fbpx

Kryesore

MADAME MAPO/ Lira Burgija: Dita ime e punës nga zyra e GIZ në ekranin e Vizion Plus





               Publikuar në : 09:21 - 02/02/19 |
mapo.al

Paraditen e kalon brenda zyrës së GIZ, shoqëria gjermane për bashkëpunimin ndërkombëtar që zbaton projekte në sektorë të ndryshëm në emër të qeverisë gjermane, dhe pasdite është imazhi kryesor i televizionit Vizion Plus. Kjo është dita e punës për Lira Burginë, gazetarja e ekranit, që raportonte nga terreni në Top-Channel për lajmet social-ekonomike. Në intervistën për Mapo Trend Lira rrëfen për 2 sfidat e reja në karrierën e saj; punën si PR dhe si folëse lajmesh, ku e shkuara e gjatë si gazetare i jep sigurinë që i duhet në ekran.


Lira, kur u duk që kishe vendosur të largoheshe nga media për të punuar në fushën e marrëdhënieve me publikun pranë GIZ Albania, ju u rikthyet sërish në ekranin e televizionit. Si ndodhi ky rikthim?



Vendosa t’i bashkohem stafit të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) një vit më parë, jo me qëllimin për t’u larguar nga media, por me dëshirën për t’u përballur me një sfidë të re, për të cilën puna e disa viteve në sektorin mediatik më ka ndihmuar shumë. GIZ zbaton projekte në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, në emër të qeverisë gjermane.


Pavarësisht kësaj, propozimi për t’u rikthyer në ekran më erdhi në një moment krejt të papritur. U desh pak kohë të sistemoja kohën që do t’i kushtoja televizionit, pa cenuar punën në GIZ. Thashë, pse jo? Fundja prezantimi i lajmeve është një eksperiencë që nuk pata mundësinë ta provoja më parë, por që e kam dashur gjithnjë.

Ju jeni gazetare me eksperiencë edhe si moderatore emisioni në Top-Channel, por prezantimi i lajmeve është një eksperiencë e re, sa sfiduese është për ju?

Si çdo eksperiencë e re, kërkon fillimisht kohën e saj të ambientimit. Në edicionin e parë kisha emocione si në ditën e parë të punës në televizion. U deshën disa ditë të miqësohesha me prompterin.

Por edhe pasi fiton një lloj sigurie në ekran, mendoj se duhet përqendrim dhe përkushtim i vazhdueshëm, në mënyrë që të mos jesh thjesht lexues i lajmit, por të arrish ta përcjellësh atë siç duhet te publiku.

A është e vështirë të jesh çdo ditë në ekran? Sa të ndihmon background-i si gazetare në terren në dhënien e lajmeve?

Vështirësia varet nga fluksi ditor i punës. Ndonjëherë është pak e lodhshme në angazhimin mes dy punëve. Background-i si gazetare në terren është një bazë e fortë për njohjen e çështjeve që trajtohen në edicion.

Paralelisht me këtë, përpiqem të ndjek aktualitetin për të qenë e përditësuar me ngjarjet, si përmes gazetave apo medias vizive ashtu edhe përmes diskutimeve me kolegët gazetarë.

Si e menaxhon Lira kohën mes gazetarisë, punës pranë GIZ-it dhe familjes? Kur dhe si e menaxhon kohën e lirë me kaq shumë impenjime?

Puna në GIZ është puna ime bazë. Është mjaft intensive për shkak të numrit të madh të projekteve gjermane që po zbatohen aktualisht në vendin tonë dhe roli im është të bëj sa më të prekshëm për publikun punën e tyre. Përpiqem të jem sistematike.

Çdo mbrëmje dhe e gjithë fundjava është ekskluzivisht për familjen.

Prej shumë vitesh jeni pjesë e televizionit, sipas jush sa ka ndryshuar media vizive në këto vite? Është përmirësuar apo përkeqësuar në raportin e besueshmërisë me publikun?

Edhe pse media tradicionale mbetet një mjet i rëndësishëm komunikimi në Shqipëri, çdo ditë e më shumë dëgjoj njerëz që thonë: ‘Nuk shoh televizor. E marr informacionin online’.

Mendoj se ky është një ndryshim i madh, që paralelisht me shtimin e mundësive të informimit për qytetarët ka krijuar edhe një lloj kaosi në treg. E gjithë kjo kërkon më shumë vëmendje nga publiku në mënyrë që të vetëfiltrojë informacionin e përditshëm.


Etiketa: , , , ,

Pas