin tjetër të pabanuar ku rezultoi se pesha ishte gjithsej 3052 kg.

I dyshuari se dispononte drogën, 45-vjeçari Lika është shpallur në kërkim dhe pavarësisht pranisë së madhe të policisë nuk është kapur.

Gjithashtu, policia është vënë në “mbrojtje” ku është kujdesur që në deklaratën zyrtare të nënvizojë që suksesin ta marrë totalisht, ndërsa ka mohuar që në këtë rrjet të kultivimit të narkotikëve të jenë përfshirë zyrtarë të policisë, apo pushtetit lokal.

Por burime nga Prokuroria thanë për Panoramën se dyshohet se pronarët e parcelave janë zyrtarë policie, adminsitrate gjyqësore dhe të pushtetit lokal.

“Operacioni është zhvilluar nga policia dhe bazuar në informacionin të grumbulluar në rrugë operative. Gjithashtu, sqarojmë se nuk ka asnjë punonjës policie apo punonjës të administratës të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje” -saktësojnë burimet zyrtare.

Përveç sasisë së madhe të drogës mbi tre ton, gjysmë të tharë, agjentët e policisë asgjësuan dje 4020 rrënjë bimë narkotike në fshatin Rremull, në afërsi të quajtur “Përroi Kurvajës”.

Gjithashtu, në tre ditët e fundit në total në zonën e Matit u asgjëson rreth 12.966 bimë narkotike.

Edhe pse për momentin i vetmi person i shpallur në kërkim është 45-vjeçari Lika, dyshohet se numri i kultivuesve dhe trafikantëve të përfshirë në këtë rrjet të jetë shumë më i madh.

Një detaj tjetër jo pak i rëndësishëm në këtë operacion është se efektivët e Komisariatit të Matit kanë pasur “rol” vetëm në drejtimin e rrugës, pasi i gjithë aksioni është kryer nga njësia e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që kishin mbërritur nga Tirana.

Nga të dhënat që disponojnë strukturat e rendit dyshohet se në këtë zonë të jenë mijëra bimë të tjera narkotike të kultivuara dhe pritet që për të paktën dy ditët në vijim operacionet të shtrihen edhe në fshatra të tjerë në Mat.

Çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit, por nga informacionet paraprake mësohet se banorët e këtyre fshatrave nuk janë “pronarët” e drogës, por për disa muaj kanë punuar në këto parcela kundrejt pagesës prej 20 mijë lekësh të vjetër për ditë pune.

Duke nisur për nga sasia mjaft e madhe e sekuestruar ka të dhëna që kultivuesit dhe bosët e vërtetë nuk jetojnë në këtë fshat dhe vetë banorët nuk i njohin.

Ndërsa burime zyrtare të Policisë së Shtetit shprehen se numri i bimëve të asgjësuara deri më tani për këtë vit kap shifrën e mbi 2 milionë.

Me gjithë operacionet e shumta të zhvilluara në vend, sërish ka të dhëna se sasi e madhe narkotikësh është grumbulluar ku një pjesë ka përfunduar procesin e tharjes dhe paketimit, ndërsa të tjera janë ende në përpunim.

Nga ana e strukturave policore mësohet se tashmë pritet që pas pak ditësh të kalojnë në planin “B”, që lidhet me kapjen e kanabisit të gatshëm për t’u tregtuar.

Përveç kontrolleve në zonat urbane pritet që të zhvillohen operacione edhe në fshatra, pasi është momenti që droga të kalojë në duart e trafikantëve. Gjithashtu, të tjera shërbime shtesë nga policia do të ketë edhe në pikat e kalimit kufitar.

 

Veç arave me kanabis, edhe laboratorë për përpunimin

Kultivuesit “grosistë” kanë marrë masat që të kalojë gjithçka në një proces zinxhir për sa i përket kultivimit, përpunimit dhe më pas trafikimit të drogës.

Në disa zona pranë arave me kanabis policia ka sekuestruar edhe magazina të shumta që shërbejnë për procesin final të përpunimit të kanabisit.

Pasi bima arrin kohën e pjekjes, kanabisi pritet dhe për pak ditë qëndron i varur në magazina dhe ambiente të tjera të mbyllura për t’u tharë.

Procesi tjetër më pas lidhet me vjeljen e boçeve dhe në fund kryhet peshimi dhe paketimi i kanabisit që është i gatshëm për treg.

Vetëm një javë më parë në Ishëm të Durrësit, vetëm tre kilometra larg vendit ku u rrëzua avioni që drejtohej nga 69-vjeçari italian Guido Andrea Guidi, u zbulua një vilë që shërbente si laborator droge dhe brenda saj u bllokuan mbi 300 kilogramë kanabis.

Pronari i objektit nuk u ndalua, ndërsa në pranga përfunduan vetëm tre individë që kryenin transportin e punëtorëve.

Të dhënat tregojnë se me dhjetëra magazina dhe banesa në të gjithë vendin janë kthyer na laboratorë të përpunimit të bimëve narkotike.

 



Pas