fbpx

Kryesore

‘Mallkimi’ i Kryeprokurorit





               Publikuar në : 10:16 - 09/12/17 |
mapo.al

Nga prokurori i parë i pas viteve ‘90, Rrapi Mino, tek Adriatik Llalla; historia e tetë drejtuesve të akuzës, të cilët patën një fund të ngjashëm karriere si “kurbanë” të politikës. Dosja e 27 viteve të “përdorimit” nga një palë dhe e hakmarrjes nga pala tjetër


Nga Luljeta Progni



“Kemi shumë çështje nën hetim, disa prej tyre të një shkallë të tillë që, nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit”, deklaroi kryeprokurori, Adriatik Llalla më 15 maj 2014. Nuk është i vetmi “kërcënim” i kësaj natyre i tij. “Kemi nën hetim zyrtarë të lartë edhe në nivel ministrash”, ishte një tjetër paralajmërim që nuk u vërtetua. As zyrtarë të lartë u arrestuan e as e ardhmja e vendit nuk ndryshoi. Nuk ia doli t’i tronditë themelet e politikës, ndoshta edhe për shkak të politikës. Ndonëse në fund të mandatit pesëvjeçar, ai po largohet nga detyra me vendim të politikës, e cila nëse donte ta mbante mund t’ia zgjaste mandatin deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


Por në mes është përplasja e prokurorisë me mazhorancën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria nuk ia doli dot të argumentojë akuzën dhe ish-ministri nuk u arrestua. Mazhoranca e konsideroi sulm politik të prokurorisë ndaj ish-ministrit. Në Shqipëri kjo situatë është krejt e zakontë. E tilla është historia e marrëdhënieve të institucioneve të drejtësisë me politikën.

Kur i shpalli luftë mazhorancës, Llalla ndoshta e kishte përllogaritur se fundi i kësaj lufte, me humbje ose fitore, do të ishte tamam në prag të momentit kur do të duhej të diskutohej vazhdimësia ose ndërprerja e mandatit të tij në krye të prokurorisë. Dihej që betejë e tillë me mazhorancën do të shkaktonte shumë debate në politikë. Në të vërtetë po ndodh. Mazhoranca po zëvendëson Llallën, ndërsa opozita e konsideron shkarkimin e tij si përpjekje për të shpëtuar ish-zyrtarët që ai akuzoi si të përfshirë në kanabizimin e Shqipërisë.

Mazhoranca ka vendosur ta largojë me argumentin se i ka përfunduar mandati. Çështja është se si do të kryhet ky proces, me apo pa marrëveshjen e opozitës. Kryeministri Rama e ka kërkuar publikisht marrëveshjen e opozitës. Rama propozon bashkëpunimin e opozitës për shkarkimin e Llallës, me parullën që e thërret sa herë gjendet ngushtë: Pakt Kombëtar për Europën që duam.

Historia e dhunës së politikës mbi drejtësinë

Gjithmonë e kapur nga politika. Ky është fati i drejtësisë shqiptarë thuajse në të gjithë historinë e saj. Për 50 vite komunizëm, drejtësia nuk e mori për asnjë moment kuptimin e saj dhe për 27 vitet e tjera postkomuniste drejtësia u vendos në funksion të politikës, vegël për spastrime kundërshtarësh dhe presione mes tyre. E tillë është edhe historia e prokurorëve të Përgjithshëm të Shqipërisë. Fati i tyre është vendosur dhunshëm nga politika. Janë 8 kryeprokurorë që kanë drejtuar organin e akuzës për 27 vjet përmes marrëdhëniesh të ngatërruara me politikën, pa mundur të arrijë në lartësinë që i takon si institucion. Këto ditë po debatohet për fatin e të 8-it, kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ai po largohet nga detyra duke lënë pas një karrierë të ngjashme me paraardhësit e tij dhe një beteje po ashtu të ngjashme në fundin e kësaj karriere.

“Nuk është çështja e Maksim Haxhisë, por e demokracisë”.

Në vitin 1992, pritej dhe shpresohej të hidheshin themelet e drejtësisë së pavarur. Shqipëria e postkomunizmit ishte e etur për drejtësi. Terreni ishte i vështirë, sidoqoftë nuk ishte e pamundur.

“Dëshiroj të bëj të ditur përpara këtij Parlamenti, Presidentit dhe opinionit tonë publik, qëndrimin tim të prerë kundër mendimit regresiv e të paprecedent në asnjë shtet demokratik të zhvilluar për krijimin e të ashtuquajturave kurse disamujore për përgatitjen e juristëve. Pranimi i kësaj do të thotë që të përdhunohet drejtësia dhe me vetëdije të çohet shoqëria në anarki….”. Kështu tha Maksim Haxhia, Prokuror i Përgjithshëm i zgjedhur në 10 maj të vitit 1992, pas fitores së PD në zgjedhjet e 22 marsit të atij viti.

Ishte një qëndrim që binte ndesh me presidentin e kohës Sali Berisha, i cili i kishte hapur rrugë ngritjes së disa kurseve disamujore për të prodhuar juristë me qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë. Në vitin 1992, PD e gjeti sistemin e drejtësisë të mbushur me prokurorë e gjyqtarë të stilit komunist, shumica e të cilëve ishin bërë pjesë e gjyqeve të diktaturës komuniste, duke vendosur për vrasje njerëzish të pafajshëm. Padyshim që duhej një zgjidhje, por për Maksim Haxhinë, nuk ishin kurset disamujore zgjidhja. Nuk do të kalonin shumë muaj dhe Haxhia do të gjendej në gjyqin politik në parlament. Grupi parlamentar i PD-së, paraqiti në gusht të vitit 1992 një mocion mosbesimi për prokurorin e Përgjithshëm, mbështetur në disa mangësi që ishin identifikuar në ushtrimin e detyrës. Një debat i ashpër u krye ato ditë gushti në parlament, ku një prej deputetëve të spikatur të asaj kohe në grupin parlamentar të PD-së, i ndjeri Teodor Keko, ishte kundër shkarkimit të Haxhisë. Një ndër frazat e tij që u komentua nga shumë deputetë ishte: “Nuk është çështja e Maksim Haxhisë, por e demokracisë”.

Historia e shkarkimeve

Me historinë më jetëshkurtër në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Maks Haxhia, është prokurori i parë i zgjedhur nga ish-presidenti Sali Berisha për të drejtuar organin e akuzës në Shqipërinë e vitit 1992. U zgjodh në maj të vitit 1992 dhe u shkarkua në nëntor të atij viti.

Maksim Haxhia e kishte marrë detyrën në maj të vitit 1992, por para tij në atë post kishte qenë Petrit Serjani. Para Petrit Serinit në vitin 1991, këtë post e kishte mbajtur Rrapi Mino. Ishte prokuror i Përgjithshëm në kohën kur ndodhi ngjarja e 2 prillit në Shkodër ku u vranë 4 protestues, ndër ta edhe studenti i dhjetorit Arben Broci. Për këtë ngjarje, Rrapi Mino u shkarkua nga parlamenti në datë 6 maj 1991, dhe shkarkimi i tij u votua nga 190 deputetë të kuvendit, vetëm 75 prej tyre ishin demokratë. Pra, pati një marrëveshje mes dy palëve, PS e PD për shkarkimin e tij. Petrit Seriani u zgjodh në maj të vitit 1991 dhe u shkarkua në maj të vitit 1992, për t’i lënë vendin Maksim Haxhisë, i cili do të shkarkohej brenda pak muajsh, në nëntor të atij vitit.

Në vend të Maks Haxhisë, në nëntor 1992 u zgjodh në këtë detyrë nga mazhoranca demokrate, Prokuror i Përgjithshëm, Alush Dragoshi. Në kohën e tij u dënua me burg kryetari i atëhershëm i opozitës, Fatos Nano. Alush Dragoshi e drejtoi institucionin e rëndësishëm të Prokurorit të Përgjithshëm sipas modelit Berisha pa shkaktuar asnjë pengesë në filozofinë e tij të ndëshkimit të kundërshtarëve përmes institucioneve të pavarura. Pas trazirave të vitit 1997, në qershor të këtij viti, PS-ja erdhi në pushtet. Në krye të Prokurorisë së Përgjithshme erdhi Arben Rakipi.

 Rakipi si “viktimë” e luftës Nano-Meta

Arben Rakipi, ishte prokurori i Përgjithshëm që do të bëhej viktime e luftës brenda mazhorancës që e kishte zgjedhur. Ishte koha e luftës politike brenda PS-së të ndarë në dy pjesë, grupi Nano e grupi Meta. Në fund të janarit 2002, Ilir Meta, kishte dhënë dorëheqje si kryeministër dhe në vend të tij ishte emëruar Pandeli Majko. Meta dhe mbështetësit e tij në PS, bashkëpunuan me një aleancë “fluide” me Berishën për të rrëzuar mazhorancën e Nanos. Për këtë, opozita propozoi mocion për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pas një seancë debatesh në parlament, Arben Rakipi u shkarkua me 78 vota pro, 10 kundër, 5 abstenime.

“Për zotin Rakipi, më kujtohet një shprehje e një shkrimtari të madh, të cilit kur i thanë se dikush donte ta vriste, u përgjigj shkurt: “Nuk di të kem bërë ndonjë nder”. Në fakt, zoti Rakipi ka bërë shumë ndere dhe sot duhet ta kuptojë se përse shumë do të votojnë kundër tij”, –tha kryeministri i kohës Pandeli Majko, në atë seancë.

Koha e konsensusit

Më pas erdhi edhe marrëveshja Nano-Berisha për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale. Pas zgjedhjes së presidentit konsensual, Alfred Moisiu, duhej edhe një kryeprokuror konsensual. Në vend të Arben Rakipit, prokuror i Përgjithshëm u emërua Theodhori Sollaku. U cilësua si figurë konsensuale pasi kishte qenë këshilltar i Berishës kur ishte President dhe më pas kishte qëndruar në këtë detyrë edhe gjatë presidencës së Rexhep Meidanit. Sollaku do të shkarkohej pas pesë vitesh nga mazhoranca demokrate e drejtuar nga Berisha.

Një komision hetimor i ngritur për veprimtarinë e prokurorisë, do të sillte edhe fundin e mandatit të Theodhori Sollakut në detyrën e prokurorit të Përgjithshëm. Ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, PD-ja erdhi në pushtet dhe në vitin e dytë të qeverisjes ngriti komision hetimor për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme. Presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu, refuzoi të firmosë shkarkimin e Sollakut nga detyra.

Do të duhej të pritej momenti kur do të zgjidhej Bamir Topi, president i ardhur nga radhët e PD-së, për të firmosur shkarkimin e Sollakut. Një ndër vendimet e para të tij, ishte edhe firmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, bazuar mbi raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e prokurorisë.

Përmes të njëjtit dekret, Topi emëroi në këtë detyre prokuroren Ina Rama. Juristja 35-vjeçare, ishte anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.

Nga “Silvia Konti” te “Lavire bulevardi”

Do të kishte fat të ngjashëm me paraardhësit e saj në detyrë edhe Ina Rama. Shkarkimi erdhi pas acarimit të marrëdhënieve midis kryeministrit Berisha e presidentit Bamir Topi. Menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit 1991, kur u vranë katër protestues para kryeministrisë. Raporti mes kryeministrit të mazhorancës së djathtë dhe presidentit të zgjedhur prej kësaj mazhorance ishte prishur me vendimin e Berishës dhe Ramës për të ndryshuar Kushtetutën. Përplasjet mes Topit e Berishës kulmuan pikërisht pas ngjarjes së 21 janarit, ku do të bëhej “viktimë” e radhës, Ina Rama. Kryeministri Berisha dhe mazhoranca, bashkë me aleatin e tij Ilir Meta, e akuzuan Bamir Topin e Ina Ramën si pjesë e “puçit shtetëror”.

Kur u emërua si prokurore e Përgjithshme, vlerësimi i Berishës për Ina Ramën kishte qenë i lartë. Ai e quajti “Silvia Konti e Shqipërisë” por shpejt do të kalonte në ekstremin tjetër kur përdori në rrethana të caktuara shprehjen “lavire bulevardi”. Pas këtij momenti, mazhoranca e djathtë e shkarkoi Ina Ramën me motivacionin që ka mbushur mandatin 5-vjeçar në këtë institucion. Në vend të Ina Ramës u zgjodh në krye të Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla. Situata është e ngjashme me shkarkimin e Llallës. Po i përfundon mandati thotë mazhoranca, ndërsa opozita e konsideron antikushtetues këtë “gjetje” të mazhorancës për largimin e Llallës.

 



Pas