fbpx

Kryesore

MAPO LETRARE/ Ylljet Aliçka: Libri mbi ‘ndërkombëtarët’ lindi nga një peng





               Publikuar në : 09:23 - 19/01/19 |
mapo.al

“Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, romani i Ylljet Aliçkës botohet në italisht nga Rubbettino. Historia e një libri që do të trazonte raportet e shkrimtarit me të huajt, por dhe do të sillte historinë tjetër të një Shqipërie në ndryshim…


“Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, romani i njohur i Ylljet Aliçkës tashmë mund të lexohet edhe në italisht, nën përkthimin e Elio Mirakos dhe Amik Kasoruhos, botuar nga shtëpia botuese “Rubbettino”, duke zgjeruar kështu hartën e gjuhëve të letërsisë së këtij autori. “Diplomatët në karierë – Një komedi e hidhur dhe një ironi thumbuese”, shkruan botuesi italian. Selia e një përfaqësie diplomatike ndërkombëtare në Shqipëri, menjëherë pas rënies së komunizmit; një ambasador i dëshpëruar, për shkak të tradhtisë të së dashurës së tij të re; disa atashé, me kombësi të ndryshme, që bëjnë luftë bërrylash cili të dalë në krye. Dhe një, nënpunës i ri shqiptar, që vëzhgon paternalizmat, zilitë, karrierizmat dhe hipokrizitë e këtij cirku të larmishëm. Një komedi e ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht, që zbulon intrigat e prapaskenës të një prej misioneve “humanitare”, nga ku lind natyrshëm pyetja: si mund t’u vijë në ndihmë Perëndimi vendeve në zhvillim, kur ka qasje megallomane dhe dominuese, dhe si mundet që një vend në tranzicion të pranojë ndihmën e atyre që tallen me identitetin e tij. Ironia e mprehtë dhe therëse e Aliçkës – që si ish-diplomat e njeh mirë botën që rrëfen – godet si shpëtimtarët e zellshëm ndërkombëtarë, ashtu edhe vendasit e nënshtruar dhe fatkeqë. Një roman sarkazmë, i freskët dhe gazmor, që meriton të zërë vend nderi në traditën më të mirë ballkanike të këtij zhanri. Romani “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar në shqip nga Botimet Toena në vitin 2009. Ndërkohë, ai është përkthyer dhe botuar edhe në Francë dhe në Norvegji dhe është në proces botimi në Egjipt. Më poshtë autori vjen me një intervistë për MapoLetrare mbi këtë libër.



Urime për botimin e romanit në italisht. Duket po zgjerohet ngadalë gjeografia e botimeve të këtij romani. Fillimisht në Francë, më pas Norvegji dhe tani Itali…


Më mirë vonë se kurrë. Romani është përkthyer dhe po bëhet gati për botim dhe në gjuhën arabe

Libri po i reziston kohës…

Pavarësisht nga ngacmimi estetik që bëri libri, tematika e pranisë së komitetit ndërkombëtar, marrëdhënia e Shqipërisë, klishetë apo steriotipet, zhgënjimet, keqkuptimet apo mos informimet e duhura janë aktuale në Shqipëri midis ndërkombëtarëve, por edhe në vendin tonë. Skemat universale të ndërkombëtarëve ose rregullat në bllok, shpeshherë nuk përputhen me realitetin kompleks ose të copëzuar të Shqipërisë. Pra ka një distancë, midis perceptimit që kanë institucionet ndërkombëtare me rregullat dhe modelet e tyre në bllok, të cilat nuk janë lehtësisht të përshtatshme me realitetin tepër kompleks shqiptar”.

Çfarë është libri “Ndërkombëtarët”? Si dhe pse ju lindi kjo ide?

Ideja më lindi nga një mllef personal, gjatë punës sime në një përfaqësi ndërkombëtare: mllef dhe peng që s’dija si ta shkarkoja. I përfshirë në suazën e një romani, natyrisht që drejtpërsëdrejti apo tërthorazi problematika individuale merr një dimension më të gjerë nga realiteti i sotëm, realitet i cili, sipas meje, dëshmon se është më i ndërlikuar, dhe më i copëtuar, se parimet e vetë organizmave ndërkombëtare dhe se shpesh parimet  në bllok, apo rregullat universale,  mbeten të pa përshtatura në raste e situata specifike.

Në një plan më të gjerë, të gjithë neve na ka intriguar traumatizmi i shqiptarëve nga diskriminime, që jo rrallë ka arritur deri në racizëm. Të përballur me një arrogancë “elitare” (shpesh e përzier me injorancë) shumë shqiptarë (me post ose pa post, brenda dhe jashtë vendit) thuajse janë përshtatur duke u pajtuar nënshtruar.

Fyerjet kanë marrë jo rrallë herë dhe formën e blasfemive, siç ishte rasti  i akuzës së ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, mbi transplantimin dhe trafikun e organeve ç’të ushtarëve serbë të vrarë nga UÇK-ja, alibi e shëmtuar, që synonte, as më pak as më shumë, të ulte vlerat morale apo që krijon opinionin se shqiptari e ka humbur tashmë pa kthim ndjesinë e të qenit evropian.

Shqiptarët kanë pasur gjithnjë vështirësi për të kuptuar orvatjet e veshura me një “objektivitet të ashpër” të Znj. Del Ponte. Dua të rikujtoj se urrejtja e shqiptarëve nuk ka qenë aq e rrezikshme sa miqësia e tyre.

Ndofta kjo vjen ngaqë mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor të ndërkombëtarëve për   zhvillimin e Shqipërisë post diktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huaj.

Kjo  shërbeu jo rrallë për të ngritur mite mediokre, vetëfetishizime, narcizëm apo mjete të sofistikuara të përpunimit të opinionit publik. Dhe sa herë që ndodh që kjo mendësi përkëdhelëse që shqiptarët i ofrojnë ndërkombëtarëve nuk përkon me realitetin e gjerave, apo ndesh në rezistencën e vendasve,  atëherë menjëherë dëgjohet rëndom të thuhet se “bota në këtë vend ecën së prapthi”. Imazhi fals rrezikohet të humbasë, bie menjëherë veshja elegante, snobiste e ekzibicioniste, për të kaluar në një agresivitet, i cili në më të shumtën e herëve, funksionon i maskuar. Ndodh që “gjatë lodhjes dhe rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për t’u treguar vendasve rrugën e përparimit” ndërkombëtarëve u merr kuptim të ri jeta falë  përkujdesjes dhe mikpritjes së vendasve. Personazhet e romanit janë nëpunës  ndërkombëtarë që punojnë dhe jetojnë në një institucion apo përfaqësi e huaj X, dhe që “rastësisht” kjo përkon me privilegje apo përparësi financiare në planin ekonomik e më gjerë. Kurse në planin shpirtëror kjo prirje shkon në favor të mendësive narcistikë të ndërkombëtarit,  si dhe dëshmon (vetëdëshmon) për “kurajën dhe heroizmin” për të punuar dhe “rrezikuar kokën” në këtë shkretëtirë”.

Parimet  në bllok, apo rregullat universale të këtyre organizmave  mbeten të pa përshtatura në raste e situata specifike të realitetit të koklavitur shqiptar. Madje, jo në pak raste, të interpretuara mbi shije dhe ndjesi individuale të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Keqkuptimi apo Deformimi vjen sipas meje, sapo ballafaqohen kufijtë midis klisheve apo stereotipive të imazhit të vendit me realitetin konkret që ndërkombëtarët  gjejnë këtu.

Më së shumti të huajt kanë këndvështrime sensacionale, apo ekzotike, të cilat ofrojnë  hapësirë të mjaftueshme për opinione të deformuara. Ka një diferencë të madhe se si e shohim ne veten, si na shohin të huajt në përgjithësi dhe si jemi ne realisht. Është pikërisht kjo diferencë sipas meje burim i moskuptimeve, nga të dyja krahët si dhe e imazheve negative për Shqipërinë.

Ka një mospërputhje nga njëra anë e identitetit tonë real, në tërësinë e tij të koklavitur (fundja si e çdo kombi) apo dëshirës sonë për të afishuar në arenën ndërkombëtare atë identitet që na sjell më shumë dobi si komb, dhe nga ana tjetër aftësive pritëse apo thithëse të partnerëve institucionalë, politikë apo kulturorë ndërkombëtarë. Çdo vend, institucion ndërkombëtar apo popull kërkon të njihet me problematikën e një vendi tjetër, në rastin tonë të Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale, e shpirtërore.

Për këto dhe shumë arsye të tjera mendoj se ndjeshmëria ndërkombëtare ndaj vendit tonë  ka prirje standardizimi, për të përfunduar jo rrallë herë në retorika monotone. Për pasojë spontanisht më ka lindur pyetja: A është interesi aktual i Ndërkombëtarëve për Shqipërinë emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo në ndonjë rast dhe alibi?

Nga ana tjetër shpesh jam ngacmuar nga dilema nëse ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore ndërmjet vendeve në tranzicion (Shqipëria) për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera nënkupton edhe hierarkinë e tyre.

