MAPO LETRARE/ Spartak Ngjela: Të mbrosh një grua përmes letërsisë

Avokati i njohur rikthehet në skenën letrare me romanin “Hakmarrja e një gruaje”. Historia e një prej femrave më të bukura të Tiranës së dikurshme e cila vendos të vrasë përdhunuesin e saj

-Do ta vras!

Sofie Rasku ishte e bindur se duhet ta kryente vrasjen. Gjithë këto kohë kishte sjellë në mendje gjithçka kishte ndodhur. Mbrëmjeve ky mendim bëhej torturues, kur vështrimi i ndalej në portretin e të shoqit. Sytë e tij duken sikur e përndjekin, jo vetëm si një dashuri që do ta shoqërojë gjithë jetën, por edhe si një lutje që ajo përpiqej ta mendonte në mijëra mënyra, teksa orvatej nga salloni në shtrat. E ndjente se vështrimi i burrit që deshi nuk ishte thjesht një vështrim…

Spartak Ngjela e nis kështu rrëfimin e Sofie Raskut, gruas që më 13 qershor të vitit 1996 do të dilte nga shtëpia me një qëllim: Të vriste përdhunuesin e saj. Ndërsa letërsia shqipe e këtyre tre dekadave të fundit e ka rimarrë shpesh temën e diktaturës si subjekt për një mori librash, Ngjela e nis romanin me një episod të Shqipërisë së pas viteve 90-të, për tu kthyer pas në kohë dhe për të treguar një nga krimet më të mëdha të komunizmit, siç ishte përdhunimi i femrave nga njerëz të pushtetit. Një prej tyre ishte dhe Sofia, një prej grave më të bukura të Tiranës së atyre viteve, e cila pas vdekjes së bashkëshortit ka vetëm një motiv, të vrasë përdhunuesin dhe vrasësin e burrit të saj. Një subjekt në dukje i thjesht, por tepër i komplikuar për të ardhur në një libër, është ndërtuar qartësisht, me një stil plot kulturë, që e bën të lehtë leximin. “Hakmarrja e një gruaje” quhet libri që e risjell sërish Ngjelën në skenën letrare, nga botimet “Dritëro”. Në vitin 1994 ai botoi romanin “Shpella e vdekjes” dhe në vitin 1999 “Helena R”. Por ky rikthim në letërsi pas gati 20 vitesh të mbushura me botime publicistike, e me aktivitete publike duket se e ka përsosur kostumin e shkrimtarit tek ai. Ai ia beson historinë një gruaje duke e bërë atë protagoniste të romanit, për ta njohur lexuesin me historinë e pazakontë të saj. Një histori që mbart jo vetëm dhembjen e fshehtë të saj, por dhe një krim të fshehur e shumë pak të folur deri tani siç janë përdhunimet e femrave gjatë komunizmit. Sofie është një prej tyre. Përmes saj Ngjela evokon një kohë duke çuar në vend nderin e një gruaje, duke i rikthyer asaj qetësinë. Nuk mungon as erosi në libër pasi sipas Ngjelës dashuria dhe krimi ecin paralelisht. Nuk ka letërsi të mirë pa një krim brenda dhe Hakmarrja e një gruaje vjen në tregun e botimeve si një libër që jo vetëm do të provokojë një debat që gjithnjë e kemi shmangur, por edhe e bën prozën shqipe të rikthejë vëmendjen ndaj historisë.

Një nga skenat më të forta në libër është pikërisht ajo e krimit.

 

(Pjesë nga libri)

Të gjithë ata që ishin ulur në atë bar atë paradite, e shihnin Sofie Raskun që tani ishte e ulur dhe po vështronte sheshin Skënderbej nga dritarja e madhe si vetratë, që e kishte në të majtë të saj. Befas kujtoi edhe një herë fjalët e Thomait: “Jam një tip artistik”, tha, dhe nënqeshi me vete; “por deri tani, madje deri më sot!”, mendoi, pa orën dhe e ktheu kokën për të parë nga salla.

Të gjithë këta, siç po rrinin dhe po shihnin një grua të bukur që po iu kalonte pranë, kuptohej se ishin njerëz që nuk iu pëlqente ajo kohë, dhe prandaj dukeshin sikur po prisnin diçka që do t’ju vinte në ndihmë për të gjetur fatin e tyre jashtë shtetit. “Janë në pritje”, tha me vete Sofia, teksa iu shihte profilet pa i parë fare në sy; dhe u kujtua se këtë përshtypje i kanë dhënë gjithmonë njerëzit që takonte në këto gjashtë vitet e fundit: ata ose prisnin diçka abstrakte që nuk dihej nëse do të vinte, ose ishin të pushtuar nga dëshira për të ikur nga Shqipëria drejt Perëndimit.

E ulur në vendin e saj, ajo nxori sakaq nga çanta e zezë që kishte lënë mbi tavolinë, një bllok elegant shënimesh, dhe nisi të shkruante diçka në të. Një shënim ndoshta që nuk donte ta harronte apo diçka tjetër që vetëm ajo mund ta dinte se çfarë ishte. “Koha nuk më pret më”, tha me vete ndërkohë, dhe shkroi në bllok një numër telefoni fiks; me të cilin donte të fliste. “Nga kabina telefonike e këtij hoteli, do t’i them atij se po e pres në barin e hotel Tiranës”, tha me vete, por në çast ndërroi mendje, se do ta ndiente sërish bezdinë e ecjes nëpër një lokal ku e shihnin të gjithë: burra dhe gra.

Pasi e mendoi kështu, i hodhi sytë për të parë ndonjë kamerier. Nxori telefonin celular me kartë italiane që lidhej me anë të satelitit, ngriti antenën, e afroi telefonin me xhamin e dritares që kishte majtas në krah dhe formoi numrin e atij që donte të fliste. Ai tjetri doli në çast. I foli shumë shkurt, por takimin e la për në orën 12:30, pikërisht në këtë lokal.

Tani ndihej më e qetësuar në tryezën e saj dhe ndërkaq iu duk se ishte e miqësuar befas me të gjithë klientët e atij bari komod, që tani kishte një vit që menaxhohej nga një kompani italiane hotelesh.

Ishte duke parë qark nëpër tryezat pranë saj, kur befas u ndesh me sytë e Mikelit, dhe diçka ndjeu. E njihte prej dhjetë vjetësh, kur ai kishte qenë redaktor në një shtëpi botuese. Kishte pasur dikur një tërheqje ndaj tij, dhe ai e kishte marrë këtë si dobësi të saj dhe e pati bezdisur deri aty sa kjo i krijoi distancë. Por ai sërish e vijonte me takt kërkesën për të qenë më pranë me të, derisa ajo i tha: “Gruaja, kur befas del nga simpatia e lindur për ty, që në fillimet e impaktit të parë të njohjes, dhe kjo ndodh për fajin tënd, nuk afrohet më kurrë me ty”.

Më pas redaktori e bëri këtë publike në një shkrim, madje dikush e kishte futur edhe në një poezi të shkurtër. Por Sofia nuk e zgjati më bisedën me të, kurse në shkrimin e saj të asaj dite, ajo e përmend të gjithë atë mendim që i ka thënë Mikelit, por duke theksuar se, “ai faji i atij tjetrit, është pa dyshim qenia budalla e tij”. Pastaj ajo shkon më tej dhe e arsyeton faktin që dashuria e një gruaje është thjesht fjala dhe intelekti i burrit që ajo preferon, pa fjalën dhe zërin e tij nuk ka dashuri, dhe pa intelektin e burrit nuk ka progres në rritje të dëshirës tënde.

Sakaq ajo e hoqi mendjen nga Mikeli, dhe e hodhi sërish vështrimin nëpër të gjithë lokalin. Aty vuri re sërish që gati i gjithë lokali po shihte atë: “po njëlloj”, tha me vete, duke menduar takimin që po priste, por prapë u ndje me një si bezdi të brendshme, edhe pse tani disi më të zbutur nga dhjetë minuta më parë.

Sofia kish vetëm tri ditë që kishte festuar 42-vjetorin e saj dhe ende ishte e bukur. Asaj askush nuk i jepte atë moshë, kurse perpetual girl i kishte thënë para gjashtë muajsh një tenor holandez që kjo e pati shoqëruar në piano në një koncert recital të një rrethi të mbyllur.

Ishte vajza e profesorit të historisë, Thoma Dunit, i cili jepte lëndën e historisë rregullisht nëpër tri gjimnaze të Tiranës. Gjatë vitit 1956 ai kishte përkthyer dhe pati kompiluar një libër të plotë me ese për Martin Luterin, në interpretim të 95 tezave të tij, dhe veprës kryesore. Por kjo kishte sjellë atëherë dyshime në Tiranë dhe në Moskë, sepse nuk dihej për çfarë arsyeje një historian i njohur merr dhe kompilon një libër voluminoz për Martin Luterin, në një vend komunist. Mos donte edhe ky reformë?

Por Sofia tani thotë: “Po, ai e donte një reformë, se shihte që në Shqipëri po krijohej një humbje e ndjesisë për të kuptuar realisht qytetërimin perëndimor”; dhe ai vetë i kishte thënë shpesh atëherë: “si ka mundësi që ne vetë të krijojmë qytetërimin tonë”? Në thelb, ky ishte edhe dyshimi që ngritën atëherë sovjetikët, të cilët banonin dhe punonin si këshilltarë në Tiranë; dhe që gjurmonin çdo mendim që mund të të çonte te reforma.

Në fakt nga punimi i Thoma Dunit kuptohej kjo, sepse vetë Thomai e kishte theksuar qartë aty kalimin e moralitetit të zhvillimit nga i varfri tek i pasuri; duke sjellë në rast edhe atë që po ndodhte në vendet e Lindjes komuniste, ku gjithashtu gjithçka e nivelit vinte nga shtresat që ndiheshin më të pasura, edhe pse jo aq sa në Perëndim.

Por Sofia sapo kish lindur atëherë, dhe e kishte me të dëgjuar represionin kundër të atit për librin, por ai për këtë libër i ka folur shpesh përgjatë viteve, kur e nxirrte nga vendi ku e mbante të fshehur, punonte netëve me të, dhe fliste me të bijën gjatë, ngaqë nuk kishte tjetër kënd me të cilin të bisedonte për atë temë. Kurse tani, Sofia e ka përpara të gjithë dorëshkrimin në tryezë për ta redaktuar bashkë me shtesat e shumta që Thomai i ka bërë dorëshkrimit, sepse libri ishte hequr nga qarkullimi në fund të vitit 1956, dhe i gjithë tirazhi i tij i shtypur kishte shkuar për t’u bërë karton. Shtesa që i ka bërë Thomai në vite e ka plotësuar të gjithë konceptin e reformës që ai ka për shoqërinë e tij.

Pastaj, kur u përmbys gjithçka, që nga viti 1990, ajo e lexonte shpesh atë libër të shtypur me makinë shtypi si dispensë, por kishte aty përpara në shqip, edhe pjesën që Thomai e pati përkthyer nga vepra e Luterit. Por më shumë ajo qëndronte te monografia prej dyqind faqesh që i ati, Thomai, e kish shkruar në shqip dhe në anglisht, ku tani paraqitej me tekstin e plotë konceptimi i reformës si filozofi e veçantë e zhvillimit të ndërgjegjes ideologjike.

Kjo atij i dukej si e përshtatshme për shoqërinë shqiptare, sepse me metodën e tij kërkonte të largonte defektin alogjik të politikës shqiptare që në shekuj kishte ecur sipas vijës joracionale që humbjen ta kthenin në fitore, faktin ta transformonin në një legjendë, dhe legjendën në një mit; dhe, me mitin pastaj, shoqëria të vijonte në një jetë të ndrydhur dhe pa progres.

Por kjo ishte e kaluara, dhe Sofia tani ishte shkëputur nga çdo gjë që kish të bënte me të kaluarën, se kishte qëndruar vetëm në një pikë: të vazhdonte të rifillonte jetën e saj me anë të hakmarrjes, për ta kapur atë në vazhdim, aty ku me përdhunë i ishte ndërprerë.

Ajo po vijonte të rrinte e ulur në atë lokalet, mu në qendër të Tiranës, dhe po mendonte për personin që priste të vinte aty. Befas, Sofia kujtoi edhe vajzën e saj, Silvanën, e cila kishte po atë ditë provimin e fundit për të mbaruar bachelor-in në Fakultetin e Jurisprudencës në Romë. Në çast pa orën, dhe mendoi se ende ishte shpejt për lajmin që duhej të merrte prej saj, sepse provimin ajo e niste në orën 12:00, kurse tani ora ishte ende 11:45.

Ishte e ve prej 20 vjetësh, por jeta e një gruaje të bukur, shumë rrallë mund të ecë si ajo e asaj. Bashkëshorti i saj ishte shpallur nga shteti si i vetëvrarë në një rrethanë enigmë që askush nuk mund të thoshte dot atëherë se e kishin vrarë, apo ishte vetëvrarë. Kjo ishte njëlloj si në ato ngjarjet që krijojnë dilemat e jetës, sepse Sofia Raskut nuk i dilte nga mendja pyetja që bëhej rëndom në rrethet e saj: ishte vrasje apo vetëvrasje? Por ajo gjithmonë, që ditën e parë, ishte e bindur se të shoqin ia kishin vrarë; madje ajo e dinte edhe vrasësin, sepse ajo kish qenë një vrasje e pastër e ardhur vetëm si pasojë e saj.

Por Sofia sot ishte në një tjetër gjendje, tani ajo kishte plot katër ditë që lajmin e vrasjes së të shoqit të saj dhe të të gjitha rrethanave që kishin sjellë atë vrasje, e kishte marrë më në fund nga një njeri i sigurt. Ky person kishte qenë prezent në ngjarje, cok në çastet që kishin vrarë Martin Raskun, dhe ia kishte shprehur edhe emrin vrasësit.

Kjo është arsyeja që Sofie Rasku tani, teksa po rri e po pret në atë bar të mbushur cit me njerëz, nuk ka më asnjë lloj dyshimi, dhe asnjë lloj dileme për vrasjen e të shoqit. Atë ia kishte vrarë njeriu që më parë kishte qenë edhe keqbërësi i saj. Koha i kishte dhënë tani gjithçka në dorë, kur befas i tregoi për një të vërtetë absolute.

