MADAME MAPO/ Remzie Osmani: Kënga është ilaç i shpirtit tim

Ajo është e njohur në mbarë trevat shqiptare, kudo që ka shqiptarë e që dëgjohet muzikë shqip. Është e bukur pavarësisht kalimit të viteve tamam si një gonxhe që kurrë nuk vyshket, është e sjellshme dhe di gjithnjë të përcjellë pozitivitet, kurrë s’kemi dëgjuar për të ndonjë skandal. I është futur rrugës së muzikës vetëm me një qëllim për të sjellë sa më shumë hite. Bëhet fjalë për bilbilin e Kosovës, të mirënjohurën Remzie Osmani.  Remzia është prezantuar përpara publikut 30 vite më parë dhe çdo ditë e më shumë vazhdon të sjellë vetëm produkte muzikore që kthehen ne hite. Në pjesën më të mirë të këngëve e kemi parë në bashkëpunim me të vëllanë Nexhat Osmanin, me të cilin Remzia shprehet që ka patur fatin ta ketë pranë, për zërin dhe talentin që posedon sepse kurrë nuk do gjente si ai. Në repertorin e saj tashmë numëron plot 26 albume dhe pafund këngë solo e në bashkëpunim. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe ishte personazhi i duhur në këtë fillimviti për të çelur një rrugë të re të vitit 2019. Remzia për të gjithë fansat e saj u shpreh kësisoj për këtë atmosferë festash, ‘Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, lumturi, dashuri dhe begati në familjet tuaja. Dëshiroj paqe në të gjithë globin! Gëzuar!’

Intervistoi: Ada Kacmoli

Si vendosët që të merreshit me muzikë?

Nuk e vendosa unë vetë personalisht, ishte talenti mendoj vendimtar. Në atë kohë në fshatin tim ekzistonte shoqëria ‘Afërdita’ ku mësuesit janë marrë shumë me nxënësit për të futur në ansambël sa më shumë talente dhe kshu një ndër ta isha edhe unë. Talentin tim e zbuloi mësuesi i muzikës. Megjithatë unë e kisha edhe motrën time anëtare të asaj shoqërie dhe me thënë të drejtën e kam pasur pak më të lehtë për t’u futur dhe për të punuar me shoqërinë ‘Afërdita’ që ishte në atë periudhë.

Cilat janë anët pozitive të këtij profesioni po anët negative?

Ana pozitive e të marrurit me muzikë ka të bëjë më faktin që ushtroj një profesion që e dua me shpirt dhe që ndoshta pa të nuk do të kisha mundur për ta menduar jetën pa të, sepse nuk i dihet asnjëherë jetës, ndërsa ana negative mund të them që në jetën private je pak më e cenuar, nuk je e lirë kuptohet duhet më shumë kujdes në mënyrën sesi sillem, sesi reagoj në momente të caktuara sepse kur je emër i njohur është pak problem. Megjithatë unë për këtë u lodha dhe punova për të pasur famë dhe për të arritur lart, prandaj unë gjithmonë në jetë i kam parë gjërat me pozitivitet edhe pse kjo është pak e lodhshme unë prapë e mendoj që është pozitive.

Kush të ka suportuar në çdo sukses dhe vështirësi tuajën?

Ai që më ndihmon dhe pa të ndoshta do të kisha harruar shumë data dhe angazhime në të cilat i prenotoj është bashkëshorti im, i cili më ndihmon pa ndalur edhe thjesht mund të them që ai është krahu im i djathtë, jeta ime.

Cili ka qenë momenti juaj më i lumtur në karrierë dhe në jetën personale? Po një nga momentet më të këqija në një situatë çfarëdo të çilin e keni përjetuar shumë keq?

