MADAME MAPO/ Klaudia Bastari: “Prostituta” bazohet në histori të vërtetë

Digjitalizimi ka marrë ritme shumë të shpejta vitet e fundit dhe kjo ka bërë që njerëzit të kalojnë gjithmonë e më shumë kohë në smartphonet e tyre, televizorët dhe ekranet e kompjuterëve, duke i kushtuar më pak vëmendje artit skenik dhe teatrit. Nuk ka të krahasuar emocioni dhe mesazhi që transmeton një shfaqje a pjesë e vënë në një skenë teatri, me atë që marrim gjatë shikimit të një filmi online. Një ndër veprat më të bukura e shfaqur së fundmi në teatër, është ajo nën titullin ‘Prostituta’, e cila u dallua për mesazhin e fortë dhe emocionin që i transmetoi shikuesve.

Për të kuptuar më shumë mbi fabulën dhe elementët e kësaj shfaqjeje, kemi intervistuar Klaudia Bastarin, asistent-regjisore e veprës. Klaudja ka një eksperiencë të gjatë në fushën e regjisë dhe jo vetëm, ndaj në këtë intervistë ajo ka ndarë edhe detaje nga formimi dhe hapat që ajo ka hedhur për të arritur këtu ku është sot.

Bisedoi: Antonela Bregu

Puna juaj ka qenë thuajse gjatë gjithë kohës pas kamerave, ndaj një pjesë e mirë e publikut ndoshta nuk e njohin potencialin tuaj. Për të gjithë ata që kanë shijuar rezultatet e punës suaj, pa e ditur se meritë e kujt është, mund t’jua tregojmë kush është Klaudia Bastari?

Për ta bërë këtë intervistë sa më të sinqertë dhe për t’iu dhënë rëndësinë e duhur lexuesve të gazetës suaj, mund të them që edhe pse shumë vite punë në media, film dhe studio prodhimi audiovizuale (duke qenë se ne jemi një vend i vogël, por me potencial të madh për të ardhmen për sa i përket artit dhe formave të saj), Klaudia vjen nga një familje e thjeshtë ku falë pasionit dhe punës për 11 vjet me radhë, ka ndërtuar në background, një karrierë sa të gjatë, aq dhe të vështirë. Puna ime në media ka nisur që në vitin 2006, në ‘TV Klan’ si asistente produksioni, me programe që vazhdojnë edhe sot dhe mbajnë mbërthyer shikuesin shqiptar. Kjo ka vazhduar më pas me televizione të tjera të njohura në vend si: ‘Agon Channel’, ‘Albanian Screen’, ‘Scan TV’, ‘Koha TV’, ‘TVSH’, ‘TOP Channel’ me formatet televizive si: ‘Big Brother’, ‘Portokalli’, ‘Top Fest’, ‘Një këngë për ty’, ‘Në një javë’ etj.

Pas përfundimit të studimeve të larta pranë ‘Akademisë së Arteve’ të quajtur në atë kohë, fillon karriera dhe rrugëtimi i gjatë si regjisore me prodhimin e filmave të shkurtër, dhe programeve të ndryshme të njohura televizive si: ‘Music Territory’ me Gerta Hetën, ‘Ca thu?’ me Sajmir Kodrën dhe Gentjan Zenelajn, ‘Duartrokitje’ me Adi Krastën, ‘Amerikani i Pari’ në lajme me Sonila Meçon, Sajmir Kodrën dhe Artion Vreton, ‘Watching & Maracana’ me Menada Zaimin etj. Karriera ime profesionale shënoi kulmin tim, për sa i përket formateve të reja televizive pranë televizionit ‘Agon’ në bashkëpunim me stafin italian.

Keni studiuar në Akademinë e Arteve, çfarë kujtimesh ruani nga ato vite?

Periudha gjatë shkollës se lartë mund të them se mbetet një nga kohët, ku çdo njeri kalon nga një fazë, gjasë së cilës lehtësisht beson se do realizosh ëndrrën, për të cilën je duke studiuar, në një fazë tjetër kur beson se vërtet diploma dhe finalizimi i studimeve të përgatisin për të filluar një rrugëtim të ri drejt ndërtimit të karrierës. 