Këtë i pati thënë edhe Thomai, i ati, që tani kishte dy vjet që kishte vdekur; “është vrasje e pastër”, i tha ai atëherë, menjëherë pas vrasjes, “por ne nuk e dimë emrin; e hamendësojmë atë, por prapëseprapë nuk jemi të sigurt”. Dhe ishte koha kur ai i qëndronte shumë afër së bijës, sepse e dinte që ajo nuk do të bënte më një hap tjetër për një martesë të re. “Duhet të durosh”, i thoshte i ati shpesh, dhe ndërkaq i kishte dhënë në italisht romanin Krim dhe Ndëshkim të Dostojevskit. Por ishte pak.

Sofia nuk mbushej dot me romane, kurse bisedat me të atin kishin qenë gjithçka. I ati e kishte hetuar, e kishte skicuar dhe më në fund ia pat dhënë Sofisë të plotë mendimin për vrasjen e të shoqit, Martin Raskut. “Dhe çfarë koincidence”, thoshte Sofia gjithmonë për emrin e të shoqit, sepse sikur kishte ecur vetë nga një magji librash në një magji dashurie dhe tamam kështu qe mbyllur jeta e saj; por më vonë ajo qe bindur se ishte vetë emri Martin ai që e pat shtyrë së pari shumë në dashurinë drejt tij.

Po priste ende te bari i hotelit, dhe po pinte nga pak ujë, e shqetësuar dhe e harruar që ishte ndërkohë në një bar plot me njerëz që e vështronin gjatë, si grua të bukur.

“Po të isha dhënë unë, a do ta kishin vrarë Martinin?”, pyeti me mend, dhe mbylli sytë. Kushedi sesa herë e kishte ngritur këtë pyetje, dhe vazhdimisht sikur i dukej vetja fajtore: ajo ishte ndodhur midis tradhtisë së të shoqit; dinjitetit të saj femëror, neverisë për një qenie të fëlligësht që kishte kërkuar ta përdhunonte, dhe bashkëshortit të saj që e dashuronte shumë lart në ato çaste. “Po pse ia thashë atij? … mund ta mbaja vetëm për vete”, tha ndërkaq, dhe kjo sikur e tronditi së brendshmi, si gjithmonë kur e kujtonte si pyetje, por sot që e dinte të vërtetën deri në fund, u shqetësua edhe me shumë: “Më mirë të mos ia kisha thënë”, ‒ tha pas pak ‒ “pse vajta dhe ia thashë Martinit atë natë, duke e ditur që ai do të përplasej me forcën brutale të një shteti pa ligje?” Por ajo e dinte edhe atë tjetrën: ishte e pamundur që të mos ia thoshe; gjendja e saj kërkonte rrëfim.

Por kur mbyllte sytë, gjithmonë kujtohej vijueshëm për të gjithë atë që i kishte ndodhur. Atëherë sapo kishte lindur edhe vajzën, Silvanën. Atë e kishte ende as motmotake, kur u përball me ngjarjen që i krijoi jetës, jo vështirësinë për të jetuar, por që i krijoi vetvetes idenë e vetme që sundonte të gjithë mendimin e mëvetësishëm të saj, kudo kur rrinte fillikat dhe mendonte: ajo donte hakmarrje.

Kishte shkruar pareshtur, dhe nuk e gjeti kurrë qetësinë. “Mijëra faqe”, tha me vete, dhe humbi me sy nga vetrata e lokalit që shihte nga sheshi më i madh i Tiranës. “Dhe jam njëlloj si në ditët e para”, tha pas pak, dhe e nxori sërish ngjarjen nga kujtesa, thellë-thellë aty ku ajo ishte; por që, edhe pse pas njëzet vjetësh, dilte menjëherë në kujtime fjalësh që krijonin vijimisht të njëjtin çast: atë të asaj dite kur befas i njoftuan vdekjen e të shoqit.

Ishte një ditë e vranët, e ftohtë janari e vitit 1976, kur atë e morën në telefon nga reanimacioni i spitalit për t’i kumtuar vdekjen “aksidentale” të të shoqit. Dhe pastaj erdhën shfajësimet e personave të policisë sekrete që e kishin marrë Martinin në pyetje, se nuk e patën kuptuar dot nëse ishte vetëvrasje, apo thjesht një shkrehje aksidentale e revolverit të tij, që ai e kishte në brez. “Po, pse ia kishin lënë armën në brez”, thoshte ajo atëherë, dhe e kujton pyetjen që i shton pas të renë, teksa mendon: “Kur sot është e deklaruar si fakt që persona të policisë sekrete po e pyesnin për ta marrë në shërbimin e tyre? E si mund të pranohej një vrasje aksidentale, apo qoftë dhe një vetëvrasje, kur ti je në zyrat e policisë sekrete!”.

Sofia tani dukej se kishte ardhur në fund të asaj ngjarjeje, befas, ajo sërish mendoi hakmarrjen, dhe menjëherë edhe të atin: “hakmarrja”, i kish thënë ai, “nuk është një motiv fisnik, por është një motiv njerëzor që mund të pushtojë këdo”. Dhe kishte pasur të drejtë, se ajo tani e ndiente këtë tamam si një motiv njerëzor që e kish pushtuar tërësisht. “Dhe kam të drejtë”, mendoi gjithë duke pritur personin, të cilit do t’i kërkonte ndihmë. Ora ishte ende 12:00, ndërsa ai do të vinte në orën 12:30.

2.

Në çastet kur Sofia rrinte ende ulur dhe në pritje në barin e hotel Tiranës, në Romë, e bija e saj Silvana Rasku, studente në Universitetin La Sapienza prej tre vjetësh, posa e kishte dhënë provimin e fundit për jurisprudencë dhe ishte diplomuar në bachelor. Tani ajo po ecte e vetme dhe nuk frenohej më për asgjë; por, teksa dilte nga dera e madhe e kampusit, ajo kishte puthur një nga punëtoret e shërbimit, të cilën gjithmonë e puthte, sa herë e shihte nëpër shkallë, sepse mendonte që ajo grua i jepte fat me sytë e saj shumë të çelur dhe me fytyrën e qetë. Ajo grua e pashme ngaherë e shihte si e hamgjitur dhe me një dashuri të largët e disi të fshehur, e po kështu bëri edhe sot kur e afroi dhe e shtrëngoi në krahë më shumë se herët e tjera.

Gjithsesi Silvana ishte e gëzuar, sepse kishte përmbushur një qëllim: çdo njeri që përmbush një qëllim është i gëzuar në çastet e përmbushjes, e sidomos kur ajo është një vajzë e re, e cila e ka pasionin për të qenë diçka në thelbin e natyrës së vet, dhe kur mendon thellë për dy gjëra: për karrierën dhe për martesën.

Të dyja këto janë edhe mendimet e Silvana Raskut; dhe ajo i shpreh hapur, sepse ndien frikë për të dyja. Në të vërtetë ajo e di që karrierën e ka në dorë, sepse e konsideron konkretizim të punës së saj intelektuale, kurse martesa nuk varet vetëm prej saj.

Martesa është bashkëjetesë, domethënë është përshtatje. “Silvi”, i kishte thënë e ëma asaj dikur, “ngritja intelektuale dhe karriera që e nxjerr një grua nga anonimiteti, i krijon asaj barazi në përshtatje gjatë një martese, por shpesh edhe e vendos gruan në rangun superior, jo për t’u përshtatur, por për të përshtatur atë tjetrin me të”.

Silvana Rasku është e bukur, është e pasur nga e ëma, madje shumë e pasur, ka bërë një jetë studentore me shumë afekt financiar në Romë. E ëma dhe i gjyshi i kishin çelur prej vitesh një llogari bankare, që shtohej e shtohej, dhe ajo ka qenë në Romë një studente e pasur. Silvi ka vizituar të gjitha metropolet italiane, ka shkuar shpesh në Milano, në Firence, Torino dhe në Napoli; ka shijuar të gjitha plazhet e bukura të Adriatikut dhe të Tirenit; ka bërë ski në Alpe dhe ka mësuar përmendësh nga poeti Giacomo Leopardi shumë vargje. I njeh të gjithë skulptorët e mëdhenj të Italisë dhe të gjithë historinë e Romës, që nga vendosja e Republikës Romake, e deri në ditët e sotme. Por të gjithë dashurinë për Italinë dhe artin e saj të madh ia ka infiltruar si kulturë i gjyshi, Thoma Duni, i cili në fakt e ka rritur si vajzën e vet.

Dhe ja, tani ishte e diplomuar. Por ç’do të bënte me tej? Kjo ishte pyetja, por që ajo vetë e kishte lënë për ta fjalosur me të ëmën e saj kur të shkonte në Tiranë, sepse këtu i mbetej si me pengesë edhe rrjedha e mendimit të karrierës së saj. Ku? Dhe nga t’ia fillonte?

“Ah”, tha dikur, “le të jetë vapë, unë dua të ec nëpër Romë, se tani jam e lirë”. Sapo kishte zbritur nga autobusi në Stacione Termine, dhe i vinte për të thërritur mesa kishte në kokë, por e mbajti veten. Kjo lloj dalldie e kishte kapur disa herë gjatë dy viteve të fundit, por jo në këtë lloj shtyse të brendshme që po ndiente tani. Pastaj ndaloi për një çast, qeshi me vete, dhe befas iu kujtua e ëma në Tiranë, dhe e mendoi të gëzuar kur kjo vetë do t’i njoftonte lajmin në telefon, në darkë, se duhej ta merrte pas orës 20:00. Kështu e kishin lënë.

Ishte duke ecur ndërkaq në pjaca Republika dhe pas pak çastesh qëndroi aty e ulur në një bar-lulishte se kishte qejf ta sodiste këtë pjacë, ngaqë i kish pëlqyer gjithmonë. Ishte nisur për të shkuar drejt pjaca Barberinit, por qëndroi këtu pak, më përpara se të merrte rrugën e saj nëpërmjet Via Barberini-t, e cila e nxirrte direkt në atë pjacë.

Më pas i duhej të shkonte në hotel Flora, në Via Veneto, por donte t’i dilte nga pjaca Barberini, se do të blinte ca medikamente në farmacinë që ndodhej aty djathtas sheshit.

Mori frymë thellë dhe sërish, në një çast të vetëm, i kujtoi të tria vitet që kishte jetuar në Romë, po edhe largësinë nga e ëma, e cila i vinte muaj për muaj për ta parë, sidomos në këto dy vitet e fundit që i kishte vdekur i gjyshi, Thomai.

Thomai i vinte shpesh në Romë për ta takuar gjatë vitit 1993 ‒ 1994, që kish qenë viti i parë i studimeve të mbesës së tij, dhe rrinte gjatë me të. Në një rast, në maj të vitit 1994, Thomai ndenji plot një muaj me mbesën, sepse ai e njihte mirë Romën, madje e adhuronte atë qytet dhe ku nuk e kishte çuar, kudo, në të gjitha qendrat historike të saj.

“Vajti dy vjet qëkurse ai ka vdekur”, tha ajo teksa e kujtoi, dhe sytë iu mbushën me lot, sepse e kish pasur si baba. Çastet e lumtura e çojnë gjithmonë një vajzë të kujtojë humbjet e saj. “Ishte babai im”, tha ndërkaq dhe e ndjeu thellë që në këtë ditë feste për të, gjyshin e saj nuk e kishte në Romë. “Këtu do të ishte tani, po të ishte gjallë”, tha pas pak me vete, dhe sërish iu mbushën sytë me lot. Por shpejt e kujtoi të gjithë jetën e saj që kishte një enigmë brenda vetes: vrasjen e të atit. Shumë pak dinte rreth tij, sepse që të dy, edhe e ëma edhe i gjyshi, flisnin rrallë për të, deri në vitin 1991.

“Jam me baba të vrarë, por nga kush?” Ja, kjo kishte qenë enigma e saj. Gjithsesi fakti që ajo nuk e kishte njohur të atin, ia lehtësonte gjithçka tjetër në mendim. Për një grua, është njohja gjithmonë ajo që i krijon afërsinë, sepse fantazia nuk ka të bëjë fare me njohjen, dhe as me dashurinë. “Dashuria është prekje fizike”, i kishte thënë e ëma kur kjo shihte me rast fotografinë e madhe portret të të atit, varur aty në mes të dhomës së bukës.

E kujtoi ndërkaq edhe faktin që një natë më parë i kishte dalë i ati në ëndërr, dhe sikur i kishte folur për vrasësin e tij, por kjo nuk mbante mend gjë. “Diçka po ndodh rreth tij”, mendoi pas pak, dhe sërish kujtoi faktin që gjithmonë kishte qenë pa të atin, madje babanë nuk e kishte parë kurrë, se ai kishte vdekur kur kjo nuk ishte më shumë se njëmbëdhjetëmuajshe.

“E kanë vrarë pabesisht”, i pat thënë e ëma qëkurse kjo ishte shumë e vogël, dhe vetëm para katër vjetësh ia pat treguar të gjithë historinë e dhembshme të saj si e ve, por edhe historinë e babait të saj, si i vrarë, edhe pse shteti e kishte “vërtetuar” këtë ngjarje si vetëvrasje. Por emri i vrasësit ende nuk dihej; kjo ishte enigma. “Kush?”, pyeti ajo, dhe psherëtiu.

E gjitha kjo mbështetej si e provuar nga fakti që arma e përdorur për vrasjen e tij kish qenë e të vetëvrarit dhe shenjat e gishtave në armë ishin gjithashtu të gishtërinjve të të vetëvrarit. Edhe vetë shkrehja e armës ishte mu në zemër, nga një distancë thuajse puqur me trupin e tij, që është karakteristike për vetëvrasjet.

“Gjyshi që të donte aq shumë”, i kish thënë e ëma sërish para një viti, kur befas u fol në shtyp për vrasjen e Martin Raskut, “më ka thënë shpesh: ‘Sofi, duhet të kesh kujdes, se vrasësi duhet identifikuar saktësisht. Nëse e kanë vrarë, ai është vrarë prej tyre me revolen e Martinit’.

Ne për këtë jemi të sigurt, dhe prapë kjo nuk mjafton: ai është vrarë në zyrat e policisë sekrete. Por ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit. Dhe pyetja mbetet: kush është vrasësi?” E pra, kush është?

Kjo ishte edhe pyetja e Silvit, e cila sërish e kujtoi ëndrrën, por nuk pati mundësi që ta deshifronte në memorie atë që i ati i kishte thënë. Dhe befas iu kujtua fantazma e Hamletit; i ati i tij që i foli për vrasjen e tij. “Kjo është histori gjithëbotërore që vijon prej shekujsh: vrasja e babait, dhe enigma e vrasësit”, tha pas pak, dhe qëndroi. Kurse u kujtua se një herë i gjyshi i kishte thënë se fantazma e babait të vrarë, është një fenomen i këtij qytetërimi, qëkurse këtë e ka shkruar Uilliam Shekspiri në tragjedinë “Hamlet”.

Por shpejt ajo e hoqi mendjen dhe prapë e kujtoi të ëmën, e cila tani bashkëjetonte me një inxhinier dhe kjo, e bija, nuk e kish parë si një gjë të rëndë, përkundrazi, krejt si një gjë normale.

Silvi tani kish tre vjet që jetonte në Romë; ishte liberale dhe e formuar për dashuri të lirë. Nuk e pranonte martesën pa dashuri dhe në Romë kishte bërë pjesë në një nga grupet studentore që quhej Amore Libero; prandaj dhe gjithçka i dukej krejt ndryshe. E ëma e kishte edukuar që t’i largohej maskilizmit të jetës shqiptare, dhe të mos e ndiente kurrë si një mëkat faktin që dashurohej me dikë. “Maskilizmi i jetës sonë në Shqipëri, sjell dhe dhunimin e gruas”, tha ajo në këto çaste, sepse gjithmonë i ruhej e nuk e përdorte fjalën “femër”, por gjithmonë fjalën “grua”, kur mendonte për jetën dhe kur fliste për femrën.

Kish qenë një jetë e bukur e saj aty në Romë. Ishte studente e shkëlqyer, studionte dhe dilte për të shpenzuar para e për të bërë shoppingVia dei Condotti; gjithmonë në kalim dhe, në çdo hop kohor, me një gjë të re; me dashuri, me rok dhe me nota të larta. Por ashtu, e ulur në bar-lulishten në pjaca Republika, nisi t’i kujtojë të gjithë pedagogët, një e nga një, edhe studentët; por edhe Tiranën ndërkaq sikur e kujtonte, madje ajo sikur i ndërfutej thellë nëpër kujtimet e reja, por gjithsesi Roma i kishte pëlqyer. Kujtoi sërish jetën e saj të rinisë në vitet tetëdhjetë në Tiranë dhe prapë diçka ndjeu: kishte pasur edhe në Tiranë dy dashuri, por njëra me probleme.

I vinin në mend të gjitha, por nuk zgjatej: tani ishte më ndryshe, sepse kish filluar një jetë të re me Maksin. Ia tha edhe njëherë emrin nëpër gojë dhe e kuptoi se i pëlqente, por nuk e dashuronte dot deri në fund, njëlloj si ato poemat dhe vargjet që kishte shkruar dikur vetë dhe që tani qeshte sa herë i lexonte; i kujtonte dhe sërish i shtynte; “por ke parë ti që, megjithatë i dua!”.

Kujtoi ndërkaq, siç bënte shpesh, edhe dy vargje, por ato nuk ishin të sajat, se ishin të shkruara për të nga dikush: “Mos më prit më e dashur, se nuk do të më gjesh dot më në asnjë stacion, askurrë”. Dhe ai kishte ikur. Por e dëgjonte shpesh me veshë të përdorur katër herë rresht ndajfoljen , dhe kjo gjithmonë i pëlqente.

Silvi nuk donte ta kujtonte, edhe pse thellë-thellë e ndiente që kishte mall për të, por vetëm kaq. Jeta nuk është e qëndrueshme dhe ajo këtë gjë e kishte kuptuar që së vogëli, qëkurse e kishin përjashtuar nga shkolla e baletit, dhe ajo s’e kuptoi kurrë. “Por mami dinte diçka”, tha pas pak, dhe u kujtua se kurrë nuk do të kishte ecur në balet, dhe do të ishte lodhur kot. Por ish të dashurin e kujtoi, sepse kish shumë dëshirë që ta takonte sot; ishte i vetmi që kishte dashuruar realisht me gjithë forcën e shpirtit të saj, deri tani. Nuk ishte kujtesa që po ia sillte ndër mendje portretin dhe zërin e tij, por ishte koha që po ia ndillte si ndjenjë dhe kjo e kishte shqetësuar gjithmonë në ikjen e tij.

“Po shkoj tek i dashuri, dhe po kujtoj një të dashur që nuk e kam më”, mendoi disi poetikisht, dhe sikur ndjeu një gjë të fshehtë që e dinë vetëm gratë: “Nuk ka rëndësi se me kë fle”, tha ngadalë, “e rëndësishme është se me kë zgjohesh”.

Në këtë gjendje të gëzuar që ishte, nuk po e kuptonte se përse duhej të mendonte disa çaste trishtimi, dhe pse nuk kishte qenë asnjëherë e qartë. Në të vërtetë ajo kish jetuar në një shoqëri të mbyllur derisa kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, dhe tani ishte njëzet e një. Psherëtiu pas pak, ngriti kokën dhe pa dy pallatet madhështorë të pjacës që i kishte përballë: të dy ishin identikë. Por u ngrit nga vendi se i duhej të lëvizte, dhe uiskin që piu ngadalë e kishte paguar menjëherë, sapo e kish sjellë kamerieri.

Pas pak, mori rrugën majtas, vijoi rrugën për disa minuta, dhe befas u gjend në Piazza Barberini, kaloi dhe pallatin e bukur Barberini që e kishte majtas saj, dhe u fut ne farmacinë që ishte nja dyzet metra më tej.

Pasi doli nga farmacia, menjëherë pa fontanën e Berninit që ishte mu në qendër të asaj pjace të bukur, dhe qëndroi ca çaste përballë saj, se kështu kishte bërë gjithmonë në këto vite, hodhi aty një monedhë metalike, e cila u përplas në fytyrën e njërit nga të tre delfinët që mbanin fontanën mbi shpinat e tyre, e mandej, me hap të shpejtë, u drejtua te bari i hotel Bernini-t, që është një ndërtesë e lartë shumëkatëshe, por që asaj i pëlqente të pinte diçka në lobibarin e tij.

Prandaj hyri brenda, e kaloi recepsionin që e kishte majtas, dhe vijoi të ecte në hollin e ngushtë që djathtas ishte me pasqyra e me sallone kolltukësh dhe majtas me piktura. Qëndroi te bari dhe zuri vend aty ku rrinte ngaherë, në një kolltuk te rehatshëm, përballë oxhakut të bukur e karakteristik.

Por nuk vinte fare kot në këtë hotel. Në të vërtetë ishin disa skulptorë që i kishin thënë Sofisë që ajo i ngjante shumë skulpturës së famshme të Berninit, bustit plot afekt të Konstanca Pikolominit. Kurse historia e Konstanca Pikolominit kishte qenë e veçantë në familjen e tyre. Por tani ajo skulpturë kishte hyrë në atë familje krejt si një forcë zakoni e aq, dhe nuk donte që në ato çaste ta mendonte gjatë fatin e hidhur të Konstanca Pikolominit që ajo kishte kaluar, jo si bust, por si grua.

Thomai në vitin 1991 kishte sjellë në shtëpi një kopje mermeri të bustit të Konstancës, dhe ata e mbanin në dhomën e madhe të ndenjjes. Ishte njëlloj si origjinali, sepse ai e kishte blerë plot 30 mijë dollarë. E shihte gjithmonë dhe e dallonte se i ngjante shumë Sofisë; por në një çast, Thomai i kishte thënë kësaj se “edhe ti Silvi i ngjan portretit të saj, vetëm se je më e mprehtë në fytyrë, se je ende një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare; kurse Constanza është grua, si edhe Sofia”. Por Silvi nuk e kishte pranuar plotësisht këtë krahasim të Thomait. Megjithatë, vetë kishte shkuar disa herë dhe e kishte parë bustin origjinal të Costanza-s në Firence në Museo Nazionale del Bargell.

Piu aty te bari i hotel “Berini”-t një kapuçino dhe u ngrit. I duhej të shkonte në “Grand Hotel Flora”, që ishte në Via Veneto, m’u ngjitur me murin e Romës së lashtë. Pagoi dhe doli e qetë nga hoteli. Përballë kishte sërish fontanën e Berninit, e pa dhe një herë, buzëqeshi me vete, se së brendshmi e mbushi tendenca që skulptori kishte kohë që i dukej si një njeri i shtëpisë, dhe jo vetëm asaj, por edhe nënës së vet, edhe gjyshit të saj sa ishte gjallë; dhe mori rrugën djathtas hotelit drejt Via Veneto-s.

Po ecte në krahun e majtë, por rruga që do të përshkonte deri te hoteli i pëlqente jashtë mase dhe e bënte shpesh, që nga sheshi Barberini e deri te muri i Romës, edhe pse ishte e gjitha në ngjitje, në një si të përpjetë të vogël e të këndshme, “por në një ngjitje të bukur”, thoshte ajo ngaherë me mend sa herë që kalonte aty, kurse për sot kishte prenotuar një dhomë të mirë në hotel Flora, se i pëlqente ai hotel. Por edhe gjyshi i vdekur, sa herë vinte, aty rrinte, aty, se e tërhiqte shumë bari i tij.

Ishte duke ecur me hap të zakonshëm dhe i kaloi ndërkohë me radhë të gjitha hotelet e famshme: edhe hotelin Imperial, edhe hotelin Majestik, edhe Grand Hotel Palas, por kur kaloi te Grand Hotel Exelsior, e ndjeu që atë hotel, edhe pse nuk kishte qenë ndonjëherë brenda, e pëlqente veçanërisht. Pas pak kaloi përballë me Cafe de Paris, dhe vijoi të ecte përgjatë rrugës Veneto.

Gjithmonë vinte këtu dhe ecte nëpër këtë rrugë se i pëlqente, por këtë zakon ia kishte çuar në mend i dashuri i saj enigmatik; ai që sërish e kujtoi në këto çaste, por që e dinte se realisht “nuk kishte një stacion pritjeje”. “Do ta kap ndonjë ditë!”, tha me pak nerv, edhe pse e dinte që deri tani nuk kishte fare një lajm prej tij se ku mund të ndodhej: “në hapësirë ndoshta, tej në qiell”, tha me pak zë, dhe vijoi të ecte drejt hotel Florës, sepse e ndjeu që ishte afër tij, kurse të dashurin e “humbur” gjithsesi “e kam si model”, tha me vete, mbylli sytë, dhe vijoi rrugën duke kujtuar çaste dashurie me të; kështu bënte gjithmonë.

I pa me kast të gjitha kalimet e bukura si tunele të vogla të murit të madh romak, i tëri po në tullë të kuqërremtë dhe shumë i trashë. Ndenji pak përpara murit, por para se të hynte në hotel, u kujtua plot emocion se aty ishte puthur para disa vjetësh me të dashurin e saj enigmatik e të ikur. Ishin puthur para sesa të hynin në hotel, që të dy kapur përdore dhe, aty për aty, sikur dëgjoi zërin e Thomait duke i thënë: “Këtë mur e ka ndërtuar perandori Marc Aurel”. Por psherëtiu, ktheu kokën nga porta e madhe e hotelit dhe bëri djathtas për të hyrë në hotel Flora.

Gjithmonë këtu e takonte Maksin dhe i pëlqente sa herë flinte me të në këtë hotel. Femrat e pëlqejnë ose e neveritin një gjumë dashurie në një hotel; sepse ai duhet të kryhet në luksin e hotelit, por edhe me bisedën që do t’i krijojë i dashuri. Duhet të bashkohet luksi i hotelit me elegancën e bisedës krijuese të të dashurit, me elokuencë, tregim erotik, humorin dhe krijimin e një ngjarjeje që duhet t’i përmbajë brenda vetes të gjitha. Njëra nga këto sikur të mungojë, ajo është e paplotësuar, sepse gruaja dëgjon nën efekt erotik për të rritur masën e epshit që ajo kërkon të grumbullojë; dhe pastaj të vijojë e ta lëshojë nëpër orgazma.

“Po nuk ka bisedë nuk ka dashuri”, kishte thënë ajo që herët në moshën e parë të dashurisë; menjëherë pasi kishte lexuar në italisht librin e preferuar të Thomait Seksi dhe Karakteri, të psikanalistit gjerman Otto Weininger dhe kësaj i përmbahej gjithmonë. “Ky është libri me të cilin ishte dashuruar e gjithë elita e viteve tridhjetë në Tiranë, atë të cilën e vrau të gjithën regjimi komunist”, i pat thënë disa herë Thomai për librin Seksi dhe Karakteri të Vainigrerit, dhe Silvi, duke hyrë në hotel tha sërish: “Pa bisedë nuk ka dashuri”.

Por hotel Flora, ishte klasik, i bukur dhe me histori të veçantë, të cilën ajo e kishte dëgjuar nga i gjyshi; dhe nga disa moshatarë të tij shqiptarë që bashkë i kishin takuar në Romë para dy vjetësh.

Po ecte ndërkaq në hapat e fundit për t’u futur në hotel, por, kot, sesi iu kujtua Roma e lashtë; ndoshta nga muri ose nga vetë Mark Aureli. Jo, në të vërtetë ashtu i ndodhte gjithmonë, qëkurse kish qenë pesëmbëdhjetë vjeç. “Por nuk më lidh kjo me Romën”, tha dikur dhe vijoi ecjen tani për të kaluar të dyja dyert e mëdha të xhamta e të hynte në hollin e hotelit, gjithë duke kujtuar recitimet në latinisht që bënte shpesh Thomai të dielave, kur lexonte biblën me zë dhe recitonte latinisht Ciceronin në filipiket e tij, dhe disa fjalime të Cezarit. “Këtu kanë kaluar të dy edhe Ciceroni edhe Cezari”, tha kur shtyu derën e jashtme të hotelit që të rrotullohej, “ja, në këtë rrugë”, mendoi prapë për ta, por, sapo ta kalonte hollin, e dinte që do të merrte djathtas për t’u futur në restorantin e vogël, dhe me shumë luks e klas të atij hoteli.

Holli dhe bari ishin tek-tuk me klientë që po pinin diçka, se ora kishte kaluar nga 13:00, dhe kolltukët që gjendeshin rrotull oxhakut ishin të pazënë, por ajo tani nuk u kthye majtas për të shkuar te oxhaku, por djathtas dhe, pasi e kaloi barin luksoz që e kishte gjithmonë djathtas saj, u fut ngadalë në restorant.

Porsa hyri atje, ajo harroi gjithçka, sepse mendja nisi t’i punojë në një tjetër drejtim; befas i ishte kthyer mbrapsht tani dhe ndiente ca gjëra të paimagjinuara asnjëherë, të cilat sikur i rrinin si avull në kokë. Ishte krejt e pavendosur për atë që duhej të bënte tani e më tej, prandaj.

Iu kujtua ndërkaq edhe dita e parë, kur kish zbritur nga taksia që e kishte sjellë prej Aeroportit të Fiumiçinos, në Via Nomentana; sepse kishte dashur atëherë të vijonte studimet në Universitetin Ljuis që ndodhej në atë rrugë. Por pas disa ditësh i qe ndërruar mendja, dhe në fund ishte regjistruar për të vijuar kurset e thelluara të gjuhës italiane. Koha i dukej jo shumë e gjatë, vetëm tre vjet e gjysmë, por po i ngjante sikur të kishin kaluar vetëm tre muaj. Prandaj e ndiente se nga Roma nuk duhej ikur.

“Ku do të shkoj në Shqipëri!”, tha duke pritur kamerierin, dhe e mendoi se jurisprudenca shqiptare ishte krejt primitive dhe e paformuar, sepse klasa e juristëve ishte e gjitha e goditur nga një reformë pa fare sistem. Kishte lexuar disa tekste që ia kishin dhënë me rast shoqet e veta që studionin ndërkohë në Tiranë për jurisprudencë dhe menjëherë ndjeu një si goditje që e detyroi ta lërë fare atë mendim, sepse nuk ia vlente. Ajo donte të bënte një karrierë juridike, por vendi i saj nuk ia afronte, edhe pse e ndiente si gravitetin e saj. Se kështu kishte thënë gjithmonë, njëlloj si Sofia: “Tirana është graviteti ynë”.

Ndërkohë kujtoi se Thomai i pati thënë në fillimet e saj se “në Shqipëri ka një vakum për juristë; prandaj kjo sferë profesioni për një kohë të gjatë do të pushtohet nga të paaftë dhe të korruptuar”. Po e ndiente ndërkaq si të vërtetë, sepse e kish parë vetë në Shqipëri gjendjen e jurisprudencës kur shkoi me mendimin se mos gjente diçka për tezën e vet që i duhej të mbronte gjatë këtij viti; por kjo ishte e pamundur: gjithçka ishte në një gjendje krejt profanë si arsye dhe e mjerë si drejtësi. “Drejtësia është ende larg në Shqipëri; prandaj është e kotë të mendoj për të punuar atje”, i tha ajo Sofisë para një muaji, dhe Sofia nuk i ktheu përgjigje; në një kohë që ajo e dinte se e bija kishte të drejtë.

Gjendja e pavendosur është humbje kohe, sepse është një moment morboz, por ajo nuk e kuptonte dot, prandaj sikur fliste në jerm. Pa orën dhe u kujtua se kishte ardhur në restorant gjysmë ore më përpara. “S’ka gjë”, tha nëpër dhëmbë me pak zë, teksa rrinte e ulur në një tryezë që iu duk si më e vetmuara. Kishte marrë ndërkohë gazetën Corriere della Sera, dhe e hapi për ta lexuar. Pas pak çastesh, i erdhi kamerieri:

Un apperitivo, ‒ i tha kamerierit, dhe vijoi të lexonte një fjalim të Juliano Amatos në Parlamentin italian.

Iu kujtua se kishte dashur disa herë të shkonte e ta dëgjonte Amaton në ndonjë leksion në Universitetin Ljuis, sepse atje ai jepte të drejtën kushtetuese, por nuk kishte pasur rast që ta ndiqte, edhe pse kish shkuar disa herë. Pastaj e la gazetën dhe filloi të gjerbte nga pak Martini të bardhë te gota e vogël që sapo ia kishte sjellë kamerieri.

Befas vuri re se përballë kishte një burrë rreth të dyzetave, me shpatulla të gjera dhe i veshur me stil anglez, që po e shihte me kërshëri. E kuptoi menjëherë që ai po e shihte si me ngulm, por kësaj nuk i bëhej që t’ia zgjaste. “Kur pret të dashurin”, i kishte thënë një shoqeje dikur, “nuk duhet të shohësh asnjë mashkull tjetër”. Por qeshi në çast, sepse iu duk si budallallëk, dhe prandaj me takt ia hodhi sytë. Në të vërtetë i pëlqeu, por nuk krijoi asnjë mendim, edhe pse ishte i veshur me stil të veçantë, jo si italian, por si një person që nuk kishte lidhje as me Armanin dhe as me Valentinon.

“Nuk është italian”, mendoi, dhe e kapi një kërshëri femërore që nuk dihej nga i vinte: nga rrobat e veshura apo nga paraqitja e tij! Kish shumë gjasa të ishte nga afekti që i dha si burrë. Kishte një vit që ajo iu thosh uomo burrave të pashëm që kishin një staturë të veçantë burri ose mashkulli, ashtu siç i pëlqente asaj. E pa sërish, ndenji pak dhe e pa prapë, por këtë herë nga stili e pikasi që ishte artist. Nuk rrinte dot pa ia hedhur vështrimin, prandaj i hidhte sytë shpesh nga ai; ashtu bënte edhe tjetri.

Silvi ishte veshur shumë hollë dhe jo pa kast; ishte e ndërtuar tamam për ta parë të tjerët. Seç kishte një ndjesi të brendshme që e prekte gjithë atë ditë për t’u veshur lehtë, disi e zbuluar, që të dukej ashtu siç i pëlqente vetë shpesh ta shihte veten para se të shkonte tek i dashuri. “Dua ta pëlqej unë veten në fillim, pastaj të më pëlqejë ai që do të më puthë”, kishte thënë gjithmonë, dhe kësaj i ishte përmbajtur.

Kurse burri që kishte përballë, po e shihte sikur do ta puthte, ishte shumë i hapur dhe me sy të qeshur, me një fytyrë të gjerë si aktorët e filmave uest, diçka e tillë, dhe veshur me ngjyra disi teatrore, që i jepnin vështrimit të tij një tërheqje të veçantë butësie dhe force njëherësh. Edhe kjo e vështroi gjatë, dy herë rresht, dhe ai e ndryshoi çehren e fytyrës, madje edhe vështrimin.

Nga fytyra u duk sikur i dha asaj një buzëqeshje të lehtë që iu shpërhap nga buzët nëpër të gjithë fytyrën.

Befas ajo pa orën, kur personi që u ngrit ndërkaq po i jepte kamerierit një kartëvizitë ngjyrë kafe të errët, duke i thënë diçka me zë të ulët dhe si vjedhurazi në ecje dhe pa e kthyer kokën fare nga Silvi, e cila sikur mbeti disi bosh me largimin e tij: u ndodh befas midis dy ndjesive. Nuk po dinte se cila ndjenjë po fitonte: dëshira që t’i vinte sa më parë i dashuri, apo pezmi i lehtë që i la fakti i largimit të burrit. Por nuk zgjati shumë me këtë gjendje, sepse aty për aty erdhi kamerieri dhe me një italishte, që Silvit iu duk si me aksent francez, duke i zgjatur kartëvizitën, i tha:

‒ Ma dha këtë kartëvizitë për ju pak çaste më parë zotëria që ishte ulur te tavolina këtu përballë jush, ‒ dhe ia zgjati dorën për t’ia dhënë. Ndërsa Silvi u step së brendshmi se nuk po e kuptonte dot çfarë po ndodhte me të në ato çaste dhe, duke marrë kartëvizitën, e pyeti:

‒ Kush ishte ai?

‒ Është një regjisor i njohur anglez, ‒ i tha kamerieri, ‒ vjen shpesh në këtë hotel, ‒ por nuk ia shprehu emrin se mendoi që do të ishte më e drejtë ta linte për ta parë vetë atë në kartëvizitën që i kishte lënë në dorë.

Aty për aty ajo ia hodhi sytë shpejt kartëvizitës për t’i parë emrin, ende pa ikur kamerieri. Erik Garner lexoi, dhe nuk e kuptoi pse befas kujtoi Erik Kleptonin, këngëtarin e njohur, por dhe kitaristin e famshëm anglez, dy këngë të të cilit i kishte dëgjuar përgjatë atij mëngjesi para se të shkonte në provim. “Çfarë koincidence!” Kështu mendoi menjëherë dhe buzëqeshi lehtë, ndërsa e kuptoi që me vështrimet e tyre ata të dy e kishin kaluar cakun e një flirti të zakonshëm.

Megjithatë, ashtu e ulur, pasi futi kartëvizitën në çantën e saj, ajo pa orën dhe mendoi se Maksi ishte duke ardhur, por nuk u zgjat më tej, se sikur ishte si e dyzuar, ndonëse deri në ato çaste e cyste ideja që të lëviznin atë pasdite, dhe pse e kishte prenotuar dhomën në hotel që në mëngjes. Po i pëlqente që të shkonte me Maksin në ndonjë dhomë hoteli larg Romës, këtë po mendonte në çastet para sesa t’i vinte kartëvizita, sepse kishte një dëshirë që e shtynte drejt udhëtimit.

Kështu e kish pasur ajo gëzimin gjithmonë, me një përzierje dëshirash të dyzuara: donte të bërtiste herë pas here dhe të ishte në udhëtim, në një udhëtim të gjatë me të dashurin e të bënte dashuri në makinë duke ecur, sidomos natën. “Këtë do t’i kërkoj edhe sot”, mendoi, por befas kujtoi sërish regjisorin që sapo ishte ngritur nga vendi, dhe prapë e hoqi mendjen nga ai, menjëherë, a thua se ishte duke shkelur në një tokë të frikshme.

Pse vallë e mendonte kështu befas regjisorin, a mos ndoshta po kështu lindin ca marrëdhënie të befta që vijnë me vrull dhe ikin fshehurazi si pa zhurmë; apo kishte një diç krejt tjetër që zuri vend ngultas me aq pak kohë dhe vetëm me vështrim? Ja, te kjo pyetje, mu këtu i qëndronte enigma që e afronte dhe e largonte me mendje nga portreti i Erik Garnerit dhe që thoshte me vete: “vërtet?”.

Por ajo kështu e kish pasur gjithmonë zakonin e nismës së një dashurie të re: me një vështrim ndezës në fillim, që i mbetej në mend pastaj, dhe me një shtysë të brendshme që e nxiste për t’u puthur me të, sepse i zienin buzët.

Tamam kështu i kishte ndodhur edhe sot, dhe sakaq kishte në xhep edhe kartëvizitën e tij. Përmendi edhe një herë emrin “Erik”, nëpërdhëmbi ngadalë, dhe sërish ndjeu diçka.

Ndoshta tani e kishte kapur prapë dëshira e saj e behtë, “si në ca romane moderne që kanë vetëm seks dhe e vendosin gruan të rrijë gjithë ditën e të mendojë për seks e dashuri”, tha me vete, buzëqeshi pa vetëdije dhe pa nga dera se ishte tamam koha që duhej të vinte Maksi.

Ishte e tensionuar, siç duket tek ardhja e Maksit dhe prezenca e tij në bisedë, e kishte shpresën të dilte nga një gjendje që po e angështonte. Nuk e mendonte cok kështu, por vetëm e ndiente, a thua se po ndodhej në një rrezik.

Ajo tani ishte e pushtuar nga vështrimi i Erikut, por së brendshmi nuk e dëshironte që të ishte e plotë, sepse në fakt ishte duke pritur një tjetër. Tani e ndiente se ishte sak në dehjen flirtuese të një gruaje që po pret të dashurin apo burrin e saj, por ka flirtuar me afsh me një tjetër, gjendje kjo e cila nuk mund t’i ikë asaj po nuk u shtri me të dashurin apo me burrin e vet. Por që në fakt i pëlqen çdo gruaje të bukur, që e ndien flirtimin si pjesë të jetës së saj aktive.

Në të vërtetë, kjo është natyra e gruas që dashuron dikë dhe flirton befas me një tjetër, i cili i ka dhënë kënaqësinë e vështrimit. Këtu kishte mbetur: te kënaqësia e vështrimit. Por, “kënaqësia e vështrimit është e vetmja gjë që kemi në ndjenjën tonë erotike”, i pati thënë Sofia para disa muajsh. Ajo kishte tre vjet që fliste hapur me vajzën e saj për çështjet e ndjenjës dhe të dashurisë së gruas.

Është e vetmja rrjedhë e bukur që sikur e deh, por që me raste kjo është sak gjendja e vështrimit të nxehtë erotik të Silvanës, që herë-herë e çonte deri në një orgazëm të lehtë. Dhe ajo këtë e ndiente si kënaqësi seksuale, por edhe si një përjetim artistik të së bukurës. Kjo në fakt e “varroste” atë, sa herë që e kapte dhe ajo dilte nga “varri”, dhe prapë e donte.

Ishte duke menduar në këtë rrjedhë të dyzuar, kur e pa Maksin përpara tryezës së saj, teksa ai i tha:

‒ E dashur, shumë e hutuar po më dukesh! Mos e ke nga vonesa ime? ‒ Dhe ajo u habit sesi ai mbiu papritur aty në një kohë që ajo po andej i kish pasur sytë.

Silvi u ngrit menjëherë, iu afrua në krahë dhe e puthi pa i thënë asgjë. Ndjeu sakaq një si drithmë të brendshme që i pëlqeu dhe u ulën që të dy pranë njëri-tjetrit.

‒ I mbarove më në fund provimet! ‒ i tha Maksi, sapo u ul në karrigen e tij përballë saj.

‒ Po i dashur, sot i mbylla, dhe ti e di që unë të telefonova ty të parit.

Por foli ca si me përtim, dhe jo shumë e qartë në zë. Kurse në fund i tha: – Po ndihem shumë e lodhur.

I kishte dhënë atij tjetrit të kuptuar, se, ashtu siç ishte hutimi i saj në ato çaste, kishte si shtysë diçka të pakuptueshme që mund të kishte shkak tensionin e pasprovimit.

Në të vërtetë hutimi i saj vinte nga një presion i brendshëm i një gruaje të afektuar. Po sa rëndësi kishte kjo për momentin! Kurse Maksi qeshi se e besoi, jo pa njëfarë kënaqësie që hutimi i saj i takonte atij. Kjo në të vërtetë ishte një nga ato kënaqësitë që ka çdo mashkull mendjelehtë kur mendon se, ajo që dashuron ai, gjithë ditën mendon për të.

‒ Jo, çne? ‒ tha ajo. ‒ E kam nga gëzimi që më dha befas një fund që e prisja me padurimin e një të burgosuri, si liri: ti e di, unë sot i mbylla studimet e bachelor-it dhe kjo s’është pak. Apo jo?

Ajo qëndroi pak, duke e parë atë drejt e në sy, dhe pastaj vazhdoi: ‒ Por ende nuk e kam njoftuar as Sofinë për provimin e fundit, e kjo sigurisht që më bezdis.

Të ëmës ajo i ka folur gjithmonë në emër, që së vogli.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zjarret si shenjë e paralizës së administratës publike shqiptare

Nga Ervis Iljazaj Pamjet e politikanëve që shuajnë zjarret në zona të...
Read More