Shumë nga klishetë, apo shabllonet e krijuara për imazhin jo gjithnjë pozitiv për Shqipërinë, në pjesën më të madhe e kanë burimin nga keqinformimi apo mosnjohja reciproke.

Për pasojë, më shumë se sa deficiti demokratik  mendoj se  kjo është dhe pasojë e një deficiti komunikues.

Po sipas jush cilët jemi ne, në këtë roman?

Realiteti kulturor shqiptar ka dëshmuar shpesh herë se shqiptarit, të frikësuar se mos humbasë “të vjetrën” dhe shpesh me dëshirën për të fituar “të renë” (koncepte këto që, si pa kuptuar, i përplasen atij me njëri-tjetrin), i ndodh një rrëmujë e vërtetë ekzistenciale dhe e gjithë kjo duket sikur justifikohet me zhvillimin post modern, pa e ditur që këtë “amulli sociale” e krijojnë pikërisht “rrënjët” e tij.

Në një plan të gjerë mendoj te “halli apo dilemat”, e zgjedhjes midis etnocentrizmit dhe eurocentrizmit.

Në vorbullën e gjatë të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, këto mëdyshje kanë krijuar paragjykime, të cilat pastaj kanë ushqyer kastat politike dhe janë shfrytëzuar prej tyre si psikoza kolektive për përplasje dhe ballafaqime. Mu për shkak të këtij realiteti të hidhur historik, … faktorët përcaktues të individit janë parë vetëm me ngjyrime patriotike, morale, parimore, në formë idealesh, duke injoruar kështu aspektin pragmatik të identifikimit, duke harruar me ose pa qëllim shtysat apo interesat ekonomike e ato të protagonizmit në përcaktimin e identitetit në realitetet e reja politike, ekonomike e shoqërore.

Përvoja e jetës brenda dhe jashtë vendit  më ka ndihmuar të kuptoj më mirë, sado që me vonesë, se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.

Shqipëria ka shumë për të prezantuar nga përvoja e saj e lashtë dhe e re, vlerat e saj por ka nevojë për hapësirën që i takon si dhe për një njohje reciproke të lirë:

Mjaft të përmendim se identiteti kulturor shqiptar nuk është reduktuar në etninë, por është parë në plane të ndryshme si histori, kulturë, edukim, situatë shoqërore. Historia ka dëshmuar se ai komb që ka vuajtur e luftuar për dinjitetin e tij kombëtar dhe identitetin e tij kulturor është gjithnjë më tolerant e më i kulturuar se të tjerët.

Dhe së fundi, asnjë komb evropian, historikisht i lumtur apo fatkeq, nuk ka hequr dorë nga gjuha e tij letrare, nga letërsia dhe arti i tij, nga perceptimi i tij unik i vlerave të jetës si vlera kulturore. Ruajtja dhe shpëtimi i individualitetit të kulturës shqiptare duhet të jetë kushti sine qua non i aksionit të saj. Në këtë kuptim, mbrojtja e saj nuk është vetëm një simptomë e situatës së kulturës shqiptare sot, por vetë simboli i saj efikas.

U fol ato kohë për shqetësime të ndërkombëtarëve ndaj jush. Ç ‘përshtypje kanë pasur?

Të të gjitha llojeve por një pjesë e konsiderueshme  përshtypje negative, madje për një periudhë kohe me mjaft telashe  apo shqetësime serioze në nivelin personal: dikush prej tyre më kërcënoi me gjyq (u frenua më pas nga vetë zyrtarë eprorë të tij), ndërsa dikush tjetër më rezultoi se kish paraqitur ankesë zyrtare pranë instancave më të larta të shtetit shqiptar, për të “ndaluar librin dhe dënuar autorin”. Kam marrë vesh e hierarkia e lartë shtetare shqiptare e ka refuzuar këtë propozim, duke dalë në mbrojtje të autorit. Natyrisht që u mbetem mirënjohës.

Por së fundi, dua të kujtoj se mbrojtjen më domethënëse e mora atë kohë nga vetë instancat e larta ndërkombëtare, nga Qendra e përfaqësisë ndërkombëtare ku punoja, duket në respekt të parimit të shenjtë të kulturës evropiane që i përkisnin, pra mbrojtja e fjalës dhe lirisë së shprehjes.

Çfarë mendimi keni për rolin që luajnë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri?