Projekti më i fundit, në të cilin kishit pozicionin e asistent-regjisores ishte shfaqja me titullin “Prostituta”. Çfarë trajton fabula e saj?

Ngjarjet zhvillohen në vitet 2000, natë krishtlindjesh, kur çdo gjë është e bukur dhe festive, ajo ka ardhur të rrëfehet dhe të tregojë historinë e saj të vërtetë dhe të hidhur. Drama vetë përfshin publikun, duke reaguar ndaj fenomenit, si plagë e rëndë e shoqërisë dhe për vetë figurën e femrës, e cila jo vetëm bie pre’ e këtij fenomeni, por shpeshherë detyrohet të zgjedhë rrugë, të cilat i sigurojnë të ardhura më të mëdha hera-herës dhe për një periudhë të shkurtër. Shkruar dhe konceptuar sipas një vije dramaturgjike me një hapje fantastike, zhvillim deri në pikën kulmore të saj dhe më pas me zgjidhjen më brilante ku prostituta me HIV, ia transmeton sëmundjen e saj edhe ish-tutorit, duke e bërë që dhe ai të vijë pas saj në vdekjen e ngadaltë. Ajo i dha fund jetës së saj duke u hedhur nga ballkoni i katit të 9-të, duke e rënduar edhe më shumë veprën dhe duke krijuar një impakt sa delikat dhe emocionues për publikun. Drama të tilla lejojnë teatrin që të mbushë sallat dhe të marrin mesazhe të mëdha që vepra transmeton, nga fillimi deri në fund të saj.

Çfarë konkretisht kishit ju për detyrë të realizonit për këtë shfaqje dhe sa e vështirë ishte kjo për ju?

Roli im në këtë shfaqje është i asistent-regjisores ku përkrah regjisorit unë merrem me të gjithë koordinimin e shfaqjes, duke bërë të mundur që shfaqja të funksionojë si një e vetme me të gjitha komponentët e saj tekniko regjisorial. Pra, direkt pas regjisorit shfaqja varet në duart e asistentit si një ndër komponentët më të rëndësishëm për një vepër artistike. Për mua, sa e bukur dhe e vështirë eksperimentimi në ketë zhanër të ri më vërtetoi dhe njëherë se sa i bukur është emocioni i gjallë me publikun e pranishëm në sallë.

Cili ishte impakti që pati premiera e kësaj shfaqje te publiku?

Vënia në skenë e shfaqjes “Prostituta” nga regjisori Leka Bungo do të krijonte një impakt të veçantë tek publiku, jo vetëm për faktin e një skenari prekës dhe dramatik, por sepse gjetjet regjisoriale të veprës janë punuar me kujdes të veçantë nga regjisori, punë e cila ka filluar që në tavolinë, nisur nga skenat, vizatimi i personazheve dhe deri tek lidhja e të gjithë komponentëve bashkë, si muzika, ndriçimi, interpretimi i aktorëve. E gjitha kjo ka bërë që puna 3 mujore të finalizohej me suksesin e plotë të shfaqjes, ku publiku nuk reshti së duartrokituri me brohoritma dhe lot në sy për pjesën “Prostituta”, bazuar në histori të vërtetë.

A ju ndikon emocionalisht ajo për të cilën shkruani? Çfarë ju motivon dhe frymëzon për të krijuar?

Në shumicën e rasteve kur shkruaj vetë, skenarët e filmave të mi, pjesë e frymëzimit bëhen ngacmimet e jetës së përditshme, ose ndonjë novelë, roman, nga i cili ndikohesh emocionalisht dhe mendon ta hedhësh në letër. Kështu merr jetë një prodhim artistik i ardhshëm sa i vështirë dhe me net të tëra pa gjumë. Të prodhosh qoftë dhe një spot të shkurtër, i cili në kohëzgjatje është me sekonda, kërkon një punë kolosale nga pas. Ndërkohë kuptoj çdo koleg timin që është i përfshirë në këtë industri se çfarë do të thotë të prodhosh një produkt artistik.

Çfarë pëlqeni më tepër nga puna juaj në televizion? A ka qenë kjo një ëndërr fëmijërie?

