MADAME MAPO/ Romir Zalla: Ne jetojmë në një ‘Komedi’ të madhe përditë

Nuk besoj se ka njeri, të madh e të vogël, që nuk e njeh atë, apo që nuk ka qeshur me humorin e tij. E kam fjalën për Romir Zallën, të cilin ne shpesh vazhdojmë ta quajmë edhe Llambi, si personazhi i parë me të cilin na është prezantuar. Ai është një aktor që punën e tij e bën me pasion dhe asgjë që bëhet me pasion e dashuri kurrsesi s’mund të jetë e shëmtuar. Artin ka ditur të na e përcjellë si përmes skenës të spektaklit të humorit ‘Portokalli’, ashtu edhe përmes skenës të teatrit sepse një aktor i mirë është ai që di të bëjë mirë çdo rol, të lëvrojë si humorin ashtu edhe dramën, pastaj është zgjedhje e tij se ku e gjen më tepër veten. Në interpretimet e tij mund ta gjejnë veten shumë burra, sepse përmes rrëfimeve Romiri trajton tematika shumë të prekshme të përditshmërisë. Ne kemi dashur të hedhim pak dritë mbi perceptimet e tij si aktor dhe në vetë labirintet e këtij profesioni sa të bukur edhe të lodhshëm.

Bisedoi: Antonela Bregu

Një pjesë e mirë e publikut ju mban mend ende si ‘Llambi’, si lindi ideja e këtij emri dhe historitë që tregonit ju nën petkun e këtij personazhi çdo puntatë?

Llambi është personazhi i parë, me të cilin jam prezantuar për herë të parë në publik në 2004. Ndoshta, prandaj mbahet mend akoma, prej impresionit të fortë në publik, si një karakter i veçantë për ‘problematikën’ e tij si burri që ‘ankohet’ për gruan. Akoma sot dëgjoj: ‘Mua burri im më thërret Edra’. Me thënë të drejtën, sa ishte ide dhe deri nga dy-tri shfaqjet e para, ka qenë pa emër. Me emrin Llambi e ka ‘pagëzuar’ Agron Llakaj, kurse të shoqes ia vumë emrin si shkurtim i fjalës kuçedra. Historitë për këtë personazh janë të pafundme. Çdo bashkëshort ka histori të tilla për të shoqen. Jeta në çift, në familje gjeneron situata komike pa fund. Tani, vë re që humori mbi marrëdhënien burrë-grua është kthyer në ‘trend’. E kam humbur ekskluzivitetin. Garancia është që publiku, të martuarit, gjejnë veten. Unë ende sot në shfaqjet e mia ‘Stand Up’ pa diskutim që flas edhe për historitë me ‘gruan’ time. Nuk di ku mbaron Llambi dhe ku filloj unë. Histori sa reale, aq edhe të sajuara. Në fund të fundit, të gjithë burrat kanë pak Llambi brenda.

Nëse nuk do të ishit bërë aktor, cilin profesion do të kishit zgjedhur?

Pyetje e vështirë. Nuk di nëse do të mund të bëja dot profesion tjetër, megjithëse nuk ia përtoj punës. Çfarë të them, shkollën e mesme e kam bërë te Harry Fultz, shkollë nga ku kam dalë me profesion mekanik teknolog (tornitor). Nuk do ta bëja dot këtë punë. Kam provuar gjithfarësoj punësh, kam punuar në bujqësi, shitës tezgash, bukëpjekës dhe kamerier. Thonë që sipas shenjës që kam në horoskop, ne ‘Binjakët’ shquhemi me të mbush mendjen dhe profesionet që na shkojnë përshtat janë tregtar ose avokat. Ndoshta, po t’i hyja juridikut, sot do kisha në dorë ndonjë orë firmato. Por jo jo, nuk e ndërroj profesionin tim me asgjë në botë.

Si e përshkruani eksperiencën tuaj në spektaklin e humorit ‘Portokalli’?

Eksperiencë unike. Kam qenë për gati 12 vjet pjesë e një ndërmarrjeje kolosale, që nisi nga zero, me shumë dashuri, pasion, sinqeritet, profesionalizëm dhe vazhdon të mbahet me fanatizëm dhe shumë punë. Portokalli tashmë është markë me garanci dhe unë jam i kënaqur që kam investuar edhe unë fytyrën dhe emrin tim aty. Kam investuar, kam punuar shumë, kam dhënë nga vetja, por edhe më ka dhënë. Sigurisht, gjithçka ka qenë reciproke. Tashmë kam një eksperiencë që ndoshta shumë kolegë të mi nuk e kanë dhe kjo falë punës në ‘Portokalli’. Ritmi i punës, reagimi i shpejtë, energjia pozitive, kreativiteti, sensi i masës, dallimi midis humorit të shëndetshëm dhe atij banal, profesionalizmi, pa diskutim janë meritë e punës në ‘Portokalli’ dhe bëjnë diferencë me çfarë gëlon vërdallë. Ky është thelbi i eksperiencës që kam fituar në ‘Portokalli’ dhe tashmë e kam nën lëkurë. Fama është pasojë, siç vjen shpejt, edhe ikën shpejt, po nuk e mbështete fort në punë.

A ka patur raste kur jeni detyruar të improvizoni në skenën e Portokalli pasi keni harruar fjalët?

Improvizimi është pjesë natyrale e punës. Janë më të sinqerta, jo të parapërgatitura apo të llogaritura gjërat që dalin me improvizim. Nuk është gabim, nuk është fundi i botës. Madje, një komedian duhet ta ‘stërvitë’ improvizimin. Në ‘Stand Up Comedy’ p.sh. njihet edhe ajo që quhet ‘Improv Comedy’. Mua nuk më ka ndodhur ndonjëherë të harroj fjalët, përkundrazi improvizimet i kam bërë duke shtuar fjali të tjera. Sido që të jetë, improvizimet janë momente të bukura, pa siklete.

Nga 1 në 10 sa e vështirë është të krijosh situata për të rrëfyer dhe shkaktuar të qeshura çdo javë?

Nëse duhet të krijosh humor që edhe kur ta shohësh pas shumë vitesh të qeshësh njësoj si herën e parë, nga 1 te 10, pa diskutim 10. Të bësh humor ka shumë mënyra: gallatë, përqeshje, denigrim, banalitet, imitim, ironi, por të krijosh humor është shumë e vështirë. Njerëzit që bëjnë humor duhet të jenë inteligjent. Të kapësh detajin, kontekstin, të provokosh, të thuash me humor të vërtetën që nuk pranohet. Kjo kërkon inteligjencë për ta bërë. Edhe lolot që konsideroheshin si ‘budallenjtë’ e oborrit mbretëror kanë qenë në fakt pasqyra ku mbreti shihte veten lakuriq. Me humor, me humor, qesh e ngjesh thotë populli.

Ku e gjen Romiri më shumë veten, në dramë apo në komedi?

Nuk bëj dallim. Edhe në jetë, një situatë dramatike mund të kthehet në sekondë në situatë komike. Sigurisht, në komedi ndihem më i sigurt, por më joshin shumë edhe personazhet dramatike. Biles, ngaqë i konsideroj si sfidë nganjëherë më thonë: ‘ti je më mirë në dramë, se në komedi’. Unë vetë, veten e shoh në komedi. Ne jetojmë në një ‘Komedi’ të madhe përditë. Ka plasur një humor i madh vërdallë që ç’të të them. Kudo na rrethon absurdi. Këtu mund të bësh humor me gjithçka, nga humori i zi dhe deri te gallata. Dhe ne jemi popull optimist, i qeshur, e konsumojmë shumë humorin, e marrim gjithçka lehtë dhe me sportivitet. E ku ka më bukur. Kush qesh njëherë në ditë jeton më gjatë. Ka një problem të vogël që po na e ‘vjedh’ profesionin politika, por besoj se do kalojë shpejt ky moment.

Si ka ndikuar familja në karrierën tuaj? A keni hequr ndonjëherë dorë nga ndonjë rol për hir të tyre?

Ekziston një raport midis punës dhe familjes, i cili duhet të jetë i balancuar. Nëse i kushton më shumë vëmendje punës dhe lë pas dore familjen, ç’kuptim ka? Në çdo hap të karrierës sime, në çdo vendim në punë, nganjëherë dhe të vështirë, familja ka qenë prezente dhe primare. Për mua familja është e shenjtë. Karriera është sfidë me veten dhe dinjitet. Gjërat e tjera midis, janë kalimtare dhe nuk kanë vlerë.

Provat në teatër mund të zgjasin me orë të tëra, a ju humbet shpesh durimi?

Eh, teatri është i vështirë. Do punë, ka prova, konsum nervash, kriza krijimtarie, premiera, shfaqje, turne, dështim, sukses, përkëdhelje të egos, emocione, adrenalinë dhe shuuuumë durim. Po nuk pate durim, mos u merr me teatër. Unë jam tip i qetë në përgjithësi dhe me shumë durim. Sigurisht, ka momente kur plas dhe unë, por shumë rrallë. Mua më bën të humbas durimin dhe më nervozojnë rastet kur shoh hile, lëpirje dhe paaftësi në profesion. Përpiqem ta shmang sa më shumë kontaktin me këtë fenomen në jetë, por kur ma zënë derën, aty plas. Puna dhe orët e zgjatura, nuk më lodhin nëse i kaloj me njerëz të aftë, njerëz pozitivë dhe kolegë e bashkëpunëtorë të mirë.

Çfarë e frymëzon Romirin në jetë dhe në profesion?

Para disa vitesh, regjisori Francis Ford Coppola ka qenë në Shqipëri si i ftuar në një festival filmi dhe në një takim me artistë dhe në një moment tha: ‘Kam një këshillë për aktorët e rinj, nëse doni të bëheni të suksesshëm MARTOHUNI. Vetëm familja mund të bëhet një shtysë e mirë për të bërë karrierë dhe para.

A besoni në fate të shkruara apo në shprehjen “Fatin e bën njeriu”?

Besoj që fatin e bën njeriu. Unë në jetë dhe në profesion kam bërë gjithmonë atë që kam dashur të bëj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vazhdon seria e shkarkimeve: Prokurorja e parë që nuk kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokuroren e Apelit në...
Read More