Nuk ka dyshim, se pas rënies së regjimit Shqipëria do  rrezikonte shumë mbijetesën e saj pa ndihmën dhe asistencën ndërkombëtare, ardhur kryesisht nga dy aleatët e saj strategjikë SHBA dhe Bashkimi Europian. Por nga ana tjetër është vërtet alarmant imazhi negativ që ka mbizotëruar e vazhdon të mbizotërojë sot (megjithë përmirësimet) në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili krahas zhgënjimeve dhe deziluzioneve në planin individual, është shndërruar në një pengesë serioze në planin politik e atë institucional.

Pa dashur të përjashtoj dukuritë negative që ka gjeneruar vetë një pjesë e shoqërisë shqiptare brenda  dhe jashtë vendit, pra vlerat  apo antivlerat  që trashëgon e bart aktualisht shoqëria shqiptare, dhe njëkohësisht pa dashur të anashkaloj vlerën dhe ndihmën e paçmuar ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, kam mendimin se një pjesë jo e pakët përgjegjësie apo faji për klishetë apo shabllonet e krijuara për imazhin negativ Shqipërisë e shqiptarëve, e kanë dhe “të jashtmit”.

Ndër mendësitë zotëruese, aspak e papërfillshme që e ka favorizuar këtë imazh dhe që ka qarkulluar shpesh në nivele individësh (të huaj), ka të bëjë me faktin se sa më shumë ta nxish artificialisht realitetin e vendit (në rastin tonë të Shqipërisë) ku punon dhe jeton një institucion apo përfaqësi e huaj, aq më shumë kjo “rastësisht përkon” me privilegje apo përparësi financiare në planin ekonomik e më gjerë. Kurse në planin shpirtëror kjo prirje shkon në favor të mendësive narcistike të ndërkombëtarit, si dhe dëshmon (vetëdëshmon) për “kurajën dhe heroizmin” për të punuar dhe “rrezikuar kokën në këtë shkretëtirë”.

Mjaft të huaj, anonim në vendet e tyre, me të ardhur në Shqipëri, gjatë “lodhjes dhe rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për tu treguar vendasve rrugën e përparimit” u merr kuptim të ri jeta, falë përkujdesjes dhe mikpritjes së “indigjenëve”. Është kjo arsye që shumë prej ndërkombëtarëve nuk ndahen dot apo trishtohen pa masë kur largohen nga Shqipëria.

Që më së shumti kanë përligjur a përdorur  për të mbuluar: pasiguritë e jetës së tyre dhe mbi të gjitha mosdashurinë ndaj vendit tonë.

Mund ta quajmë libër politik?

Të paktën për këtë libër besoj se po, sado që në zanafillë nuk u nisa nga një ideal apo mision për t’i dërguar shoqërisë shqiptare ndonjë mesazh historik. Rëndom motivimin për të shkruar nuk e marr nga roli i misionarit, por për të sjellë ngjarje reale,  gati në kufijtë e së vërtetës, në mënyrë që lexuesi edhe të argëtohet, dhe njëkohësisht të shohë këndvështrimin tim mbi ngjarjet që trajtohen, ngjarje që në një farë mënyre lexuesi i njeh. Ne, p.sh., përpiqemi ta njohim identitetin apo problematikën gjermane apo franceze, për aq sa  na duhet  për të përmbushur interesat  tona pragmatike, politike apo kulturore. E njëjta gjë  i bie të ndodhë dhe me imazhin  e ndërtuar nga opinioni publik ndërkombëtar ndaj nesh, pa pretenduar  se ne  jemi në qendër të vëmendjes dhe se tërë bota e ka mendjen  gjithnjë tek ne.

Çdo krijues ka specifikën e tij në gjetjen e raportit mes fiksionit dhe reales, apo është autentik në mënyrën se si i sheh gjërat. Për mua, dhe jo vetëm, njohja e një kohe apo e natyrës njerëzore bëhet më mirë në përditshmërinë, në rutinën e jetës së tij, atë që ai njeh më mirë, që e ka jetuar personalisht. Në pjesën më të madhe të krijimeve të mija, për të mos thënë në të gjitha, unë nuk e ndaj jetën time nga vepra, shkruaj për atë që kam ndjerë, pra si pjesëza rezonance të kohëve që kam përjetuar e që përjetoj.

Në krijimet e mia i jam shmangur akuzës apo marrjes së një qëndrimi. Në përgjithësi synimi a merita është ta çosh ngjarjen ose interpretimin e saj në atë rrugë që vetë lexuesi ta gjykojë. Të lidhësh personazhet me faktet në atë mënyrë që lexuesi të mund të gjykojë vetë për ngjarjet dhe periudhën të cilës i referohesh. Më të prekshme ndoshta jo, për që të bëhet më e kuptueshme për lexuesin.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas