MADAME MAPO/ Julinda Emiri: Plane nuk kam, por kam ambicie

Arti është ushqim për mendjen dhe kënaqësi për shpirtin, e veçanërisht arti skenik arrin të përcjellë te publiku një lloj ndjesie të rrallë, që nuk mund ta marrësh nga asnjë disiplinë tjetër, pasi çdo e tillë është unike në vetvete, ndaj edhe emocioni vjen në linja të ndryshme. Julinda është një aktore e re, por shumë e talentuar, e cila talentin për artin dhe aktrimin e ka kultivuar me shumë kujdes dhe dashuri e kjo pa dyshim i ka sjellë frytet e veta. Së fundmi, Julinda Emiri ka interpretuar në shfaqjen që u vu para pak ditësh në skenë nën titullin ‘Prostituta’ ku ka shkëlqyer. Lidhur me planet për veten dhe karrierën, perceptimet dhe opinionet e saj personale, Julinda është rrëfyer në këtë intervistë për Mapo:

Për atë pjesë të publikut që nuk ju njeh, si do e përshkruaje ti Julinda Emirin?

Nëse do më duhej të zgjidhja një fjalë, është ‘mendjehapur’, jo në keqpërdorimin snobist që merr shpesh ky nocion, por në p real. Luftoj çdo ditë të hap mendjen ndaj vetes në radhë të parë duke mos e gënjyer, duke u përpjekur ta zhvesh nga komplekset e mekanizmat mbrojtës me të cilat vishet gjatë rrugëtimit në shoqëri, ta zhvesh kohën time nga vogëlsirat, sepse kjo më bën të ndihem e lirë dhe ta shijoj jetën më shumë. Përpiqem ta jetoj jetën siç do e jetoja po të shkoja në prag të vdekjes e të rikthehesha. Pastaj këtë pastrim që bëj me veten përpiqem ta transmetoj dhe tek të tjerët, duke qenë empatike, duke u munduar të shoh tablonë e plotë, duke u përpjekur të jem e gjerë dhe tolerante, për të dhënë shembullin tim të shoqërisë në të cilën do doja të jetoja.

Pasioni për teatrin dhe aktrimin ka lindur bashkë me ju apo është kultivuar me rritjen tuaj?

Dashuria për aktrimin ka lindur kur unë isha në vit të fundit të shkollës së mesme, kur unë u futa në grupin e aktrimit të shkollës thjesht për të provuar diçka të re. Më parë, kurrë nuk e kisha menduar të bëhesha aktore, sepse e shihja gjithmonë së jashtmi. Por, gjatë provave, pësova një katharsis që do më krijonte bindjen e pandryshueshme për asnjë çast deri në këto momente, që kjo është ajo që dua të bëj.

Sipas jush, çfarë e bën një aktor të quhet ‘aktor i mirë’?

Janë një sërë parametrash që duhet të funksionojnë të gjitha bashkë që të quhet ‘aktor i mirë’. Do i ndaja në tri grupe:

-emocionalë, ku hyn aftësia për t’u folur në rrethanën e rolit, aftësia për ta përjetuar dhe për ta sjellë dhe te spektatori këtë emocion, instinkti aktorial dhe plasticiteti i brendshëm (për këtë duhet talenti, që është baza në çdo art);

– teknikë dhe fizikë, ku hyjnë zëri që duhet të jetë i plotë e i mbështetur, artikulimi që duhet të jetë sa më i pastër e të merret vesh çdo germë, plasticiteti fizik, aktori duhet të jetë në përgatitje sa më të mirë fizike, të jetë i lehtë, i zhdërvjellët;

– parametrat intelektualë, që për mua kanë shumë rëndësi, ku hyjnë inteligjenca, nuhatja, kultura…Duhet inteligjencë që të arrish të kuptosh e të veprosh si karakteri që po luan e jo si ti, të arrish të shndërrohesh në personazh. Duhet pasur nuhatje që të kesh sens mase, mos ta bësh diçka më të ekzagjeruar seç duhet apo e kundërta. Gjithashtu kultura është shumë e rëndësishme, të pasurit informacion për sa më shumë gjëra, të lexuarit sa më shumë, të parit sa më shumë filma, dokumentarë etj., sepse roli del nga aktori dhe sa më e pasur të jetë bota e aktorit e imagjinata e tij, aq më i pasur bëhet karakteri që luan. Aktori duhet të jetë një burim i vazhdueshëm emocionesh e karakteresh e për këtë duhet ta ushqejë veten gjithë kohën.

Çfarë emocionesh keni përjetuar kur keni interpretuar për herë të parë?

Po quaj herë të parë herën e parë që arrita të përjetoj e kuptoj ç’është aktrimi. Ka qenë prova e parafundit para premierës sime të parë. Fillova provën dhe po provoja një ndjesi që nuk e kisha provuar kurrë. Ishte sikur diçka më kishte pushtuar. Interpretoja në mënyrë krejt instiktive pa menduar aspak atë që po bëja. Nuk mendoja për asnjë çast ç’batutë apo skenë vinte më pas. Çdo gjë më buronte sikur vërtet po më ndodhte mua çdo gjë që ndodhte në skenë, pra ndieja që unë isha personazhi. Në të njëjtën kohë isha e vetëdijshme që isha në klasë dhe po bëja prova. Po jetoja dy jetë njëkohësisht (paradoksi i aktorit). Kur mbarova nuk kuptoja ç’më kishte ndodhur. Një orë e një çerek prova më kishte kaluar për një minutë. Ishte sikur provon dashurinë për herë të parë, ose si të kisha qenë nën efektin e ndonjë droge të mrekullueshme për ato 75 minuta…Ajo ishte dita që unë vendosa të bëhesha aktore dhe të ‘drogohesha’ përditë me këtë magji që nuk e gjej askund tjetër.

Si u bë Julinda pjesë e shfaqjes ‘Prostituta’?

Regjisori Leka Bungo ishte në kërkim të një aktoreje për rolin e prostitutës, ndërkohë që aktorët e tjerë i kishte zgjedhur. Viktor Zhusti, i cili më njihte që më herët prej shfaqjes “Medea” ku kemi qenë të dy aktorë, i sugjeroi të më merrte mua. Leka më bëri një provë dhe më dha rolin. I falënderoj të dy për besimin dhe jam e lumtur që ata janë të kënaqur me punën time.

Cili është bashkëpunimi më i frytshëm që keni realizuar?

Një bashkëpunim mund të quhet i frytshëm në shumë drejtime: shpirtëror kur merr kënaqësi e katharsis nga procesi i punës, në aspektin e formimit si aktor kur njihesh me një metodë të re pune e nxjerr diçka të re nga vetja, në aspektin financiar kur shpërblehesh mirë, e në aspektin investues, kur me anë të një projekti ke investuar për të ardhmen e karrierës duke shfaqur para kolegëve aktorë e regjisorë aftësitë dhe duke i bërë ata të të marrin në projekte të tjera në të ardhmen. Kështu pothuajse çdo bashkëpunim ka patur frytet e veta. Njëri që mund të veçoj për shembull është “Medea” me regjisorin grek Dimitris Mylonas. Ka qenë një punë shumë e vështirë dhe e bukur që më ka zgjuar e zhdërvjelltësuar shumë si aktore. Partnerët kanë qenë aktorë shumë të mirë dhe kjo është një shkollë më vete. Kam marrë vlerësimin e partnerëve, regjisorit dhe spektatorëve dhe kjo më rriti shumë vetëbesimin si aktore. Isha një nga vajzat e korit dhe një ditë regjisori më mori veçmas dhe më tha “Një ditë ti mund ta luash Medean, ti mundesh”. Kjo për mua ishte arritja më e madhe në atë projekt. Përveç kësaj, një nga kolegët (Sara Smaja të cilën e vlerësoj dhe falënderoj) më sugjeroi te një tjetër projekt me një regjisor austriak (që e mbyllëm) dhe Viktor Zhusti më sugjeroi te shfaqja “Prostituta” që e përmenda më lart. Më ka lënë shumë shije të mirë ajo punë.

Duke qenë se një aktore duhet të futet brenda roleve të ndryshme, shpesh edhe pjesë e skenave ‘hot’, si e ka pritur familja juaj këtë zgjedhje që keni bërë? A ka patur ndonjëherë raste kur keni hequr dorë nga një rol pikërisht për këtë arsye?

Familja ime ka qenë kundër zgjedhjes sime për t’u bërë aktore dhe një nga shqetësimet ka qenë dhe ky. Por me luftën time të vazhdueshme ata arritën të kuptonin e të shihnin nëpërmjet lodhjes sime, në orët e pafundme në prova e shfaqjeve, me çfarë ka të bëjë aktrimi, e që nuk ka të bëjë aspak me zhveshjen. Jo, nuk ka patur ndonjë rast kur kam hequr dorë nga një rol për këtë arsye.

Julinda nuk mund të jetë Julinda pa çfarë?

Pa sinqeritetin ndaj vetes. Nuk e gënjej kurrë veten dhe nëse e bëj në nënvetëdije, përpiqem të analizoj atë që bëra duke e kthyer nënvetëdijen në vetëdije dhe i thënë vetes të vërtetën. Është një proces që e bëj pa ndalur.

A keni pendesa në jetë? Dhe a ka diçka për të cilën do të donit ta kthenit kohën pas për ta ripërjetuar?

Po. Ka gjëra që do doja të mos i kisha bërë ose gjëra për të cilat më vret ndërgjegjja. Por gjithmonë në analizën e sjelljes së njeriut, duhet marrë parasysh rrethana fizike e psikologjike në atë moment që kryhet veprimi e jo më mbrapa, kështu që pendesa në vetvete nuk ka vlerë. E vetmja vlerë është ndërgjegjësimi për të mos përsëritur të njëjtin gabim. E rëndësishme është që për gjërat madhore unë nuk kam asnjë pendesë, po bëj atë që dua. Po, sigurisht që ka gjëra që do doja t’i ripërjetoja. E dua shumë jetën e më merr shumë malli për momente nga fëmijëria, adoleshenca që e di që nuk kthehen më. Por, kjo më bën të jetoj shumë fort tani sepse e di që dhe këto momente do kthehen një ditë në nostalgji.

Çfarë planesh ka Julinda për jetën dhe karrierën? Po për princin e kaltër?

Plane nuk bëj, sepse jeta ka ironinë e të luajturit me to, po kam shumë ambicie për veten. Gjithmonë mendoj ç’mund të bëj më mirë, i ve vetës standarde të larta krahasimi (profesionale e intelektuale) dhe kjo më bën të jem gjithmonë me këmbë në tokë e të punoj fort. Më shijon shumë puna dhe kam bindjen që ajo ta ndriçon vetë udhën e karrierës. Nuk kam ndërmend ta lë kurrë aktrimin. Por ka dhe pasione të tjera dytësore të cilave dua t’i jepem. (Dua të bëj një shkollë të dytë p.sh.).

Ndërsa në jetën private, dua që një ditë të kem një familje që do vijë si rrjedhojë e një historie dashurie të lindur krejt natyrshëm. Për këtë nuk mund të ketë asnjë plan, i vetmi kusht është dashuria.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Unë të rrita, pse ma bën këtë’: Gjyshi iu lut nipit para vrasjes

Vangjel Kapllani vetëm 16 vjeç, vrau gjyshin e tij me armë në...
Read More