fbpx

Mapo Letrare

MAPO LETRARE/ Natasha Lako: Heroina ime është Ana Frank





               Publikuar në : 09:53 - 09/02/19 |
mapo.al

Autorja e njohur flet për Mapo Letrare


Aktualisht, cilët libra keni më për zemër? 



Milosao- të De Radës, aktualisht dhe gjithnjë. Aktualisht “Artikuj” kritikë për Kandidin‘ e Volterit, që nga botimi i parë më duket andej rreth vitit 1738  e deri sot.


Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Unë respektoj relativitetin, rrethanat kur lexohet një libër dhe humorin personal.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyerat e të gjitha kohërave?

Të Anton Cehov dhe Ketrin Mansfild.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Janë shumë, po të jenë sot për sot. Gjithë ata ku në një artikull apo roman më bëjnë ta ndjej veten brenda. Uroj të mbetet e tillë në shqip letersia e Idlir Azizit, e lidhur me eseistikën.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Nuk lexoj librat që shiten në aeroporte, veçanërisht ata që renditen në rreshtin e parë. Kur i kam blerë, i kam shfletuar duke pritur në ndonjë tranzit ku edhe i kam harruar. Më pëlqen të lexoj libra që analizojnë fenomene të ndryshme politike shoqërore të kohës që po jetojmë dhe që më përfaqësojnë edhe mua, kudo që të jenë shkruar.

Nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj ndonjëherë atë librin e famshëm të përplasjes së kulturave dhe librat mbi politikën shqiptare të një kohe që e kam përjetuar vetë.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Një libër që synon të ngulitë islamin radikal, të cilin e kam gjetur rastësisht në një sirtar, kur një burrë i ri ndërroi pune.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Heroina ime është Ana Frank, reale, por edhe e paharruar në një ngujim fatal. Më kujton se ka gjithnjë njerëz të pafajshëm që as nuk mund të marrin me mend se deri ku mund ta çojë njeriu të keqen. Por po të isha në fillim të shekullin XX do të kisha Ana Kareninën.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Libri im i preferuar në fëmijëri ka qenë ai me përrallat e Andersenit. dhe Aventurat e Tom Sojerit, e doja me tepër se aventurat e Hekelbert Finit, ndoshta se e lexova të parin.

Në adoleshencë Walt Witmann, që në Evropë mbërriti në vitet 30-të, dhe në Shqipëri në fund të viteve 50-të. Uroj mos të vijnë më me vonesë botimet e kohës së sotme në botë, në shqip.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?  

Nuk jam futur në telashe se kam lexuar ndonjë libër,por kur kam sjellë disa botimet e Rilindjes të Prishtinës në vitin 1973. Libri i vetëm që kam ”grabitur” është “Lamtumirë armë” i Heminguejit, që ishte hequr nga qarkullimi.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Përsëri Ditari i Ana Frank nga buron gjithë qëndrimi im deri sot ndaj fashistizimeve të shumta të argumenteve shqiptare të të menduarit.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Libri im i sapobotuar Kundërpërfytyrimi.

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Kundërpërfytyrimin”.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Është diçka e ndikuar nga Shekspiri. Do të bashkoja, De Radën, Migjenin dhe Martin Camajn. Pra do të doja të flisnim shqip, diku shumë larg.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk ju pëlqeu? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Jam gëzuar shumë nga zbulimi i dy romaneve të Konicës të shkruara në frëngjisht dhe të botuara së fundi. Por duket që janë shkruar sipas shijeve të kohës për atë që mund t’i ketë porositur. Por kjo, nuk më pengon t’i shoh si material filmik. Nga ana tjetër më bëjnë të rivlerësoj jo vetëm vlerën historike kulturore por edhe vlerën letrare të romanit të Foqion Postolit ”Lulja e Kujtimit“ dhe romanet e Mihal Gramenos sepse sot po këmbëngulet të lihen jashtë çdo vëmendje. Kryevepra e Konicës mbetet Dr.Gjilpëra, por pesha e tij më e madhe anon nga mendimi politik intelektual dhe publicistik si shërbimi ndaj gruas për qytetërim.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?    

Historia e jetës sime është shumë modeste. Nuk jam Mata Hari.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat me poezi. Te Kavafis, Eliot. Sepse poezia nuk mund të përfundojë asnjëherë së lexuari.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?     

Nuk i kam lexuar ende të gjithë librat e Aristotelit dhe të Ovidit. Po kërkoj Meditacionet e Mark Aurelit. E di që dalin gjithë libra të mrekullueshëm,që nuk do të mund të arrij t’i lexoj. Madje e ndjej mungesën e tyre sepse e di që janë diku. Jam kureshtare për letërsitë e panjohura ose të popujve të vegjël. Mirë do të ishte të njihja letërsinë e Bangladeshit,me që është një nga vendet më të varfëria. Ëndrra ime do të ishte t’i lexoja shkrimtarët dhe poetët në origjinal, që nga latinishtja, deri në gjuhën mandarine. Prandaj e kuptoj Lasgushin që mësonte sanskrisht,jo thjesht me rezonancat e lashtësive të tingullit në shqip. Nuk e kam lexuar ende poetin e viteve 1300,Kafir. Them mos lexohet fare Qafir.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Më intereson të kuptoj si fillon të vështrohet bota e njeriut të sotëm nga sytë e të rinjve, çfarë kahje merr një vështrim I posalindur letrar. gjithashtu po kërkoj ndonjë libër të Elena Ferantes. Ndoshta e gjej në shqip. Por në çantë kam romanin e Luljeta Danos “Casa -Casino”. Në një qoshe rafti kam edhe librat që duhet t’i rilexoj. Vështirësia me to është e madhe kur largohem përkohësisht jashtë vendit. Sidomos për një kohë të gjatë.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas