MAPO LETRARE/ Kim Mehmeti: Europa e kërcënuar nga vetvetja

Shkrimtari i njohur Kim Mehmeti në një rrëfim për Europën e sotme dhe librat

Botimi i kolanës së plotë të veprave të Kim Mehmetit vetëm dy muaj më parë nga shtëpia botuese “Logos-A” është një ndër ngjarjet e rëndësishme letrare të vitit që lamë pas. Për gati tre dekada, ai vazhdon të jetë një ndër zërat më të mirë të letrave shqipe, i cili përmes librave që ka shkruar i ka dhënë jetë historisë së shqiptarëve në Maqedoni. Letërsia e Mehmetit evokon një kohë identitare përmes së cilës shohim më së miri vetëveten. Më poshtë, shkrimtari vjen në një bisedë mbi Europën dhe librin për MapoLetrare.

Plot 30 shkrimtarë evropiane mes tyre edhe shqiptari Ismail Kadare kanë nënshkruar një letër të botuar në gazetën Liberation, ku vënë alarmin për kërcënimet që po i kanosen kontinentit tonë, për braktisjen e tij nga aleatët tradicionalë, si ShBA dhe Britania, për rrezikun rus dhe thirrjet që vijnë nga brenda vetë Europës për tu kthyer brenda identiteteve kombëtare. Si do ta komentoje këtë shqetësim?

Evropa është pjesë e kësaj bote. E bota e sotme i ngjanë një tregu, ku të pasurit e të fortit, ia shesin njëri tjetrit mjerimin e popujve të varfër e të pambrojtur, mjerim të nxjerrë në ankand publik, e ndaj të cilit treg të gjithë jemi bërë të pandjeshëm. Andaj mendoj se Evropa, si edhe gjithë pjesa tjetër e ashtuquajtur e ‘civilizuar’, nuk është e rrezikuar nga askush, por nga vetvetja. Evropa e sotme, si edhe pjesa më e madhe e botës, ka humbur ndjeshmërinë ndaj ‘tjetrit’, asaj i kanë ‘vdekur’ shumë nga shqisat njerëzore, andaj edhe tani është e tronditur nga fytyra e vet, të cilën e sheh në pasqyrë. Nuk duhet harruar: në po këtë Evropë sot të shqetësuar për fatin e saj, ndodhën krime të paparë, si ai i Srebrenicës, dhe ajo ende nuk ia doli t’i emëroj me emrin e vërtetë.  Aq më shumë, për ta arsyetuar vetveten, dhe në emër të kinse pajtimit mes veti të popujve të Ballkanit, ajo edhe sot e kësaj dite tenton t’i barazojë viktimat me kriminelin, duke zbuluar më shumë ‘kriminelë’ te ata që mbronin vetveten nga vrasësit serb, sesa mes pjesëtarëve të popullit në emër të cilit u përgjak Ballkani. Gjithashtu, nuk duhet harruar se kjo Evropë e sotme, ende e mbron vetveten nga populli më i lashtë i këtij kontinenti – nga shqiptarët e Kosovës – duke mos u lejuar atyre të dalin nga gropa ku jetojnë.

Andaj është thuajse e pamundur këtë Evropë ta mbrosh nga ndikimet e forcave destruktive, ngaqë shumë telashe të sotme të saj, kanë të bëjnë me dystandardin që ajo ka përdorur nda të tjerëve dikur, e që i përdor edhe sot, dystandard i cili atë e bënë gjithnjë e më të lëndueshme nga ndikimet e jashtme. Shkurt e shqip: edhe pse Evropa vazhdon të jetë fytyra më e bukur e këtij planeti, ajo mbetet pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes së tij. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se në heshtje, edhe ajo e pranoi ‘rendin’ e ri botërorë, ku për vrasjen e një fëmije pjesëtarë të popujve të ‘civilizuar’, çohet në këmbë e tërë bota, ndërkaq, vrasjen e mijëra fëmijëve jemenas e palestinez, e heshtë e tërë bota! Dua të them: në këtë botë janë kalbëzuar shumë vlera njerëzore dhe, në atë tërësi globale kalbëzuese, bënë pjesë edhe ‘plehu’ që kalbet në kontejnerin evropianë!

Tani të kthehemi në një bisedë për librin. Cili është libri më i vjetër që keni në bibliotekë …

Nouveau Larousse Illustré, viti 1901.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo, dhe as që do ia dal t’i lexoj, përpos nëse do të kisha edhe 100 vite jetë.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë …

Kam blerë shumë libra me kredi, gjë që na mundësohej në ish-Jugosllavinë socialiste.

Me kë i keni ndarë librat?

Me askënd.

A keni pasur kartë anëtarësimi në bibliotekën e qytetit?

Po.

A shkonit në bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Dikur po, sot jo!

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Jo.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Jo.

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë, nuk u besoni shumë shijeve të të tjerëve?

E çmoj dhurimin e librave fëmijëve, por jo edhe të rriturve, të cilët nëse janë lexues të vërtetë, duhet të kenë shijen e vet.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës …?

Lexoj gjithmonë shtrirë dhe natën.

A lexoni në banjë?

Jo.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Maqedonisht, serbisht, bullgarisht.

Ç’libër keni në duar aktualisht?

Romanin e Roberto Bolanos, 2666.

Mbani shënime kur lexoni?

Jo.

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor të preferuar, lexoni gjithçka të tij apo të saj?

Më tërheq më shumë proza. Ka edhe autorë që kam lexuar tërë veprimtarinë e tyre.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Shekspirin dhe Prustin.

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Në kërkim të kohës së humbur nga Marsel Prusti.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini tre libra për t’i shpëtuar nga apokalipsi, cilët do të ishin?

Nëse do të zhdukeshin të gjithë librat e kësaj bote, atëherë as mua, as të tjerëve, nuk do u vlenin gjë, cilado qofshin ata tre libra që do i shpëtoja unë.

Na thoni një maksimë për librat që mbani mend ose i përsërisni shpesh

Libri nuk është atë që ka “thënë” e ka shkruar autori, por atë që kemi “lexuar” e përjetuar ne!

Na thoni një varg të preferuar poezie …

Fëmijët tuaj nuk janë bijtë tuaj,

Janë bij e bija të etjes që jeta ka për vetveten. (Kahlil Gibran)

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Nuk kam ndonjë personazh të preferuar ngaqë edhe nuk i mbaj mend emrat e personazheve.

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Autografi më i çmuar është ai i Anton Pashkut.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Këto rregulla mund të ndryshojnë jetën tuaj

Nga Jordan B. Peterson, Revista Mapo Jordan B. Peterson mund të jetë ndoshta...
Read More