Në fakt nuk ka qenë një ëndërr fëmijërie televizioni se sa ka qenë ajo se çfarë fshihej pas asaj që dukej. Gjithmonë më ka intriguar pjesa e fshehtë e çdo gjëje që shikoja në televizor dhe kështu lindi dhe dëshira ime e hershme, kur isha adoleshente, për të vazhduar studimet e larta për ‘Regji’ dhe si për fat në atë kohë, në Universitetin e Arteve të quajtur sot, dega e ‘Regjisë së Filmit dhe TV’, kishte dy vite që ishte hapur. Isha njeriu më i lumtur që më në fund do kuptoja dhe mësoja rreth profesionit që asokohe e shihja jo kaq të vështirë, por që më jep shumë kënaqësi. Është pasioni mbi gjithçka!

Edhe nëse flasim për filmat, jemi sërish brenda profesionit tuaj. Në këtë spektër, a është ndër planet tuaja të afërta, realizimi i një filmi?

Në fakt, çdo aspirant regjisor ose person që është i përfshirë në këtë fushë, zgjohet dhe fle me një ëndërr: të prodhojë dhe të bëjë filma të cilët përcjellin mesazhe dhe impaktojnë te publiku, sepse siç dihet ne nuk i bëjmë filmat për vete. Por sipas kohës, mundësive dhe vështirësive që vetë një proces i tillë mbart, kërkon më shumë impenjim, duke marrë parasysh dhe vendin tonë që ofron mundësi të pakta, për sa i përket prodhimit të filmave. Për të qenë e sinqertë, sikurse e thashë dhe më lart në krye të intervistës, jam në fazë shkrimi e sipër të një skenari, ku më pas do të më duhet të aplikoj për fonde dhe pse jo të realizojë një film të metrazhit të mesëm. Kjo normalisht do të kërkojë shumë kohë, impenjim, buxhet dhe fokus 24 orë vetëm në atë gjë, duke harruar madje dhe veten.

A keni tentuar të shfaqeni para publikut si modele apo angazhimet e tjera nuk jua kanë mundësuar këtë hapësirë?

Jo, nuk jam e prirur dhe s’di se si nuk më pëlqen të jem përpara kamerës. Jam mësuar të jem gjithnjë në backstage dhe kam komplekse të them të drejtën të jem përpara një objektivi. Ndodh shpesh që sa herë më drejtojnë një aparat fotografik përpara fytyrës, skuqem dhe më jep shumë bezdi.

Ju jeni njëkohësisht edhe koordinatore projektesh te ‘Save the Children’. Sa të shpeshta janë rastet e keqtrajtimeve të fëmijëve dhe sa ju ndikon kjo në gjendjen tuaj emocionale? Çfarë ju shtyu të bëheshit pjesë e kësaj nisme?

Po, e vërtetë. Kam rreth 3 vite që punoj për ‘Save the Children’ dhe qenka shumë e çuditshme se si përtej një pasioni të parë, krijon papritur një pasion të ri për punën me fëmijët dhe programet e ndryshme dhe të bukura që ‘Save the Children’ ofron. Puna me ta dhe për ta, ka qenë një tjetër eksperiencë e bukur, e cila me ka bërë të reflektoj më shumë për jetën dhe se çfarë vlerash të veçanta marrin disa detaje minimaliste në jetën e shumë fëmijëve, që do të jenë brezi i të ardhmes. Projekti, për të cilin unë punoj, është një radio për fëmijë, i quajtur ‘UndeRadio’, një platformë radiofonike në webradio, ku vetë të rinjtë dhe fëmijët punojnë dhe regjistrojnë si gazetarë të ardhshëm, duke ngritur zërin për të përmirësuar të drejtat e tyre në të gjithë Shqipërinë. Radion, e cila është e para në llojin e saj për fëmijë dhe të rinj, mund ta dëgjoni në adresën e website: www.underadio.al

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria e Katanias dorëzon dosjen “Habilaj”, zbardhet misioni në Tiranë

Dosja “Habilaj” është rikthyer sërish në vëmendje me disa zhvillime të rëndësishme....
Read More