Në jetën e përditshme gjithsecilit i ndodhin momente të ndryshme të mira ose të këqija. Ato të mirat ndodh sikur t’i parapërgatitim kurse këto të këqijat vijnë papritmas. Një rast na ka ndodhur para tri vitesh kur këndonim së bashku me vëllanë, ka qenë ora një e natës edhe nëna ime duke menduar që ne jemi diku larg edhe nuk arrijmë të kthehemi për të varrosur xhaxhain na ka dërguar një mesazh ejani se ka vdekur xhaxhai. Ishte një moment shumë i vështirë sepse njëkohësisht na vinte për të qarë por edhe duhej të këndonim. Kur ndodh diçka e rëndë dhe papritmas, për shembull rastet e vdekjes Zot na ruaj është shumë e vështirë për një artist nëse gjendet nëpër koncerte.

Për çfarë të ka ndihmuar muzika, për një ekonomi më të mirë apo për një qetësi më të madhe shpirtërore dhe pse?

Unë asnjëherë s’e kam menduar që kënga do të më kthehet në profesion. Kënga është ilaç i shpirtit tim. Nuk do e kisha menduar veten në këtë profesion, por në fillimet e mia të karrierës ishte shumë e vështirë të më hapeshin dyert e televizioneve. Përpos shoqërive kulturore nuk kisha mbështetjen e askujt edhe shoqëritë nuk është se kishin aq shumë hapësirë për të më ndihmuar nëpër televizione. Gjithmonë këto gjëra kanë shkuar në favor të atyre që kishin shumë njohje dhe kontakte prandaj këmbëngulja, puna, talenti dhe aftësitë e mia bënë që të arrija deri këtu sot. Synimet e mia nuk kanë qenë përfitimet monetare, unë kam menduar vetëm për karrierë. Kështu që arrita t’i hap këto dyer edhe në ditët e sotme të mos kem problem. Megjithatë gradualisht kjo me kohën është kthyer në profesion, sepse kur njeriu punon thuhet edhe fiton. Edhe me mua kjo gjë ndodhi.

Shumica e këngëve tuaja kanë ardhur në bashkëpunim me vëllain tuaj Nexhatin pse kjo zgjedhje?

E kam thënë shumë herë që Nexhati është shumë i talentuar edhe ju vetë po e shihni që edhe nëse do të kisha kërkuar anë e mbanë botës për muzikë shqiptare nuk do të kisha gjetur talent dhe bashkëpunëtor më të mirë që më përshtatet nëpër duete. Mendoj që ia ka vlejtur që po punoj me Nexhatin.

A e keni trashëgimi këngën dhe këtë zë kaq të bukur, duke qenë se merreni si ju dhe vëllai juaj me muzikë?

Është e vërtetë që e kemi trashëgimi. Kur e dëgjoj nënën time duke kënduar, më përpara sepse tani i vjen zor nga ne, ka tamam ngjyrën e njëjtë të zërit me Nexhatin, po ashtu edhe motra ime më e madhe ka kënduar, por fatkeqësisht s’e ka vazhduar. Po ashtu edhe dajat e mi të gjithë kanë performuar me instrumente edhe kanë patur zë të mirë. Unë mendoj që është e trashëguar duke u nisur edhe hallat, njëra prej tyre e don shumë muzikën edhe ka një zë shumë të mirë.

Shqiptarët preferojnë më shumë baladat apo këngët tuaja ritmike dhe pse?

Nuk mendoj që preferojnë vetëm njërin nga këto dy opsione. Mua më kanë pranuar me të dy zhanret edhe besa-besës me këngët folklorike jam pranuar shumë më herët. Normal që kam sjellë më shumë këngë ritmike sepse kërkohen më shumë nëpër ahengje, nëpër mbrëmje, koncerte, kurse baladat i këndoj më pak sepse ato i kemi më së shumti nëpër diskoteka për rininë.

Çfarë marrëdhënie keni me Nexhatin? Ua ka përforcuar më shumë raportin që keni muzika duke qenë shumicën e kohës bashkë nëpër koncerte dhe aktivitete apo ka ndodhur e kundërta?

Me Nexhatin gjithnjë kemi kaluar shumë mirë, por kryesore është që jam më e madhe dhe ma dëgjon fjalën time e nuk po i del keq kur po më dëgjon.

Si do ta përshkruanit dashurinë që keni ju për familjarët tuaj? Çfarë janë ata për ju?

Vetëm një njeri i marrë që nuk ka mend në kokë nuk ka dashuri për familjen. Familja është e shenjtë, për atë jetoj, për atë punoj edhe sakrifikohem edhe nuk di sesi të shprehem ndryshe.

Po me kolegët çfarë raporti keni? Keni pasur ndonjëherë konflikte apo gjithmonë raporte të shëndetshme?

Me kolegët e mi unë gjithnjë përcjell pozitivitet. Asnjëherë nuk di të kem rënduar dikë me vetëdijen time. Asnjëherë nuk di që të jem konfliktuar me dikë. Unë i dua të gjithë, kush nuk më don nuk kam çfarë t’i bëj.

A mund të na veçoni një projekt muzikor solo dhe një bashkëpunim që është pritur shumë mirë nga publiku? Pse mendoni që ka patur kaq shumë sukses?

Mund të veçoj një nga baladat e mia që është dëgjuar pafund si në Shqipëri edhe në Kosovë, gjithandej, me titull ‘Sa të deshta’, një baladë e mrekullueshme e punuar nga Virusi. Pastaj kemi dhe shumë duete me Nexhatin që janë dëgjuar në mbarë shqiptarinë gjithashtu. Kënga për shembull ‘Shko kurrë mos u kthe’, ‘Gjerdani i dashurisë’ po dëgjohet shumë, pastaj është kënga ‘Hajde luaj qyqek’. Mendoj kaq shumë vite sa janë bërë gati 13 me këngën ‘Sa të deshta’, ‘Shko, kurrë mos u kthe’, ne akoma i këndojmë edhe publiku së bashku me ne, e të mos flasim për ‘Gjerdanin e dashurisë’ edhe këngën tjetër ‘Hajde luaj qyqek’.

Kënga e para 5 viteve me titull “Për mua je kryevepër” është shkruar nga ju dhe flet për një dashuri të ndaluar. Pse pikërisht kjo zgjedhje nga ju? Kujt i dedikohet?

Është e vërtetë që këngën me titull ‘Për mua je kryevepër’ e kam shkruajtur vetë, megjithatë kjo nuk është e vetmja. Unë kam shkruar gati 50% të këngëve të mia. Kjo e fundit ka qenë inspirim nga shumë raste që po ndodhin, mund të jem bazuar nga një kushëri apo kushërirë, por tek unë nuk kanë ndodhur këto gjëra shyqyr Zotit.

A mendoni që shumica e teksteve  të tekstshkruesve të ndryshëm janë produkt i gjendjes së tyre të brendshme, të së kaluarës, të tashmes apo janë thjesht frymëzime të momentit dhe pse?

Artisti e ka punën e tillë që duhet të gjejë rastet më të mira, të ekzagjerojë. Nuk mendoj që tekstshkruesit nisen thjesht nga gjendja e tyre shpirtërore, sepse kanë shkruar aq shumë sa nuk mund t’u kenë ndodhur të gjithë ato raste, është vetë inspirimi.

Cili është projekti juaj më i afërt? Çfarë natyre do të ketë?

Projekti im i radhës do të jetë një baladë, e kam përfunduar edhe videoklipin dhe po pres ta lançoj, mirëpo është kjo rrëmuja e festave të fundivitit në të cilën dalin shumë këngë dhe nuk e pashë  të arsyeshme me ia prezantu publikut, mendoj që në fund të janarit do të jetë gati. Pastaj po punoj një duet me Nexhatin e shumë e shumë të tjera.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çfarë pretendojnë sokratët nga populli i tyre?

Nga Lulzim Hoxha Sokrati është ndër filozofët athinas që ka patur më...
Read More